2010–2019
Beso, Duaj, Bëj
Tetor 2018


Beso, Duaj, Bëj

Ne e arrijmë jetën plot bollëk duke u bërë dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit – duke ndjekur shtigjet e Tij dhe duke u përfshirë në veprën e Tij.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, është një rast kaq i mrekullueshëm që të jem me ju në këtë sesion të mahnitshëm të konferencës së përgjithshme sot: për të dëgjuar mesazhe të frymëzuara, për të dëgjuar këtë kor të mahnitshëm, të hatashëm, misionarësh që përfaqësojnë mijëra misionarë nga mbarë bota – bijat tona, bijtë tanë – dhe veçanërisht për të qenë të bashkuar në besimin tonë sot, sërish duke e mbështetur Presidentin dhe profetin tonë të dashur, Presidentin Rasëll M. Nelson, Presidencën e Parë dhe Drejtuesit e Përgjithshëm të Kishës. Sa ditë e gëzueshme është kjo e sotmja ngaqë jam me ju!

Mbreti i lashtësisë Salomoni, në dukje, qe një nga qeniet njerëzore më të suksesshme në histori.1 Ai dukej se kishte gjithçka – para, pushtet, adhurim, nderim. Por pas dekadash vetëkënaqjeje dhe luksi, si e përmblodhi mbreti Salomon jetën e Tij?

“Gjithçka është kotësi”2, tha ai.

Ky njeri, që i kishte të gjitha, përfundoi i zhgënjyer, pesimist dhe i palumtur, pavarësisht nga gjithçka që kishte arritur.3

Ka një fjalë në gjermanisht: Weltschmerz. Me një përkufizim të përciptë do të thotë një trishtim që vjen nga bluajtja në mendje e faktit se bota nuk është në lartësinë e asaj që ne mendojmë se duhet të jetë.

Ndoshta ka pakëz Weltschmerz brenda të gjithëve ne.

Kur pikëllimet hyjnë shkarazi pa u ndier në skutat e jetës sonë. Kur trishtimi na i mbush ditët dhe na i mbulon netët me hije të rënda. Kur tragjedia dhe padrejtësitë hyjnë në botën përreth nesh, përfshirë jetën e njerëzve që duam. Kur rrugëtojmë përgjatë shtegut tonë vetjak e të vetmuar të mjerimit dhe dhembja na e zymton prehjen dhe na e prish qetësinë – mund të tundohemi për t’u pajtuar me Salomonin se jeta është kotësi dhe pa asnjë kuptim.

Shpresa e Madhërishme

Lajmi i mirë është se ka shpresë. Ka një zgjidhje për zbrazëtinë, kotësinë dhe Weltschmerz‑in e jetës. Ka një zgjidhje madje edhe për humbjen e shpresës dhe shkurajimin më të thellë që mund të ndieni.

Kjo shpresë gjendet te fuqia shndërruese e ungjillit të Jezu Krishtit dhe te fuqia shëlbuese e Shpëtimtarit për të na shëruar nga sëmundjet e shpirtit tonë.

“Unë kam ardhur”, shpalli Jezusi, “që të kenë jetë e ta kenë me bollëk”4.

Ne e arrijmë atë jetë plot bollëk, jo duke u përqendruar te nevojat tona vetjake ose tek arritjet tona vetjake por duke u bërë dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit – duke ndjekur shtigjet e Tij dhe duke u përfshirë në veprën e Tij. Ne e gjejmë jetën me bollëk duke e harruar veten dhe duke u përfshirë në kauzën e madhërishme të Krishtit.

Dhe cila është kauza e Krishtit? Është të besosh në Të, t’i duash të tjerët siç i deshi Ai dhe të bësh ato që bëri Ai.

Jezusi “e përshkoi vendin duke bërë mirë”5. Ai eci mes të varfërve, të dëbuarve, të sëmurëve e të turpëruarve. Ai u dha shërbesë të pafuqishmëve, të dobtëve dhe të mbeturve pa miq. Ai kaloi kohë me ta; Ai foli me ta. “Dhe ai i shëroi të gjithë.”6

Kudo që shkoi, Shpëtimtari e dha mësim “lajmin e mirë”7 të ungjillit. Ai tregoi të vërteta të përjetshme që i bënë njerëzit të lirë shpirtërisht, si edhe fizikisht.

Ata që ia përkushtojnë veten kauzës së Krishtit, e zbulojnë të vërtetën e premtimit të Shpëtimtarit: “Ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë”8.

Salomoni e kishte gabim, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura – jeta nuk është “kotësi”. Përkundrazi, ajo mund të jetë plot qëllim, kuptim dhe paqe.

Duart shëruese të Jezu Krishtit zgjaten për të dhënë ndihmë ndaj të gjithë atyre që e kërkojnë Atë. Kam arritur të di pa asnjë dyshim që besimi te Perëndia e dashuria për Të, si dhe përpjekja për ta ndjekur Krishtin, mund të na e ndryshojë zemrën9, të na e zbutë dhembjen e të na e mbushë shpirtin me “gëzim jashtëzakonisht të madh”10.

Beso, Duaj, Bëj

Patjetër që ne duhet të bëjmë më tepër sesa thjesht të kemi një kuptueshmëri intelektuale për ungjillin që ai ta ketë këtë ndikim shërues në jetën tonë. Ne duhet ta kemi pjesë përbërëse të jetës sonë – ta bëjmë atë pjesë të asaj që jemi dhe të asaj që bëjmë.

Më lejoni të sugjeroj se dishepullimi fillon me tri fjalë të thjeshta:

Beso, duaj dhe bëj.

Vendimi për t’i besuar Perëndisë të çon te pasja e besimit tek Ai dhe zhvillimi i mirëbesimit në fjalën e Tij. Besimi bën që në zemrën tonë të shtohet dashuria për Perëndinë dhe të tjerët. Teksa ajo dashuri shtohet, ne frymëzohemi për t’i ngjarë Shpëtimtarit teksa e vazhdojmë rrugëtimin tonë vetjak e të madhërishëm në shtegun e dishepullimit.

“Por”, do të thoni ju, “ajo duket disi e thjeshtuar. Problemet e jetës, me siguri problemet e mia, janë tejet të ndërlikuara për një recetë kaq të thjeshtë. Nuk mund të shërohet Weltschmerz-i me tri fjalë të thjeshta: Beso, duaj, bëj.”

Nuk është aforizma ajo që ju shëron. Është dashuria e Perëndisë ajo që ju shpëton nga mëkati, ju rikthen në gjendje drejtësie dhe ju ringjall shpirtërisht.

Perëndia ju njeh. Ju jeni fëmija i Tij. Ai ju do.

Edhe kur mendoni se nuk e meritoni t’ju duan, Ai ju vjen në ndihmë.

Këtë ditë – çdo ditë – Ai ju vjen në ndihmë, duke dëshiruar t’ju shërojë, t’ju ngrejë moralisht dhe ta zëvendësojë zbrazëtinë e zemrës suaj me një gëzim të përhershëm. Ai dëshiron ta fshijë çdo errësirë që jua mjegullon jetën, dhe ta mbushë atë me dritën e shenjtë e të shndritshme të lavdisë së Tij të pashtershme.

E kam përjetuar këtë vetë.

Dhe është dëshmia ime si një Apostull i Zotit Jezu Krisht që të gjithë ata që vijnë te Perëndia – të gjithë ata që vërtet besojnë, duan dhe bëjnë – mund të përjetojnë të njëjtën gjë.

Ne Besojmë

Shkrimet e shenjta na mësojnë se “pa besim është e pamundur t’i pëlqesh [Perëndisë], sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është”11.

Për disa, akti i të besuarit është i vështirë. Nganjëherë, krenaria jonë bëhet pengesë. Ndoshta mendojmë se ngaqë jemi inteligjentë, të arsimuar ose me përvojë, ne thjesht nuk mund të besojmë në Perëndi. Dhe fillojmë ta shohim fenë si një traditë të marrë.12

Nga përvoja ime, besimi nuk është dhe aq si një pikturë mbresëlënëse të cilën e kundrojmë, e admirojmë dhe rreth së cilës diskutojmë e bëjmë teori. Ai është më shumë si një plug që ngulim në fusha dhe, me djersën e ballit, krijojmë brazda në tokë që pranojnë fara dhe japin fryt që të jetë i qëndrueshëm.13

Afrohuni te Perëndia dhe Ai do t’ju afrohet juve.14 Ky është premtimi ndaj të gjithë atyre që kërkojnë të besojnë.

Ne Duam

Shkrimet e shenjta nxjerrin në pah faktin se sa më shumë [i] duam Perëndinë dhe fëmijët e Tij, aq më të lumtur bëhemi.15 Dashuria për të cilën foli Jezusi, sidoqoftë nuk është një kartë dhuratë për blerje, njëpërdorimshe, apo që e lëmë mënjanë për t’u marrë me diçka tjetër. Nuk është një dashuri që thuhet e më pas harrohet. Nuk është lloji i dashurisë “më vër në dijeni nëse mund të bëj diçka”.

Dashuria për të cilën flet Perëndia, është lloji i dashurisë që hyn në zemrën tonë kur zgjohemi në mëngjes, që qëndron brenda nesh gjatë gjithë ditës dhe që bymehet në zemrën tonë teksa shprehim lutjet tona në fund të mbrëmjes.

Ajo është dashuria e pashprehshme që Ati Qiellor ka për ne.

Është kjo dhembshuri e pafundme që na lejon t’i shohim të tjerët më qartë ashtu siç janë. Përmes thjerrave të dashurisë së pastër, ne shohim qenie të pavdekshme me potencial e vlerë të pafundme dhe bij e bija të dashura të Perëndisë të Gjithëfuqishëm.

Pasi shohim përmes asaj thjerre, nuk mund të zhvlerësojmë, shpërfillim ose diskriminojmë askënd.

Ne Bëjmë

Në veprën e Shpëtimtarit, shpesh ndodh që “nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen”16.

Ne e dimë se kërkohet ushtrim i përsëritur për t’u bërë të zotë për çfarëdolloj gjëje. Qoftë nëse është për rënien e klarinetës, goditjen e një topi në rrjetë, riparimin e një makine ose madje pilotimin e një avioni, veç nëpërmjet ushtrimit mund të bëhemi gjithnjë e më të zotë.17

Organizata që Shpëtimtari ynë krijoi në tokë – Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – na ndihmon të bëjmë pikërisht atë. Na ofron një vend për ta ushtruar të jetuarit sipas mënyrës që na mësoi Ai, dhe bekimin e të tjerëve ashtu siç bëri Ai.

Si anëtarë të Kishës, na jepen thirrje, përgjegjësi dhe mundësi për t’u shkuar në ndihmë të tjerëve me dhembshuri dhe për t’u dhënë shërbesë.

Kohët e fundit, Kisha ka vënë një theks të përtëritur te dhënia e shërbesës ose shërbimi ndaj të tjerëve ose te dashuria për të tjerët. Është menduar shumë për të vendosur se si duhet ta quajmë këtë theks të veçantë.

Një nga emrat e marrë parasysh [në anglisht] qe shepherding [kujdestari baritore], një referencë e përshtatshme me ftesën e Krishtit: “Kulloti delet e mia”18. Sidoqoftë, kishte së paku një ndërlikim: përdorimi i atij termi do të më bënte mua një qen të racës German shepherd [pastor gjerman]. Për pasojë, jam mjaft i kënaqur me termin dhënie shërbese.

Kjo Punë Është për Gjithsecilin

Sigurisht, ky theksim nuk është diçka e re. Ai thjesht na siguron një mundësi të përtëritur e të përmirësuar për ta ushtruar urdhërimin e Shpëtimtarit për “ta [dashur] njëri‑tjetrin”19, një mënyrë të përtëritur për ta vënë në zbatim e për ta ushtruar qëllimin e Kishës.

Thjesht mendoni për punën misionare; shpërndarja e guximshme, e përulur dhe me vetëbesim e ungjillit është një shembull i mrekullueshëm i dhënies së shërbesës për nevojat shpirtërore të të tjerëve, kushdo qofshin ata.

Ose bërja e punës në tempull – kërkimi i emrave të paraardhësve tanë dhe ofrimi i bekimeve të përjetësisë për ta. Çfarë mënyrë hyjnore për të dhënë shërbesë!

Merreni parasysh aktin e shkuarjes në kërkim të të varfërve e nevojtarëve, ngritjes së duarve të varura ose të bekimit të të sëmurëve e të munduarve. A nuk janë këto vetë aktet e dhënies së shërbesës së pastër që Zoti ushtroi kur eci në tokë?

Nëse nuk jeni anëtar i Kishës, unë ju ftoj të “[vini] e shikoni”20. Ejani dhe bashkohuni me ne. Nëse jeni anëtarë të Kishës, por nuk po merrni pjesë aktivisht në të tashmen, unë ju ftoj: ju lutem kthehuni. Ne kemi nevojë për ju!

Ejani, bashkojini forcat tuaja me tonat.

Për shkak të talenteve, aftësive dhe personalitetit tuaj të pashoq, ju do të na ndihmoni të bëhemi më të mirë e më të lumtur. Në këmbim, edhe ne do t’ju ndihmojmë ju të bëheni më të mirë e më të lumtur.

Ejani, na ndihmoni të ndërtojmë dhe forcojmë një kulturë shërimi, mirëdashjeje dhe mëshire kundrejt të gjithë fëmijëve të Perëndisë. Sepse ne të gjithë po përpiqemi të bëhemi krijesa të reja ku “gjërat e vjetra kishin kaluar” dhe … “të gjitha gjërat ishin bërë të reja”21. Perëndia na tregon drejtimin nga duhet të lëvizim – përpara dhe për lart. Ai thotë: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”22. Le të punojmë të gjithë së bashku për t’u bërë populli që Perëndia kishte për qëllim që të bëheshim.

Ky është lloji i kulturës së ungjillit që dëshirojmë të kultivojmë në mbarë Kishën e Jezu Krishtit. Ne kërkojmë ta forcojmë Kishën si një vend ku ne falim njëri-tjetrin. Ku i bëjmë qëndresë tundimit për të gjetur faj, për të bërë thashetheme dhe për ta ulur dikë moralisht. Ku, në vend që të tregojmë me gisht cenet, ne e ngremë dhe e ndihmojmë njëri‑tjetrin për t’u bërë më të mirët që mundemi.

Më lini t’ju ftoj sërish. Ejani e shikoni. Bashkohuni me ne. Ne kemi nevojë për ju.

Njerëz të Papërsosur

Do të zbuloni se kjo Kishë është e mbushur me disa prej njerëzve më të mirë që kjo botë ka për të ofruar. Ata janë mikpritës, të dashur, të sjellshëm e të sinqertë. Ata janë punëtorë, të gatshëm për të sakrifikuar e madje nganjëherë edhe heroikë.

Dhe ata janë gjithashtu të papërsosur gjer në dhembje.

Ata bëjnë gabime.

Herë pas here ata thonë gjëra që nuk duhet t’i thonë. Ata bëjnë gjëra që urojnë të mos i kishin bërë.

Por ata kanë të përbashkët këtë gjë – dëshirojnë të përmirësohen dhe t’i afrohen më shumë Zotit, Shpëtimtarit tonë, madje Jezu Krishtit.

Ata po përpiqen t’i bëjnë gjërat siç duhet.

Ata besojnë. Ata duan. Ata bëjnë.

Ata dëshirojnë të bëhen më pak vetëdashës, më të dhembshur, më të përmirësuar, më të ngjashëm me Jezusin.

Projekti për Lumturinë

Po, jeta mund të jetë e vështirë nganjëherë. Me siguri, ne të gjithë kemi çastet tona të dëshpërimit e shkurajimit.

Por ungjilli i Jezu Krishtit ofron shpresë. Dhe, në Kishën e Jezu Krishtit, u bashkohemi të tjerëve që kërkojnë një vend ku mund të ndihemi në shtëpi – një vend rritjeje ku, së bashku, mund të besojmë, të duam dhe të bëjmë.

Pavarësisht nga ndryshimet tona, ne synojmë ta përqafojmë njëri‑tjetrin si bij e bija të Atit tonë të dashur Qiellor.

Jam mirënjohës pa masë që jam anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe që e di se Perëndia i do fëmijët e Tij aq sa për t’u dhënë atyre një projekt për lumturi e kuptim në këtë jetë dhe një mënyrë për të përjetuar gëzim të përjetshëm në paradhomat e lavdisë në jetën tjetër.

Jam mirënjohës që Perëndia na ka dhënë një mënyrë për t’i shëruar sëmundjet e shpirtit dhe Weltschmerz‑in e jetës.

Unë dëshmoj dhe ju jap bekimin tim se, kur ne besojmë në Perëndi, kur e duam Atë dhe i duam fëmijët e Tij me gjithë zemër, si dhe përpiqemi të bëjmë ato gjëra për të cilat na ka udhëzuar Perëndia, do të gjejmë shërim e paqe, lumturi e kuptim. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.