2010–2019
Një në … Krishtin
Tetor 2018


Një në … Krishtin

Shokët e mi të dashur në punën e Zotit, besoj se mund ta bëjmë shumë më mirë dhe duhet ta bëjmë më mirë mirëseardhjen e miqve të rinj në Kishë.

Mirëdita, të dashur vëllezër e motra. Siç e themi në portugalishten time amtare braziliane, “Boa tarde!” Ndihem i bekuar që jemi mbledhur së bashku në këtë konferencë të mrekullueshme të përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nën drejtimin e profetit tonë të dashur, Presidentit Rasëll M. Nelson. Mahnitem nga mundësia e mrekullueshme që ka secili prej nesh për ta dëgjuar zërin e Zotit nëpërmjet shërbëtorëve të Tij në tokë, në këto ditë të fundit në të cilat po jetojmë.

Pamja
Lumi i Amazonës
Pamja
Lumi i Amazonës formohet nga dy lumenj që takohen

Vendi im i lindjes, Brazili, është shumë i pasur me burime natyrore. Njëri prej tyre është lumi i famshëm i Amazonës, një nga lumenjtë më të mëdhenj e më të gjatë në botë. Ai formohet nga dy lumenj të ndarë, Solimoes dhe Negro. Në mënyrë interesante, ata rrjedhin së bashku për disa kilometra përpara se ujërat të përzien, për shkak se lumenjtë kanë origjina, shpejtësi, temperatura dhe përbërje kimike shumë të ndryshme. Pas disa kilometrash, ujërat përfundimisht përzien së bashku, duke u bërë një lumë i ndryshëm nga pjesët e tij individuale. Vetëm pasi këto pjesë bashkohen, lumi i Amazonës bëhet aq i fuqishëm saqë, kur arrin në Oqeanin Atlantik, ai e shtyn ujin e detit, kështu që brenda oqeanit për shumë kilometra ka ende ujëra të ëmbla.

Pamja
Pikëtakimi i ujërave të lumit të Amazonës

Në të njëjtën mënyrë si lumenjtë Solimoes dhe Negro rrjedhin së bashku për të krijuar lumin e madh të Amazonës, fëmijë të Perëndisë me prejardhje shoqërore, tradita dhe kultura të ndryshme, grumbullohen së bashku në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit duke formuar këtë bashkësi të mrekullueshme të shenjtorëve në Krisht. Përfundimisht, ndërsa e nxitim, mbështetim dhe e duam njëri-tjetrin, ne bashkohemi për të formuar një forcë të fuqishme për mirë në botë. Si pasues të Jezu Krishtit, duke rrjedhur të bashkuar në këtë lumë mirësie, ne do të jemi në gjendje të sigurojmë “ujin e ëmbël” të ungjillit për një botë të etur.

Pamja
Anëtarë të rinj mblidhen së bashku me fëmijë të tjerë të Perëndisë
Pamja
Formohet një komunitet shenjtorësh

Zoti i ka frymëzuar profetët e Tij që të na mësojnë se si mund ta mbështetim dhe duam njëri-tjetrin, që të mund bëhemi të bashkuar në besim e qëllim në ndjekjen e Jezu Krishtit. Pali, Apostulli i Dhiatës së Re, dha mësim se ata që “j[anë] pagëzuar në Krishtin, Krishtin k[anë] veshur … sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin1.

Kur premtojmë në pagëzim se do ta ndjekim Shpëtimtarin, ne dëshmojmë përpara Atit se jemi të gatshëm ta marrim mbi vete emrin e Krishtit.2 Ndërsa përpiqemi fort t’i fitojmë cilësitë e Tij hyjnore në jetën tonë, nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, Zotit, ne bëhemi ndryshe nga sa ishim dhe dashuria jonë për të gjithë njerëzit shtohet natyrshëm.3 Ne ndiejmë një dëshirë të sinqertë për mirëqenien dhe lumturinë e gjithsecilit. Ne e shohim njëri-tjetrin si vëllezër e motra, si fëmijë të Perëndisë me origjinë, cilësi dhe potencial hyjnor. Ne dëshirojmë të përkujdesemi për njëri-tjetrin dhe t’i mbajmë barrët e njëri-tjetrit.4

Kjo është ajo që Pali e përshkroi si dashuria hyjnore.5 Mormoni, një profet i Librit të Mormonit, e përshkroi atë si “dashuria e pastër e Krishtit”6, e cila është forma më e lartë, më fisnike dhe më e fuqishme e dashurisë. Profeti ynë i tanishëm, Presidenti Rasëll M. Nelson, kohët e fundit e përshkroi një shfaqje të kësaj dashurie të pastër të Krishtit si dhënie shërbese, e cila është një qasje më e përqendruar dhe më e shenjtë e dashurisë dhe përkujdesjes për individë të tjerë ashtu siç e dha Shpëtimtari.7

Le ta shqyrtojmë këtë parim të dashurisë e përkujdesjes, ashtu siç e dha Shpëtimtari, në kuadër të nxitjes, ndihmës dhe mbështetjes së atyre që sapo janë kthyer në besim dhe të atyre që po fillojnë të tregojnë interes për të marrë pjesë në shërbesat tona në Kishë.

Kur këta miq të rinj dalin nga bota dhe e përqafojnë ungjillin e Jezu Krishtit, duke iu bashkuar Kishës së Tij, ata bëhen dishepuj të Tij, duke u lindur përsëri nëpërmjet Tij.8 Ata lënë pas një botë që e njihnin mirë, dhe zgjedhin ta ndjekin Jezu Krishtin, me qëllim të plotë të zemrës, duke iu bashkuar një “lumi” të ri, si lumi i fuqishëm i Amazonës – lumë që është një forcë e guximshme mirësie dhe drejtësie që rrjedh drejt pranisë së Perëndisë. Apostulli Pjetër e përshkruan atë si një “fis [të] zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb [të] shenjtë, një popull [të] fituar”9. Ndërsa këta miq të rinj bashkohen me këtë lumë të ri e të panjohur, ata mund të ndihen paksa të humbur fillimisht. Këta miq të rinj e gjejnë veten të përzier në një lumë me origjina, temperatura dhe përbërje kimike të pashoqe – një lumë që ka traditat, kulturën dhe fjalorin e vet. Kjo jetë e re në Krisht mund të duket dërrmuese për ta. Mendoni për një çast se si mund të ndihen ata kur dëgjojnë për herë të parë shprehje të tilla si “MBF”, “KPR”, “e diela e agjërimit”, “pagëzimi për të vdekurit”, “kombinimi tresh” e kështu me radhë.

Është e lehtë ta kuptosh përse ata mund të ndihen sikur nuk i përkasin asaj. Në situata të tilla, ata mund ta pyetin veten: “A ka vend për mua këtu? A i përkas Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme? A ka nevojë Kisha për mua? A do të gjej miq të rinj të gatshëm për të më ndihmuar e për të më mbështetur?”

Miqtë e mi të dashur, në çaste të tilla, ne që jemi në pika të ndryshme në udhëtimin e gjatë të dishepullimit, duhet t’u shtrijmë dorën e ngrohtë të miqësisë miqve tanë të rinj, t’i pranojmë atje ku janë, t’i ndihmojmë, t’i duam dhe t’i përfshijmë në jetën tonë. Të gjithë këta miq të rinj janë bij dhe bija të çmuara të Perëndisë.10 Nuk mund ta përballojmë që të humbasim qoftë edhe njërin prej tyre, sepse, ashtu si lumi i Amazonës varet nga degët e tij për ushqim, ashtu edhe ne kemi nevojë për ta, po aq shumë sa ata kanë nevojë për ne, që të bëhemi një forcë e fuqishme për mirë në botë.

Miqtë tanë të rinj sjellin talente të dhëna nga Perëndia, emocione dhe mirësi nga vetja e tyre. Entuziazmi i tyre për ungjillin mund të jetë ngjitës, duke na ndihmuar në këtë mënyrë që të rigjallërojmë vetë dëshmitë tona. Ata gjithashtu sjellin këndvështrime të freskëta për kuptimin tonë mbi jetën dhe ungjillin.

Na është mësuar me kohë se si mund t’i ndihmojmë miqtë tanë të rinj të ndihen të mirëpritur dhe të ndiejnë se i duan në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit. Ata kanë nevojë për tri gjëra që të mund të qëndrojnë të fortë e besnikë gjatë gjithë jetës së tyre:

Së pari, ata kanë nevojë për vëllezër e motra në Kishë të cilët janë sinqerisht të interesuar për ta, miq të vërtetë e besnikë tek të cilët ata vazhdimisht mund të drejtohen, të cilët do të ecin krah tyre dhe që do t’u përgjigjen pyetjeve të tyre. Si anëtarë, ne duhet të jemi gjithmonë të vëmendshëm dhe të kërkojmë fytyra të reja kur marrim pjesë në veprimtaritë dhe mbledhjet e Kishës, pavarësisht nga përgjegjësitë, detyrat ose shqetësimet që mund të kemi. Ne mund të bëjmë gjëra të thjeshta për t’i ndihmuar këta miq të rinj të ndihen të përfshirë e të mirëpritur në Kishë, të tilla si t’i japim një përshëndetje të ngrohtë, t’u buzëqeshim sinqerisht atyre, të ulemi së bashku për të kënduar e adhuruar, t’i njohim me anëtarët e tjerë e kështu me radhë. Ndërsa ua hapim zemrën tonë miqve tanë të rinj në disa nga këto mënyra, ne po veprojmë në frymën e dhënies së shërbesës. Kur u japim shërbesë ashtu siç bëri Shpëtimtari, ata nuk do të ndihen si “të huaj brenda portave tona”. Ata do të ndiejnë se mund të përshtaten dhe të zënë miq të rinj dhe, më e rëndësishmja, ata do ta ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit nëpërmjet përkujdesjes sonë të vërtetë.

Së dyti, miqtë e rinj kanë nevojë për një detyrë – një mundësi për t’u shërbyer të tjerëve. Shërbimi është një nga aspektet e shkëlqyera të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Është një proces me anë të të cilit besimi ynë mund të bëhet më i fortë. Çdo mik i ri e meriton këtë mundësi. Ndërsa peshkopi dhe këshilli i lagjes kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për t’u dhënë detyra menjëherë pas pagëzimit të tyre, asgjë nuk na pengon, si anëtarë, që t’i ftojmë miqtë tanë të rinj për të na ndihmuar që t’u shërbejmë të tjerëve në mënyrë joformale ose përmes projekteve të shërbimit.

E treta, miqtë e rinj duhet të “ushqehe[n] nga fjala e mirë e Perëndisë”11. Ne mund t’i ndihmojmë ata që t’i duan shkrimet e shenjta dhe të njihen me to ndërsa i lexojmë dhe i diskutojmë mësimet me ta, duke dhënë kontekstin e historive dhe duke shpjeguar fjalë të vështira. Ne gjithashtu mund t’u mësojmë atyre se si të marrin udhëheqje vetjake nëpërmjet studimit të rregullt të shkrimeve të shenjta. Përveç kësaj, me raste, jashtë mbledhjeve dhe veprimtarive tona të rregullta të programuara të Kishës, ne mund t’u shkojmë miqve tanë të rinj në shtëpitë e tyre dhe t’i ftojmë ata në tonat, duke i ndihmuar që të bashkohen me lumin e fuqishëm të komunitetit të shenjtorëve.

Duke i njohur përshtatjet dhe sfidat që miqtë tanë të rinj hasin duke u bërë pjesëtarë të familjes së Perëndisë, si vëllezërit dhe motrat tona, ne mund t’u tregojmë mënyrën se si i kemi kapërcyer sfida të ngjashme në jetën tonë. Kjo do t’i ndihmojë ata të dinë se nuk janë vetëm dhe se Perëndia do t’i bekojë kur ushtrojnë besim te premtimet e Tij.12

Kur lumenjtë Solimoe dhe Negro përzien së bashku, lumi i Amazonës bëhet i fuqishëm e i fortë. Në mënyrë të ngjashme, kur ne dhe miqtë tanë të rinj me të vërtetë bashkohemi, Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit bëhet edhe më e fortë dhe më e qëndrueshme. Unë dhe bashkëshortja ime e dashur, Rosana, jemi kaq mirënjohës për të gjithë ata që na ndihmuan të përzihemi me këtë lumë të ri shumë vite më parë, kur e përqafuam ungjillin e Jezu Krishtit në vendin tonë të lindjes në Brazil. Gjatë gjithë këtyre viteve, këta njerëz të mrekullueshëm na kanë dhënë me të vërtetë shërbesë dhe na kanë ndihmuar që të vazhdojmë të rrjedhim në drejtësi. Jemi shumë mirënjohës për ta.

Profetët në hemisferën perëndimore e dinin mirë se si të bënin që miqtë e rinj të rridhnin me besnikëri së bashku në këtë lumë të ri të mirësisë drejt jetës së përjetshme. Për shembull, duke e parë kohën tonë dhe duke e ditur se do të përballeshim me sfida të ngjashme13, Moroni i përfshiu disa nga ato hapa të rëndësishëm në shkrimet e tij në Librin e Mormonit:

“Dhe pasi u pranuan në pagëzim dhe u ndikuan dhe u pastruan nga fuqia e Frymës së Shenjtë, ata u numëruan mes njerëzve të kishës së Krishtit; dhe emrat e tyre u morën kështu që ata të mund të kujtoheshin dhe të ushqeheshin nga fjala e mirë e Perëndisë, për t’i mbajtur në udhën e drejtë, për t’i mbajtur përherë të kujdesshëm në lutje, duke u mbështetur vetëm në meritat e Krishtit që ishte autori dhe plotësuesi i besimit të tyre.

Dhe kisha mblidhej së bashku shpesh për të agjëruar, për t’u lutur dhe për të folur me njëri-tjetrin, në lidhje me mirëqenien e shpirtit të tyre.”14

Shokët e mi të dashur në punën e Zotit, besoj se mund ta bëjmë shumë më mirë dhe duhet ta bëjmë më mirë mirëpritjen e miqve të rinj në Kishë. Ju ftoj ta shqyrtoni se çfarë mund të bëjmë për të qenë më përfshirës, pranues e të dobishëm për ta, duke filluar që nga e diela që vjen. Kini kujdes që të mos i lini detyrat tuaja në Kishë t’ju pengojnë për t’i mirëpritur miqtë e rinj në mbledhjet dhe veprimtaritë e Kishës. Në fund të fundit, këta shpirtra janë të çmuar përpara syve të Perëndisë dhe janë shumë më të rëndësishëm sesa programet dhe veprimtaritë. Nëse u japim shërbesë miqve tanë të rinj, me zemrat tona të mbushura me dashuri të pastër ashtu siç bëri Shpëtimtari, unë ju premtoj, në emrin e Tij, se Ai do të na ndihmojë në përpjekjet tona. Kur veprojmë si shërbestarë besnikë, ashtu siç bëri Shpëtimtari, miqtë tanë të rinj do të kenë ndihmën që u nevojitet që të qëndrojnë të fortë, të përkushtuar e besnikë deri në fund. Ata do të bashkohen me ne teksa bëhemi një popull i fuqishëm i Perëndisë dhe do të na ndihmojnë t’i sjellim ujë të ëmbël një bote që ka nevojë të dëshpëruar për bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit. Këta fëmijë të Perëndisë do të ndiejnë sikur “nuk j[anë] më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve”15. Unë ju premtoj se ata do ta dallojnë praninë e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, në vetë Kishën e Tij. Ata do të vazhdojnë të rrjedhin bashkë me ne si një lumë drejt burimit të gjithë mirësisë derisa ata të pranohen me krahë hapur nga Zoti ynë, Jezu Krishti, dhe ata e dëgjojnë Atin të thotë: “Ju do të keni jetën e përjetshme”16.

Ju ftoj ta kërkoni ndihmën e Zotit për t’i dashur të tjerët, ashtu siç ju ka dashur Ai. Le ta ndjekim të gjithë këshillën e dhënë nga Mormoni: “Prandaj, vëllezër [dhe motra] të mi[a] të dashur[a], lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij, Jezu Krishtit”.17 Për këto të vërteta unë jap dëshmi dhe e bëj këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.