2015
Premtimi i Tij: ‘Gjithmonë’
Prill 2015


Premtimi i Tij: “Gjithmonë”

Robin Kasper, Juta, SHBA

Pamja
drawing of a broken bike

Ilustrimet nga Bradley H. Clark

Ndërsa isha ulur në mbledhjen e sakramentit duke përsiatur lutjen e bukës, fjalët vijonin të përsëriteshin në mendjen time: “Që të mund të kenë gjithmonë Shpirtin e tij me ta” (Moroni 4:3; DeB 20:77).

“Gjithmonë”, thoshte ajo – jo vetëm në periudha të caktuara. Përse, atëherë, disa muaj më parë, bashkëshorti im dhe unë nuk ishim nxitur në lidhje me mënyrën se si ta mbronin djalin tonë 11-vjeçar përpara se të vritej në një aksident automobilistik me biçikletë? Përse Ati Qiellor nuk do të na mbrojë dhe paralajmërojë “gjithmonë”?

Më ishte mësuar në Fillore dhe besoja se Fryma e Shenjtë do të na mbronte. Ai do ta përdorte zërin e vogël, të qetë për të na mbrojtur, udhëhequr dhe paralajmëruar për rrezikun. Ky mendim kishte qenë në mendjen time që kur Beni kishte ndërruar jetë. Më merrte shumë malli për të dhe zemra ime vuante për kuptim dhe paqe.

Ku ishte zëri im paralajmërues? Ku ishte Fryma e Shenjtë? Unë ndieja se po bënim gjithçka mundeshim për të qenë të drejtë. Ne e paguanim të dhjetën tonë, merrnim pjesë në mbledhjet tona dhe shërbenim kurdoherë që na kërkohej. Ne ishim larg të qenit të përsosur, por i bënim mbrëmjet familjare dhe studimin e shkrimeve të shenjta. Ne po përpiqeshim.

Pak a shumë në këtë kohë, isha ulur në një klasë të Shoqatës së Ndihmës kur mësuesja tregoi historinë e një të afërmeje të ngushtë. Ndërkohë që priste para dritës së kuqe të semaforit, e afërmja kishte ndier një përshtypje të dallueshme për të qëndruar aty ku ishte kur drita ishte bërë e gjelbër. Ajo ia vuri veshin nxitjes dhe pothuaj menjëherë një kamion i madh erdhi me shpejtësi të madhe përmes kryqëzimit, duke shkelur dritën e kuqe. Po të mos e kishte dëgjuar dhe t’i ishte bindur atij zëri, ajo dhe fëmijët e saj mund të ishin lënduar ose vrarë madje.

Kjo histori më preku fuqishëm por, ndërsa isha ulur në karrigen time në lot duke u përgatitur të ngrihesha dhe të largohesha nga dhoma, një ngushëllim i madh më pushtoi të tërën. Ndjeva paqe që Fryma e Shenjtë kishte qenë vërtet me mua. Në rastin tim, Ai nuk më ishte gjendur pranë si një zë paralajmërimi por si një ngushëllues.

Që nga koha e aksidentit të Benit, unë kisha ndier forcë përtej forcës time dhe isha ngushëlluar nga dashuria e Atit tim Qiellor. Ndonjëherë më mungonte të kuptuarit e arsyes se përse ndodhin disa gjëra, por kurrë nuk kisha dyshuar te dashuria e Tij.

Kam besim se Perëndia i kupton të gjitha gjërat dhe nuk do të më lërë kurrë të pangushëlluar. Fryma e Shenjtë luan shumë role në jetën tonë. Ai mund të na mbrojë, por Ai gjithashtu na udhëheq, na ngushëllon, na mëson dhe jep kuptueshmëri e bekime të tjera.

Mësova se Ati Qiellor vërtet i mban premtimet e Tij. Ai kishte qenë “gjithmonë” me mua.