2009
Lutjet dhe Nxitjet
Nëntor 2009


Lutjet dhe Nxitjet

Përvojat e nxitjes dhe lutjes nuk janë të pazakonshme në Kishë. Ato janë pjesë e zbulesës që ka siguruar për ne Ati Qiellor.

Pamja
President Boyd K. Packer

Asnjë Atë nuk do t’i dërgonte fëmijët e Tij, për një testim të gjatë sa vetë jeta, tek një tokë e largët dhe e rrezikshme ku dihej se Luciferi endej i lirë, pa u siguruar atyre së pari një fuqi vetjake mbrojtjeje. Ai gjithashtu do t’i furnizonte ata me mjete për të komunikuar me Të nga Ati tek fëmija dhe nga fëmija tek Ati. Secili fëmijë i Atit tonë, i dërguar në tokë, pajiset me Shpirtin e Krishtit, apo Dritën e Krishtit1. Neve nuk na kanë lënë të vetëm pa shpresë për udhërrëfim dhe shëlbim, asnjërin prej nesh.

Rivendosja nisi me lutjen e një djaloshi 14-vjeçar dhe me një vegim të Atit dhe të Birit. Periudha e plotësisë së kohëve filloi.

Rivendosja e ungjillit solli njohuri për ekzistencën para vdekshmërisë. Nga shkrimet e shenjta, ne dimë për Këshillin në Qiell dhe vendimin për të dërguar bijtë e bijat e Perëndisë në vdekshmëri për të marrë një trup dhe për t’u provuar2. Ne jemi fëmijë të Perëndisë. Ne kemi një trup shpirtëror të strehuar, tani për tani, në një tabernakull tokësor prej mishi. Shkrimet e shenjta thonë: “A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?” (1 Korintasve 3:16).

Si fëmijë të Perëndisë, ne mësojmë se jemi pjesë e “planit të madh të lumturisë” (Alma 42:8) të Tij.

Ne e dimë se ndodhi një Luftë në Qiell dhe se Luciferi dhe ata që e pasuan atë, u dëbuan pa trupa:

“[Satani, ai] gjarpër [i] lashtë, madje [djalli], … ngriti krye kundër Perëndisë dhe kërkoi të merrte mbretërinë e Perëndisë tonë dhe Krishtit të tij—

Prandaj ai u shpall luftë shenjtorëve të Perëndisë dhe i mbështjell ata përreth” (DeB 76:28–29).

Neve na u dha liria jonë e zgjedhjes3. Ne duhet ta përdorim atë me mençuri dhe të mbetemi pranë Shpirtit; përndryshe, do ta gjejmë veten të pamend duke iu nënshtruar joshjeve të kundërshtarit. Ne e dimë se përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit gabimet tona mund të pastrohen dhe trupi ynë i vdekshëm do të rivendoset në formën e tij të përsosur.

“Pasi vini re, Shpirti i Krishtit i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja; prandaj, unë do t’ju tregoj mënyrën sesi të gjykoni; pasi çdo gjë që ju fton të bëni mirë dhe t’ju bindë të besoni në Krisht, është dërguar nëpërmjet fuqisë dhe dhuratës së Krishtit; prandaj ju mund të dini me një njohuri të përsosur se është nga Perëndia” (Moroni 7:16).

Ka një mënyrë komunikimi të përsosur nëpërmjet Shpirtit, “sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë” (1 Korintasve 2:10).

Në vijim të pagëzimit në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, vjen një ordinancë e dytë: “Vënia e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë” (Nenet e Besimit 1:4).

Ai zë i ëmbël e i qetë frymëzimi vjen më shumë si një ndjesi sesa si një tingull. Inteligjencë e pastër mund t’i flitet mendjes. Fryma e Shenjtë komunikon me shpirtrat tanë përmes mendjes më tepër sesa përmes shqisave fizike4. Kjo udhëheqje vjen si mendime, si ndjenja përmes nxitjeve dhe mbresave5. Ne mund t’i ndjejmë fjalët e komunikimit shpirtëror më tepër sesa t’i dëgjojmë ato dhe të shohim me sytë shpirtërorë më tepër sesa me ata fizikë6.

Unë shërbeva për shumë vite në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve me Plakun LeGrand Riçards. Ai vdiq në moshën 96-vjeçare. Ai na tregoi se, kur kishte qenë djalosh 12-vjeçar, kishte marrë pjesë në një konferencë të përgjithshme të shkëlqyer në Tabernakull. Atje dëgjoi Presidentin Uillford Udraf.

Presidenti Udraf tregoi për një përvojë të nxitjes nga Shpirti. Atë e kishte dërguar Presidencia e Parë për të “mbledhur gjithë shenjtorët e Perëndisë në Nju Inglënd dhe Kanada dhe për t’i sjellë ata në Sion”7.

Ai ndali tek shtëpia e një prej vëllezërve në Indiana dhe e la karrocën në oborr, ku ai, bashkëshortja e tij dhe një prej fëmijëve ranë të flinin, ndërsa pjesa tjetër e familjes fjeti në shtëpi. Pak pasi ishte shtrirë për të fjetur, Shpirti i pëshpëriti duke e paralajmëruar: “Ngrihu dhe zhvendose karrocën!” Ai u ngrit dhe e zhvendosi karrocën larg prej vendit ku kishte qenë. Ndërsa po kthehej në shtrat, Shpirti i foli përsëri atij: “Shko dhe largoji mushkat nga ajo pemë lisi!” Ai e bëri këtë dhe u kthye edhe një herë në shtrat.

Jo më shumë se 30 minuta më vonë, një vorbull ere e mbërtheu pemën ku kishin qenë lidhur mushkat e tij, e theu dhe e hodhi në tokë. Ajo e mbarti rreth 90 metra duke marrë me vete dy gardhe. Pema gjigande, me një trung me perimetër 1,5 metra, ra saktësisht në vendin ku kishte qenë vendosur karroca. Duke ia vënë veshin nxitjeve të Shpirtit, Plaku Udraf kishte shpëtuar jetën e tij dhe jetën e gruas e të fëmijës së tij.8

Po i njëjti Shpirt mund t’ju nxisë e t’ju mbrojë juve.

Kur u thirra së pari si Autoritet i Përgjithshëm afërsisht 50 vite më parë, ne jetonim në një ngastër toke shumë të vogël në Luginën e Jutas, që ne e quanim ferma jonë. Kishim një lopë, një kalë, pula dhe plot fëmijë.

Një të shtunë, duhet të shkoja me makinë në aeroport për të marrë avionin për tek një konferencë kunji në Kaliforni. Por lopa ishte shtatzënë dhe kishte probleme. Viçi lindi, por lopa nuk mund të ngrihej. Thirrëm veterinerin, që erdhi shpejt. Ai tha se lopa kishte gëlltitur një tel dhe nuk do ta ngryste ditën.

Kopjova numrin e telefonit të një kompanie vendore për përpunimin e kafshëve, që bashkëshortja ime të mund t’u telefononte atyre që të vinin dhe ta merrnin lopën sapo të ngordhte.

Përpara se të nisesha, bëmë lutjen tonë familjare. Djali ynë i vogël tha lutjen tonë. Pasi i kishte kërkuar Atit Qiellor që ta “bekonte Babin në udhëtimin e tij dhe të na bekonte të gjithëve”, ai nisi një përgjërim të nxehtë. Ai tha: “At Qiellor, të lutem bekoje lopën Bosi që ajo të shërohet.”

Në Kaliforni, unë u tregova për ndodhinë dhe thashë: “Ai duhet të mësojë se ne nuk e marrim kaq lehtë gjithçka për të cilën lutemi.”

Duhej të merrej një mësim, por isha unë ai që duhej ta mësoja, jo biri im. Kur u ktheva natën e së dielës, Bosi ishte “shëruar”.

Ky proces nuk rezervohet vetëm për profetët. Dhurata e Frymës së Shenjtë funksionon njëlloj me burrat, gratë dhe madje fëmijët e vegjël. Është pikërisht me këtë dhuratë e fuqi të mahnitshme që mund të gjendet shërimi për çfarëdo problem.

“Dhe tani, ai ua kalon njerëzve fjalën e tij me anë të engjëjve, jo vetëm burrave, por edhe grave. Tani, kjo nuk është e gjitha; fëmijëve të vegjël u janë dhënë fjalë shumë herë, të cilat ngatërrojnë të diturit dhe të mësuarit” (Alma 32:23).

Zoti ka shumë mënyra për të na derdhur njohuri në mendjet tona, për të na nxitur, udhëhequr, dhënë mësim, korrigjuar, paralajmëruar. Zoti tha: “Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde” (DeB 8:2).

Dhe Enosi regjistroi: “Ndërsa unë isha duke u përleshur kështu në shpirt, vini re, zëri i Zotit erdhi në mendjen time” (Enosi 1:10).

Ju mund t’i dini gjërat që ju duhet t’i dini. Lutuni që të mësoni ta merrni atë frymëzim dhe të mbeteni të denjë për ta marrë atë. Mbajeni atë kanal – mendjen tuaj – të pastër dhe të lirë nga rrëmuja e botës.

Plaku Graham W. Doksi, që shërbeu dikur në Kuorumin e Dytë të Të Shtatëdhjetëve, më tregoi një përvojë. Nëna e tij, që më vonë qe këshilltare në presidencinë e përgjithshme të Fillores, gjithashtu më tregoi për këtë përvojë.

Gjatë Luftës II Botërore, ai qe në marinë i caktuar me detyrë në Kinë. Ai dhe disa të tjerë shkuan me tren në qytetin e Tiencinit për të shikuar përreth.

Më vonë, ata hipën në një tren për t’u kthyer në bazën e tyre, por pas më shumë se një ore, treni mori kthesë nga veriu. Ata kishin hipur në trenin e gabuar! Ata nuk e flisnin gjuhën kineze. Tërhoqën litarin e urgjencës dhe e ndaluan trenin. Ata zbritën diku nëpër fshatra dhe s’u mbetej tjetër përveçse të ktheheshin në këmbë në qytet.

Pasi kishin ecur një farë kohe, gjetën një vagon të vogël me manivelë, nga ai lloj që përdorin punonjësit e hekurudhave. E vendosën në shina dhe filluan të lëvizin manivelën përgjatë trasesë. Ai rrëshqiste në të tatëpjetë, por duhej ta shtynin në të përpjetë.

Kur arritën në një shpat të tatëpjetë e të rrëpirë, ata u ngjitën në vagon dhe filluan të rrëshqasin. Grahami qe i fundit që u ngjit. Vendi i vetëm që i kishte mbetur ishte në krye të vagonit. Ai vrapoi anash dhe së fundi u kacavirr. Ndërsa e bëri këtë, shkau dhe ra para vagonit. Ai po hidhej në shpinë me këmbët kundrejt vagonit që të ruhej e të mos shtypej. Ndërsa vagoni mori shpejt shpejtësi, ai dëgjoi zërin e nënës së tij që i thoshte: “Badi, kij kujdes!”

Ai kishte veshur çizme të rënda ushtarake. Këmbët i shkanë dhe sholla e trashë e çizmes i ngeci në një ingranazh të një mekanizmi dhe e ndaloi vagonin vetëm 30 centimetra larg dorës së tij.

Prindërit e tij, që po kryesonin në një Mision të Shteteve Lindore Qendrore në atë kohë, po flinin në një dhomë hoteli. Nëna e tij u ngrit rreth orës 2:00 të mëngjesit dhe zgjoi bashkëshortin: “Badi është në telash!” Ata u gjunjëzuan pranë shtratit dhe u lutën për sigurinë e djalit të tyre.

Letra vijuese që mori thoshte: “Badi, çfarë kishe? Çfarë të ndodhi ty?”

Ai u shkroi pastaj që t’u tregonte se çfarë kishte ndodhur. Kur krahasuan orët, tamam në kohën kur ai po kërcente gjatë trasesë, prindërit e tij ishin të gjunjëzuar në dhomën e hotelit, nga ana tjetër e botës, duke u lutur për sigurinë e tij.

Këto përvoja nxitjeje dhe lutjeje nuk janë të pazakonshme në Kishë. Ato janë pjesë e zbulesës që ka siguruar për ne Ati Qiellor.

Një nga mjetet më të mprehta të kundërshtarit është të na bindë se nuk jemi më të denjë për t’u lutur. Pavarësisht se cili jeni, apo çfarë mund të keni bërë, ju gjithmonë mund të luteni.

Profeti Jozef Smith premtoi se “të gjitha qeniet që kanë trupa kanë fuqi mbi ato që nuk e kanë”9.

Kur vijnë tundimet, ju mund të shpikni një çelës fshirjeje në mendjen tuaj – ndoshta fjalët nga një himn i parapëlqyer. Mendja juaj e ka komandën; trupi juaj është vegël e mendjes suaj. Kur ndonjë mendim i padenjë shtyhet në mendjen tuaj, zëvendësojeni atë me çelësin tuaj të fshirjes. Muzika e denjë është e fuqishme dhe mund t’ju ndihmojë të kontrolloni mendimet tuaja10.

Kur Oliver Kaudri dështoi në një përpjekje për të përkthyer, Zoti i tha:

“Vër re, ti nuk ke kuptuar; ke menduar se do të ta jap atë, kur ti nuk e more mundimin as për të më pyetur.

Por, vër re, unë të them se ti duhet ta studiosh atë tërësisht në mendjen tënde; më pas ti duhet të më pyesësh nëse është e drejtë dhe nëse është e drejtë, unë do të bëj që kraharori yt do të digjet përbrenda; si rrjedhim, do ta ndiesh që është e drejtë.

Por nëse nuk është e drejtë, ti nuk do të kesh ndjenja të tilla, por do të kesh një mpirje të mendimit” (DeB 9:7–9).

Ai parim ilustrohet nga historia e një vajze të vogël. Ajo ishte mërzitur me vëllanë e saj, që kishte ndërtuar një lak për të kapur harabela.

Pa mundur të gjente ndihmë, ajo tha me vete: “Mirë, unë do të lutem për këtë.”

Pas lutjes së saj, vajza e vogël i tha të ëmës: “Unë e di se ai nuk do të kapë ndonjë harabel me lakun e tij sepse unë u luta për këtë. Unë jam e sigurt se ai nuk do të kapë asnjë harabel!”

Nëna i tha: “Si mund të jesh kaq e sigurt?”

Ajo u përgjigj: “Pasi u luta për këtë, dola jashtë dhe e bëra copa me shkelma atë lak!”

Lutuni, edhe nëse jeni i ri dhe kokëfortë ashtu si profeti Alma apo keni një mendje të mbyllur si Amuleku, që “[dinte] në lidhje me këto gjëra, por nuk [donte] t’i [dinte]” (Alma 10:6).

Mësoni të luteni. Lutuni shpesh. Lutuni në mendjen tuaj, në zemrën tuaj. Lutuni në gjunjë. Lutja është çelësi juaj vetjak për qiellin. Dryni është nga ana juaj e velit. Dhe unë kam mësuar t’i mbyll të gjitha lutjet e mia me “U bëftë vullneti yt” (Mateu 6:10; shih edhe Lluka 11:2; 3 Nefi 13:10).

Mos prisni të jeni plotësisht të lirë nga telashet, dhe zhgënjimi, dhe dhimbja, dhe shkurajimi, sepse këto janë gjërat që u dërguan në tokë për të zgjatur.

Dikush shkroi:

Shkujdesshëm dhe me duar t’paduruar’

Ne bëjmë rrëmujë planet

Që Zoti i ka shkruar.

Dhe kur qajmë me dhimbje, thotë Ai:

“Sa ta zgjidh unë lëmshin, ti hesht, njeri.”11

Shkrimet e shenjta premtojnë: “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni”(1 Korintasve 10:13).

Shpëtimtari tha: “M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni; lypni dhe do të merrni; trokisni dhe do t’ju çelet” (DeB 88:63).

Ne e filluam këtë sesion të konferencës me mbështetjen e autoriteteve. I pari që u mbështet qe Tomas S. Monson, si President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Unë e njoh Presidentin Monson, mendoj, ashtu si çdo njeri në tokë që e njeh dhe dua të jap një dëshmi të veçantë se ai u “[thirr] nga Perëndia, me anë të profecisë” (Nenet e Besimit 1:5). Ai ka nevojë për lutjet tona – si dhe bashkëshortja e tij, Frensis, dhe familja e tyre – në barrën e pamasë që bie mbi të.

Unë lutem që ai të mbështetet në trup, dhe në mendje, dhe në shpirt dhe që të jetë e qartë për Kishën, ashtu siç është e qartë për ata që janë shumë pranë tij, se ai u “[thirr] nga Perëndia, me anë të profecisë”. Pastaj, “me anë të vënies së duarve prej atyre që janë në autoritet, për të predikuar Ungjillin dhe për të administruar ordinancat e tij” (Nenet e Besimit 1:5), ai u caktua në detyrën e tij.

Zoti na bekoftë neve dhe e mbështettë Presidentin Monson dhe familjen e tij në çdo mënyrë që do të jetë e nevojshme për të drejtuar punën e madhe që është mbi shpatullat e tij. Unë e jap atë dëshmi dhe e kërkoj atë bekim si një shërbëtor i Zotit në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Shih DeB 84:46.

  2. Shih DeB 138:56; shih edhe Romakëve 8:16.

  3. Shih DeB 101:78.

  4. Shih 1 Korintasve 2:14; DeB 8:2; 9:8–9.

  5. Shih DeB 11:13; 100:5.

  6. Shih 1 Nefi 17:45.

  7. Shih Wilford Woodruff, në Conference Report, prill 1898, f. 30; “Remarks”, Deseret Weekly, 5 shtator 1891, f. 323.

  8. Shih Wilford Woodruff, Leaves from My Journal (1881), f. 88.

  9. Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith, (2007), f. 211.

  10. Shih DeB 25:12.

  11. Autor i panjohur, në Jack M. Lyon dhe të tjerë, eds., Best-Loved Poems of the LDS People (1996), f. 304.