2015
Shko Përpara me Besim
Prill 2015


Shko Përpara me Besim

Nga një fjalim i takimit shpirtëror, “Nevertheless I Went Forth” [“Megjithatë, Vazhdova të Ecja”], dhënë më 4 shkurt 2014 në Universitetin “Brigam Jang”. Për fjalimin e plotë në anglisht, shkoni tek adresa speeches.byu.edu.

Katër mësime të vendimmarrjes së frymëzuar nga Nefi, mund t’i zvogëlojnë pasiguritë tuaja dhe të rritin vetëbesimin tuaj për të ecur përpara.

Pamja
composite of Nephi praying and a modern youth praying

Hollësi nga Shpirti i Lutjes, nga Claudio Roberto Aquiar Ramires

Ju të rinj në moshë madhore, tani jeni duke jetuar në atë që është quajtur “Dekada e Vendimit”. Ju jeni duke bërë shumë prej zgjedhjeve më të rëndësishme të jetës suaj, të tilla si “vajtja në tempull, të shërbyerit në një mision, shkollimi, përzgjedhja e një profesioni si dhe zgjedhja e një shoku/shoqeje dhe të qenit i vulosur për kohën dhe për gjithë përjetësinë në tempullin e shenjtë”1.

U flas veçanërisht atyre që janë duke luftuar me një ose më shumë prej këtyre vendimeve të rëndësishme – disa pothuaj të paralizuar nga frika e marrjes së vendimit të gabuar apo që kanë nevojë për përforcim që të mbeten vetëbesues për një vendim të marrë më parë.

Katër mësime të vendimmarrjes së frymëzuar nga Nefi, nëse zbatohen, mund t’i zvogëlojnë pasiguritë tuaja dhe të rritin vetëbesimin tuaj për të ecur përpara.

1. Bindjuni Urdhërimeve

Vargu i fundit i analit të shenjtë të Nefit përmbledh jetën e tij: “Pasi kështu më ka urdhëruar Zoti dhe unë duhet të bindem” (2 Nefi 33:15).

Besimi i Nefit te Shpëtimtari dhe dashuria për Të tregohet me anë të shembullit në bindjen e tij ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Ai u lut (shih 1 Nefi 2:16). Ai i lexoi shkrimet e shenjta (shih 1 Nefi 22:1). Ai kërkoi dhe ndoqi udhëzimin nga një profet i gjallë (shih 1 Nefi 16:23–24). Një bindje e tillë e lejoi Frymën e Shenjtë që ta shoqëronte fuqishëm Nefin, gjatë gjithë jetës së tij, dhe i dha zbulesë vetjake të vazhdueshme.

Edhe ju duhet të qëndroni afër me Zotin duke mbajtur urdhërimet e Perëndisë. Unë dëshmoj se bindja e vazhdueshme ndaj gjërave të vogla si leximi i shkrimeve të shenjta, lutja e përditshme, pjesëmarrja në mbledhjet e Kishës, mbajtja vesh e këshillës së profetëve të gjallë dhe shërbimi ndaj të tjerëve do t’ju kualifikojnë për Shpirtin – dhe zbulesën që ai sjell.

Përsosmëria nuk është një kusht paraprak për zbulesë vetjake. Kushti paraprak është pendimi i përditshëm (shih Romakëve 3:23). Nëse pendimi juaj është i sinqertë dhe i plotë (shih DeB 58:42–43), fuqia pastruese e Shlyerjes do të sjellë Shpirtin për t’ju udhëhequr në vendimet me peshë të jetës.

2. Ecni Përpara me Besim

Vëreni veten tuaj në situatën e Nefit. Babai ju thotë se Zoti e ka urdhëruar familjen tuaj ta lërë pasurinë dhe të niset për në vendin e shkretë. A nuk do të donit të dinit rreth udhëtimit dhe vendmbërritjes suaj?

Hamendësoj se Nefi do të kishte qenë shumë i lumtur sikur Zoti t’i kishte zbuluar qartësisht të ardhmen e tij. Por nuk është kjo mënyra se si punoi Perëndia me Nefin dhe nuk është mënyra se si Ai do të punojë me ju.

Ndërsa familja e Nefit udhëtoi përmes vendit të shkretë, atij i erdhën udhëzimet vetëm “nga koha në kohë” (1 Nefi 16:29; 18:1). Të parit e udhëtimit të jetës së tij me siguri që në fillim, nuk do t’i kishte siguruar atij përvojat shpirt-tendosëse dhe besim-formuese që e ndihmuan të bëhet një njeri më shumë si Krishti.

Pamja
composite with illustration of Lehi loading the plates of Laban on a donkey and a modern girl reading the Book of Mormon

Nëse po prisni që Perëndia t’ju zbulojë se çfarë dege akademike të ndiqni, me kë të martoheni, çfarë pune të pranoni, ku të jetoni, nëse duhet të bëni studime pasuniversitare dhe sa fëmijë të kini, ju kurrë nuk do ta lini apartamentin tuaj. Ju dëshmoj se zbulesa vetjake do të vijë vetëm nga “koha në kohë”.

Ati ynë Qiellor dëshiron që ne të rritemi dhe kjo përfshin zhvillimin e aftësisë sonë për të peshuar faktet, për të dhënë gjykime dhe për të marrë vendime. Por Ai gjithashtu na fton t’ia sjellim vendimet tona Atij në lutje (shih DeB 9:7–9). Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se përgjigjet tona vijnë “në një nga tri mënyrat”2.

Siguria Pohuese

“Së pari”, tha Plaku Skot, “ju mund të ndieni paqe, qetësi dhe siguri që konfirmojnë se vendimi juaj është i drejtë.”3 Unë dhe gruaja ime, Kristi, kemi zbuluar se siguria për vendimet kritike që ndikojnë në jetë, mund të komunikohet nëpërmjet shkrimeve të shenjta, shpesh pas adhurimit në tempull.

Për shembull, pas shumë përsiatjesh dhe lutjesh, ne vendosëm ta braktisnim shtëpinë e re të ëndrrave tona në Teksas, të pranonim një transferim pune dhe të shpërnguleshim me gjashtë fëmijët tanë të vegjël në Pekin të Kinës. Por ne dëshironim në mënyrë të dëshpëruar një pohim shpirtëror për një shpërngulje të tillë shumë të rëndësishme. Siguria hyjnore na erdhi – në tempull – ndërsa lexuam këto fjalë në Doktrina e Besëlidhje: “Është vullneti im që ti … [të] mos qëndro[sh] shumë ditë në këtë vend; … mos mendo për pasurinë tënde. Shko në tokat e lindjes” (DeB 66:5–7).

Zëri i Jezu Krishtit në shkrimet e shenjta, i shoqëruar me ndjenja të fuqishme nga Fryma e Shenjtë, pohoi se vendimi ynë për t’u shpërngulur në Kinë, ishte i drejtë.

Ndjenjë e Turbulluar

Mënyra e dytë se si Ati Qiellor u përgjigjet lutjeve është përmes një “ndjenje të turbulluar, mpirje të mendimit, që tregojnë se zgjedhja juaj është e gabuar”4.

Pas misionit tim në Taivan, mendova se ligji ndërkombëtar do të ishte një zgjedhje e mirë karriere. Ndërsa unë dhe Kristi e morëm në shqyrtim atë të ardhme të mundshme, ne kuptuam se shtriheshin përpara pesë vite më shumë të një arsimimi të kushtueshëm.

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara ishte në një rënie të thellë dhe fondet tona ishin të kufizuara, prandaj arsyetuam se bashkimi me Forcat Ajrore ROTC [Korpusi i Trajnimit të Oficerëve të Rezervës] do të ishte një zgjedhje e mençur për të paguar shkollimin tim. Por kur bëra testimet e kërkuara dhe plotësova dokumentet, ne thjesht nuk ndiheshim rehat me bërjen e këtij zotimi. Nuk patëm asnjë mpirje mendimi apo ndjenja të errëta – vetëm një mungesë paqeje.

Ai vendim financiar në dukje i palogjikshëm ishte i frymëzuar, pjesërisht, sepse unë do të kisha qenë një avokat jo i mirë.

Mirëbesimi Hyjnor

Perëndia u përgjigjet lutjeve në një mënyrë të tretë: asnjë përgjigje. “Kur jetoni denjësisht dhe zgjedhja juaj është në përputhje me mësimet e Shpëtimtarit dhe keni nevojë të veproni”, tha Plaku Skot, “veproni me mirëbesim.”5

Orvatja përfundimtare e Nefit për të marrë fletët prej tunxhi ilustron mënyrën se si ne duhet të veprojmë me mirëbesim hyjnor. Ai shënoi:

“Dhe unë isha i udhëhequr nga Shpirti, duke mos ditur më parë gjërat që unë duhet të bëja.

Megjithatë, vazhdova të ecja” (1 Nefi 4:6–7).

Çastet do të vijnë gjatë dekadës suaj të vendimit, kur ju nuk mund ta shtyni më gjatë dhe duhet të veproni. Kam mësuar se, siç ka dhënë mësim Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “ne do të marrim nxitje të Shpirtit kur të kemi bërë gjithçka që mundemi, kur të jemi jashtë në diell duke punuar në vend që të ulemi në hije duke u lutur për udhërrëfim për hapin e parë që duhet të marrim”6.

Ashtu si me Nefin, Shpirti në kohën e duhur do t’ju pohojë apo paralajmërojë për udhën e zgjedhur.

3. Jetoni në të Tashmen

Zotimi i Nefit në udhëtimin për në tokën e premtuar, qëndron në një kundërshtim të fortë me atë të vëllezërve të tij, Lamanit dhe Lemuelit. Ata e morën vendimin për të shkuar, por zemra e tyre nuk e la kurrë Jerusalemin. Nefi rregullonte harkun e tij të thyer që të gjuante për ushqim dhe gërmonte minerale për të ndërtuar një anije, ndërsa vëllezërit e tij dukej se rrinin kot në një çadër.

Sot, bota ka shumë Lamanë dhe Lemuelë. Por Zoti ka nevojë për burra dhe gra që zotohen, ashtu si Nefi. Ju do të përjetoni përparim më të madh në jetë, kur zotoheni plotësisht ndaj vendimeve tuaja dhe përpiqeni të shkëlqeni në rrethanat tuaja të tanishme, edhe kur keni plane për të ardhmen.

Nefi ilustron me anë të shembullit këshillën e mençur të Presidentit Tomas S. Monson: “Ëndërrimi me sy hapur i së kaluarës dhe dëshira e fortë për të ardhmen mund të japin qetësim, por nuk do ta zëvendësojnë të jetuarin në të tashmen. Kjo është dita e mundësisë tonë dhe ne duhet ta kapim atë.”7

4. Mbështetuni te Forca e të Tjerëve

Edhe pasi ta kemi kërkuar Shpirtin, të kemi shkuar përpara me vendimin tonë dhe të jemi plotësisht të zotuar ndaj tij, prapëseprapë mund të ngrihen dyshime dhe të na bëjnë ta vëmë në pikëpyetje vendimin tonë. Në rrethana të tilla, një pjesëtar i besuar i familjes apo mik mund të japë këshillë dhe forcë për të qëndruar në shteg. Unë sugjeroj që, përgjatë udhëtimit të tij, nusja e Nefit u bë spiranca e tij e besuar.

Një vlerësim për bashkëshorten e Nefit më erdhi ndërsa po vizitoja Muzeun e Historisë së Kishës. Atje u mbërtheva nga një pikturë e Nefit, i lidhur në direkun e anijes, i lagur deri në lëkurë në një stuhi të furishme.8

Në krah të Nefit ishin bashkëshortja dhe një nga fëmijët e tij. Ajo po përjetonte të njëjtën stuhi dhe sfida si edhe Nefi, por sytë e saj ishin sfidues dhe krahët e saj të fortë ishin mbështjellë në mënyrë mbrojtëse rreth shpatullave të tij. Në atë çast e kuptova se edhe unë isha bekuar të kisha një bashkëshorte besnike që më ofron forcë në kohët e sprovës sime. Shpresova që të isha një forcë e ngjashme për të.

Pamja
composite of Nephite family and modern couple

Vëllezër, ruajtja dhe përmirësimi i forcës shpirtërore që zhvilluat (apo ende do ta zhvilloni) si misionar ose në shërbime të tjera të drejta, është vlera më e mirë për t’u bërë një bashkëshort dhe baba i dëshiruar. Motra, ndjeshmëria shpirtërore, besimi dhe guximi për të ndjekur Jezu Krishtin janë midis cilësive më të mira si bashkëshorte dhe nënë.

Unë ju ftoj të bëheni lloji i personit ku bashkëshorti/ja aktual/e apo i/e ardhshëm/me mund të mbështetet për këshillë të mençur dhe forcë. Një burrë i virtytshëm dhe një grua e denjë, të vulosur në tempull për kohën dhe gjithë përjetësinë, mund të bëjnë gjëra të vështira si partnerë të barabartë.

Unë ju premtoj se, nëse do t’i zbatoni mësimet e mësuara nga Nefi dhe profetët e sotëm rreth marrjes së vendimeve, ju do të udhëhiqeni me zbulesë vetjake “nga koha në kohë”. Ndërsa përparoni përmes dekadës suaj të vendimit, paçi besimin për të thënë, ashtu si tha Nefi:

“Dhe unë isha i udhëhequr nga Shpirti, duke mos ditur më parë gjërat që unë duhet të bëja.

Megjithatë, vazhdova të ecja” (1 Nefi 4:6–7).

Shënime

  1. Robert D. Hejls, “Priftërisë Aarone: Përgatituni për Dekadën e Vendimit”, Liahona, maj 2007, f. 48; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 58.

  2. Riçard G. Skot, “Përdorimi i Dhuratës Hyjnore të Lutjes”, Liahona, maj 2007, f. 10; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 7; theksimi në origjinal.

  3. Riçard G. Skot, “Përdorimi i Dhuratës Hyjnore të Lutjes”, f. 7.

  4. Riçard G. Skot, “Përdorimi i Dhuratës Hyjnore të Lutjes”, f. 7.

  5. Riçard G. Skot, “Përdorimi i Dhuratës Hyjnore të Lutjes”, f. 7.

  6. Dallin H. Oaks, “In His Own Time, in His Own Way”, Liahona, gusht 2013, f. 26.

  7. Thomas S. Monson, “In Search of Treasure”, Liahona, maj 2003, f. 20.

  8. Shih Helpmeet, nga K. Sean Sullivan, në “The Book of Mormon: A Worldwide View”, Liahona, dhjetor 2000, f. 37.