2022
Jezusi na Do
Mars 2022


Faqet Vendore

Jezusi na Do

Të dashur vëllezër dhe motra, ndërsa ju jap mesazhin tim për Pashkën, nuk mund të mos e ndiej dashurinë që Jezu Krishti ka individualisht për mua dhe për të gjithë ju. Çdo Pashkë, ne kremtojmë mesazhin që Krishti është ringjallur së vdekuri dhe, për shkak të kësaj, edhe ne do të jetojmë përsëri pasi të vdesim. Kudo që të ndodhemi, ne mund ta kremtojmë Pashkën së bashku me familjarët dhe miqtë tanë. Kur bëjmë kështu, kujtojmë rëndësinë dhe rolin që familja ka në planin e shpëtimit dhe të lumturisë.

E di se hera-herës mund të ndihemi të vetmuar, të keqkuptuar, të humbur, jo në vendin e duhur apo të dëshiruar për përkrahje. Mund të ndihemi të dëshpëruar deri në atë pikë ku besojmë se askush nuk mund ta kuptojë se çfarë po kalojmë. Këto ndjesi prej vetmisë nganjëherë na shtyjnë drejt mbylljes në vetvete dhe përqendrimit te vetja në gjithçka që ne bëjmë dhe mendojmë.

Gjatë Pashkës kujtohemi sërish se nuk jemi vetëm. Është Dikush që na do dhe Ai është Jezu Krishti. Ai luftoi dhe sakrifikoi pa masë për ne, duke i vuajtur të gjitha dhe përfundimisht duke i mposhtur të gjitha. Ai njëmend na njeh se kush jemi dhe se çfarë po kalojmë. Njëra nga këngët e mia të preferuara të Fillores që këndoj shpesh me vajzën time 3-vjeçare, është “Gjetsemani”. Më poshtë dëshiroj të shkruaj disa strofa:

N’kodër për në kopsht u ngjit Jezusi.

T’ ngadalt’ hapat e Tij.

Lutja dhe dashuria e çuan atje

Ku mund të shkonte veç Ai.

Ai ndjeu gjithçka të trisht’, të lig’,

Të gjith’ dhembjen që do t’ndienim.

Më t’madhen vështirësi,

Më t’madhen dhembje,

Më t’madhen betejë fitoi –

Këtë bëri Ai!

Jezusi luftën fitoi!

Gjetsemani. Mua më do Jezusi,

Sa m’dha dhuratën e Tij të Gjetsemanit.

Ky himn na sjell ndërmend faktin se Jezusi bëri gjithçka për ne. Ai na e dha dhuratën e Tij në Gjetseman dhe gjithçka që Ai kërkon në këmbim, është ta pranojmë ungjillin e Tij me besim tek Ai.

I ftoj të gjithë ata që ndihen vetëm, jo në vendin e duhur ose që mundohen me dyshimin, që ta pranojnë plotësisht ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit nëpërmjet besimit në Krisht. Unë dëshmoj për gëzimin që gjendet tek të jetuarit me anë të besimit dhe marrjes së njohurisë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë se Jezu Krishti jeton. E di se, nëse e vendosim Jezu Krishtin dhe Ungjillin e Tij të rivendosur të parin në jetë, ne do ta lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë. Duke bërë kështu, ne do të marrim premtimet që presidenti ynë i dashur Rasëll M. Nelson na i tha. “Shpëtimtari do ta shërojë zemrën [tonë] të copëtuar. Qiejt do të hapen teksa përpiqe[mi] të di[më] se si të shko[jmë] përpara. [Ne] do të udhëhiqe[mi] që të gje[jmë] e kupto[jmë] të vërtetat absolute, të përjetshme që do ta udhërrëfejnë jetën [tonë] dhe do [të na] ndihmojnë të qëndro[jmë] të palëkundur në shtegun e besëlidhjeve.”1

Unë e di se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë, Shpëtimtari ynë dhe Shëlbuesi ynë. Ai jeton dhe na do të gjithëve. Lutem që ta ndjekim shembullin e Tij dhe të bëhemi dishepuj të vërtetë të Krishtit, plot përulësi dhe dashuri ndaj vëllezërve dhe motrave tona. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Jetmir Hysi, President i Kunjit Tiranë, Shqipëri

Shënime

  1. “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë” nga Presidenti Rasëll M. Nelson, konferenca e përgjithshme e tetorit 2020 https://www.churchofjesuschrist.org/study/general-conference/2020/10/46nelson?lang=alb