2010–2019
Tani Është Koha
Tetor 2018


Tani Është Koha

Nëse ka ndonjë gjë në jetën tuaj që keni nevojë ta shqyrtoni, tani është koha.

Disa vite më parë, ndërsa përgatitesha për një udhëtim pune, fillova të ndieja dhembje gjoksi. Nga shqetësimi për mua, bashkëshortja ime vendosi të më shoqëronte. Në fluturimin e parë të udhëtimit tonë, dhembja u shtua në pikën saqë e kisha të vështirë të merrja frymë. Kur u ulëm në tokë, dolëm nga aeroporti dhe shkuam te spitali vendor ku, pas shumë analizash, mjeku specialist njoftoi se ishte pa rrezik që ta vazhdonim udhëtimin tonë.

U kthyem në aeroport dhe morëm një fluturim për në vendmbërritjen tonë përfundimtare. Ndërsa po zbritnim, piloti foli nga altoparlanti dhe më kërkoi që të identifikohesha. Ndihmësja për fluturimin u afrua, tha se sapo kishin marrë një telefonatë urgjente dhe më tregoi se në aeroport gjendej një ambulancë që po priste për të më çuar në spital.

Hipëm në ambulancë dhe na çuan me nxitim në urgjencën vendore. Aty na takuan dy mjekë të shqetësuar, të cilët shpjeguan se më ishte vënë një diagnozë e gabuar dhe në fakt kisha një emboli serioze pulmonare apo një mpiksje gjaku në mushkëri, e cila kërkonte përkujdesje të menjëhershme mjekësore. Ata na vunë në dijeni se shumë pacientë nuk i mbijetojnë kësaj gjendjeje shëndetësore. Mjekët, duke e ditur se ishim larg shtëpisë dhe të pasigurt a ishim të përgatitur për ngjarje të tilla që ta ndryshojnë kryekëput jetën, na thanë se nëse kishte ndonjë gjë në jetën tonë që kishim nevojë ta shqyrtonim, tani ishte koha.

Më kujtohet mirë se si pothuaj menjëherë në atë çast plot ankth, i tërë këndvështrimi im ndryshoi. Ajo çfarë dukej kaq e rëndësishme vetëm çaste më parë, më ngjallte pak interes tani. Mendja ime rendi larg rehatisë dhe shqetësimeve të kësaj jete drejt një këndvështrimi të përjetshëm – [te] mendimet për familjen, fëmijët, bashkëshorten time dhe përfundimisht te një vlerësim i vetë jetës sime.

Si ishte ecuria jonë si familje dhe individë? A po e jetonim jetën tonë në përputhje me besëlidhjet që kishim bërë dhe pritshmëritë e Zotit, apo mos ndoshta pa dashje kishim lejuar që shqetësimet e botës të na shpërqendronin nga ato gjëra që kanë më shumë rëndësi?

Unë do të doja t’ju ftoja të merrnit parasysh një mësim të rëndësishëm të marrë nga kjo përvojë: Të bëni një hap larg [shqetësimeve të] botës dhe ta vlerësoni jetën tuaj. Ose sipas fjalëve të mjekut, nëse ka ndonjë gjë në jetën tuaj që keni nevojë ta shqyrtoni, tani është koha.

Vlerësimi i Jetës Sonë

Ne jetojmë në një botë me mbingarkesë informacioni, të sunduar nga shpërqendrime gjithnjë e më të mëdha që e bëjnë gjithmonë e më të vështirë të shqyrtosh përmes trazirës së kësaj jete dhe të përqendrohesh te gjërat me vlerë të përjetshme. Jeta jonë e përditshme bombardohet nga tituj kryeartikujsh që tërheqin vëmendje, të paraqitura nga teknologji që ndryshojnë me shpejtësi.

Përveçse nëse harxhojmë kohë për të reflektuar, ne mund të mos e kuptojmë ndikimin në jetën tonë të përditshme dhe në zgjedhjet që bëjmë, të këtij mjedisi që ecën shpejt. Ne mund ta shohim jetën tonë të konsumohet nga vrulle informacioni të paketuara në figura “meme”, materiale filmike dhe tituj llamburitës kryeartikujsh. Ndonëse interesante dhe argëtuese, shumica prej këtyre kanë pak të bëjnë me përparimin tonë të përjetshëm, dhe prapëseprapë ato i japin formë mënyrës se si ne e shohim përvojën tonë në vdekshmëri.

Këto shpërqendrime të botës mund të krahasohen me ato në ëndrrën e Lehit. Teksa përparojmë nëpër shtegun e besëlidhjes me dorën tonë të kapur fort pas shufrës së hekurit, ne i dëgjojmë dhe i shohim ata që “tall[en] dhe … treg[ojnë] me gisht” që nga ndërtesa e gjerë dhe e madhe (1 Nefi 8:27). Ne mund të mos kemi ndër mend ta bëjmë atë me dashje, por ndonjëherë ne ndalojmë dhe e hedhim vështrimin tonë për të parë çfarë është gjithë ajo trazirë. Disa prej nesh mund edhe ta lëshojnë shufrën e hekurit dhe të shkojnë më afër për një pamje më të qartë. Të tjerë mund të largohen plotësisht nga udha “për shkak të atyre që po i përqeshnin” (1 Nefi 8:28).

Shpëtimtari na paralajmëroi që të “k[emi] kujdes që zemrat t[ona] të mos rëndohen nga … preokupimet e kësaj jete” (Lluka 21:34). Zbulesa moderne na kujton se shumë janë thirrur, por pak janë zgjedhur. Ata nuk janë zgjedhur “sepse zemrat e tyre vihen … mbi gjërat e kësaj bote dhe aspirojnë nderet e njerëzve” (Doktrina e Besëlidhje 121:35; shih edhe vargu 34). Vlerësimi i jetës sonë na jep mundësi që të bëjmë një hap larg botës, të reflektojmë në lidhje me atë se ku jemi për gjatë shtegut të besëlidhjeve dhe, nëse është e nevojshme, të bëjmë ndryshime për t’u siguruar që të kapemi fort e ta mbajmë shikimin përpara.

Kohët e fundit, në një takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, Presidenti Rasëll M. Nelson i ftoi të rinjtë e të rejat që të bënin një hap larg botës, të shkëputeshin nga mediat shoqërore duke mbajtur një agjërim shtatëditor. Dhe vetëm mbrëmjen e djeshme, ai i bëri një ftesë të ngjashme motrave si pjesë e sesionit të grave të konferencës. Ai më pas u kërkoi të rinjve e të rejave që të vinin re ndonjë ndryshim te mënyra se si ndihen, tek ajo që mendojnë ose madje te mënyra se si mendojnë. Ai më pas i ftoi ata që të “bëni[n] një vlerësim tërësor të jetës me Zotin … për t’u siguruar që këmbët [e tyre] të jenë ngulur fort në shtegun e besëlidhjes”. Ai i nxiti që nëse kishte gjëra në jetën e tyre që nevojitej t’i ndryshonin, “sot është koha e përkryer për të ndryshuar”1.

Në vlerësimin e gjërave në jetën tonë që nevojitet të ndryshojnë, ne mund t’i bëjmë vetes një pyetje praktike: Si ngrihemi mbi shpërqendrimet e kësaj bote dhe qëndrojmë të përqendruar te pikëvështrimi i përjetësisë para nesh?

Në një bisedë në konferencën e vitit 2007 të titulluar “Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim se si t’u japim përparësi zgjedhjeve tona mes shumë kërkesave tona kontradiktore tokësore. Ai këshilloi: “Duhet të heqim dorë nga disa gjëra të mira, që të mund të zgjedhim të tjera që janë më të mira ose më të mirat, sepse zhvillojnë besim tek Zoti Jezu Krisht dhe forcojnë familjet tona”2.

Më lejoni të sugjeroj se gjërat më të mira në këtë jetë janë të përqendruara te Jezu Krishti dhe tek të kuptuarit e të vërtetave të përjetshme se kush është Ai dhe kush jemi ne në marrëdhënien tonë me Të.

Kërkojeni të Vërtetën

Teksa kërkojmë ta njohim Shpëtimtarin, ne nuk duhet të anashkalojmë të vërtetën themelore se kush jemi dhe përse jemi këtu. Amuleku na kujton se “kjo jetë është koha … që të përgatite[mi] të takohe[mi] me Perëndinë”, koha “që na është dhënë për t’u përgatitur për përjetësi[në]” (Alma 34:32–33). Ashtu siç na kujton aksioma e mirënjohur: “Ne nuk jemi qenie njerëzore që po kalojmë një përvojë shpirtërore. Ne jemi qenie shpirtërore që po kalojmë një përvojë njerëzore.”3

Të kuptuarit e prejardhjes sonë hyjnore është thelbësor për përparimin tonë të përjetshëm dhe mund të na çlirojë nga shpërqendrimet e kësaj jete. Shpëtimtari dha mësim:

“Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi;

do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë” (Gjoni 8:31–32).

Presidenti Jozef F. Smith shpalli: “Arritja më e madhe që njerëzimi mund të bëjë në këtë botë, është që njerëzit ta familjarizojnë veten me të vërtetën hyjnore, aq tërësisht, aq përsosurisht, sa shembulli apo sjellja e asnjë krijese të gjallë në botë nuk mund t’i largojë kurrë nga njohuria që kanë fituar”4.

Në botën sot, debati për të vërtetën ka arritur një pikë të nxehtë, ku të gjitha palët shprehin pretendime për të vërtetën sikur ajo të ishte një koncept relativ i hapur për interpretim individual. Djaloshi i ri Jozef Smith zbuloi se “kaq e madhe ishte ngatërresa dhe grindja” në jetën e tij, “sa ishte e pamundur … të arri[nte] në njëfarë përfundimi se kush kishte të drejtë dhe kush ishte gabim” (Joseph Smith – Historia 1:8). Ishte “në mes të kësaj lufte fjalësh dhe ngatërrese opinionesh” që ai kërkoi udhëheqje hyjnore duke kërkuar të vërtetën (Joseph Smith – Historia 1:10).

Në konferencën e prillit, Presidenti Nelson dha mësim: “Nëse duam të kemi ndonjë shpresë për ta shoshitur morinë e zërave dhe filozofive të njerëzve që e sulmojnë të vërtetën, ne duhet të mësojmë të marrim zbulesë”5. Ne duhet të mësojmë të mbështetemi te Shpirti i së Vërtetës, të cilin “bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh” (Gjoni 14:17).

Ndërsa kjo botë lëviz me vrik drejt realiteteve të tjera, ne duhet të kujtojmë fjalët e Jakobit se “Shpirti flet të vërtetën dhe nuk gënjen. Prandaj, ai flet për gjëra ashtu siç janë në të vërtetë dhe për gjëra ashtu siç do të jenë në të vërtetë; prandaj, këto gjëra janë shfaqur te ne qartësisht, për shpëtimin e shpirtrave tanë” (Jakobi [LiM] 4:13).

Teksa bëjmë një hap larg botës dhe e vlerësojmë jetën tonë, tani është koha për të shqyrtuar se çfarë ndryshimesh kemi nevojë të bëjmë. Ne mund të marrim shpresë të madhe nga njohuria se Modeli ynë shembullor, Jezu Krishti, na e ka prirë edhe një herë udhën. Përpara vdekjes dhe Ringjalljes së Tij, teksa po punonte për t’i ndihmuar njerëzit rreth vetes ta kuptonin rolin e Tij hyjnor, Ai u kujtoi atyre: “Ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën” (Gjoni 16:33). Për Atë unë jap dëshmi, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), HopeofIsrael.lds.org.

  2. Dallin H. Ouks, “Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Liahona, nëntor 2007, f. 107.

  3. Shpesh i atribuohet Pierre Teilhard de Chardin.

  4. Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. 42.

  5. Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96.