2015
Çdo Or’ Më Duhesh Ti
Prill 2015


“Çdo Or’ Më Duhesh Ti”

Autori jeton në Juta, SHBA.

Kur ne nuk dinim më se çfarë mund të jepnim mësim, shoku im i misionit sugjeroi që të këndonim këtë himn.

Pamja
drawing of family with missionaries

Një pasdite të këndshme të diele në misionin tim në Balsan të Koresë, unë dhe shoku im po u thoshim mirupafshim anëtarëve pas [mbarimit] të kishës dhe ishim gati të fillonim predikimin kur udhëheqësi i misionit të lagjes na njohu me një djalë 12-vjeçar, Kong Sung-Gunin. Ai kishte marrë pjesë në kishë atë ditë dhe dëshironte të mësonte më shumë rreth ungjillit.

Natyrisht, ne ishim të lumtur rreth shpresës për t’i dhënë atij mësim, por unë isha gjithashtu i shqetësuar për të mësuar dikë kaq të ri. Vendosëm që të siguroheshim se kishim lejen e prindërve të tij, kështu që mora në telefon familjen e Kong Sung-Gunit dhe bisedova shkurtimisht me nënën e tij, Pak Mi-Jungun. U habita kur ajo tha se ishte e gëzuar që djali i saj po kërkonte të merrte pjesë në kishë dhe se ajo do të ishte e lumtur që ne të shkonim ta mësonim atë.

Kërkues të Paparashikuar

Mbrëmjen vijuese ne mbërritëm në shtëpinë e djalit, gati për të dhënë mësim. U habitëm kur morëm vesh se Pak Mi-Jungu donte që ne të mësonim edhe vajzën e saj, Kong Su-Jinin. Dhe meqenëse ishim të huaj në shtëpinë e saj, Pak Mi-Jungu donte që të ulej me ne gjatë mësimeve. Sigurisht që ne ishim të lumtur të mësonim aq njerëz sa donin të dëgjonin.

Pasi na kishin qerasur, ne u ulëm së bashku dhe filluam të bisedonim. Në vend që të nisnim direkt mësimin, Pak Mi-Jungu dëshironte të na njihte më mirë dhe të na tregonte për rrethanat e familjes së saj. Ajo na tregoi për sprovat e fundit dhe vështirësitë që kishin kaluar, përfshirë betejën e fundit të djalit të saj me kancerin. Ai e kishte kaluar me sukses trajtimin me rreze dhe kanceri aktualisht ishte pakësuar, por doktorët i paralajmëruan se mund të rishfaqej në çdo kohë. Kjo ishte shumë e vështirë për familjen. Ata ishin një familje e klasës punëtore dhe babai duhej të punonte jashtëzakonisht shumë vetëm për të mbajtur një çati mbi kokat e tyre dhe ushqim në tryezë.

Isha i tronditur dhe i trishtuar nga sprovat në jetën e tyre. Jeta nuk ishte e lehtë për ta, por afërsia brenda familjes ishte shumë më e dukshme sesa e kisha parë në ndonjë familje tjetër që kisha takuar në Kore, që do të thotë shumë për një shoqëri si Korea, të orientuar drejt familjes. Ne u larguam nga shtëpia e tyre atë mbrëmje duke e njohur më mirë këtë familje të veçantë dhe duke pasur mundësinë të ndanim mesazhet e ungjillit me ta.

Unë dhe shoku im u kthyem për t’i mësuar disa herë atë javë, çdo herë duke përjetuar të njëjtën ngrohtësi dhe bujari që kishim përjetuar në vizitën tonë të parë. Kur u përmend tema e pagëzimit, të dy fëmijët ishin shumë të zellshëm për t’u bashkuar me Kishën. Megjithatë, nëna e tyre nuk ndau të njëjtin entuziazëm me ta. Megjithëse mësimet tona e tërhiqnin dhe ajo shpresonte të ishin të vërteta, ajo ndiente se nuk mund të bënte dhe mbante llojin e zotimeve që kërkonte bashkimi me Kishën. Ajo gjithashtu ndiente se nuk do të ishte e përshtatshme të pagëzohej pa bashkëshortin e saj, të cilin akoma nuk e kishim takuar. Megjithatë, ajo ishte më shumë se e gatshme të vazhdonte të takohej me ne dhe gjithashtu dëshironte të bashkohej me fëmijët e saj në pjesëmarrjen në Kishë.

Drejt fundit të asaj jave të dytë, ndërsa vazhduam të jepnim mësim në shtëpinë e saj, ne takuam bashkëshortin e saj, Kong Kuk-Uonin – një burrë i përulur, shpirtmirë dhe bujar. Ai na u bashkua për disa nga diskutimet e fundit dhe besoi menjëherë çdo gjë që i mësuam, përfshirë doktrinat që të tjerët shpesh i konsiderojnë të vështira si e dhjeta dhe Fjala e Urtësisë. Pavarësisht nga gjendja financiare në prag skamjeje, ata filluan të paguanin të dhjetën. Pengesa e vetme e babait ishte se i duhej të punonte të dielave. Ai punonte në aeroportin ndërkombëtar të Seulit çdo të diel, kështu që nuk ishte në gjendje të vinte në kishë me pjesën tjetër të familjes. Pavarësisht nga orari i punës, ai dhe bashkëshortja e tij e rregulluan që të merrnin pjesë në pagëzimin e fëmijëve të tyre të dielën vijuese.

Pas pagëzimit të fëmijëve, ne vazhduam të takoheshim shpesh në shtëpinë e familjes. Ne bënim mbrëmje familjare, ndanim shkrime të shenjta e përvoja lartësuese, dhe i njohëm ata me anëtarë të lagjes. Megjithatë, pavarësisht nga përvojat e vazhdueshme me ungjillin, prindërit nuk ishin afër pagëzimit.

Ndërkohë, shoku im u transferua dhe shoku im i ri i misionit ishte një elder [plak] që vinte drejt e nga qendra e trajnimit të misionarëve. Ai ishte plot besim, energji e gjallëri dhe sinqerisht unë pata një kohë të vështirë të matesha me të. Pasi u takua me Kong Kuk-Uonin dhe Pak Mi-Jungun në disa raste, shoku im m’u afrua dhe më pyeti nëse unë dhe shoku im i mëparshëm kishim agjëruar me ta. Ne nuk kishim agjëruar. Në fakt, as nuk më kishte vajtur në mendje. Kështu që u takuam me familjen dhe u sugjeruam një agjërim. U trondita kur zbulova se ata vetë kishin qenë duke agjëruar sistematikisht, si për shëndetin e djalit të tyre edhe për një ndryshim në orarin e punës, që do ta lejonte Kung Kuk-Uonin të merrte pjesë në kishë. Pasi unë e shoku im iu bashkuam atyre në agjërim, lutjet tona morën përgjigje dhe orari i punës së Kong Kuk-Uonit ndryshoi. Por Pak Mi-Jungu ishte ende e vendosur për të mos u pagëzuar.

Një Ide e Frymëzuar

Atëherë shoku im pati një tjetër ide të shkëlqyer. Ai nxori librin e tij të himneve në madhësinë e xhepit dhe pyeti nëse mund të këndonim me ta. Megjithëse ne kishim kënduar së bashku në raste të mëparshme, unë kurrë nuk e kisha parë Pak Mi-Jungun të këndonte, dhe thjesht hamendësova se asaj nuk i pëlqente të këndonte ose nuk ndihej rehat sepse muzika ishte diçka e re për të. Shoku im e pyeti nëse ajo kishte ndonjë himn të parapëlqyer dhe për habinë time, ajo u prek dhe u përgjigj se, që kur ishte vajzë e vogël, himni i saj i parapëlqyer kishte qenë “Çdo Or’ Më Duhesh Ti” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 12). Ne filluam duke kënduar një harmoni me katër pjesë, me babain duke kënduar melodinë, nënën duke kënduar si alto, shokun tim duke kënduar si tenor dhe unë duke kënduar si bas.

Shpirti ishte i fuqishëm në dhomë. Kur kënduam strofën e tretë, emocioni e pushtoi atë dhe zëri i saj u ul ndërsa vazhduam:

Çdo or’ më duhesh Ti,

Në dhembje o gëzim.

Shpejt eja, pran’ më rri,

O jeta s’ka kuptim.

Më duhesh, më duhesh Ti;

Çdo or’, më du’esh mua Ti!

Bekomë, Shpëtuesi im;

Te ty un’ vij!

Kur përfunduam strofën e katërt dhe të fundit, ajo po qante me dënesë. Ndërsa bashkëshorti i saj u përpoq ta ngushëllonte, ajo përfundimisht arriti ta mblidhte veten. Ajo më pa drejt e në sy dhe tha: “Unë kam nevojë të pagëzohem”.

Pamja
drawing of woman holding an Asian hymnbook

Shërbimi i pagëzimit për Kong Kuk-Uonin dhe Pak Mi-Jungun atë pasdite të diele ishte një nga shërbimet më shpirtërore të misionit tim. Fëmijët e tyre morën pjesë në program dhe shumë anëtarë vendorë erdhën për të treguar mbështetjen e tyre për familjen më të re të kthyer në besim në lagjen e tyre. Unë dhe shoku im dhamë një numër të veçantë muzikor: “Çdo Or’ Më Duhesh Ti”.

Përfundimisht, unë e mbarova misionin tim dhe u ktheva në shtëpi. Pas një viti në kolegj, unë u ktheva në Kore për një stazh vere dhe çdo fundjavë caktoja një kohë për të vizituar shumë nga miqtë dhe familjet e veçanta që kisha takuar në misionin tim. Pas pak javësh, u ktheva në Balsan dhe u takova me këtë familje të veçantë. Kur mbërrita në shtëpinë e tyre, vura re se dikush mungonte – djali i tyre. Me lot në sy, Pak Mi-Jungu më dha lajmin: kanceri i djalit të tyre ishte kthyer dhe, në moshën 14-vjeçare, ai e kishte humbur betejën.

Teksa përpiqesha t’i shprehja ngushëllimet e mia dhe të përballesha edhe me dhimbjen që ndieja, Kong Kuk-Uoni më siguroi se çdo gjë do të ishte mirë. Ata e donin ungjillin, merrnin pjesë besnikërisht në kishë dhe prisnim me padurim ditën kur familja e tyre do të mund të vulosej së bashku për përjetësinë në Tempullin e Seulit në Kore. Pavarësisht nga dhimbja që ndienin, familja e dinte se ata do ta shikonin përsëri Kong Sung-Gunin dhe do të bashkoheshin sërish. Pak Mi-Jungu më tha gjithashtu se këndimi i himneve çdo ditë e ndihmonte të gjente forcë për t’i bërë ballë dhe për të ndier paqen shoqëruese që sjell Shpirti.

Kur u largova nga shtëpia e tyre atë mbrëmje, reflektova përsëri mbi fjalët e himnit të parapëlqyer të Pak Mi-Jungut. Unë jam mirënjohës që Ati Qiellor e bekoi familjen me paqe pas vdekjes së Kong Sung-Gunit, dhe jam veçanërisht mirënjohës për rolin e Shpirtit në kthimin në besim të Pak Mi-Jungut, e cila i mundësoi familjes që të kualifikohej për bekimet e përjetshme të tempullit.