2010–2019
Ati
Tetor 2018


Ati

Secili prej nesh e ka potencialin për t’u bërë si Ati. Për ta bërë atë, ne duhet ta adhurojmë Atin në emrin e Birit.

Gjithë jetën e vet, bashkëshortja ime, Melinda, është përpjekur me gjithë zemrën e saj të jetë një dishepulle besnike e Jezu Krishtit. Prapëseprapë, që nga rinia e saj, ajo ndihej e padenjë për dashurinë dhe bekimet e Atit Qiellor pasi ajo nuk e kishte kuptuar siç duhet natyrën e Tij. Fatmirësisht, Melinda vijoi t’i mbante urdhërimet pavarësisht nga trishtimi që ndiente. Disa vite më parë, ajo pati një varg përvojash që e ndihmuan ta kuptonte më mirë natyrën e Perëndisë, përfshirë dashurinë e Tij për fëmijët e Tij dhe mirënjohjen e Tij për përpjekjet tona, ndonëse të papërsosura, për të bërë punën e Tij.

Ajo shpjegon se si kjo ka ndikuar tek ajo: “Tani ndihem e sigurt se plani i Atit funksionon, se Ai është përkushtuar personalisht për suksesin tonë dhe se Ai na jep mësime e përvoja që na nevojiten për t’u kthyer në praninë e Tij. Unë i shoh më shumë veten dhe të tjerët ashtu siç na sheh Perëndia. Unë jam në gjendje të jem prind, të jap mësim e të shërbej me më shumë dashuri e më pak frikë. Unë ndiej paqe dhe besim në vetvete në vend të ankthit dhe pasigurisë. Në vend që të ndihem e paragjykuar, unë ndiej mbështetje. Besimi im është më i sigurt. Unë e ndiej dashurinë e Atit tim më shpesh dhe më thellësisht.”1

Pasja e “një ideje të saktë për karakterin, përsosuritë dhe cilësitë e [Atit Qiellor]” është thelbësore për ushtrimin e besimit të mjaftueshëm që të marrim ekzaltimin.2 Një kuptueshmëri e saktë për karakterin e Atit Qiellor mund ta ndryshojë mënyrën se si e shohim veten dhe të tjerët, dhe mund të na ndihmojë ta kuptojmë dashurinë e jashtëzakonshme të Perëndisë për fëmijët e Tij dhe dëshirën e Tij të madhe për të na ndihmuar që të bëhemi si Ai. Një këndvështrim i pasaktë për natyrën e Tij mund të na bëjë të ndihemi sikur jemi të paaftë për t’ia dalë mbanë ndonjëherë që të kthehemi në praninë e Tij.

Qëllimi im sot është që të jap mësim pika doktrinore kyç rreth Atit që do ta lejojnë secilin prej nesh, por veçanërisht ata që e pyetin veten a i do Perëndia, që ta kuptojnë më mirë karakterin e Tij të vërtetë dhe të ushtrojnë besim më të madh tek Ai, Biri i Tij dhe plani i Tij për ne.

Jeta Para Lindjes

Në botën para lindjes, ne iu lindëm si shpirtra Prindërve Qiellorë dhe jetuam me Ta si një familje.3 Ata na njihnin, na mësonin e na donin.4 Ne dëshironim vërtet shumë që të ishim njësoj si Ati ynë Qiellor. Megjithatë, për ta arritur atë, ne e kuptuam se do të na duhej:

  1. Të merrnim trupa fizikë, të përlëvduar e të pavdekshëm5;

  2. Të martoheshim dhe krijonim familje me anë të fuqisë vulosëse të priftërisë6; dhe

  3. Të fitonim të gjithë njohurinë, fuqinë si edhe cilësitë hyjnore.7

Për rrjedhojë, Ati krijoi një plan i cili, në bazë të disa kushteve8, do të na lejonte të fitonim një trup fizik që do të bëhej i pavdekshëm dhe i përlëvduar në Ringjallje; të martoheshim e krijonim familje në vdekshmëri ose, për besnikët që nuk e patën këtë mundësi [në këtë jetë], pas vdekshmërisë9; të përparonim drejt përsosjes; dhe përfundimisht të ktheheshim te Prindërit tanë Qiellorë dhe të jetonim me Ta dhe familjet tona në një gjendje ekzaltimi dhe lumturie të përjetshme.10

Shkrimet e shenjta e quajnë këtë plani i shpëtimit.11 Ne ishim kaq mirënjohës për këtë plan sa që kur na u paraqit, ne lëshuam britma gëzimi.12 Secili prej nesh i pranoi kushtet e planit, përfshirë përvojat dhe sfidat e vdekshmërisë që do të na ndihmonin të zhvillonim cilësi hyjnore.13

Jeta në Vdekshmëri

Gjatë jetës në vdekshmëri, Ati Qiellor na siguron kushtet që na nevojiten për të përparuar në planin e Tij. Ati e lindi Jezu Krishtin në mish14 dhe i siguroi Atij ndihmë hyjnore që ta përmbushte misionin e tij në vdekshmëri. Ati Qiellor po ashtu do ta ndihmojë secilin prej nesh nëse do të përpiqemi t’i mbajmë urdhërimet e Tij.15 Ati na jep lirinë e zgjedhjes.16 Jeta jonë është në duart e Tij dhe “ditët [tona] njihen” e “s’do të numërohen më pak”17. Dhe Ai siguron që përfundimisht të gjitha gjërat të veprojnë për të mirën e atyre të cilët e duan Atë.18

Është Ati Qiellor i cili na e jep bukën tonë të përditshme19, e cila përfshin si ushqimin që hamë, edhe forcën që na nevojitet për t’i mbajtur urdhërimet e Tij.20 Ati jep dhurata të mira.21 Ai i dëgjon dhe iu përgjigjet lutjeve tona.22 Ati Qiellor na çliron nga i ligu kur e lejojmë Atë.23 Ai vajton për ne kur vuajmë.24 Përfundimisht, të gjitha bekimet tona vijnë nga Ati.25

Ati Qiellor na udhërrëfen dhe na jep përvojat që na nevojiten bazuar në fuqitë, dobësitë dhe zgjedhjet tona, në mënyrë që të mund të japim fryt të mirë.26 Ati na ndëshkon kur është e nevojshme, për shkak se na do.27 Ai është “Njeri i Këshillës”28, që do të këshillohet me ne nëse ia kërkojmë.29

Është Ati Qiellor që sjell edhe ndikimin, edhe dhuratën e Frymës së Shenjtë në jetën tonë.30 Nëpërmjet dhuratës së Frymës së Shenjtë, lavdia – apo inteligjenca, drita e fuqia – e Atit mund të jenë në ne.31 Nëse do të përpiqemi të rritemi në dritë e të vërtetë derisa sytë tanë të drejtohen vetëm te lavdia e Perëndisë, Ati Qiellor do të dërgojë Shpirtin e Shenjtë të Premtimit për të na vulosur për jetën e përjetshme dhe do të na zbulojë fytyrën e Tij – qoftë në këtë jetë ose në tjetrën.32

Jeta Pas Vdekjes

Në botën e shpirtrave pas vdekjes, Ati Qiellor vazhdon të derdhë Frymën e Shenjtë dhe të dërgojë misionarë tek ata që kanë nevojë për ungjillin. Ai iu përgjigjet lutjeve dhe i ndihmon që t’i marrin ordinancat shpëtuese mëkëmbëse ata të cilëve iu mungojnë ato.33

Ati ngriti Jezu Krishtin dhe i dha Atij fuqi që të bënte të ndodhte Ringjallja34, e cila është mënyra me anë të së cilës ne marrim trupa të pavdekshëm. Shëlbimi dhe Ringjallja e Shpëtimtarit na kthejnë përsëri në praninë e Atit, ku do të gjykohemi nga Jezu Krishti.35

Ata që mbështeten te “merita[t] dhe mëshir[a] dhe hiri [i] Mesias së Shenjtë”36 do të marrin trupa të përlëvduar sikurse Ati37 dhe do të jetojnë me Të “në një gjendje lumturie të pafund”38. Aty, Ati do të thajë çdo lot tonin39 dhe do të na ndihmojë të vazhdojmë në udhëtimin tonë për t’u bërë si Ai.

Siç mund ta shihni, Ati Qiellor na gjendet përherë pranë.40

Karakteri i Atit

Që të bëhemi si Ati, ne duhet të zhvillojmë tiparet e karakterit të Tij. Përsosuritë dhe cilësitë e Atit Qiellor përfshijnë sa vijon:

  • Ati është “i Pafundëm e i Përjetshëm”41.

  • Ai është përsosurisht i drejtë, i mëshirshëm, i mirë, i durueshëm dhe do vetëm atë që është më e mira për ne.42

  • Ati Qiellor është dashuri.43

  • Ai i mban besëlidhjet e Tij.44

  • Ai nuk ndryshon.45

  • Ai nuk mund të gënjejë.46

  • Perëndia nuk tregohet i anshëm.47

  • Ai i di të gjitha gjërat – të kaluara, të tashme dhe të ardhme – që nga fillimi.48

  • Ati Qiellor është më inteligjent49 sesa të gjithë ne.50

  • Ati ka të gjithë fuqinë51 dhe bën gjithçka që e merr për zemër që ta bëjë.52

Vëllezër dhe motra, ne mund t’i mirëbesojmë Atit dhe të mbështetemi tek Ai. Për shkak se Ai ka një këndvështrim të përjetshëm, Ati Qiellor mund të shohë gjëra që ne nuk mund t’i shohim. Gëzimi, vepra dhe lavdia e Tij janë që të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe ekzaltimi ynë.53 Çdo gjë që Ai bën, është për përfitimin tonë. Ai “e dëshiron lumturinë [tonë] të përjetshme shumë më tepër sesa e duam [ne]”54. Dhe Ai “nuk do të [na] kërkonte të përjetonim asnjë çast me më shumë vështirësi nga ç’është absolutisht e nevojshme për përfitimin [tonë] apo për përfitimin e atyre që [ne] i duam”55. Si rrjedhim, Ai përqendrohet te dhënia e ndihmës që të përparojmë, jo te gjykimi apo dënimi ynë.56

Të Bëhemi Si Ati Ynë

Si bij dhe bija shpirtërorë të Perëndisë, secili prej nesh e ka potencialin për t’u bërë si Ati. Për ta bërë atë, ne duhet ta adhurojmë Atin në emrin e Birit.57 Ne e bëjmë këtë duke u përpjekur që të jemi të bindur ndaj vullnetit të Atit ashtu siç ishte Shpëtimtari58, dhe duke u penduar vazhdimisht.59 Teksa i bëjmë këto gjëra, ne “m[arrim] hir pas hiri” derisa marrim plotësinë e Atit60 dhe “karakteri, përsosuritë dhe cilësitë e Tij”61 na dhurohen neve.

Duke e pasur parasysh largësinë ndërmjet asaj që jemi ne si të vdekshëm dhe asaj që është bërë Ati Qiellor, nuk është e habitshme që disa njerëz mendojnë se bërja si Ati është e paarritshme. Sidoqoftë, shkrimet e shenjta janë të qarta. Nëse do të kapemi pas besimit në Krisht, do të pendohemi e kërkojmë hirin e Perëndisë nëpërmjet bindjes, përfundimisht ne do të bëhemi si Ati. Mua më jep ngushëllim të madh fakti se ata që përpiqen të jenë të bindur do të “m[arrin] hir pas hiri” dhe përfundimisht e “m[arrin] plotësinë e tij”62. Me fjalë të tjera, ne nuk do të bëhemi si Ati [duke u mbështetur] vetëm te vetja.63 Përkundrazi, ajo do të ndodhë nëpërmjet dhuratave të hirit, disa të mëdha, por më së shumti të vogla, që ndërtohen njëra mbi tjetrën derisa ne marrim një plotësi. Por, vëllezër e motra, ajo do të ndodhë!

Unë ju ftoj të mirëbesoni se Ati Qiellor e di se si t’ju ekzaltojë ju; kërkojeni ndihmën e Tij të përditshme mbështetëse; dhe shkoni përpara me besim në Krishtin edhe kur nuk mund ta ndieni dashurinë e Perëndisë.

Ka shumë gjëra që ne nuk i kuptojmë rreth të bërit si Ati.64 Por unë mund të dëshmoj me siguri se ia vlen çdo sakrificë që të përpiqesh për t’u bërë si Ati.65 Sakrificat që bëjmë këtu në vdekshmëri, pavarësisht se sa të mëdha, janë thjesht të pakrahasueshme me gëzimin, lumturinë dhe dashurinë e pamatshme që do të ndiejmë në praninë e Perëndisë.66 Nëse keni vështirësi ta besoni se ia vlejnë sakrificat që ju kërkohen të bëni, Shpëtimtari ju thërret, duke ju thënë: “Ju nuk keni kuptuar ende ç’bekime të mëdha Ati Qiellor ka … përgatitur për ju; … ju nuk mund t’i duroni të gjitha gjërat tani; megjithatë, merrni zemër, sepse unë do t’ju udhëheq përgjatë udhës”67.

Unë dëshmoj se Ati juaj Qiellor ju do dhe dëshiron që ju të jetoni me Të përsëri. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.