2015
Presidenti Monson Bën Thirrje për Guxim
Prill 2015


Mesazhi i Presidencës së Parë

Presidenti Monson Bën Thirrje për Guxim

Pamja
diamond shape made up of fish with one orange fish in the center of black fish.

Ilustrimi nga iStock/Thinkstock

Presidenti Tomas S. Monson ka vërejtur se rrallë kalon ndonjë orë pa u thirrur për të bërë zgjedhje të një lloji apo një tjetër.

Për të bërë zgjedhje të mençura, këshilloi ai, na duhet kurajë – “kurajë për të thënë jo, kurajë për të thënë po. Vendimet vërtet përcaktojnë fatin.”1

Në fragmentet vijuese, Presidenti Monson u kujton shenjtorëve të ditëve të mëvonshme se u duhet guxim që të qëndrojnë për të vërtetën dhe drejtësinë, për ta mbrojtur atë që besojnë dhe për t’u përballur me një botë që po i hedh poshtë vlerat dhe parimet e përjetshme.

“Thirrja për guxim i vjen vazhdimisht secilit prej nesh”, tha ai. “Përherë ka qenë kështu dhe kështu do të jetë përherë.”2

Guximi Sjell Miratimin e Perëndisë.

“Ne të gjithë do të hasim frikë, do të përjetojmë tallje dhe do të ndeshemi me kundërshtim. Paçim – ne të gjithë – guximin për t’iu kundërvënë mendimit të përgjithshëm, guximin për ta mbrojtur parimin. Guximi, jo kompromisi, e sjell buzëqeshjen e miratimit të Perëndisë. Guximi bëhet një virtyt i gjallë dhe tërheqës kur mbahet parasysh jo vetëm si një gatishmëri për të vdekur si burrë, por si vendosmëria për të jetuar denjësisht. Ndërsa ecim përpara, duke u përpjekur që të jetojmë siç duhet, ne sigurisht do të marrim ndihmë nga Zoti dhe mund të gjejmë ngushëllim në fjalët e Tij.”3

Rezistoni me Guxim

“Çfarë do të thotë të durosh? Më pëlqen shumë ky përkufizim: të rezistosh me kurajë [guxim]. Kuraja mund të jetë e nevojshme që ju të besoni; nganjëherë do të jetë e nevojshme ndërsa ju bindeni. Me sigurinë më të madhe do të kërkohet ndërsa ju duroni deri në atë ditë kur ta lini këtë ekzistencë në vdekshmëri.”4

Kini Guxim për të Qëndruar për të Vërtetën

“[Paçi] kuraj[ën] për të qëndruar të palëkundur për të vërtetën dhe drejtësinë. Meqenëse prirja në shoqëri sot është larg prej vlerave dhe parimeve që Zoti na ka dhënë, ju thuajse me siguri do të thirreni për të mbrojtur atë që ju besoni. Po qe se rrënjët e dëshmisë tuaj nuk janë mbjellë me vendosmëri, do të jetë e vështirë për ju të përballoni talljet e atyre që vënë në dyshim besimin tuaj. Kur mbillet me vendosmëri, dëshmia juaj për ungjillin, për Shpëtimtarin dhe për Atin tonë Qiellor do të ndikojë gjithçka bëni gjatë gjithë jetës tuaj.”5

Na Duhet Guxim Shpirtëror dhe Moral

“Mesazhet që paraqiten në televizor, në filma dhe në media të tjera [sot] janë shpesh në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ato që duam që fëmijët tanë të përqafojnë dhe t’i mbajnë si të çmuara. Është përgjegjësia jonë që jo vetëm që t’i mësojmë të shëndoshen në besim dhe doktrinë, por gjithashtu t’i ndihmojmë ata të qëndrojnë në atë mënyrë, pavarësisht nga forcat e jashtme me të cilat mund të përballen. Kjo do të kërkojë mjaft kohë dhe përpjekje nga ana jonë – dhe në mënyrë që të ndihmojmë të tjerët, neve vetë, na duhet kuraja shpirtërore dhe morale për t’i qëndruar së ligës të cilën e shohim nga të gjitha anët.”6

Qofshim Përherë të Guximshëm

“Ndërsa ne jetojmë ditë pas dite, është pothuajse e pashmangshme që besimi ynë do të vihet në provë. Ndonjëherë, ne mund ta gjejmë veten të rrethuar nga njerëz të tjerë dhe prapë se prapë duke qenë pjesë e pakicës ose duke qëndruar të vetëm lidhur me atë që është e pranueshme dhe atë që nuk është. …

Qofshim ne gjithmonë të guximshëm dhe të përgatitur që të qëndrojmë për atë që besojmë, dhe nëse do të na duhet të qëndrojmë vetëm në këtë proces, e bëfshim këtë me guxim, të forcuar nga njohuria se në të vërtetë ne nuk jemi kurrë vetëm kur ne qëndrojmë për Atin tonë në Qiell.”7

Shënime

  1. Tomas S. Monson, “Tre Parimet e Zgjedhjes”, Liahona, nëntor 2010, f. 68.

  2. Thomas S. Monson, “The Call for Courage”, Liahona, maj 2004, f. 55.

  3. Tomas S. Monson, “Ji i Fortë dhe Guximtar”, Liahona, maj 2014, f. 69.

  4. Tomas S. Monson, “Besoni, Binduni dhe Duroni”, Liahona, maj 2012, f. 129.

  5. Tomas S. Monson, “Paçi Kurajë”, Liahona, maj 2009, f. 126.

  6. Tomas S. Monson, “Tre Qëllime për t’Ju Udhëhequr”, Liahona, nëntor 2007, f. 118–119.

  7. Tomas S. Monson, “Kini Guxim të Qëndroni Vetëm”, Liahona, nëntor 2011, f. 60, 67.