2009
Trashëgimia e Qëndrueshme e Shoqatës së Ndihmës
Nëntor 2009


Trashëgimia e Qëndrueshme e Shoqatës së Ndihmës

Historia e Shoqatës së Ndihmës dokumentohet në fjalë dhe numra, por trashëgimia kalohet nga zemra në zemër.

Pamja
President Henry B. Eyring

Jam mirënjohës që jam me ju sonte. Ju shpreh dashurinë dhe mirënjohjen e Presidentit Monson dhe Presidentit Uhtdorf. Që prej themelimit të saj më 1842, Shoqata e Ndihmës ka qenë e bekuar me vëmendjen e kujdesshme dhe të dashur të profetit të Perëndisë. Kur ajo nisi në Navú, Jozef Smithi i udhëzonte udhëheqëset dhe anëtaret e mbledhura.

Duke e ditur se ju keni atë histori të lavdishme, unë ndiej peshën e kësaj ftese të Presidentit Monson që t’ju flas juve. Në një nga ato mbledhje të hershme të Shoqatës, Profeti Jozef Smith e çuditi Peshkopin Njuëll K. Uitni duke i kërkuar që të fliste në vend të tij. Peshkopi Uitni tha se kishte mbërritur aty gjithë gëzim se do të mësohej nga Profeti. I kuptoj ndjenjat e tij të zhgënjimit – dhe, ndoshta, edhe tuajat.

E kështu, ndërsa po përgatitesha për këtë çast, e pyeta Presidentin Monson për mendimin e tij se ç’gjë do të ishte më e dobishme që të dëgjonit. Ajo që tha ai, ripohoi mbresat të cilat tashmë më kishin ardhur ndërsa studioja e lutesha.

Do t’ju flas sonte për trashëgiminë e madhe të cilën ato që kanë ecur përpara jush në Shoqatën e Ndihmës, jua kanë përcjellë juve. Pjesa e themelit që hodhën ato për ju, që më duket si pjesa më e rëndësishme dhe më e qëndrueshme, është që dashuria hyjnore qëndron në thelbin e shoqatës dhe duhet të hyjë në zemrën, të jetë pjesë krejt e natyrshme, e çdo anëtareje. Dashuri hyjnore për to do të thoshte shumë më tepër sesa ndjenjë mirëdashjeje. Dashuria hyjnore lind nga besimi tek Zoti Jezu Krishti dhe është ndikim i Shlyerjes së Tij që vepron në zemrën e anëtarëve. Ka shumë grupime të grave mirëdashëse të cilat bëjnë një punë të madhe. Ka shumë që kanë ndjenja të fuqishme të dhimbjes për fatkeqët, të sëmurët dhe nevojtarët. Por kjo organizatë është e pashoqe dhe ka qenë kështu që nga fillimi.

Në themelin që krijuan, ato motra të madhërishme vendosën në qendër moton “dashuria hyjnore nuk dështon kurrë”1. Ajo u vleu atyre në periudhën e madhërishme që vijoi, ajo u vlen tani në një kohë të re dhe ajo do t’i vlejë Shoqatës së Ndihmës në të gjitha periudhat në të ardhmen. Kjo shoqatë përbëhet nga gra, ndjenjat e dashurisë hyjnore të të cilave burojnë nga zemra të ndryshuara nëpërmjet cilësimit për besëlidhjet dhe mbajtjes së besëlidhjeve të ofruara vetëm në Kishën e vërtetë të Zotit. Ndjenjat e tyre të dashurisë hyjnore vijnë nga Ai nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Veprat e tyre të dashurisë hyjnore udhëhiqen nga shembulli i Tij – dhe dalin nga mirënjohja për dhuratën e Tij të pafundme të mëshirës – dhe nëpërmjet Frymës së Shenjtë, të cilin Ai e dërgon për të shoqëruar shërbëtorët e Tij në misionet e tyre të mëshirës. Për shkak të saj ato kanë bërë dhe janë në gjendje të bëjnë për të tjerët gjëra të pazakonshme e të gjejnë gëzim edhe kur nevojat e veta janë të mëdha.

Historia e Shoqatës së Ndihmës është e mbushur me përshkrime të një shërbese të tillë të shquar vetëmohuese. Në ditët e tmerrshme të përndjekjes dhe grabitjes, ndërsa besnikët i largoheshin Ohajos drejt Misurit, drejt Ilinoisit dhe më pas duke shkuar në perëndim përmes shkretëtirave, në varfërinë dhe hidhërimet e tyre motrat kujdeseshin për të tjerët. Ju do të lotonit, sikurse unë, po t’ju lexoja tani disa nga përshkrimet e historisë suaj. Ju do të prekeshit me bujarinë e tyre, por, edhe më shumë duke pohuar besimin i cili i lartësonte dhe i mbështeste ato.

Ato vinin nga një larmi e madhe rrethanash. Të gjitha u përballën me sprovat dhe pikëllimet e gjithanshme të jetës. Vendosmëria e tyre që lindi nga besimi për t’i shërbyer Zotit dhe të tjerëve, dukej sikur i çonte ato jo në periferi të stuhive të jetës, por drejt e në brendësi të tyre. Disa ishin të reja dhe disa të rritura. Ato vinin nga shumë vende e popuj, sikurse ju sot. Por ato ishin të një zemre, të një mendjeje dhe me një qëllim. Ishin të vendosura të ndihmonin Zotin për ngritjen e Sionit të Tij, ku të mund të ishte jeta e lumtur që Libri i Mormonit ua kishte përshkruar në mënyrë aq të gjallë. Ju i kujtoni disa nga tablotë e ngjarjeve tek 4 Nefi, të cilat ato i mbanin me vete në zemër kudo që Zoti i drejtonte në udhën drejt Sionit:

“Dhe ndodhi që në vitin e tridhjetegjashtë, i gjithë populli ishte kthyer në besim te Zoti, mbi tërë faqen e dheut, si Nefitë ashtu dhe Lamanitë; dhe nuk pati grindje dhe debate mes tyre dhe të gjithë njerëzit trajtonin me drejtësi njëri-tjetrin.

Dhe ata kishin të gjitha gjërat e përbashkëta mes tyre; prandaj nuk kishte të pasur dhe të varfër, skllevër dhe të lirë, por ata të gjithë ishin bërë të lirë dhe pjesëmarrës të dhuratës hyjnore… .

Dhe ndodhi që nuk pati grindje në tokë, për shkak të dashurisë së Perëndisë që jetonte në zemrat e njerëzve.”2

Anëtaret e hershme të Shoqatës së Ndihmës nuk hynë në një kohë të tillë idilike. Por dashuria e Perëndisë rronte në zemrat e tyre. Prandaj ajo – edhe ato – qëndruan gjatë udhës drejt perëndimit dhe në vitet që pasuan. Për shkak të rrethanave të vështira, për afro katër dekada Shoqata e Ndihmës ndaloi së funksionuari si një organizatë e mbarë Kishës. Por më 1866 Brigam Jangu thirri Eliza R. Snoun që të ndihmonte peshkopët në organizimin e Shoqatave të Ndihmës. Ajo u thirr presidentja e përgjithshme e dytë e Shoqatës së Ndihmës më 1880. Dokumentacioni i Shoqatës së Ndihmës tregon që, kur udhëheqësit iu drejtuan motrave kudo në Kishë që të rifillonin zyrtarisht punën e Shoqatës së Ndihmës, ata zbuluan se dashuria hyjnore në zemrën e tyre nuk ishte dobësuar. Ato kishin vazhduar t’u vinin në ndihmë me mëshirë nevojtarëve. Për ato që u kishin qëndruar besnike besëlidhjeve të tyre, dhurata e dashurisë hyjnore, dhurata e pastër e Krishtit, kishte qëndruar. Ishte ende e tyre.

Në vitet që pasuan, Shoqata e Ndihmës e rriti numrin dhe fuqinë për t’u shërbyer nevojtarëve. Nën udhëheqjen e grave me vizion dhe aftësi të madhe, Shoqata e Ndihmës u bë model në nisjen e shërbimeve bamirëse të cilat nuk ekzistonin për nevojtarët në zonat e pazhvilluara të Shteteve të Bashkuara. Ato krijuan një spital të vogël. U siguruan mbështetje grave që të shkonin në Lindje të vendit që të merrnin trajnim mjekësor për ta pajisur atë me personel. Ai ishte fillimi i një prej sistemeve të mëdha spitalore të Shteteve të Bashkuara.

Ato nisën programe që u bënë nëpër vite programet e përbotshme të Shërbimeve Familjare të SHDM. Krijuan një sistem aq të efektshëm të rezervës së drithërave, sa arritën t’i përgjigjeshin një kërkese për ndihmë të qeverisë federale në një kohë lufte dhe krize. Filluan ato që më pas u bënë në Kishë Fillorja dhe organizata e të rejave. Krijuan revistën e tyre për gratë. U bënë një nga organizatat më të mëdha në botë për gratë. Ato ishin gjithashtu në udhëheqjen e organizatave të grave në Shtetet e Bashkuara.

Shoqata e Ndihmës qëndronte në thelb të fillimit të aftësisë së Kishës për të dhënë ndihmë humanitare nëpër botë. Udhëheqësit e kombeve, kur vizitojnë Jutën, shprehin nderim dhe admirim për atë që po bën Kisha për të varfrit dhe viktimat e luftës e të fatkeqësive natyrore anembanë botës. Këto dhurata të mrekullueshme për fëmijët e Perëndisë janë pjesë e trashëgimisë së qëndrueshme të Shoqatës së Ndihmës.

Profeti Jozef Smith i tha Shoqatës së Ndihmës në mbledhjen e tyre të parë se gjëra të tilla të mrekullueshme do të vinin nga shërbesa e tyre besnike. Ai tha që mbretëreshat do të vinin për të mësuar e për të qenë pjesë e shërbesës së tyre.3 E kam parë përmbushjen e asaj profecie. Dhe nga dokumentet unë mund të shquaj qartë se një premtim i shkrimeve të shenjta për ata që i shërbejnë Zotit në punën e Tij, iu bë edhe atyre pioniereve të Shoqatës së Ndihmës. Ai premtim, që u bë përmes Profetit Jozef Smith, shënohet në Seksionin 88 të Doktrinës e Besëlidhjeve. Ai flet për ata që do të thirren për të shërbyer me Të në periudha të njëpasnjëshme:

“Dhe ai i tha të parit: Shko dhe puno në fushë dhe në orën e parë unë do të vij te ti e ti do të shohësh gëzim në fytyrën time.

Dhe ai i tha të dytit: Shko edhe ti në fushë dhe në orën e dytë unë do të të vizitoj me gëzim në fytyrën time.

Dhe gjithashtu të tretit, duke i thënë: Unë do të të vizitoj;

Dhe të katërtit e kështu me radhë deri të dymbëdhjetit.

Dhe i zoti i fushës shkoi tek i pari në orën e parë dhe qëndroi me të gjatë gjithë asaj ore dhe ai u gëzua prej dritës së fytyrës së zotit të tij.”4

Nga dokumentet që ato lanë është e kuptueshme se ato gra të periudhës së parë të Shoqatës së Ndihmës ndien gëzimin që premtoi Zoti. Ai ishte në punë bashkë me to. Ai i solli asaj sukses dhe ato ndien gëzim dhe dritë.

Por Profeti Jozef parashikoi që do të vijonte një periudhë tjetër. Ai pa veprat e mëdha që ato do të ngrinin në periudhën e parë. Por gjithashtu ai tha se ato duhej të shërbenin, të bekonin e të kujdeseshin për ata që kishin pranë, të njiheshin drejtpërdrejt prej tyre.

Pas një kohe veprimtarie gëzimplote shërbimi për Shoqatën e Ndihmës, Zoti i udhëhoqi ato drejt një periudhe tjetër, larg fushave ku ato kishin mbjellë aq madhërisht. Ishte e vështirë për burrat besnikë që trashëguan, për shembull, sistemin spitalor të cilin e patën zgjeruar mbi themelin që kishte ngritur Shoqata e Ndihmës. Zoti, përmes profetëve të Tij, bëri të qartë se shërbëtorët e Tij të priftërisë mund t’ua besonin të tjerëve detyrën e mirëmbajtjes dhe të ndërtimit të atij mjeti të fuqishëm mirësie. Dhe kështu Kisha fali sistemin e saj të mrekullueshëm spitalor.

Di për ta dhe i admiroj burrat që kishin ndier gëzimin e shërbimit në atë sistem spitalor. Dhe kam parë mirënjohjen e tyre që gëzimi u kishte ardhur duke qenë në punë bashkë me Zotin, jo nga arritjet e veta. Prandaj, ata buzëqeshën dhe falën me gëzim gjërat që kishin ndërtuar. Ata kishin besim se Zoti shihte një nevojë më të madhe për shërbesën e tyre në fusha të tjera të një periudhe tjetër.

Një pjesë e çmuar e trashëgimisë së Shoqatës së Ndihmës është i njëjti besim në zemrën e udhëheqëseve e të anëtareve të saj. Zoti e pati ditur se ku do të nevojiteshin në periudhën tjetër talentet e tyre madhështore dhe se ku do të gjenin ato një gëzim edhe më të madh se me nismat e mrekullueshme e mirëdashëse që kishin filluar dhe ngritur.

Kisha po zgjerohej dhe po përhapej nëpër botë. Shërbimet që Shoqata e Ndihmës kishte krijuar nisën të kërkonin masë të madhe burimesh dhe vëmendje të pandërprerë në një Kishë që zgjerohej dhe një botë me trazirë në rritje. Vazhdimi i programeve të gjera e të centralizuara do të kishte pakësuar mundësinë e udhëheqëseve e të anëtareve të Shoqatave të Ndihmës për të ndier gëzimin e të shërbyerit njerëzve për Zotin dhe me Të.

Për një periudhë të re, Zoti e kishte mundësinë e tyre tashmë aty ku duhej. I vetmi sistem i cili mund të siguronte ndihmë dhe ngushëllim anembanë një kishe aq të madhe në një botë aq të larmishme, do të ishte me anë të personave shërbyes në afërsi të njerëzve nevojtarë. Zoti e kishte parë që kjo po vinte, që me fillimin e Shoqatës së Ndihmës.

Ai caktoi një model që është në veprim. Dy motra të Shoqatës së Ndihmës pranojnë si thirrje nga Zoti caktimin e tyre për të vizituar një tjetër. Kjo ishte gjë e vërtetë që në fillim. Drejtueset e Shoqatës së Ndihmës organizuan anëtare të cilave ua njihnin besimin, që të jepnin shërbesë dhembshurie kur kjo të ishte përtej mundësisë së dy mësueseve vizitore të caktuara në detyrë. Kjo gjë ishte kurdoherë pranë shtëpisë, ndërmjet të njohurve. Anëtaret mësojnë ungjillin në mbledhje lokale dhe japin dëshmi për Shpëtimtarin dhe për Rivendosjen. Bijat kujdesen për nënat. Nënat i dëgjojnë me vëmendje, i mësojnë dhe kujdesen për bijat.

Anëtaret e Shoqatës së Ndihmës kanë pasur përherë besimin e barinjve lokalë të priftërisë. Çdo peshkop dhe çdo president dege mund të mbështetet tek një presidente e Shoqatës së Ndihmës. Ajo ka mësueset vizitore, të cilat i njohin sprovat dhe nevojat e çdo motre. Nëpërmjet tyre ajo mund të njohë zemrën e individëve dhe të familjeve. Mund të plotësojë nevoja e të ndihmojë peshkopin në thirrjen e tij për ushqimin e individëve dhe të familjeve.

Një pjesë e mrekullueshme e trashëgimisë së Shoqatës së Ndihmës duket në mënyrën si priftëria u ka treguar gjithnjë respekt dhe, rrjedhimisht, e ka marrë atë nga Shoqata e Ndihmës. E kam parë atë sikurse ju. Peshkopi i familjes sonë, vite më parë, më tha me buzëqeshje: “Përse kur unë shkoj te dikush në lagje, që është nevojtar, bashkëshortja juaj gjithmonë duket se ka qenë atje përpara meje?” Çdo peshkop dhe president dege, sado me përvojë, ka ndier shtysën fisnike të shembullit të frymëzuar të motrave të Shoqatës së Ndihmës. Ato na ndihmojnë të kujtojmë se për të gjithë, gra dhe burra, nuk do të ketë shpëtim pa shërbesë zemërdhembsur.

Ju që jeni më të moshuara, e mbani mend Presidentin Marion G. Romni që citoi këtë shkrim të shenjtë kur ai tha se ishte i vendosur po aq sa ishin motrat, për besnikëri në dhënien e atij shërbimi dhembshurie. Ai citoi Mbretin Beniamin: “Dhe tani, për hirin e këtyre gjërave që unë ju kam folur – që është për hirin e ruajtjes së një heqjeje të mëkateve tuaja nga dita në ditë, që ju të mund të ecni të pafajshëm para Perëndisë – unë do të doja që ju t’u jepni nga pasuria juaj të varfërve, çdo njeri sipas asaj që ka, në mënyrë që të ushqehen të uriturit, të vishen të zhveshurit, të vizitohen të sëmurët dhe t’u jepni ndihmë atyre qoftë shpirtërisht, ashtu edhe materialisht, sipas nevojave të tyre.”5

Arsyeja pse Presidenti Romni buzëqeshte, nëse e kujtoj se kur e bënte këtë, ishte, siç tha ai, ngaqë dëshironte vërtet të kishte një heqje të mëkateve. Dhe prandaj ai mendoi që t’u bashkohej motrave në çdo vepër shërbimi të dhembshur që të mundej.

Tani është radha të flitet se çfarë duhet të bëni ju për t’ua përcjellë atyre që do të vijnë pas jush, këtë trashëgimi të mrekullueshme e të shenjtë të Shoqatës së Ndihmës. Do të kërkojë gjëra të vogla e të thjeshta. Thjesht mbani mend që trashëgimia kalohet nga zemra në zemër. Dashuria hyjnore, dashuria e pastër e Krishtit, është pjesë e ndryshimit të thellë të zemrës, që Zoti ua premton dishepujve të Tij besnikë. Prandaj, nuk është e vështirë të shihet se çfarë gjërash të thjeshta ju mund dhe duhet të bëni për ta përcjellë trashëgiminë më tej.

Për shembull, çdo herë që ju dhe shoqja juaj përgatiteni të shkoni për vizitën mësimore, thjesht duhet të kujtoni se çfarë është suksesi. Ai do të jetë më shumë se mbërritja tek dera. Do të jetë më shumë se një mesazh i dhënë. Do të jetë më shumë se të pyesni se si mund t’i ndihmoni. Suksesi do të vijë ndoshta vetëm pas shumë vizitave. Dhe ju mund të mos e shikoni në këtë botë provën që keni pasur sukses. Por ju mund ta ndieni nëpërmjet Shpirtit nëse jeni në atë rrugë.

Bisedova me një anëtare të Shoqatës së Ndihmës për një vizitë që kishte bërë. Kishte vizituar një grua e cila pas pak kohe do të humbte papritur dhe tragjikisht të shoqin. Në vitet e fundit gruaja kishte pasur vetëm kontakte të rralla me Shoqatën e Ndihmës.

Vizitorja u përgatit duke shkuar të blinte lule në një dyqan. Ishte një stinë kur tulipanët ishin në shitje me tufa ngjyra-ngjyra. Ajo zgjodhi një ngjyrë, të parapëlqyerën e saj, por pastaj pati një mbresë që të zgjidhte një tjetër. Nuk e dinte përse zgjodhi të verdhën, por ashtu bëri.

Kur atje tek dera i paraqiti tulipanët e verdhë, gruaja buzëqeshi dhe tha: “Eja. Shikoje oborrin tim pas shtëpisë”. Ai ishte i mbushur me tulipanë të verdhë që kishin çelur plotësisht. Gruaja tha: “Sapo isha duke menduar të prisja disa për shtëpinë. Por tani po i lë ato dhe po ua shijoj edhe ca pamjen e tyre në oborr, meqë ti më solle këto.” Ato biseduan përzemërsisht sikur të ishin shoqe të vjetra. Prej një mbrese për të çuar disa lule dhe për të zgjedhur tulipanë të verdhë, ajo mësuese vizitore mori një provë se ishte në udhën e porosisë së Zotit. Kur ajo më tregonte, mund t’ia dëgjoja gëzimin në zërin e saj.

Në kohën kur foli me mua, ajo nuk e dinte se çfarë ndjeu gruaja e ve mbas vizitës. Por, në qoftë se gruaja e ve e ndjeu që Perëndia e donte atë dhe që Ai i pati dërguar asaj një engjëll, mësuesja vizitore e kishte ndihmuar që ajo të vihej në udhën drejt suksesit në sytë e Zotit. Ajo vizitore mundet të mësojë për suksesin e përpjekjes së saj besnike vetëm në botën e ardhshme. Kjo gjë është e vërtetë edhe për dy mësuese vizitore të cilat vazhdimisht i sillnin dashuri një vejushe tjetër që jetoi pranë tyre në një shtëpi riaftësimi për afro nëntë vjet. Pas vështirësish të mundimshme, ajo ndërroi jetë vetëm pak javë më parë.

Nga sa mësova nga një prej djemve të vejushës, unë kam bindjen se ato mësuese arritën sukses. Ato do të kenë përjetimin e lumtur që nëna e Profetit Jozef Smith u përshkroi motrave në një mbledhje të shoqatës që ajo frekuentonte. Ajo tha: “Ne duhet ta duam fort e të kujdesemi për njëra-tjetrën, ta ngushëllojmë njëra-tjetrën dhe të marrim udhëzime, në mënyrë që të gjitha të zëmë një vend së bashku në qiell”6.

Trashëgiminë ju e përcillni më tej kur i ndihmoni të tjerat që të marrin në zemër dhuratën e dashurisë hyjnore. Atëherë ato do të jenë në gjendje t’ua përcjellin atë të tjerave. Historia e Shoqatës së Ndihmës dokumentohet në fjalë dhe numra, por trashëgimia kalohet nga zemra në zemër. Kjo është arsyeja përse familjet kanë përfitime të tilla prej Shoqatës së Ndihmës. Nëna ime më la një kapëse të vogël ku shkruhej: “Dashuria Hyjnore Nuk Dështon Kurrë”. Motra Bek më dha këtë të voglën për jakën e xhaketës sime.

Trashëgimia e qëndrueshme që nëna ime i la familjes, ishte më shumë se kapësja. Ishte dashuria e saj dhe dashuria e Zotit, të cilat i pashë dhe i ndjeva në gjërat të thjeshta që bëri duke përcjellë dhembshuri për Të. Ajo ishte grua e Shoqatës së Ndihmës. Nëna ime nuk pati vajza, por gruaja ime ua ka përcjellë trashëgiminë dy bijave tona. Dhe ato do ta mbajnë atë të gjallë në zemrën e të tjerave. Ajo do të qëndrojë, sepse dashuria hyjnore nuk dështon kurrë.

Unë dëshmoj që dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit. Ai jeton. Kur u shërbejmë të tjerëve bashkë me Të, ne ndiejmë gëzimin e Tij. Me Shlyerjen e Tij Ai ka bërë të mundur që ne të lutemi e të marrim dhuratën e dashurisë hyjnore. Unë e di që Ati jeton dhe u përgjigjet lutjeve tona. Ju jeni anëtaret e një shoqate që është themeluar dhe vënë në udhën e saj nga profeti i Rivendosjes, Jozef Smithi. Motra Bek dhe këshilltaret e saj u thirrën nëpërmjet frymëzimit të Perëndisë, i cili iu dha profetit të gjallë. E di se kjo është e vërtetë.

Ju keni një trashëgimi të lavdishme. I lutem Perëndisë që Ai t’ju frymëzojë për ta ruajtur e përcjellë atë si trashëgimi për t’i bekuar dhe për t’u sjellë gëzim atyre të brezave dhe periudhave që vijnë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, të cilit i shërbejmë, amen.

NOTES

  1. 1 Korintasve13:8; Moroni 7:46.

  2. 4 Nefi 1:2–3, 15.

  3. Shih Relief Society, Minute Book Mar. 1842 – Mar. 1844, shënimi i datës 28 prill 1842, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti, f. 39.

  4. DeB 88:52–56; kursivet janë theksime.

  5. Mosiah 4:26.

  6. Lucy Mack Smith, në Relief Society, Minute Book Mar. 1842 – Mar. 1844, shënimi i datës 24 mars 1842, f. 18–19.