2022
Të Kesh Besim dhe jo Frikë
Mars 2022


Të Kesh Besim dhe jo Frikë

Në mesnatën e 26 nëntorit të vitit 2019 një tërmet 6,4 i shkallës Rihter ra në qytetin tim të Durrësit, gjithashtu edhe në disa qytete të Shqipërisë.

Atë natë isha vetëm me mamin dhe motrën, kur shtëpia u trondit nga tërmeti. Ishte një moment i frikshëm për mua, familjen dhe për të gjithë njerëzit. Shtëpia fatmirësisht nuk pësoi gjë, por isha shumë e frikësuar. Unë dhe motra ime e përjetuam pak keq psikologjikisht këtë ndodhi, gjithashtu ishte e vështirë të harroheshin lëkundjet e tërmetit. Ishte shumë e dhembshme të dëgjoje në lajme që shumë njerëz kishin humbur jetën nën rrënoja. Ndihesha shumë e trishtuar kur shihja shumë njerëz jashtë në të ftohtë për shkak se shtëpitë e tyre ishin shkatërruar, por me kalimin e kohës gjërat filluan të përmirësoheshin.

Në këtë kohë të vështirë ndjeva paqe nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit. Teksa po studioja tek Doktrina e Besëlidhjet, po lexoja nga seksioni 35 vargjet 26 dhe 27 ku thuhej: “Shpëtimtari është me ne edhe në kohët e vështira. Ai na jep paqe dhe gëzim nëpërmjet ungjillit të tij.”

Ne duhet të shohim te Jezu Krishti dhe të mos përqendrohemi te frika. Në jetë shpesh kemi tërmete fizike dhe shpirtërore, por nuk duhet të harrojmë se ku e kemi vendosur besimin tonë.

Tek Helamani 5:12 në Librin e Mormonit ne mësojmë se kur e ndërtojmë besimin tonë tek Jezu Krishti, edhe pse tërmetet apo erërat e fuqishme vijnë, ne nuk do të rrëzohemi asnjëherë për shkak të besimit tonë.

Jam mirënjohëse për besimin tim te Jezu Krishti dhe dëshmoj që Ai jeton. Ai i kupton dhembjet dhe gjërat të cilat na frikësojnë në jetë. Ai na gjendet pranë bashkë me Atin Qiellor për të na ndihmuar dhe për të na drejtuar. Jam mirënjohëse gjithashtu që kam parë anëtarë, që ndonëse kishin humbur gjëra materiale nga tërmeti, dhanë dëshmi për Krishtin dhe i shërbyen njëri-tjetrit. Shembulli i tyre ma forcoi më shumë besimin.

Asnjëherë nuk jemi vetem, sepse ne kemi Shpëtimtarin e botës në anën tonë. Dëshiroj që kur vështirësitë për shkak të katastrofave apo rrethanave të tjera të jetës të vijnë, ne të jemi të përgatitur në besimin tonë tek Krishti. Perëndia na do gjithmonë dhe ne jemi fëmijët e Tij të dashur.