2015
Tipare të Jezu Krishtit: Pa Mashtrim ose Hipokrizi
Prill 2015


Mesazhi i Vizitave Mësimore

Tipare të Jezu Krishtit: Pa Mashtrim ose Hipokrizi

Studiojeni këtë material me lutje dhe kërkoni të dini se çfarë të tregoni. Në ç’mënyrë të kuptuarit e jetës dhe roleve të Shpëtimtarit do ta rritë besimin tuaj tek Ai dhe do t’i bekojë ato për të cilat kujdeseni nëpërmjet vizitës mësimore? Për më tepër informacion, shkoni te reliefsociety.lds.org.

Besim, Familje, Ndihmë

Pamja

Të kuptuarit se Jezu Krishti është pa mashtrim dhe hipokrizi do të na ndihmojë të përpiqemi besnikërisht për të ndjekur shembullin e Tij. Plaku Jozef B. Uirthlin (1917–2008), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Të mashtrosh është të gënjesh ose të çosh në drejtim të gabuar. … Një njeri pa mashtrim është një njeri i pafajshëm, me qëllime të ndershme dhe me motive të pastra, jeta e të cilit pasqyron praktikën e thjeshtë të përputhjes së veprimeve të tij [ose të saj] të përditshme me parimet e integritetit moral. … Unë besoj se nevoja e anëtarëve të Kishës për të qenë pa mashtrim mund të jetë më e ngutshme tani se në kohë të tjera, sepse shumë njerëz në botë me sa duket nuk e kuptojnë rëndësinë e këtij virtyti.”1

Për hipokrizinë, Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, tha: “Asnjëri prej nesh nuk është tërësisht si Krishti, siç e dimë se duhet të jemi. Por ne me zell dëshirojmë t’i mposhtim gabimet tona dhe dëshirën për të mëkatuar. Me zemër dhe shpirt ne dëshirojmë fort të bëhemi më të mirë me ndihmën e Shlyerjes së Jezu Krishtit.”2

Ne e dimë se “ne do të gjykohemi sipas veprimeve tona, dëshirave të zemrave tona dhe llojit të njeriut që jemi bërë”3. Sidoqoftë, ndërsa përpiqemi të pendohemi, ne do të bëhemi më të pastër – dhe “lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë” (Mateu 5:8).

Shkrime të Shenjta Shtesë

Psalmeve 32:2; Jakob [Bibël] 3:17; 1 Pjetër 2:1–2, 22

Nga Shkrimet e Shenjta

Fëmijët e vegjël janë pa mashtrim. Jezu Krishti tha: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë. … Dhe, si i mori [fëmijët] në krahë, i bekoi duke vënë duart mbi ta” (Marku 10:14, 16).

Krishti u shërbeu edhe fëmijëve në kontinentet amerikane pas Kryqëzimit të Tij. Ai urdhëroi që njerëzit t’i sillnin fëmijët e tyre të vegjël tek Ai dhe “i ulën përdhe rreth e përqark tij dhe Jezusi qëndroi në mes; …

… [Dhe] ai qau dhe turma e dëshmoi këtë gjë dhe ai i mori fëmijët e tyre të vegjël, një nga një, dhe i bekoi dhe iu lut Atit për ta. …

Dhe si u kthyen të shikonin, ata hodhën sytë drejt qiellit … dhe panë engjëj që po zbritnin nga qielli sikur të ishin në mes të një zjarri; dhe ata zbritën dhe rrethuan të vegjlit e tyre, … dhe engjëjt u shërbyen atyre” (3 Nefi 17:12, 21, 24).

Shënime

  1. Joseph B. Wirthlin, “Without Guile”, Ensign, maj 1988, f. 80, 81.

  2. Diter F. Uhtdorf, “Ejani, Bashkohuni me Ne”, Liahona, nëntor 2013, f. 23.

  3. Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 1.2.1.