2015
Feja e Pastër
Prill 2015


Feja ePastër

Shërbimi vetëmohues – harrimi i vetes, përgjigjja ndaj nevojave të të tjerëve dhe vënia e jetës sonë në shërbim të tyre – ka qenë përherë një karakteristikë e dishepujve të Jezu Krishtit.

Pamja
composite of different families

Ilustrime nga Annie Henrie

Te Mateu kapitulli 11, Shpëtimtari na jep një mësim të rëndësishëm nga ajo që nuk tha në përgjigje të një pyetjeje të bërë nga dishepujt e Gjon Pagëzorit:

“Por Gjoni, që kishte dëgjuar në burg të flitej për veprat e Krishtit, dërgoi dy nga dishepujt e vet për t’i thënë:

‘A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?’

Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ‘Shkoni dhe i tregoni Gjonit gjërat që dëgjoni dhe shikoni:

Të verbërit po shohin, të çalët po ecin, lebrozët janë pastruar dhe të shurdhërit po dëgjojnë; të vdekurit po ngjallen dhe ungjilli po u predikohet të varfërve’” (Mateu 11:2–5).

Në vend që të jepte një shpjegim të shkurtër doktrinor duke përshkruar se Ai ishte vërtet “ai që duhet të vi[nte]”, Shpëtimtari u përgjigj me anë të gjërave që bënte – shembullin e Tij të shërbimit.

Në konferencën e përgjithshme të prillit 2014, Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na kujtoi: “Ne i shërbejmë më së miri Atit tonë në Qiell duke ndikuar drejtësisht tek të tjerët dhe duke u shërbyer atyre. Shembulli më i madhërishëm që eci ndonjëherë mbi tokë, është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti.”1

Shërbimi vetëmohues – harrimi i vetes, përgjigjja ndaj nevojave të të tjerëve dhe vënia e jetës sonë në shërbim të tyre – ka qenë përherë një karakteristikë e dishepujve të Jezu Krishtit. Siç dha mësim mbreti Beniamin mbi 100 vite përpara lindjes së Shpëtimtarit: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17).

Jakobi na kujton se një aspekt thelbësor i “fe[së] [së] pastër” vërehet te shërbimi ynë ndaj të tjerëve kur ne “vizito[jmë] jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre” (Jakob [Bibël] 1:27). “Feja e pastër” është më tepër sesa një shpallje e besimit; ajo është një shfaqje e besimit.

Duajini Bashkudhëtarët Tuaj

Në mes të korrikut të vitit 1984, vetëm disa javë pasi unë dhe gruaja ime, Karol, ishim martuar në Tempullin e Los Anxhelosit në Kaliforni, ne ishim duke shkuar drejt Jutas, ku unë do të filloja karrierën time dhe Karola do të përfundonte arsimimin e saj në kolegj. Ne ishim duke ngarë makina të ndryshme. Ndërmjet dy automjeteve, ne po transportonim gjithçka zotëronim.

Afro në gjysmë të rrugës për në pikëmbërritjen tonë, Karola bëri përpara anash makinës time dhe filloi të më bënte me shenja. Kjo ndodhi në ditët përpara telefonave celularë e smart, dërgimit të mesazheve dhe Tuiterit. Duke parë shprehjen në fytyrën e saj përmes dritares së makinës, mund të vija re se nuk ndihej mirë. Ajo tha se mund të vazhdonte ta ngiste makinën, por unë isha i shqetësuar për nusen time të re.

Kur iu afruam qytetit të vogël të Bivërit, Juta, ajo sërish lëvizi përpara anash meje dhe mund ta vija re se kishte nevojë të ndalonte. Ajo ishte sëmurë dhe nuk mund të vazhdonte më. Ne kishim dy makina plot me rroba dhe dhurata martese, por fatkeqësisht ne kishim pak para. Një dhomë në hotel nuk kishte vend në buxhetin tonë. Nuk isha i sigurt se çfarë të bëja.

Asnjëri prej nesh nuk kishte qenë ndonjëherë në Bivër dhe, duke mos e ditur në të vërtetë se çfarë po kërkoja, ne lëvizëm me makina vërdallë për disa minuta derisa pashë një park. Shkuam drejt vendparkimit dhe gjetëm një pemë me hije, ku shtrova një batanije në mënyrë që Karola të mund të pushonte.

Pak minuta më vonë, një makinë tjetër hyri në vendparkimin pothuaj bosh dhe e parkoi makinën anash dy makinave tona. Një grua, me moshë pothuaj sa nënat tona, doli nga makina e saj dhe pyeti nëse kishte diçka që nuk shkonte dhe nëse mund të ndihmonte. Ajo përmendi se na kishte vënë re ndërsa po lëvizte me makinë aty afër dhe ndjeu se duhej të ndalonte. Kur i shpjeguam rrethanat tona, ajo menjëherë na ftoi ta ndiqnim për në shtëpinë e saj, ku mund të pushonim për sa kohë të kishim nevojë.

Shpejt e gjetëm veten në një krevat të rehatshëm në një dhomë gjumi të freskët në katin përdhes të shtëpisë së saj. Sapo ishim sistemuar, kjo motër e mrekullueshme përmendi se kishte një numër porosish për të përfunduar dhe se do të na linte vetëm për disa orë. Na tha se, nëse kishim uri, ishim të mirëpritur të shfrytëzonim gjithçka që mund të gjenim në kuzhinë dhe nëse do të largoheshim përpara se të kthehej ajo në shtëpi, ishim të lutur të mbyllnim derën kryesore.

Pasi bëri ca gjumë tepër të nevojshëm, Karola u ndie më mirë dhe ne vijuam me udhëtimin tonë pa ndalur në kuzhinë. Kur u larguam, gruaja e përzemërt nuk ishte kthyer ende në shtëpi. Për turpërimin tonë, ne nuk e mbajtëm shënim adresën dhe nuk e kemi falënderuar kurrë si duhet samaritanen tonë të mirë, e cila ndaloi në udhë dhe ia hapi shtëpinë e saj të panjohurve në nevojë.

Ndërsa reflektoj për këtë përvojë, fjalët e Presidentit Tomas S. Monson, i cili mishëron porosinë e Shpëtimtarit për të “shk[uar] dhe bë[rë] kështu” (shih Lluka 10:37) po aq sa çdo njeri i vdekshëm, më vijnë në mendje: “Ne nuk mund ta duam me të vërtetë Perëndinë, në qoftë se nuk i duam bashkudhëtarët tanë në këtë udhëtim në vdekshmëri”2.

Kudo që hasim “bashkudhëtarë” – në rrugë apo në shtëpitë tona, në sheshin e lojërave apo në shkollat tona, në vendin e punës apo në kishë – ndërsa kërkojmë, shikojmë dhe veprojmë, ne do të bëhemi më shumë si Shpëtimtari, duke bekuar e shërbyer gjatë udhës.

Kërkoni

Pamja
drawing of woman praying

Ilustrime nga Annie Henrie

Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Ndryshe nga Shpëtimtari ynë i çmuar, ne sigurisht nuk mund të shlyejmë për mëkatet e njerëzimit! Për më tepër, ne me siguri nuk mund të mbajmë të gjitha sëmundjet, dobësitë dhe brengat e vdekshmërisë (shih Alma 7:11–12).

Megjithatë, në shkallën tonë më të vogël, ashtu siç Jezusi na ka ftuar, ne me të vërtetë mund të përpiqemi të bëhemi ‘madje siç [është Ai]’ (3 Nefi 27:27).”3

Ndërsa përpiqemi të bëhemi madje siç është Ai, me një dëshirë të sinqertë për të bekuar “bashkudhëtarët tanë”, neve do të na jepen mundësi për ta harruar veten dhe për të ngritur të tjerët. Këto mundësi mund të jenë shpesh jo të lehta, duke vënë në provë dëshirën tonë të vërtetë për t’u bërë më shumë si Mësuesi, shërbimi më i madh i të cilit nga të gjitha, Shlyerja e Tij e pafund, në asnjë mënyrë nuk qe e lehtë. “Megjithatë”, thotë Ai, “lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve” (DeB 19:19).

Të kërkuarit me sinqeritet për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari do të na lejojë të shohim atë që përndryshe mund të mos e shohim. Samaritania jonë e mirë ishte sa duhej e ndjeshme ndaj Shpirtit për t’iu përgjigjur një nxitjeje dhe për t’iu qasur një të panjohuri në nevojë.

Shihni

Pamja
drawing of three children with lantern

Ilustrime nga Annie Henrie

Të shohësh me sy shpirtërorë është t’i shohësh gjërat siç janë në të vërtetë dhe të dallosh nevoja që përndryshe mund të mos i kishim vënë re. Në shëmbëlltyrën e deleve dhe cjepve, as ata që u “bekuan”, as ata që u “mallkuan” nuk kishin dalluar Shpëtimtarin te njerëzit që ishin të uritur, të etur, të zhveshur ose në burg. Ata reaguan ndaj shpërblimit të tyre duke pyetur: “Kur të pamë?” (Shih Mateu 25:34–44).

Vetëm ata që kishin parë me sy shpirtërorë duke e dalluar nevojën, vepruan dhe i bekuan ata që vuanin. Samaritania jonë e mirë e dalloi nevojën ndërsa pa me sy shpirtërorë.

Veproni

Pamja
drawing of older woman and young man

Ilustrime nga Annie Henrie

Ne mund të shohim nevoja rreth nesh, por të ndihemi të papërshtatshëm për t’u përgjigjur, duke supozuar se ajo që kemi për të dhënë, nuk është e mjaftueshme. Ndërsa përpiqemi që të bëhemi madje siç është Ai dhe ndërsa shikojmë nevoja te bashkudhëtarët tanë nëpërmjet syve shpirtërorë, ne duhet të kemi mirëbesim se Zoti mund të veprojë nëpërmjet nesh dhe atëherë ne duhet të veprojmë.

Duke hyrë në tempull, Pjetri dhe Gjoni ndeshën një burrë të “çalë që prej lindjes”, i cili u kërkoi lëmoshë (shih Veprat e Apostujve 3:1–3). Përgjigjja e Pjetrit është shembull dhe ftesë për secilin prej nesh:

“‘Unë nuk kam as argjend, as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit Nazarenas, çohu dhe ec!’

Dhe, si e kapi nga dora e djathtë, e ngriti në këmbë” (Veprat e Apostujve 3:6–7).

Ne mund të veprojmë duke dhënë nga koha e talentet tona, duke dhënë një fjalë të mirë ose punë fizike. Ndërsa kërkojmë e shikojmë, ne do të vendosemi në rrethana dhe situata ku mund të veprojmë e bekojmë. Samaritania jonë e mirë veproi. Ajo na mori në shtëpinë e saj dhe na dha atë që kishte. Në thelb, ajo tha: “Atë që kam po ta jap”. Ishte tamam ajo për të cilën kishim nevojë.

Presidenti Monson ka dhënë mësim po këto parime:

“Secili prej nesh, në udhëtimin gjatë vdekshmërisë, do të shkelë vetë Udhën e tij për në Jeriko. Cila do të jetë përvoja juaj? Cila do të jetë përvoja ime? Vallë mos nuk do të arrij ta vë re atë që ka rënë në duart e hajdutëve dhe kërkon ndihmën time? Po ju?

Vallë mos do të jem personi që e shikon të lënduarin dhe e dëgjon lutjen e tij e prapëseprapë kalon në anën tjetër? Po ju?

Apo do të jem personi i cili shikon, i cili dëgjon, i cili ndalon dhe i cili ndihmon? Po ju?

Jezusi na dha kushtrimin: ‘Shko dhe bëj kështu edhe ti’. Kur i bindemi asaj deklarate, pamjes sonë për përjetësinë i shpaloset një tablo gëzimi të cilës rrallë i gjendet shoku dhe që kurrë nuk tejkalohet.”4

Ndërsa bëhemi më shumë si Shpëtimtari duke kërkuar, shikuar dhe vepruar, ne do të arrijmë të dimë për vërtetësinë e fjalëve të mbretit Beniamin: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17).

Shënime

  1. Riçard G. Skot, “Ju Kam Dhënë Shembullin”, Liahona, maj 2014, f. 35.

  2. Tomas S. Monson, “Dashuria – Thelbi i Ungjillit”, Liahona, maj 2014, f. 91.

  3. Neal A. Maxwell, “Apply the Atoning Blood of Christ”, Ensign, nëntor 1997, f. 22.

  4. Thomas S. Monson, “Your Jericho Road”, Ensign, maj 1977, f. 71.