2015
Ai Është Ngritur
Prill 2015


Klasikët e Ungjillit

Ai Është Ngritur

Dejvid O. Mek-Kei u lind më 8 shtator 1873. Ai u shugurua Apostull më 9 prill 1906, në moshën 32-vjeçare dhe më 9 prill 1951, ai u mbështet si Presidenti i nëntë i Kishës. Sa vijon është shkëputur nga një fjalim që ai dha në konferencën e përgjithshme të prillit 1966. Për fjalimin e plotë, shih Conference Report, prill 1966, f. 55–59.

Një besim i palëkundur në Krisht është nevoja më e rëndësishme e botës sot.

Nëse një mrekulli është një ngjarje e mbinatyrshme forcat shkaktuese të së cilës janë përtej urtësisë së fundme të njeriut, atëherë Ringjallja e Jezu Krishtit është mrekullia më e jashtëzakonshme e të gjitha kohëve. Te vetë ajo zbulohet plotfuqia e Perëndisë dhe pavdekshmëria e njeriut.

Ringjallja, sidoqoftë, është një mrekulli vetëm në kuptimin që është përtej të kuptuarit dhe aftësisë rrokëse të njeriut. Për të gjithë ata që e pranojnë atë si fakt, ajo nuk është gjë tjetër veçse një shpalosje e një ligji të njëtrajtshëm të jetës. …

Quajeni fakt që Krishti e mori përsëri trupin e tij dhe u shfaq si një qenie e përlëvduar dhe e ringjallur dhe do t’i jepni përgjigje pyetjes së epokave: “Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?” (Jobit 14:14).

Dëshmitarët e Ringjalljes

Pamja
Two Apostles looking at the wounds in Jesus' hand and wrist.

Që ringjallja e mirëfilltë e Krishtit nga varri ishte një realitet për dishepujt që e njihnin Krishtin, kjo është gjë krejt e sigurt. Në mendjen e tyre, nuk kishte absolutisht asnjë dyshim. Ata ishin dëshmitarë të faktit; e dinin pasi sytë e tyre e kishin parë, veshët e tyre e kishin dëgjuar, duart e tyre e kishin ndier praninë fizike të Shëlbuesit të ringjallur.

Pjetri, Kryeapostulli, në një rast kur të njëmbëdhjetët ishin takuar për të zgjedhur dikë që të zinte vendin e Juda Iskariotit, tha: “Duhet, pra, që ndër burrat … një prej tyre të bëhet dëshmitar me ne, i ringjalljes së tij” (Veprat e Apostujve 1:21–22). …

Në një rast tjetër Pjetri shpalli përpara armiqve të tyre, po ata burra që e kishin dënuar me vdekje në kryq Jezusin: “Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë; … Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë!” (Veprat e Apostujve 2:22, 32). …

Dëshmitarët e Tjerë

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme qëndron me Pjetrin, me Palin, me Jakobin dhe me të gjithë Apostujt e tjerë të hershëm që e pranuan Ringjalljen jo vetëm që ishte me plot kuptimin e fjalës e vërtetë, por edhe si përmbushjen e misionit hyjnor të Krishtit në tokë.

Një mijë e tetëqind vjet pasi Jezusi vdiq në kryq, Profeti Jozef Smith shpalli se Zoti i ringjallur iu shfaq atij, duke thënë: “Unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin – Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith–Historia 1:17). …

Nëse dëshmia e Jozef Smithit qëndroi e vetme, do të ishte, ashtu si tha Krishti për dëshminë e Tij kur foli për Veten, pa asnjë dobi; por Jezusi kishte dëshminë e Perëndisë dhe atë të Apostujve. Dhe Jozef Smithi kishte dëshmitarë të tjerë [që] e vërtetuan dëshminë e [tij], e vërteta e së cilës u ishte bërë e njohur nga shfaqja e engjëllit Moroni para tyre. …

… Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e pohon [gjithashtu] vegimin e lavdishëm të Profetit Jozef Smith:

“Dhe tani, pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton!” (DeB 76:22). …

Në dritën e dëshmive të tilla të panjolla siç u dhanë nga Apostujt e lashtë – dëshmi që datojnë pak vite pas vetë ngjarjes – në dritën e asaj zbulese jashtëzakonisht të mrekullueshme në këtë epokë të Krishtit të gjallë, duket njëmend e vështirë të kuptohet se si njerëzit munden ende ta hedhin poshtë Atë dhe ta vënë në dyshim pavdekshmërinë e njeriut.

Ajo që na Nevojitet Sot

Një besim i palëkundur në Krisht është nevoja më e rëndësishme e botës sot. Ajo është më shumë sesa thjesht një ndjenjë. Ajo është fuqia që të çon në veprim dhe duhet të jetë në jetën njerëzore më thelbësorja nga të gjitha forcat shtytëse. …

Nëse njerëzit thjesht “do të bënin vullnetin e Tij”, në vend që të shihnin të pashpresë varrin e errët e të zymtë, ata do t’i kthenin sytë nga qielli dhe do ta dinë se Krishti është ringjallur! …

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i shpall të gjithë botës se Krishti është Biri i Perëndisë, Shëlbuesi i botës! Asnjë ndjekës i vërtetë nuk kënaqet duke e pranuar Atë thjesht si një reformator të madh, si mësuesin ideal ose madje si njeriun e vetëm të përkryer. Burri i Galilesë është – jo figurativisht, por me plot kuptimin e fjalës – Biri i Perëndisë së gjallë. …

Vërtet i Lindur Përsëri

Asnjë njeri nuk mund t’ia dalë sinqerisht t’i zbatojë në jetën e tij të përditshme mësimet e Jezusit të Nazaretit pa ndier një ndryshim në të gjithë qenien e tij. Fraza “i lindur përsëri” ka një domethënie më të thellë nga ajo që njerëzit zakonisht i veshin asaj. … I lumtur është njeriu që e ka ndier vërtet fuqinë lartësuese e shndërruese që vjen nga kjo afërsi me Shpëtimtarin, kjo lidhje e ngushtë me Krishtin e gjallë. Jam mirënjohës që e di se Krishti është Shëlbuesi im. …

Mesazhi i Ringjalljes … është më ngushëlluesi, më i lavdishmi që i është dhënë ndonjëherë njeriut, sepse kur vdekja na e merr një njeri të dashur, zemrat tona të pikëlluara lehtësohen nga shpresa dhe sigurimi hyjnor i shprehur me fjalët: “Ai nuk është këtu, sepse u ringjall!” [shih Mateu 28:6; Marku 16:6].

Unë e di me gjithë shpirt se vdekja mposhtet nga Jezu Krishti dhe për shkak se Shëlbuesi ynë jeton, edhe ne do të jetojmë.