2010–2019
Prindërit dhe Fëmijët
Tetor 2018


Prindërit dhe Fëmijët

Plani i madh i Atit tonë Qiellor për lumturinë ju tregon se kush jeni dhe qëllimin e jetës suaj.

Motra të mia të dashura, sa e mrekullueshme është që e kemi këtë sesion të ri të konferencës së përgjithshme për gratë e Kishës që janë tetë vjeç e lart. Kemi dëgjuar mesazhe frymëzuese nga motrat udhëheqëse dhe nga Presidenti Henri B. Ajring. Mua dhe Presidentit Ajring na pëlqen shumë të punojmë nën drejtimin e Presidentit Rasëll M. Nelson dhe e presim me padurim fjalimin e tij profetik.

I.

Fëmijët janë dhurata jonë më e çmuar nga Perëndia – rritja jonë e përjetshme. Megjithatë jetojmë në një kohë kur shumë gra dëshirojnë të mos marrin pjesë në lindjen dhe rritjen e fëmijëve. Shumë të rinj në moshë madhore e vonojnë martesën derisa të plotësohen nevojat materiale. Mosha mesatare e martesave të anëtarëve të Kishës sonë është rritur me më shumë se dy vjet dhe po bie numri i lindjeve të anëtarëve të Kishës. Shtetet e Bashkuara dhe disa kombe të tjera kanë përballë një të ardhme me shumë pak fëmijë që rriten deri në moshë madhore për të mbështetur numrin e të rriturve që dalin në pension.1 Mbi 40 përqind e lindjeve në Shtetet e Bashkuara janë nga nëna të pamartuara. Ata fëmijë janë të cenueshëm. Secila prej këtyre prirjeve vepron kundër planit hyjnor të Atit tonë për shpëtimin.

II.

Gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme e kuptojnë se të qenit nënë është përparësia e tyre më e lartë, gëzimi i tyre më i madh. Presidenti Gordon B. Hinkli tha: “Gratë, në pjesën më të madhe, e shohin përmbushjen e tyre më të madhe, lumturinë e tyre më të madhe në shtëpi e në familje. Perëndia u dha grave diçka hyjnore që shfaqet si forcë e qetë, sqimë, paqe, mirësi, virtyt, vërtetësi, dashuri. Dhe të gjitha këto cilësi të shquara e gjejnë shprehjen e tyre më të vërtetë e më të kënaqshme te qenia nënë.”

Ai vazhdoi: “Puna më e madhe që çdo grua do të bëjë ndonjëherë, do të jetë që t’i rritë dhe t’i mësojë dhe t’i lartësojë e t’i nxitë dhe t’i rritë fëmijët e saj në drejtësi e të vërtetë. Nuk ka asgjë tjetër që do të krahasohet me këtë, pavarësisht nga ajo që bën.”2

Nëna, motra të dashura, ne ju duam për atë që jeni dhe atë që bëni për të gjithë ne.

Në fjalimin e tij të rëndësishëm të vitit 2015, të titulluar “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, Presidenti Rasëll M. Nelson tha:

“Mbretëria e Perëndisë nuk është dhe nuk mund të jetë e plotë pa gra të cilat bëjnë besëlidhje të shenjta dhe më pas i mbajnë ato, pa gra të cilat mund të flasin me fuqi dhe autoritet nga Perëndia!

Sot … na duhen gra, të cilat e dinë se si t’i bëjnë të ndodhin gjëra të rëndësishme me anë të besimit të tyre dhe të cilat janë mbrojtëse të guximshme të moralit dhe familjeve në një botë që dergjet në mëkat. Na duhen gra që janë të përkushtuara ndaj udhërrëfimit të fëmijëve të Perëndisë përgjatë shtegut të besëlidhjes drejt ekzaltimit; gra që dinë se si të marrin zbulesë vetjake, që e kuptojnë fuqinë dhe paqen e dhurimit [indaumentit] të tempullit; gra që dinë se si t’u bëjnë thirrje fuqive të qiellit për të mbrojtur e forcuar fëmijët dhe familjet; gra që japin mësim pa druajtje.”3

Këto mësime të frymëzuara bazohen të gjitha te dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, në të cilën kjo Kishë e rivendosur ripohon doktrinën dhe praktikat kryesore të planit të Krijuesit përpara se Ai të krijonte tokën.

III.

Tani i drejtohem grupit më të ri të këtij publiku. Të dashura motrat e mia të reja, për shkak të njohurisë suaj për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, ju jeni të veçanta. Njohuria juaj do t’ju aftësojë që t’i duroni dhe kapërceni vështirësitë e rritjes. Që në moshë të vogël, ju keni marrë pjesë në projekte dhe programe që i kanë zhvilluar talentet tuaja, të tilla si të shkruarit, të folurit dhe planifikimi. Ju keni mësuar sjelljen e përgjegjshme dhe si t’u bëni ballë tundimeve për të gënjyer, mashtruar, vjedhur ose për të përdorur alkool apo droga.

Veçantia juaj u vu në dukje në një studim të Universitetit të Karolinës së Veriut mbi adoleshentët amerikanë dhe fenë në Amerikë. Një artikull i gazetës Charlotte Observer kishte titullin “Adoleshentët mormonë i përballojnë më mirë gjërat: Studimi gjen se ata kryesojnë mbi moshatarët në trajtimin e adoleshencës”. Ky artikull arriti në përfundimin se “mormonët kishin rezultate më të mira në shmangien e sjelljeve të rrezikshme, duke dalë mirë në shkollë dhe duke pasur një qëndrim pozitiv për të ardhmen”. Një nga hulumtuesit në studim, i cili intervistoi pjesën më të madhe të rinisë sonë, tha: “Në pothuajse çdo kategori që ne pamë, kishte një model të qartë: mormonët ishin të parët”4.

Pse i përballoni më së miri vështirësitë e rritjes? Të reja, kjo është ngaqë e kuptoni planin e madh të Atit tonë Qiellor për lumturinë. Kjo ju tregon se kush jeni dhe qëllimin e jetës suaj. Të rinjtë me këtë lloj kuptueshmërie janë të parët që i zgjidhin problemet dhe të parët që zgjedhin të drejtën. Ju e dini se mund ta keni ndihmën e Zotit në kapërcimin e të gjitha vështirësive të rritjes.

Një arsye tjetër përse jeni më të efektshëm është se ju e kuptoni që jeni fëmijë të një Ati Qiellor që ju do. Unë jam i sigurt se ju e njihni himnin tonë të mrekullueshëm “Dearest Children, God Is Near You” [“Fëmij’ të Dashur, Perëndia është Pran’ Jush”]. Ja strofa e parë që të gjithë e kemi kënduar dhe besuar:

Fëmij’ të dashur, Perëndia është pran’ jush,

Dit’ e nat’ të kujdeset,

Dhe gëzohet t’ju bekojë,

Nëse bëni ç’ësht’ e drejt’.5

Ka dy mësime në atë strofë: Së pari, Ati ynë Qiellor është pranë nesh dhe kujdeset për ne ditë e natë. Mendoni për këtë! Perëndia na do, Ai është pranë nesh dhe Ai na mbron. Së dyti, Ai kënaqet të na bekojë ndërsa “bë[jmë] ç’ësht’ e drejt”. Çfarë ngushëllimi në mes të anktheve dhe vështirësive tona!

Po, të reja, ju jeni të bekuara dhe ju jeni të mrekullueshme, por ju jeni si të gjithë fëmijët e Atit Qiellor ndaj kërkesës që të “bëni ç’ësht’ e drejt[ë]”.

Këtu mund t’ju jepja këshilla për shumë gjëra të ndryshme, por kam zgjedhur të flas vetëm për dy gjëra.

Këshilla ime e parë ka të bëjë me telefonat celularë. Një studim i kohëve të fundit në mbarë vendin zbuloi se më shumë se gjysma e adoleshentëve në Shtetet e Bashkuara thanë se kalojnë shumë kohë në telefonat e tyre celularë. Më shumë se 40 përqind thanë se ndiheshin në ankth kur ishin larg telefonave të tyre celularë.6 Kjo ishte më e zakonshme mes vajzave sesa mes djemve. Motrat e mia të reja – dhe gra në moshë të rritur gjithashtu – do ta bekoni jetën tuaj nëse e kufizoni përdorimin nga ana juaj të telefonit celular dhe varësinë tuaj prej tij.

Këshilla ime e dytë është edhe më e rëndësishme. Jini dashamirëse me të tjerët. Dashamirësia është diçka që shumë prej të rinjve tanë po e zbatojnë tashmë. Disa grupe të rinjsh në disa komunitete na e kanë treguar udhën të gjithëve. Ne jemi frymëzuar nga veprimet dashamirëse të të rinjve tanë ndaj atyre që kanë nevojë për dashuri e ndihmë. Në shumë mënyra, ju e jepni atë ndihmë dhe e tregoni atë dashuri ndaj njëri-tjetrit. Do të dëshironim që të gjithë ta ndiqnin shembullin tuaj.

Në të njëjtën kohë, ne e dimë se kundërshtari na tundon të gjithëve që të mos jemi dashamirës, dhe ka ende shumë shembuj të kësaj, madje edhe midis fëmijëve dhe të rinjve. Mungesa e vazhdueshme e dashamirësisë njihet me shumë emra, si mujshim, sulm si grup ndaj dikujt ose grupim për të mos i pranuar të tjerët. Këta shembuj, me dashje, shkaktojnë dhembje ndaj shokëve/shoqeve të klasës apo miqve. Motrat e mia të reja, Zotit nuk i pëlqen nëse jemi mizorë apo të ligj me të tjerët.

Ja një shembull. Di për një të ri, një refugjat këtu në Juta, të cilin e vinin në lojë ngaqë ishte i ndryshëm, përfshirë faktin që fliste gjuhën e tij amtare. Ai u përndoq nga një grup të rinjsh të privilegjuar derisa ai u hakmor në një mënyrë që e futi në burg për më shumë se 70 ditë, ndërkohë që po shqyrtohej për dëbim [nga Shtetet e Bashkuara]. Nuk e di se çfarë e provokoi këtë grup të rinjsh, shumë prej tyre shenjtorë të ditëve të mëvonshme si ju, por mund ta shoh pasojën e dashakeqjes së tyre, një përvojë tragjike dhe në kurriz të njërit prej fëmijëve të Perëndisë. Veprime të vogla jodashamirëse mund të kenë pasoja shkatërruese.

Kur e dëgjova këtë histori, e krahasova me atë që profeti ynë, Presidenti Nelson, tha në takimin shpirtëror më të fundit mbarëbotëror për të rinjtë. Duke ju kërkuar juve dhe gjithë të rinjve të tjerë që të ndihmoni në mbledhjen e Izraelit, ai tha: “Dalloh[uni]; … j[ini] të ndryshëm nga bota. Ju dhe unë e dimë se ju duhet të jeni një dritë për botën. Prandaj, Zoti ka nevojë që ju të dukeni, të tingëlloni, të veproni e të visheni si një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit.”7

Në batalionin e rinisë, me të cilin Presidenti Nelson ju ftoi të bashkoheni, të rinjtë nuk do të jenë të ligj ndaj njëri-tjetrit. Ata do t’i ndjekin mësimet e Shpëtimtarit për t’u shtrirë dorën e ndihmës të tjerëve dhe për të qenë të dashur e të respektueshëm ndaj të tjerëve, madje për ta kthyer faqen tjetër kur ndiejmë se dikush na ka bërë padrejtësi.

Në një fjalim të një konference të përgjithshme në kohën kur shumë prej jush u lindën, Presidenti Gordon B. Hinkli i lavdëroi “të rejat e bukura që po përpiqen fort për ta jetuar ungjillin”. Ai i përshkroi ato, ashtu siç unë e ndiej t’ju përshkruaj juve:

“Ato janë bujare ndaj njëra-tjetrës. Ato kërkojnë ta forcojnë njëra-tjetrën. Ato i nderojnë prindërit e tyre dhe familjet nga të cilat vijnë. Ato po i afrohen moshës së të qenit grua dhe do t’i mbajnë me vete gjatë gjithë jetës së tyre idealet që aktualisht u japin shtysë atyre.”8

Si shërbëtor i Zotit, ju them juve të rejave, bota jonë ka nevojë për mirësinë dhe dashurinë tuaj. Jini dashamirëse ndaj njëra-tjetrës. Jezusi na mësoi ta duam njëri-tjetrin dhe t’i trajtojmë të tjerët ashtu siç duam të trajtohemi. Ndërsa përpiqemi të jemi dashamirës, ne afrohemi më pranë Tij dhe ndikimit të Tij të dashur.

Motrat e mia të dashura, nëse jeni pjesëmarrëse në çfarëdo lloj ligësie apo zemërngushtësie – individualisht ose në grup – merreni tani vendimin për të ndryshuar dhe për t’i nxitur të tjerët të ndryshojnë. Kjo është këshilla ime dhe jua jap atë si një shërbëtor i Zotit Jezu Krisht, sepse Shpirti i Tij më ka nxitur t’ju flas për këtë temë të rëndësishme. Unë dëshmoj për Jezu Krishtin, Shpëtimtarin tonë, i cili na mësoi ta duam njëri-tjetrin ashtu si Ai na deshi. Unë lutem që ne do të bëjmë kështu. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Sara Berg, “Nation’s Latest Challenge: Too Few Children”, AMA Wire, 18 qershor 2018, wire.ama-assn.org.

  2. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 387, 390; shih edhe M. Rasëll Ballard, “Nëna dhe Bija”, Liahona, maj 2010, f. 18 (në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [2011], f. 156).

  3. Rasëll M. Nelson, “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, Liahona, nëntor 2015, f. 96; shih edhe Russell M. Nelson, “Children of the Covenant”, Ensign, maj 1995, f. 33.

  4. Studimi u botua nga Oxford University Press si Christian Smith dhe Melinda Lundquist Denton, Soul Searching: The Religious and Spiritual Lives of American Teenagers (2005).

  5. “Dearest Children, God Is Near You”, Hymns, nr. 49.

  6. Shih “In Our Opinion: You Don’t Need to Be Captured by Screen Time”, Deseret News, 31 gusht 2018, deseretnews.com.

  7. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit”, (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë, 3 qershor 2018), f. 8, HopeofIsrael.lds.org.

  8. Gordon B. Hinckley, “The Need for Greater Kindness”, Liahona, maj 2006, f. 60–61.