2015
Fuqia e Besimit
Prill 2015


Ne Flasim për Krishtin

Fuqia e Besimit

Autorja jeton në Oregon, SHBA.

Nëse Ati Qiellor do të na çlironte nga sfidat tona thjesht sepse ne ia kërkuam, Ai do të na i mohonte vetë përvojat e nevojshme për shpëtimin tonë.

Pamja
A mother ssitting with her small daughter as the girl colors in a coloring book.

Një herë kur isha në kolegj, po bëja një provim kur filloi të më dhembte qafa. Dhembja nuk iku kur kishte kaluar tensioni i provimit. Mora mendimin e doktorëve dhe fizioterapistëve dhe provova një larmi trajtimesh, por dhembja vazhdonte prapë. Gjatë vitit vijues, teksa mundohesha ta përballoja këtë dhembje, u mundova edhe që ta shtoja besimin tim. Kalova shumë kohë me lutje, studiova shkrimet e shenjta dhe kërkova bekime nga priftëria. Ndjeva se, nëse do të kisha besim të mjaftueshëm, do të shërohesha.

Jezu Krishti shëroi të sëmurët, të verbrit, të çalët, lebrosët – “sipas besimit [të tyre]” (Mateu 9:29). E dija se Ai kishte fuqinë për të më shëruar mua ashtu siç kishte shëruar kaq shumë të tjerë gjatë jetës së Tij në vdekshmëri. Prandaj, arrita në përfundimin që vetëm mungesa e besimit tim më pengonte nga të qenit e shëruar, kështu që i dyfishova përpjekjet e mia. Ndërkohë që vazhdova fizioterapinë, u luta e agjërova dhe studiova e besova. Prapëseprapë dhembja ime ngulmonte.

Shkrimet e shenjta na mësojnë se me besim ne mund të kryejmë mrekulli (shih Mateu 17:20) e megjithatë unë nuk mund të lehtësohesha nga kjo vuajtje më e vogël. Ku ishte fuqia te besimi im? Më në fund, e pranova qetësisht situatën time, gjeta mënyra për ta përballuar shqetësimin tim dhe u kënaqa për marrjen e një kuptueshmërie të plotë për besimin dhe shërimin në një kohë të ardhme.

Vite më vonë po flisja me një shoqe që ishte munduar nga të përziera të tmerrshme që e kishin çuar në spital më shumë se një herë gjatë shtatzënisë së saj të parë. Erina dëshironte të kishte një fëmijë tjetër, por ishte e tmerruar se do t’i duhej të duronte të njëjtat shqetësime që hasi në shtatzëninë e saj të parë. Ajo më tregoi se kishte qenë duke agjëruar dhe duke u lutur dhe se ajo besonte njëmend se Ati Qiellor nuk do ta kërkonte atë prej saj një herë të dytë.

Teksa flisnim, m’u kujtua shkrimi i shenjtë: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi” (Psalmeve 46:10). Mendova për përvojën time vetjake kur mësova të ndalem në mes të vuajtjes dhe e nxita Erinën të vazhdonte të kishte besim, por të mos e bënte atë besim të varej nga fakti nëse do të përjetonte ose jo të përziera në shtatzëninë e saj të ardhshme.

Teksa vazhdoja ta studioja parimin e besimit, u drejtova te fjalimi i Almës mbi besimin në të cilin ai jep mësim se “në qoftë se keni besim, ju shpresoni për gjëra që nuk shihen, të cilat janë të vërteta” (Alma 32:21).

Duke e përsiatur këtë shkrim të shenjtë, zbulova se besimi nuk ishte ai që mendoja se ishte. Besimi, na mëson Alma, është shpresë te parimet e vërteta. Të kesh besim nuk do të thotë që ne besojmë se Ati ynë Qiellor na jep gjithnjë atë që i kërkojmë kur ia kërkojmë. Pasja e besimit se Krishti do të ma shëronte qafën ose që Ai do t’i dhuronte Erinës një shtatzëni pa të përziera është të mos kesh besim te parimet e vërteta. Megjithatë, ne mund të kemi besim se Krishti ka fuqinë për të shëruar, që Ai është i vëmendshëm ndaj nesh, që Ai do të na forcojë dhe që, nëse durojmë mirë, ne mund të kualifikohemi për jetën e përjetshme.

Zoti premtoi: “Çfarëdo gjëje që ti do të kërkosh në besim, duke besuar se do ta marrësh, në emrin e Krishtit, ti do ta marrësh atë” (Enosi 1:15). Unë besoj se fuqia në këtë premtim qëndron te këshilla për të besuar “në emrin e Krishtit”. Shënimi tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta mbi lutjen na mëson: “Ne lutemi në emrin e Krishtit kur mendja jonë është mendja e Krishtit dhe dëshirat tona janë dëshirat e Krishtit – kur fjalët e Tij qëndrojnë me ne (Gjoni 15:7). Atëherë ne kërkojmë gjëra që janë të mundshme për Perëndinë për të na i dhënë. Disa lutje mbeten pa përgjigje, sepse ato nuk janë aspak në emrin e Krishtit; ato në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë mendjen e Tij, por burojnë nga zemra egoiste e njeriut.”

Kur ne kërkojmë me besim diçka që është në pajtim me vullnetin e Perëndisë, Ai do të na e japë sipas dëshirave tona. Ati Qiellor na njeh, na do dhe dëshiron gjithçka që është nevojshme për ne që të kthehemi në praninë e Tij. Dhe ndonjëherë ato përfshijnë sprova, telashe dhe sfida (shih 1 Pjetër 1:7). Nëse Ati Qiellor do të na çlironte nga sfidat tona thjesht sepse ne ia kërkuam, Ai do të na i mohonte vetë përvojat e nevojshme për shpëtimin tonë. Ne duhet të mësojmë të mirëbesojmë te plani i Perëndisë për ne dhe t’ia dorëzojmë vullnetin tonë të Tijit. Teksa i përputhim dëshirat tona me dëshirat e Tij dhe e pranojmë varësinë tonë të plotë nga Ai, ne mund të kualifikohemi për të marrë “përmbushjen e besimit [tonë], shpëtimin e shpirtrave [tanë]” (1 Pjetër 1:9).