2010–2019
Mos u Shqetësoni
Tetor 2018


Mos u Shqetësoni

Merrni zemër, vëllezër e motra. Po, ne jetojmë në kohë të rrezikshme, por teksa qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve, nuk nevojitet të kemi frikë.

Unë ia shtoj dëshminë time mesazheve të Presidentit Rasëll M. Nelson dhe Plakut Kuentin L. Kuk, të dhëna çaste më parë rreth harmonisë dhe njëzëshmërisë së Këshillit të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. E di se këto shpallje nëpërmjet zbulesës janë mendja dhe vullneti i Zotit dhe do t’i bekojnë e forcojnë individët, familjet dhe Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për brezat që do të vijnë.

Disa vite më parë, njëra nga bijat tona, e re në moshë, e martuar, dhe bashkëshorti i saj i bënë Motrës Rasband dhe mua një pyetje shumë të rëndësishme, jetëndikuese: “A është akoma një gjë e sigurt dhe e urtë që të sjellim fëmijë në këtë botë të ligë dhe të frikshme ku ne jetojmë?”

Kjo ishte një pyetje e rëndësishme për një nënë e një baba që ta shqyrtonin me fëmijët e tyre të dashur, të martuar. Mund ta dëgjonim frikën në zërat e tyre dhe mund ta ndienim frikën në zemrat e tyre. Përgjigjja jonë ndaj tyre ishte: “Po, është më se në rregull”, teksa flitnim për mësimet themelore të ungjillit dhe për mbresat tona të përzemërta dhe përvojat tona jetësore.

Frika nuk është gjë e re. Në Detin e Galilesë, dishepujt e Jezu Krishtit u frikësuan nga “një furtunë e madhe dhe valët” në errësirën e natës.1 Si dishepujt e Tij sot, edhe ne kemi frikë. Të rinjtë tanë në moshë madhore beqarë kanë frikë të bëjnë zotime të tilla si martesa. Çiftet e martuara që të rinj, sikurse fëmijët tanë, mund të kenë frikë të lindin fëmijë në një botë gjithnjë e më të ligë. Misionarët kanë frikë për shumë gjëra, veçanërisht që t’u afrohen njerëzve të panjohur. Të vejat kanë frikë ta vazhdojnë jetën vetëm. Adoleshentët kanë frikën se nuk pranohen nga bashkëmoshatarët; nxënësit kanë frikë ditën e parë të shkollës; studentët në universitete kanë frikë kur u jepet vlerësimi i një provimi. Ne kemi frikë nga dështimi, refuzimi, zhgënjimi dhe e panjohura. Ne kemi frikë nga uraganet, tërmetet dhe zjarret që e shkatërrojnë tokën dhe jetën tonë. Ne kemi frikë se nuk do të na zgjedhin dhe, nga ana tjetër, kemi frikë kur na zgjedhin. Ne kemi frikë se nuk jemi të mirë sa duhet; kemi frikë se Zoti nuk ka bekime për ne. Ne kemi frikë nga ndryshimi dhe frika jonë mund të shtohet deri në panik. A e kam përfshirë pothuajse çdo njeri?

Që nga kohët e lashta, frika e ka kufizuar largpamësinë e fëmijëve të Perëndisë. Gjithmonë më ka pëlqyer rrëfimi i Eliseut te 2 Mbretërve. Mbreti i Sirisë kishte dërguar një legjion ushtarësh që “arritën natën dhe rrethuan qytetin”2. Qëllimi i tyre ishte të kapnin dhe të vritnin profetin Elise. Ne lexojmë:

“Të nesërmen shërbëtori i njeriut të Perëndisë u ngrit në mëngjes dhe doli; dhe ja, qyteti ishte rrethuar nga një ushtri me kuaj dhe kalorës. Atëherë shërbëtori i tij i tha: ‘Oh, ç’do të bëjmë, imzot?’”3

Ishte frika që po fliste.

“[Eliseu] u përgjigj: ‘Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta’.”4

Por ai nuk e la me kaq.

“Eliseu u lut dhe tha: ‘O Zot, të lutem, hap sytë e tij që të mund të shohë’. Atëherë Zoti ia hapi sytë të riut dhe ai pa; dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta rreth e qark Eliseut.”5

Ne mund të kemi ose mund të mos kemi qerre të zjarrta që dërgohen për ta larguar frikën tonë dhe për t’i mposhtur demonët tanë, por mësimi është i qartë. Zoti është me ne, tregon kujdes për ne dhe na bekon në mënyra që vetëm Ai mund të na bekojë. Lutja mund të vërë në dispozicion forcën dhe zbulesën që na nevojitet për t’i përqendruar mendimet tona te Jezu Krishti dhe flijimi i Tij shlyes. Zoti e dinte se nganjëherë do të kishim frikë. Unë e kam provuar atë, po ashtu e keni provuar edhe ju, dhe për këtë arsye shkrimet e shenjta janë plot me këshillën e Zotit:

“Merrni zemër dhe mos u frikësoni.”6

“Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë.”7

“Mos ki frikë, tufë e vogël.”8 Më pëlqen shumë shprehja e dhembshur “tufë e vogël”. Në këtë Kishë ne mund të jemi të paktë në numër për sa i përket mënyrës se si bota e llogarit ndikimin, por, kur i hapim sytë tanë shpirtërorë, “ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta”9. Bariu ynë i dashur, Jezu Krishti, më pas vazhdoi: “Le të bashkohen toka e ferri kundër jush, sepse, nëse ju ndërtoheni mbi shkëmbin tim, ato s’mund të triumfojnë”10.

Si largohet frika? Për djaloshin, ai po qëndronte pikërisht në krah të Eliseut, një profeti të Perëndisë. Ne kemi po të njëjtin premtim. Kur e dëgjojmë Presidentin Rasëll M. Nelson, kur ia vëmë veshin këshillës së tij, ne po qëndrojmë me një profet të Perëndisë. Mbani mend fjalët e Jozef Smithit: “Dhe tani, pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton!”11 Jezu Krishti jeton. Dashuria jonë për Të dhe për ungjillin e Tij e largon frikën.

Dëshira jonë që “të ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij”12 me ne, do ta zëvendësojë frikën me një pamje më të përjetshme të jetës sonë në vdekshmëri. Presidenti Nelson ka këshilluar: “Në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”13.

Zoti tha, lidhur me mundimet që do t’i vijnë tokës dhe do ta ngurtësojnë zemrën e shumë njerëzve: “Dishepujt e mi do të qëndrojnë në vende të shenjta dhe nuk do të lëvizen”14.

Dhe më pas këtë këshillë hyjnore: “Mos u shqetësoni, sepse, kur gjithë këto gjëra të ndodhin, ju mund të dini se premtimet që ju janë bërë, do të përmbushen”15.

Qëndroni në vende të shenjta – mos u shqetësoni – dhe premtimet do të përmbushen. Le ta shohim secilën prej këtyre se si lidhet me frikën tonë.

Së pari, qëndroni në vende të shenjta. Kur qëndrojmë në vende të shenjta – në shtëpitë tona plot drejtësi, në godinat tona të dedikuara kishtare, në tempujt tanë të përkushtuar – e ndiejmë Shpirtin e Zotit me ne. Ne gjejmë përgjigje për pyetjet që na shqetësojnë ose paqe që thjesht t’i lëmë ato mënjanë. Ky është Shpirti në veprim. Këto vende të shenjta në mbretërinë e Perëndisë mbi tokë kërkojnë nderimin tonë, respektin tonë për të tjerët, sjelljet tona më të mira në të jetuarit e ungjillit dhe shpresat tona që të mos ndikohemi nga frika jonë dhe të kërkojmë fuqinë shëruese të Jezu Krishtit nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

Nuk ka vend për frikë në këto vende të shenjta të Perëndisë ose në zemrën e fëmijëve të Tij. Përse? Për shkak të dashurisë. Perëndia na do – gjithmonë – dhe ne e duam Atë. Dashuria jonë për Perëndinë i kundërpërgjigjet gjithë frikës dhe dashuria e Tij ndihet fuqishëm në vendet e shenjta. Mendoni për këtë. Kur jemi të pasigurt në zotimet tona ndaj Zotit, kur largohemi nga shtegu i tij që çon drejt jetës së përjetshme, kur e vëmë në pikëpyetje ose dyshim rëndësinë tonë në planin e Tij hyjnor, kur e lejojmë frikën të hapë derën për të gjitha ato që e shoqërojnë – shkurajimin, zemërimin, acarimin, zhgënjimin – Shpirti na largohet dhe ne jemi pa Zotin. Nëse e dini se me çfarë ngjan kjo, ju e dini se kjo nuk është gjendja ku doni të rrini. Në dallim nga kjo, kur qëndrojmë në vende të shenjta, ne mund të ndiejmë dashurinë e Perëndisë dhe “dashuria e përkryer zhduk çdo frikë”16.

Premtimi pasues është: “Mos u shqetësoni”17. Pavarësisht se sa ligësi dhe kaos e mbushin tokën, nëpërmjet besnikërisë sonë të përditshme te Jezu Krishti neve na premtohet “paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie”18. Dhe kur Krishti të vijë me gjithë fuqinë e lavdinë, ligësia, rebelimi dhe padrejtësia do të mbarojnë.

Shumë kohë më parë Apostulli Pal profetizoi për kohën tonë, duke i thënë të riut Timote:

“Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira,

sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë,

… dëfrimdashës më fort se perëndidashës”19.

Mbani mend, “ata që janë me ne” në të dyja anët e velit, ata që e duan Zotin me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e tyre, “janë më të shumtë se ata që janë me ta”20. Nëse mirëbesojmë aktivisht te Zoti dhe udhët e Tij, nëse përfshihemi në punën e Tij, ne nuk do të kemi frikë nga tendencat e botës ose nuk do të shqetësohemi prej tyre. Ju lutem t’i lini mënjanë ndikimet dhe shtytjet e botës dhe të kërkoni shpirtshmëri në jetën tuaj të përditshme. Doni atë që e do Zoti – gjë që përfshin urdhërimet e Tij, shtëpitë e Tij të shenjta, besëlidhjet tona të shenjta me Të, sakramentin çdo ditë Shabati, komunikimin tonë nëpërmjet lutjes – dhe ju nuk do të shqetësoheni.

Pika e fundit: mirëbesoni te Zoti dhe premtimet e Tij. E di se të gjitha premtimet e Tij do të përmbushen. E di këtë me po aq siguri sa qëndroj këtu përpara jush në këtë mbledhje të shenjtë.

Zoti ka zbuluar: “Sepse ata që janë të urtë dhe e kanë pranuar të vërtetën, dhe kanë marrë Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin e tyre, dhe nuk janë mashtruar – në të vërtetë unë ju them, ata nuk do të priten e nuk do të hidhen në zjarr, por do t’i qëndrojnë ditës”21.

Kjo është arsyeja përse nuk duhet të shqetësohemi nga trazira e sotme, nga ata që ndodhen në ndërtesën e gjerë dhe të madhe, nga ata që e përqeshin përpjekjen e ndershme dhe shërbimin e përkushtuar ndaj Zotit Jezu Krisht. Optimizmi, guximi, madje dashuria hyjnore vijnë nga një zemër që nuk rëndohet nga shqetësimet apo trazira. Presidenti Nelson, i cili është “optimist për të ardhmen”, na ka kujtuar: “Nëse duam të kemi ndonjë shpresë për ta shoshitur morinë e zërave dhe filozofive të njerëzve që e sulmojnë të vërtetën, ne duhet të mësojmë të marrim zbulesë”22.

Që të marrim zbulesë vetjake, ne duhet të vendosim përparësi tek të jetuarit e ungjillit dhe të nxitim besnikëri e shpirtshmëri tek të tjerët si edhe te vetja.

Spenser W. Kimballi ishte njëri nga profetët e rinisë time. Në këto pak vite të fundit, pasi u thirra si Apostull, unë kam gjetur paqe te mesazhi i tij i parë në konferencën e përgjithshme të tetorit 1943. Ai ndihej i mbingarkuar nga thirrja e vet; e di se si është ajo ndjesi. Plaku Kimball tha: “Unë mendova shumë dhe u luta, dhe agjërova, dhe u luta. Pati mendime kundërshtuese që ngritën krye në mendjen time – zëra të ngjashëm që thonin: ‘Nuk mund ta bësh punën. Nuk je i denjë. Nuk e ke aftësinë’ – dhe në fund përherë vinte mendimi triumfues: ‘Duhet të bësh punën që të është caktuar – duhet të bëhesh i aftë, i denjë dhe i kualifikuar’. Dhe beteja vazhdoi.”23

Marr zemër nga ajo dëshmi e përzemërt, e pastër e këtij Apostulli, i cili do të bëhej Presidenti i 12-të i kësaj Kishe të fuqishme. Ai e kuptoi se duhej ta linte mënjanë frikën e vet që të “bë[nte] punën që [i ishte] caktuar” dhe atij iu desh të mbështetej te Zoti për forcë, që të bëhej “i aftë, i denjë dhe i kualifikuar”. Edhe ju mund të bëheni. Betejat do të vazhdojnë, por ne do t’u bëjmë ballë atyre me Shpirtin e Zotit. Ne nuk do të “shqetëso[hemi]”, sepse kur qëndrojmë me Zotin dhe i mbrojmë parimet e Tij dhe planin e Tij të përjetshëm, ne po qëndrojmë në tokë të shenjtë.

Tani, çfarë mund të themi vallë për bijën dhe dhëndrin që bënë atë pyetje të përzemërt dhe intime, nisur nga frika, vite më parë? Ata e morën parasysh seriozisht bisedën tonë atë natë; u lutën, agjëruan dhe arritën në përfundimet e veta. Plot gëzim e ngazëllim për ta dhe për ne, gjyshërit, tani ata janë bekuar me shtatë fëmijë të bukur teksa ecin përpara me besim e dashuri.

Pamja
Gjashtë nipërit dhe mbesa e Plakut dhe Motrës Rasband

Merrni zemër, vëllezër e motra. Po, ne jetojmë në kohë të rrezikshme, por teksa qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve, nuk nevojitet të kemi frikë. Ju bekoj që, teksa e bëni këtë gjë, ju nuk do të shqetësoheni nga kohët në të cilat jetojmë ose shqetësimet që na shfaqen në rrugën tonë. Ju bekoj të zgjidhni që të qëndroni në vende të shenjta dhe të mos lëvizni. Ju bekoj të besoni te premtimet e Jezu Krishtit, se Ai jeton dhe se Ai po vëzhgon mbi ne, kujdeset për ne dhe qëndron përkrah nesh. Në emrin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.