2009
Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi
Nëntor 2009


Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi

Ne mund të bëhemi më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi, kur jemi më besnikë në mësimin, jetesën dhe dashurinë për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit.

Pamja
Elder David A. Bednar

Në vitin 1833 Profeti Jozef Smith mori një zbulesë që përmbante një qortim të fortë ndaj disa vëllezërve udhëheqës të Kishës që të vendosnin në rregull familjet e tyre (shih DeB 93:40–50). Një shprehje e veçantë prej kësaj zbulese përbën temën e mesazhit tim – “më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi”. Dëshiroj të sugjeroj tri mënyra se si secili prej nesh mund të bëhet më i zellshëm dhe më i përfshirë në shtëpitë tona. Ju ftoj të dëgjoni edhe me veshë që dëgjojnë, edhe me zemra që ndiejnë dhe unë lutem që Shpirti i Zotit të jetë me ne të gjithë.

Sugjerimi Numër Një: Shprehni Dashuri – dhe Shfaqeni Atë.

Ne mund të fillojmë të bëhemi më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi duke u thënë njerëzve që duam, se ne i duam ata. Shprehje të tilla nuk ka nevojë të jenë pompoze apo të gjata. Ne thjesht duhet të shprehim dashuri sinqerisht dhe shpesh.

Vëllezër dhe motra, kur qe hera e fundit që e përqafuat shokun ose shoqen tuaj të përjetshme dhe i thatë: “Unë të dua”? Prindër, kur qe hera e fundit që sinqerisht u shprehët dashuri fëmijëve tuaj? Fëmijë, kur qe hera e fundit që u thatë prindërve tuaj se i doni?

Secili prej nesh e di tanimë se ne duhet t’u themi njerëzve që duam, se i duam ata. Por ajo që dimë nuk pasqyrohet gjithmonë në atë që bëjmë. Ne mund të ndihemi të pasigurt, të ngathët, ose, ndoshta, edhe pak në siklet.

Si dishepuj të Shpëtimtarit, ne nuk po përpiqemi thjesht të dimë më shumë; për më tepër, ne vazhdimisht duhet të bëjmë më shumë nga ajo që e dimë se është e drejtë dhe të përmirësohemi.

Ne duhet të mbajmë mend se shprehja “unë të dua” është vetëm një fillim. Ne duhet ta themi atë, ne duhet ta kemi me tërë mend dhe, më e rëndësishmja, ne duhet ta shfaqim atë vazhdimisht. Ne duhet edhe të shprehim, edhe të tregojmë dashuri.

Presidenti Tomas S. Monson, kohët e fundit, këshilloi: “Shpesh ne pretendojmë se [njerëzit përreth nesh] duhet ta dinë se sa shumë i duam. Por ne nuk duhet të bëjmë kurrë supozime; ne duhet t’ua tregojmë… . Ne nuk do të pendohemi kurrë për fjalët e dashura që janë thënë apo për dashurinë e treguar. Përkundrazi, ne do kemi keqardhje nëse këto gjëra lihen jashtë marrëdhënieve tona me ata që janë më të rëndësishmit për ne” (Tomas S. Monson, “Të Gjejmë Gëzim në Udhëtim”, Liahona, nëntor 2008, f. 84).

Nganjëherë, në një bisedë apo dëshmi në mbledhjen e sakramentit, ne dëgjojmë një pohim si ky: “E di që nuk ia them mjaft shpesh bashkëshortes sime se sa shumë e dua. Sot dua që ajo, fëmijët e mi dhe ju të gjithë ta dini se unë e dua atë.”

Një shprehje e tillë e dashurisë mund të jetë me vend. Por kur unë dëgjoj një pohim si ky, unë përpëlitem dhe thërras në heshtje se bashkëshortja dhe fëmijët nuk duhet të jenë duke e dëgjuar këtë komunikim personal dhe në dukje të rrallë, publikisht në kishë! Shpresojmë që fëmijët e dëgjojnë dashurinë të shprehet dhe e shohin dashurinë të shfaqet mes prindërve të tyre në rutinën e zakonshme të jetës së përditshme. Megjithatë, nëse pohimi publik i dashurisë në kishë është pak befasues për bashkëshorten apo fëmijët, atëherë është vërtet e nevojshme për të qenë më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi.

Lidhja midis dashurisë dhe veprimit të duhur paraqitet vazhdimisht në shkrimet e shenjta dhe theksohet në udhëzimin e Shpëtimtarit për Apostujt e Tij: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). Ashtu si dashuria jonë prej Zotit dhe për Të dallohet duke ecur gjithnjë në rrugët e Tij (shih Ligji i Përtërirë 19:9), po kështu dashuria jonë për bashkëshortin apo bashkëshorten, prindërit dhe fëmijët pasqyrohet më fuqishëm në mendimet tona, fjalët tona dhe veprat tona (shih Mosia 4:30).

Të ndiesh siguri dhe vazhdimësi dashurie prej një bashkëshorti ose bashkëshorteje, një prindi ose një fëmije është një bekim i çmuar. Një dashuri e tillë ushqen dhe mbështet besimin te Perëndia. Një dashuri e tillë është burim force dhe nxjerr jashtë frikën (shih 1 Gjoni 4:18). Një dashuri e tillë është dëshira e çdo shpirti njerëzor.

Ne mund të bëhemi më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi ndërsa shprehim dashuri – dhe e shfaqim vazhdimisht atë.

Sugjerimi Numër Dy: Jepni Dëshmi – dhe Jetojeni Atë.

Ne gjithashtu mund të bëhemi më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi duke u dhënë njerëzve që i duam dëshmi për gjërat që e dimë se janë të vërteta me anë të dëshmisë së Frymës së Shenjtë. Dhënia e dëshmisë nuk ka nevojë të jetë e gjatë apo me gojëtari. Dhe nuk na duhet të presim deri të dielën e parë të muajit për të shpallur dëshminë tonë për gjëra që janë të vërteta. Brenda mureve të vetë shtëpive tona ne mund dhe duhet të japim dëshmi të kulluar për hyjninë dhe realitetin e Atit dhe të Birit, për planin e madh të lumturisë dhe për Rivendosjen.

Vëllezër dhe motra, kur ka qenë hera e fundit që i dhatë dëshmi shokut ose shoqes suaj të përjetshme? Prindër, kur ka qenë hera e fundit kur dëshminë tuaj për gjërat që i dini se janë të vërteta, ua shpallët fëmijëve tuaj? Dhe, fëmijë, kur ka qenë hera e fundit që dëshminë tuaj e ndatë së bashku me prindërit dhe familjen tuaj?

Secili prej nesh e di tashmë se ne duhet t’u japim dëshmi njerëzve që i duam më shumë. Por ajo që dimë nuk pasqyrohet gjithmonë në atë që bëjmë. Ne mund të ndihemi të pasigurt, të ngathët, ose, ndoshta, edhe pak në siklet.

Si dishepuj të Shpëtimtarit, ne nuk po përpiqemi thjesht të dimë më shumë; për më tepër, ne vazhdimisht duhet të bëjmë më shumë nga ajo që dimë se është e drejtë dhe të përmirësohemi.

Ne duhet të kujtojmë se dhënia e një dëshmie të çiltër është vetëm një fillim. Ne duhet të japim dëshmi, ne duhet ta kemi me tërë mend atë dhe, më e rëndësishmja, ne duhet ta jetojmë atë vazhdimisht. Ne duhet edhe t’i shpallim, edhe t’i jetojmë dëshmitë tona.

Marrëdhënia midis dëshmisë dhe veprimit të duhur theksohet në udhëzimin e Shpëtimtarit drejtuar shenjtorëve në Kirtland: “Atë që Shpirti ju dëshmon, madje kështu dëshiroj që ju të bëni” (DeB 46:7). Dëshmia jonë për të vërtetën e ungjillit duhet të pasqyrohet si në fjalët tona, edhe në veprimet tona. Dhe dëshmitë tona shpallen dhe jetohen më fuqishëm në vetë shtëpitë tona. Bashkëshortët e bashkëshortet, prindërit dhe fëmijët duhet të përpiqen të kapërcejnë çfarëdo mëdyshjeje, ngurrimi apo sikleti në dhënien e dëshmisë. Ne duhet edhe të krijojmë, edhe të kërkojmë mundësi për të dhënë dëshmi për të vërtetat e ungjillit – dhe t’i jetojmë ato.

Një dëshmi përbën atë që e dimë se është e vërtetë në mendjen tonë dhe në zemrën tonë me anë të dëshmisë së Frymës së Shenjtë (shih DeB 8:2). Kur ne shprehim të vërtetën në vend që të këshillojmë, të paralajmërojmë apo të tregojmë thjesht përvoja interesante, ne ftojmë Frymën e Shenjtë të konfirmojë vërtetësinë e fjalëve tona. Fuqia e dëshmisë së kulluar (shih Alma 4:19) nuk vjen prej gjuhës së stërholluar apo paraqitjes së efektshme; përkundrazi, është rezultat i zbulesës së përçuar nga anëtari i tretë i Kreut-Perëndi, pikërisht Fryma e Shenjtë.

Të ndiesh fuqinë, lartësimin dhe vazhdimësinë e dëshmisë prej një bashkëshorti apo bashkëshorteje, një prindi ose një fëmije është një bekim i çmuar. Një dëshmi e tillë fortifikon besimin dhe jep drejtim. Një dëshmi e tillë prodhon dritë në një botë që po bëhet gjithnjë e më e errët. Një dëshmi e tillë është burimi i një këndvështrimi të përjetshëm dhe paqeje të qëndrueshme.

Ne mund të bëhemi më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi ndërsa japim dëshmi – dhe vazhdimisht e jetojmë atë.

Sugjerimi Numër Tre: Jini Konsekuentë.

Ndërsa bijtë tanë po rriteshin, familja jonë bëri atë që keni bërë e po bëni ju tani. Ne rregullisht bëmë lutje familjare, studim të shkrimit të shenjtë dhe mbrëmje familjare në shtëpi. Tani, jam i sigurt se ajo që jam gati t’ju përshkruaj nuk ka ndodhur kurrë në shtëpinë tuaj, por ndodhi në tonën.

Nganjëherë, Motra Bednar dhe unë vrisnim mendjen nëse ia vlenin përpjekjet tona për të bërë këto gjëra shpirtërisht thelbësore. Herë pas here, vargjet e shkrimit të shenjtë lexoheshin midis shfrimesh të tilla, si: “Ai po më prek!”; “Bëje atë që të mos më shikojë më!”; “Mami, ai po thith ajrin tim!”. Lutje të sinqerta nganjëherë ndërpriteshin prej qeshjeve nën hundë dhe ngacmimeve. Dhe, me djem energjikë, trazovaçë, mësimet e mbrëmjeve familjare në shtëpi nuk dhanë gjithmonë nivele të larta ngritjeje shpirtërore. Nganjëherë mua dhe Motrës Bednar na e sillnin shpirtin në majë të hundës, sepse zakonet e drejta, për të cilat ne punonim aq fort që t’ua edukonim, nuk dukej se jepnin menjëherë rezultatet shpirtërore që ne dëshironim dhe prisnim.

Sot, nëse ju do të mund të pyesnit bijtë tanë të rritur se çfarë kujtojnë rreth lutjes familjare, studimit të shkrimit të shenjtë dhe mbrëmjes familjare në shtëpi, besoj se e di se si do të përgjigjeshin. Ka gjasa që ata nuk do të vinin në dukje një lutje të veçantë, apo një rast specifik të studimit të shkrimit të shenjtë, apo një mësim veçanërisht kuptimplotë të mbrëmjes familjare në shtëpi, si çastin përcaktues në zhvillimin e tyre shpirtëror. Ajo që ata do të thoshin se kujtojnë është që, si familje, ne ishim konsekuentë.

Motra Bednar dhe unë mendonim se, të ndihmonim bijtë tanë të kuptonin përmbajtjen e një mësimi të posaçëm apo një shkrimi të shenjtë të veçantë, ishte rezultati përfundimtar. Por një rezultat i tillë nuk ndodh çdo herë që ne studiojmë, apo lutemi, apo mësojmë së bashku. Konsekuenca e qëllimit dhe punës sonë ishte ndoshta mësimi më i madh – një mësim që ne nuk e vlerësuam plotësisht në atë kohë.

Në zyrën time gjendet një pikturë e bukur e një fushe me grurë. Piktura është një koleksion i gjerë gjurmësh të veçanta peneli – asnjëra prej të cilave në veçanti nuk është shumë interesante apo mbresëlënëse. Në fakt, nëse qëndroni afër telajos, gjithçka mund të shihni është një masë vijëzimesh në dukje pa lidhje dhe jo tërheqëse me bojë të verdhë, të artë dhe kafe. Megjithatë, nëse ngadalë largoheni nga telajola, gjithë gjurmët e veçanta të penelit ndërthuren së bashku dhe japin një tablo të mrekullueshme të një fushe me grurë. Shumë gjurmë të rëndomta e të veçanta peneli bashkëveprojnë mes tyre për të krijuar një pikturë magjepsëse dhe të bukur.

Secila lutje familjare, secili episod i studimit familjar të shkrimit të shenjtë dhe secila mbrëmje familjare në shtëpi është një gjurmë peneli në telajon e shpirtit tonë. As edhe një ndodhì nuk duket të jetë shumë mbresëlënëse apo e paharrueshme. Por, ashtu si gjurmët e verdha, të arta dhe kafe të bojës, plotësojnë njëra-tjetrën dhe japin një kryevepër mbresëlënëse, po ashtu konsekuenca jonë në kryerjen e gjërave në dukje të vogla, mund të çojë në rezultate shpirtërore të rëndësishme. “Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe” (DeB 64:33). Konsekuenca është parim kyç ndërsa ngremë themelin e një vepre të madhe në jetën tonë vetjake dhe ndërsa bëhemi më të zellshëm dhe më të përfshirë në vetë shtëpitë tona.

Të jemi konsekuentë në shtëpitë tona është e rëndësishme dhe për një arsye tjetër. Shumë prej qortimeve më të ashpra të Shpëtimtarit iu drejtuan hipokritëve. Jezusi i paralajmëroi dishepujt e Tij në lidhje me skribët dhe farisenjtë: “Por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë” (Mateu 23:3). Ky paralajmërim i fuqishëm është kthjellues në lidhje me këshillën “shprehni dashuri – dhe shfaqeni atë”, ose “jepni dëshmi – dhe jetojeni atë” dhe “jini konsekuentë”.

Hipokrizia në jetën tonë është më lehtësisht e dallueshme dhe shkakton shkatërrimin më të madh brenda vetë shtëpive tona. Dhe fëmijët shpesh janë më vigjilentët dhe më të ndjeshmit kur vjen puna për të njohur hipokrizinë.

Deklarimi publik i dashurisë, kur mungojnë veprimet personale të dashurisë në shtëpi, është hipokrizi – dhe dobëson themelin e një vepre të madhe. Dëshmia e deklaruar publikisht, kur mungojnë besnikëria dhe bindja brenda vetë shtëpive tona, është hipokrizi – dhe minon themelin e një vepre të madhe. Urdhërimi “Nuk do të bësh dëshmi të rreme” (Eksodi 20:16) zbatohet me plot nënkuptim për hipokritin brenda secilit prej nesh. Ne duhet të jemi dhe të bëhemi më konsekuentë. “Bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe dëlirësi” (1 Timoteut 4:12).

Ndërsa kërkojmë ndihmën e Zotit dhe në fuqinë e Tij, ne gradualisht mund të zvogëlojmë mospërputhjen mes asaj që themi dhe asaj që bëjmë, mes shprehjes së dashurisë dhe shfaqjes konsekuente të saj; dhe mes dhënies së dëshmisë dhe të jetuarit të saj pa lëkundje. Ne mund të bëhemi më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi, kur jemi më besnikë në mësimin, jetesën dhe dashurinë për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit.

Dëshmia

“Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe … familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij” (Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, tetor 2004, f. 49). Për këto dhe arsye të tjera përjetësisht të rëndësishme, ne duhet të jemi më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi.

Qoftë çdo bashkëshort e bashkëshorte, çdo fëmijë dhe çdo prind i bekuar që të përçojë dhe të marrë dashuri, të japë dhe të lartësohet nga një dëshmi e fortë dhe të bëhet më konsekuent në gjërat në dukje të vogla që kanë kaq shumë rëndësi.

Në këto përpjekje të rëndësishme ne nuk do të lihemi kurrë vetëm. Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur jetojnë. Ata na duan dhe i njohin rrethanat tona dhe Ata do të na ndihmojnë që të bëhemi më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi. Për këto të vërteta unë dëshmoj, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.