2009
O Vëllai Im, Disiplino Ndjenjat e Tua
Nëntor 2009


O Vëllai Im, Disiplino Ndjenjat e Tua

Nëse ne dëshirojmë të kemi shpirtin e duhur me vete në të gjitha kohërat, ne duhet të zgjedhim të përmbahemi nga të zemëruarit.

Pamja
President Thomas S. Monson

Vëllezër, ne jemi mbledhur si një trupë e fuqishme e priftërisë, si këtu në Qendrën e Konferencave, edhe në vendndodhje anembanë botës. Ne dëgjuam mesazhe të frymëzuara këtë mbrëmje dhe unë u shpreh vlerësimin tim atyre Vëllezërve që na folën. Jam i nderuar, prapëseprapë i përulur, nga privilegji për t’ju folur juve dhe lutem që frymëzimi i Zotit të mund të jetë me mua.

Këto kohët e fundit, ndërsa po ndiqja lajmet në televizor, kuptova se shumë prej historive kryesore ishin të ngjashme nga natyra, në atë që tragjeditë e raportuara të gjitha në thelb e kishin burimin tek një emocion: zemërimi. Babai i një foshnje ishte arrestuar për abuzim fizik ndaj bebes. Doli si shkak se të qarat e foshnjës e kishin tërbuar aq shumë atë, sa kishte thyer një prej gjymtyrëve të fëmijës dhe disa brinjë. Alarmues ishte raporti i dhunës në rritje nga bandat, me numrin e vrasjeve të lidhura me bandat të rritur mprehtësisht. Një ngjarje tjetër atë natë përfshinte të qëlluarit me armë të një gruaje nga bashkëshorti i saj i larguar, i cili ishte denoncuar për një tërbim xhelozie pasi e kishte gjetur atë me një burrë tjetër. Pastaj, sigurisht, ishte reportazhi i zakonshëm i luftërave dhe konflikteve anembanë botës.

Mendova për fjalët e psalmistit: “Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen”1.

Shumë vite më parë, një çift i ri telefonoi në zyrën time dhe ata pyetën nëse mund të vinin për këshillim. Ata treguan se kishin vuajtur një tragjedi në jetën e tyre dhe se martesa e tyre ishte në rrezik serioz. U la një takim.

Tensionimi midis këtij burri dhe gruas ishte i dukshëm, ndërsa hynë në zyrën time. Historia e tyre u shpalos fillimisht ngadalë, ndërsa bashkëshorti fliste me ngurrim dhe gruaja qante qetësisht e merrte pjesë shumë pak në bisedë.

Burri i ri ishte kthyer nga shërbimi misionar dhe ishte pranuar në një universitet me prestigj në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara. Pikërisht aty, në një lagje për universitarët, ai kishte takuar gruan e tij të ardhshme. Ajo gjithashtu ishte studente në universitet. Pas një viti takimesh, ata udhëtuan për në Juta dhe u martuan në Tempullin e Solt-Lejkut, pastaj shpejt u kthyen në lindje për të përfunduar shkollimin e tyre.

Në kohën që u diplomuan dhe u kthyen në shtetin e tyre mëmë, ata po prisnin fëmijën e tyre të parë dhe bashkëshorti ishte punësuar në fushën e tij të zgjedhur. Gruaja lindi një djalë. Jeta ishte e mirë.

Kur biri i tyre ishte afro 18 muaj, ata vendosën të bënin ca pushime të shkurtra për të vizituar pjesëtarë të familjes që jetonin disa qindra kilometra larg. Kjo ndodhi në kohën kur thuajse nuk dihej gjë për ndenjëset e makinave për fëmijët dhe rripat e sigurimit për të rriturit, lëre pastaj të përdoreshin. Të tre pjesëtarët e familjes udhëtuan të gjithë në ndenjësen e përparme, me të voglin në mes.

Dikur gjatë udhëtimit, burri dhe gruaja patën një grindje. Pas gjithë këtyre viteve, nuk më kujtohet se për çfarë nisi ajo. Por më kujtohet se diskutimi i tyre u shkallëzua dhe u bë aq i nxehtë, sa ata përfundimisht po i bërtisnin njëri-tjetrit. E kuptueshme që kjo bëri që djali i tyre i vogël të fillonte të qante, gjë që, tha burri, vetëm e shtoi zemërimin e tij. Nga humbja e plotë e kontrollit prej inatit të tij, ai kapi një lodër që fëmija e kishte rrëzuar mbi ndenjëse dhe e vërviti në drejtim të gruas së tij.

Ai nuk arriti të godiste gruan e tij. Në vend të saj, lodra goditi birin e tyre, me pasojën që atij iu dëmtua truri dhe do të ishte invalid për gjithë jetën e tij.

Kjo ishte një prej situatave më tragjike që kisha hasur ndonjëherë. Unë i këshillova dhe i inkurajova ata. Ne folëm për zotim e përgjegjësi, për pranim dhe falje. Ne folëm për dhembshurinë e respektin që duhej rikthyer në familjen e tyre. Ne lexuam fjalë ngushëllimi nga shkrimet e shenjta. Ne u lutëm së bashku. Megjithëse nuk kam marrë lajm prej tyre që prej asaj dite kaq kohë më parë, ata po buzëqeshnin mes lotëve të tyre kur lanë zyrën time. Gjithë këto vite kam shpresuar që ata të kenë marrë vendimin për të qëndruar së bashku, të ngushëlluar e të bekuar nga ungjilli i Jezu Krishtit.

Unë mendoj për ata sa herë lexoj fjalët: “Zemërimi nuk zgjidh asgjë. Ai nuk ndërton asgjë, por mund të shkatërrojë gjithçka.”2

Ne të gjithë kemi ndier zemërim. Ai mund të vijë kur gjërat nuk rezultojnë siç duam ne. Mund të jetë një reagim ndaj diçkaje që thuhet për ne ose na thuhet neve. Ne mund ta përjetojmë atë kur njerëzit nuk sillen në mënyrën si ne duam që ata të sillen. Ndoshta mund të vijë kur na duhet të presim për diçka më gjatë sesa e mendonim. Ne mund të ndihemi të zemëruar kur të tjerët nuk mund t’i shohin gjërat nga pikëpamja jonë. Duket se janë të panumërta arsyet e mundshme për zemërimin.

Ka periudha kur ne mund të nxehemi nga lëndime të përfytyruara ose padrejtësi të nuhatura. Presidenti Hiber J. Grant, Presidenti i shtatë i Kishës, tregoi për një rast kur, si i ri në moshë madhore, bëri ca punë për një burrë, i cili pastaj i dërgoi një çek prej 500 dollarësh më një letër ku kërkonte falje që nuk ishte në gjendje ta paguante më shumë. Pastaj Presidenti Grant bëri ca punë për një burrë tjetër – punë e cila, tha ai, ishte 10 herë më e vështirë, përfshinte 10 herë më shumë punë dhe shumë më tepër kohë. Ky burrë i dytë i dërgoi atij një çek prej 150 dollarësh. Hiberi i ri ndjeu se ishte trajtuar në mënyrën më të pandershme. Ai fillimisht u ndie i fyer dhe pastaj i xhindosur.

Ai ia tregoi përvojën një miku më të vjetër, i cili e pyeti: “A kishte ndërmend ai burrë të të fyente?”

Presidenti Grant u përgjigj: “Jo. Ai u tha miqve të mi se më kishte shpërblyer me bujari.”

Kësaj miku i vjetër iu përgjigj: “Një njeri është budalla kur e merr për ofendim atë që nuk është me qëllim fyes”3.

Apostulli Pal pyet tek Efesianët, kapitulli 4, vargu 26 në Përkthimin e Jozef Smithit: “A mund të zemëroheni dhe të mos mëkatoni? Mos e lini diellin të perëndojë mbi zemërimin tuaj.” Unë pyes, a është e mundur të ndiejmë Shpirtin e Atit tonë Qiellor kur jemi të zemëruar? Unë nuk di asnjë rast kur kjo do të ishte e mundur.

Nga 3 Nefi në Librin e Mormonit lexojmë:

“Nuk do të ketë grindje mes jush… .

Pasi në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve se ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili është ati i grindjes dhe ai nxit zemrat e njerëzve, që të grinden me zemërim me njëri-tjetrin.

Vini re, kjo nuk është doktrina ime, që të nxis zemrat e njerëzve në zemërim, njëri kundër tjetrit; por, doktrina ime është kjo, që gjëra të tilla duhet të zhduken.”4

Të jesh i zemëruar do të thotë t’i dorëzohesh ndikimit të Satanit. Askush nuk mund të na zemërojë. Është zgjedhja jonë. Nëse ne dëshirojmë të kemi shpirtin e duhur me vete në të gjitha kohërat, ne duhet të zgjedhim të përmbahemi nga të zemëruarit. Unë dëshmoj që kjo është e mundur.

Zemërimi, mjet i Satanit, është shkatërrues në aq shumë mënyra.

Besoj se shumica jonë është e familjarizuar me tregimin e trishtuar të Tomas B. Marshit dhe gruas së tij, Elisabeta. Vëllai Marsh ishte një prej Apostujve të parë të ditëve të mëvonshme që u thirr mbas rivendosjes së Kishës në tokë. Përfundimisht, ai u bë President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Kur shenjtorët ishin në Far Uest, Misuri, Elisabeta Marsh, gruaja e Tomasit, dhe shoqja e saj, Motra Harris, vendosën të shkëmbenin qumësht në mënyrë që të bënin më shumë djathë, sesa do të kishin mundësi ndryshe. Që të siguroheshin se gjithçka do të bëhej ndershmërisht, ato ranë dakord që nuk do ta ruanin atë që e quanin ‘kulloshtra’ në fund të mjeljes, por që qumështi dhe ‘kulloshtra’, të gjitha do të mblidheshin bashkë. Kulloshtra dilte në fund të mjeljes dhe ishte më e pasur në ajkë.

Motra Harris ishte besnike ndaj marrëveshjes, por motra Marsh, duke dashur të bënte ca djathë veçanërisht të shijshëm, ruante një sasi kulloshtre nga çdo lopë dhe ia dërgonte qumështin Motrës Harris pa kulloshtrën. Kjo bëri që dy gratë të grindeshin. Kur ato nuk mund ta zgjidhnin mospajtimin, çështja iu paraqit mësuesve të shtëpisë për ta zgjidhur. Ata konstatuan se Elisabeta Marsh ishte fajtore për mosmbajtjen e marrëveshjes së saj. Ajo dhe bashkëshorti i saj u mërzitën me vendimin dhe çështja iu dërgua atëherë peshkopit për një gjykim nga Kisha. Trupi gjykues i peshkopit vendosi që kulloshtra u kursye padrejtësisht dhe se Motra Marsh kishte shkelur besëlidhjen e saj me Motrën Harris.

Tomas Marsh apeloi në këshillin e lartë dhe burrat që përbënin këtë këshill miratuan vendimin e peshkopit. Atëherë, ai i apeloi Presidencisë së Parë të Kishës. Jozef Smithi dhe këshilltarët e tij e shqyrtuan çështjen dhe mbështetën vendimin e këshillit të lartë.

Plaku Tomas B. Marsh, që mbajti anën e gruas së tij gjatë gjithë kohës, u zemërua edhe më shumë pas çdo vendimi pasues – aq u zemërua, në fakt, sa shkoi përpara një gjykatësi dhe u betua që mormonët ishin armiqësorë kundrejt shtetit të Misurit. Dëshmia e tij me betim çoi – ose të paktën ishte një faktor – për urdhrin mizor të guvernatorit Lilburn Bogs për shfarosje, që përfundoi me flakjen nga shtëpitë e tyre të mbi 15.000 shenjtorëve, me të gjithë vuajtjen e tmerrshme dhe vdekjen që vijoi më pas. E gjithë kjo ndodhi për shkak të një mosmarrëveshjeje për shkëmbimin e qumështit dhe ajkës.5

Pas 19 vjetësh mllefi e humbjeje, Tomas B. Marsh si përfundim udhëtoi drejt Luginës së Solt-Lejkut dhe i kërkoi falje Presidentit Brigam Jang. Vëllai Marsh i shkroi gjithashtu Hiber C. Kimballit, Këshilltar i Parë në Presidencinë e Parë, për mësimin që kishte marrë. Vëllai Marsh tha: “Zoti mund t’ia dalë shumë mirë pa mua, dhe Ai … nuk humbi asgjë prej largimit tim nga Kisha; Por, oh, çfarë kam humbur unë! Pasuri, pasuri më të mëdha sesa e gjithë kjo botë ose që shumë planetë si ky mund të ofronin.”6

Me vend janë fjalët e poetit Xhon Grinlif Uitier: “Nga gjithë fjalët e trishtuara të gjuhës ose penës, më të trishtueshmet janë këto: ‘Mund të kishte qenë’!”7

Vëllezërit e mi, ne jemi të gjithë të prekshëm nga ato ndjenja të cilat, nëse lihen të pakontrolluara, mund të çojnë në zemërim. Ne përjetojmë pakënaqësi ose acarim, ose kundërshti; dhe nëse ne e zgjedhim, ne nxehemi dhe bëhemi zemërakë me të tjerët. Si për ironi, ata të tjerët shpesh janë pjesëtarët e vetë familjeve tona – njerëzit që me të vërtetë i duam më shumë.

Shumë vite më parë, lexova këtë njoftim të Associated Press (Asoshiejtëd Pres), që kishte dalë në gazetë: “Një burrë i vjetër, në funeralin e vëllait të tij, me të cilin kishte përdorur bashkërisht, që prej viteve të maturisë së hershme, një kabinë të vogël sa një dhomë, afër Kanisteos në Nju-Jork, rrëfeu hapur se në vijim të një grindjeje, ata e kishin ndarë dhomën përgjysmë me një vijë me shkumës dhe asnjëri nuk e kishte kaluar vijën apo t’i kishte thënë një fjalë tjetrit që prej asaj dite – 62 vjet më parë”. Thjesht mendoni për pasojat e atij zemërimi. Çfarë tragjedie!

Marrshim një vendim të ndërgjegjshëm, sa herë duhet marrë një vendim i tillë, për t’u përmbajtur prej zemërimit dhe për t’i lënë pa i thënë gjërat e ashpra dhe lënduese që mund të tundohemi për t’i thënë.

I pëlqej fjalët e himnit të shkruar nga Plaku Çarls W. Penroz, i cili shërbeu në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve dhe në Presidencinë e Parë gjatë viteve të para të shekullit të 20-të:

O Vëllai Im, disiplino ndjenjat e tua;

Stërvite shpirtin tënd të nxehtë, impulsiv.

Emocionet e tij mos i shtyp,

Por lëre zërin e diturisë t’i kontrollojë ato.

Disiplino ndjenjat e tua; ka fuqi

Në mendjen e qetë e të mbledhur.

Pasioni shkatërron kullën e arsyes,

E verbon edhe shikimin më të qartë.8

Secili prej nesh është një mbajtës i priftërisë së Perëndisë. Betimi dhe besëlidhja e priftërisë na përkasin ne të gjithëve. Për ata që mbajnë Priftërinë Melkizedeke, ajo është shpallje e nevojës sonë për të qenë besnikë dhe të bindur ndaj ligjeve të Perëndisë dhe për të lartësuar thirrjet që na vijnë. Për ata që mbajnë Priftërinë Aarone, ajo është një deklarim në lidhje me detyrën dhe përgjegjësinë e ardhshme, që ju të mund të përgatisni veten këtu dhe tani.

Ky betim dhe besëlidhje është vendosur nga Zoti në këto fjalë:

“Sepse cilëtdo që janë besnikë në marrjen e këtyre dy priftërive për të cilat kam folur, dhe në lartësimin e thirrjes së tyre, shenjtërohen me anë të Shpirtit në ripërtëritjen e trupave të tyre.

Ata bëhen bijtë e Moisiut dhe të Aaronit dhe fara e Abrahamit, dhe kisha e mbretëria, dhe të zgjedhurit e Perëndisë.

Dhe gjithashtu gjithë ata që e pranojnë këtë priftëri, më pranojnë mua, thotë Zoti;

Sepse ai që pranon shërbëtorët e mi, më pranon mua;

Dhe ai që më pranon mua, pranon Atin tim;

Dhe ai që pranon Atin tim, pranon mbretërinë e Atit tim; si rrjedhim, gjithçka që Ati im ka, do t’i jepet atij.”9

Vëllezër, premtime të mëdha na presin, nëse jemi të vërtetë dhe besnikë ndaj betimit dhe besëlidhjes të kësaj priftërie të çmuar që ne mbajmë. Qofshim bij të denjë të Atit tonë Qiellor. Qofshim gjithmonë shembuj të mirë në shtëpitë tona dhe besnikë në mbajtjen e të gjitha urdhërimeve, që ne të mos ushqejmë asnjë mllef kundrejt ndonjë njeriu, por më mirë të jemi paqebërës, duke kujtuar gjithmonë këshillën e Shpëtimtarit: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin”10. Kjo është kërkesa ime sonte në mbyllje të kësaj mbledhje të mrekullueshme të priftërisë dhe është gjithashtu lutja ime e përulur dhe e sinqertë, sepse unë ju dua juve, vëllezër, me gjithë zemrën dhe shpirtin tim. Dhe unë lutem që bekimi i Atit Qiellor të jetë me secilin prej jush në jetën tuaj, në shtëpinë tuaj, në zemrën tuaj, në shpirtin tuaj, në emër të Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Psalmi 37:8.

  2. Lawrence Douglas Wilder, cituar në “Early Hardships Shaped Candidates”, Deseret News, 7 dhjetor 1991, A2.

  3. Shih Heber J. Grant, Gospel Standards, përpiluar nga G. Homer Durham (1969), f. 288–289.

  4. 3 Nefi 11:28–30.

  5. Shih George A. Smith, “Discourse”, Deseret News, 16 prill 1856, f. 44.

  6. Thomas B. Marsh drejtuar Heber C. Kimball, 5 maj 1857, Brigham Young Collection, Church History Library.

  7. “Maud Muller”, The Complete Poetical Works of John Greenleaf Whittier (1876), f. 206.

  8. “School Thy Feelings”, Hymns, nr. 336.

  9. Doktrina e Besëlidhje 84:33–38.

  10. Gjoni 13:35.