2010–2019
A Dëshiron të Shërohesh?
Tetor 2018


A Dëshiron të Shërohesh?

Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, nëse zgjedhim të pendohemi dhe t’i kthejmë zemrat tona tërësisht te Shpëtimtari, Ai do të na shërojë shpirtërisht.

Pak muaj pasi kishte filluar misionin, djali ynë më i vogël dhe shoku i tij misionar po përfundonin studimin e tyre kur biri ynë ndjeu një dhembje të lehtë në kokë. Pati një ndjenjë të çuditshme; në fillim humbi kontrollin e krahut të majtë; më pas gjuha iu mpi. Ana e majtë e fytyrës filloi t’i varej. E kishte të vështirë të fliste. E dinte se diçka nuk po shkonte. Ajo që nuk dinte, ishte që gjendej në mes të një ishemie të madhe në tri zona të trurit. Frika filloi të shfaqej teksa u paralizua pjesërisht. Koha sa shpejt mund të marrë kujdes mjekësor një viktimë e ishemisë cerebrale, mund të ketë një ndikim të madh në shkallën e shërimit të tij. Shoku i tij misionar plot besim veproi me vendosmëri. Pasi mori në telefon urgjencën, ai i dha atij një bekim. Për mrekulli, ambulanca ishte vetëm pesë minuta larg.

Pasi djalin e çuan me urgjencë në spital, personeli mjekësor me të shpejtë e vlerësoi gjendjen dhe vendosi që duhej t’i jepnin birit tonë një ilaç që kishte mundësi t’i largonte dalëngadalë me kalimin e kohës pasojat paralizuese të ishemisë cerebrale.1 Gjithsesi, nëse biri ynë nuk po kalonte një ishemi cerebrale, ilaçi mund të kishte pasoja të rënda, të tilla si një hemoragji në tru. Biri ynë duhej të zgjidhte. Ai zgjodhi ta pranonte ilaçin. Ndërkohë që shërimi i plotë kërkoi operacione të tjera dhe shumë muaj, biri ynë më së fundi u rikthye dhe e përfundoi misionin e tij pasi i ishin larguar konsiderueshëm pasojat e ishemisë cerebrale.

Ati ynë Qiellor është i gjithëfuqishëm dhe i gjithëdijshëm. Ai i njeh mundimet tona fizike. Ai është i vetëdijshëm për dhembjet tona fizike për shkak të sëmundjes, lëngatës, moshës së vjetër, aksidenteve apo çrregullimeve që nga lindja. Ai është i vetëdijshëm për vështirësitë tona emocionale që shoqërohen me ankthin, vetminë, depresionin ose sëmundjet mendore. Ai e njeh çdo njeri që ka vuajtur padrejtësi ose me të cilin është abuzuar. Ai i njeh dobësitë, prirjet dhe tundimet me të cilat ndeshemi.

Gjatë vdekshmërisë ne vihemi në provë që të shihet nëse do të zgjedhim të mirën kundrejt së ligës. Ata që i zbatojnë urdhërimet e Tij, do të jetojnë me Të “në një gjendje lumturie të pafund”2. Që të na ndihmojë në përparimin tonë për t’u bërë si Ai, Ati Qiellor ia ka dhënë të gjithë fuqinë dhe diturinë Birit të Tij, Jezu Krishtit. Nuk ka ligshti fizike, emocionale apo shpirtërore që Krishti nuk mund ta shërojë.3

Nga shërbesa e Shpëtimtarit në vdekshmëri, shkrimet e shenjta tregojnë shumë ngjarje të mrekullueshme ku Jezu Krishti e përdori fuqinë e Tij hyjnore për t’i shëruar ata që vuanin fizikisht.

Ungjilli sipas Gjonit tregon historinë e një burri që kishte duruar një paaftësi ligështuese për 38 vjet.

“Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: ‘A dëshiron të shërohesh?’”

Burri i pafuqishëm u përgjigj se askush nuk ishte atje që ta ndihmonte kur kishte më shumë nevojë për ndihmë.

“Jezusi i tha: ‘Çohu, merr vigun tënd dhe ec!’.

Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci.”4

Vini re, ju lutem, pranëvënien e dy të kundërtave, sa gjatë vuajti ky burrë vetëm – 38 vjet – dhe se sa shpejt erdhi shërimi kur u përfshi Shpëtimtari. Shërimi ishte “në çast”.

Në një rast tjetër, një grua me një fluks gjaku për 12 vjet, e cila “kishte shpenzuar ndër mjekë gjithë pasurinë e saj, … iu afrua nga pas dhe i preku cepin e rrobës së tij dhe në atë çast [i pushoi] fluksi i gjakut. …

Por Jezusi tha: ‘Dikush më preku, sepse e ndjeva që një fuqi doli prej meje’.

Atëherë gruaja, duke parë se nuk mbeti e padiktuar, … i deklaroi në prani të gjithë popullit, … si ishte shëruar në çast.”5

Gjatë shërbesës së Tij, Krishti dha mësim se Ai kishte fuqi mbi trupin fizik. Ne nuk mund ta kontrollojmë kohën se kur do të ndodhë shërimi i sëmundjeve tona fizike prej Krishtit. Shërimi ndodh në përputhje me vullnetin dhe urtësinë e Tij. Në shkrimet e shenjta disa njerëz vuajtën për dekada; të tjerë gjatë gjithë jetës së tyre në vdekshmëri. Paaftësitë fizike në vdekshmëri mund të na përmirësojnë dhe të na e thellojnë mbështetjen tonë te Perëndia. Por, kur e lejojmë Krishtit të përfshihet, Ai gjithmonë do të na forcojë shpirtërisht që të mund të kemi aftësi më të madhe për t’i duruar barrët tona.

Më së fundi, ne e dimë se çdo sëmundje, dobësi apo papërsosuri fizike do të shërohet në Ringjalljen. Ajo është një dhuratë për të gjithë njerëzimin nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.6

Jezu Krishti mund të shërojë më shumë sesa thjesht trupat tanë fizikë. Ai mund t’i shërojë edhe shpirtrat tanë. Gjatë gjithë shkrimit të shenjtë, ne mësojmë se si Krishti i ndihmoi ata, shpirtrat e të cilëve ishin të dobët, dhe i bëri të shërohen.7 Kur i përsiatim këto përvoja, rritet shpresa dhe besimi ynë te fuqia e Shpëtimtarit për ta bekuar jetën tonë. Jezu Krishti mund të na e ndryshojë zemrën, mund të na shërojë nga pasojat e padrejtësisë ose abuzimit që mund të përjetojmë, dhe mund ta forcojë aftësinë tonë për t’i bërë ballë humbjes dhe pikëllimit, duke na sjellë paqe për të na ndihmuar që t’i durojmë sprovat e jetës sonë, duke na shëruar emocionalisht.

Krishti gjithashtu mund të na shërojë kur mëkatojmë. Ne mëkatojmë kur me vetëdije e shkelim njërin nga ligjet e Perëndisë.8 Kur mëkatojmë, shpirtrat tanë bëhen të papastër. Asgjë e papastër nuk mund të banojë në praninë e Perëndisë.9 “Pastrimi nga mëkati do të thotë të shërohesh shpirtërisht.”10

Perëndia, Ati, e di se do të mëkatojmë, por Ai ka përgatitur një udhë që ne të shëlbohemi. Plaku Lin G. Robins dha mësim: “Pendimi nuk është plani … rezervë [i Perëndisë] në rastin kur ne mund të dështojmë. Pendimi është plani i Tij, duke e ditur që do të dështojmë.”11 Kur mëkatojmë, ne kemi mundësinë të zgjedhim të mirën nga e liga. Ne zgjedhim të mirën kur pendohemi pasi kemi mëkatuar. Nëpërmjet Jezu Krishtit dhe flijimit të Tij shlyes, ne mund të shëlbohemi prej mëkateve tona dhe të kthehemi në praninë e Perëndisë, Atit, nëse pendohemi. Shërimi shpirtëror nuk është i njëanshëm – ai kërkon fuqinë shëlbuese të Shpëtimtarit dhe pendimin e sinqertë nga ana e mëkatarit. Ata që zgjedhin të mos pendohen, nuk po e pranojnë shërimin që ofron Krishti. Për ta është sikur të mos ishte bërë shëlbimi.12

Kur jam këshilluar me njerëz të tjerë që po kërkonin të pendoheshin, unë jam befasuar që njerëzit, të cilët po jetonin në mëkat, e kishin të vështirë që të merrnin vendime të drejta. Fryma e Shenjtë do të largohej prej tyre dhe shpesh mezi ia dilnin që të bënin zgjedhje që do t’i sillnin më pranë Perëndisë. Ata do të ndesheshin për muaj ose madje vite, të turpëruar ose të frikësuar nga pasojat e mëkateve të tyre. Shpesh, ata ndienin se kurrë nuk mund të ndryshonin ose të merrnin falje. Shpesh i kam dëgjuar të tregojnë për frikën e tyre se, në qoftë se njerëzit e tyre të dashur do ta dinin se çfarë kishin bërë, nuk do t’i donin më ose do të largoheshin prej tyre. Kur e ndiqnin këtë rrjedhë mendimi, arrinin në përfundimin që thjesht të rrinin në heshtje dhe ta vononin pendimin e tyre. Duke u gabuar, ndienin se ishte më mirë të mos pendoheshin tani, që të mos i lëndonin më tej njerëzit që i donin. Në mendjen e tyre ishte më mirë të vuanin pas kësaj jete, sesa të kalonin përmes procesit të pendimit tani. Vëllezër e motra, nuk është kurrë një ide e mirë që ta shtyni për më vonë pendimin tuaj. Kundërshtari shpesh e përdor frikën për të mos na lejuar që të veprojmë në çast sipas besimit tonë te Jezu Krishti.

Kur njerëzit e dashur përballen me të vërtetën rreth sjelljes mëkatare, ndërkohë që mund të ndihen thellësisht të lënduar, ata shpesh dëshirojnë ta ndihmojnë mëkatarin, i cili pendohet sinqerisht, që të ndryshojë dhe të pajtohet me Perëndinë. Me të vërtetë, shërimi shpirtëror përshpejtohet kur mëkatari e rrëfen mëkatin dhe rrethohet nga ata që e duan dhe e ndihmojnë t’i braktisë mëkatet e tij. Ju lutem, mbajeni mend se Jezu Krishti është i fuqishëm në mënyrën se si Ai i shëron edhe viktimat e pafajshme të mëkatit, që i kërkojnë ndihmë Atij.13

Presidenti Bojd K. Paker shpalli: “Shpirtrat tanë dëmtohen kur bëjmë gabime dhe kryejmë mëkate. Por ndryshe nga rasti i trupave tanë të vdekshëm, kur procesi i pendimit është tërësor, asnjë shenjë nuk mbetet për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Premtimi është: ‘Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato’ [Doktrina e Besëlidhje 58:42].”14

Kur pendohemi “me qëllim të plotë të zemrës”15, “plani i madh i shëlbimit do të realizohet menjëherë” në jetën tonë.16 Shpëtimtari do të na shërojë.

Shoku misionar dhe profesionistët e mjekësisë, të cilët e ndihmuan birin tonë të goditur nga ishemia cerebrale në fushën e misionit, vepruan me të shpejtë. Biri ynë zgjodhi që të merrte ilaçin që e largonte ndikimin e ishemisë. Ndikimet paralizuese të ishemisë cerebrale, që mund ta kishin ndjekur atë gjatë gjithë jetës së tij në vdekshmëri, u prapësuan. Po ashtu, sa më shpejt që ne pendohemi dhe e sjellim Shlyerjen e Jezu Krishtit në jetën tonë, aq më shpejt mund të shërohemi nga pasojat e mëkatit.

Presidenti Rasëll M. Nelson ofroi këtë ftesë: “Nëse jeni larguar nga shtegu, … ju ftoj … që, … të ktheheni [ju lutem]. Cilatdo qofshin shqetësimet tuaja, cilatdo qofshin sfidat tuaja, ka vend për ju në këtë, Kishën e Zotit. Ju dhe brezat ende të palindur do të bekoheni nga veprimet tuaja tani për t’u kthyer në shtegun e besëlidhjeve.”17

Shërimi ynë shpirtëror kërkon nga ne që t’u nënshtrohemi kushteve që ka përvijuar Shpëtimtari ynë. Nuk duhet të vonohemi! Duhet të veprojmë sot! Veproni tani, kështu që paraliza shpirtërore të mos e pengojë përparimin tuaj të përjetshëm. Ndërkohë që kam folur, nëse e keni ndier nevojën për të kërkuar faljen e dikujt ndaj të cilit keni vepruar gabim, ju ftoj të veproni. Tregojuni se çfarë keni bërë. Kërkoni faljen e tyre. Nëse keni kryer një mëkat që ndikon te denjësia juaj për në tempull, ju ftoj të këshilloheni me peshkopin tuaj – sot. Mos e vononi.

Vëllezërit dhe motrat e mia, Perëndia është Ati ynë i dashur në Qiell. Ai ia ka dhënë të gjithë fuqinë dhe diturinë Birit të Tij të dashur, Jezu Krishtit. Për shkak të Tij, i gjithë njerëzimi do të shërohet një ditë nga çdo sëmundje fizike përgjithmonë. Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, nëse zgjedhim të pendohemi dhe t’i kthejmë zemrat tona tërësisht te Shpëtimtari, Ai do të na shërojë shpirtërisht. Ai shërim mund të fillojë në çast. Zgjedhja është e jona. A dëshirojmë të shërohemi?

Unë dëshmoj se Jezu Krishti e pagoi çmimin që ne të mund të shërohemi. Por duhet të zgjedhim që ta përdorim atë ilaç shërues që Ai ofron. Përdoreni sot. Mos e vononi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Ilaçi quhet tPA (aktivizuesi plazminogjen i indeve).

  2. Mosia 2:41.

  3. Shih Mateu 4:24. Krishti shkoi kudo duke shëruar të gjithë të sëmurët, edhe ata me “lëngata”, “dhimbje të ndryshme”, që ishin “të demonizuar” dhe “epileptikë”.

  4. Shih Gjoni 5:5–9; theksimi i shtuar.

  5. Shih Lluka 8:43–47; theksimi i shtuar.

  6. Shih Alma 40:23; Helamani 14:17.

  7. Shih Lluka 5:20, 23–25; shih edhe Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it], Luke 5:23 (në Biblën në anglisht Luke 5:23, poshtëshënimi a): “A kërkohet më shumë fuqi për të falur mëkatet apo për ta bërë të sëmurin të ngrihet dhe të ecë?”

  8. Shih 1 Gjon 3:4.

  9. Shih 3 Nefi 27:19.

  10. The Gospel of Jesus Christ”, Preach My Gospel: A Guide to Missionary Service, bot. i rishik (2018), lds.org/manual/missionary.

  11. Lin G. Robins, “Deri Shtatëdhjetë Herë Shtatë”, Liahona, maj 2018, f. 22.

  12. Shih Mosia 16:5.

  13. Në shumë raste, e kam dëshmuar shërimin e përshpejtuar të individëve kur anëtarët e familjes janë grumbulluar përreth dikujt që i ka shkelur zotimet e besnikërisë dhe mirëbesimit, duke i ndihmuar të kthehen te Shpëtimtari më tërësisht për fuqinë e Tij shëruese në jetën e tyre. Nëse njeriu i penduar vërtet kërkon sinqerisht të ndryshojë, anëtarët e familjes që e ndihmojnë në studimin e ungjillit, lutjen e sinqertë dhe shërbimin si të Krishtit, jo vetëm që e ndihmojnë mëkatarin të ndryshojë, por gjithashtu e hapin derën për shërimin e shtuar nga Shpëtimtari në jetën e tyre. Kur është e përshtatshme, viktimat e pafajshme mund ta ndihmojnë mëkatarin në gabim duke kërkuar udhërrëfim qiellor se çfarë të studiojnë së bashku, se si të shërbejnë dhe se si t’i përfshijnë pjesëtarët e familjes që ta përkrahin dhe forcojnë shpirtin pendues që të ndryshojë e të përfitojë nga fuqia shëlbuese e Jezu Krishtit.

  14. Bojd K. Paker, “Plani i Lumturisë”, Liahona, maj 2015, f. 28.

  15. 3 Nefi 18:32.

  16. Alma 34:31; theksimi i shtuar.

  17. Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Liahona, prill 2018, f. 7.