2022
Bekimet që vijnë nga zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë
Mars 2022


Bekimet që vijnë nga zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë

Një ditë, teksa po shkoja në punë duke ecur në rrugë takova dy djem misionarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ata po shpërndanin disa libra. Iu afrova dhe ata më dhanë një broshurë të vogël. Ishte dëshmia e profetit Jozef Smith. Fillova ta lexoja. Diçka ndjeva në shpirtin tim dhe doja të dija më shumë rreth kishës. Lashë takim me misionarët dhe fillova të merrja mësimet e para. Gjatë një mësimi, u diskutua për Fjalën e Urtësisë dhe misionarët më thanë që nuk duhet të përdorja pije alkoolike, pije të nxehta si kafeja, sepse kjo ishte një zbulesë dhënë nga Perëndia në lidhje me shëndetin.

Unë në atë kohë i përdorja këto pije. Në ato çaste rashë në vështirësi. Misionarët më thanë të lutesha rreth kësaj zbulese për të ditur se ç’duhej të bëja. Ata gjithashtu u lutën për mua.

Ashtu si Jozef Smithi u lut në korijen e pemëve për të gjetur kishën e vërtetë dhe unë u luta me gjithë fuqinë e zemrës sime. Vendosa që të mos i përdorja më pijet alkolike, por ishte shumë e vështirë. Të nesërmen unë nuk e piva kafenë e zakonshme. I mora në telefon misionarët dhe u thashë: “Sot nuk kam pirë fare kafe”. Ata më përgëzuan për këtë. Kështu ndodhi edhe ditën e dytë dhe çdo ditë në vazhdim. Ishte shumë e vështirë në atë kohë, por ishte një bekim për të ardhmen. Pasi mora të gjitha mësimet, u pagëzova. I ofrova dhe bashkëshortes sime që të pagëzohej, por ajo nuk pranoi.

Unë punoja në ndërtim. Para se të pagëzohesha kishte shumë raste që vija vonë në shtëpi. Rrija nëpër kafene si shumë të tjerë. Kur u pagëzova çdo ditë vija herët në shtëpi dhe asnjëherë nuk kthehesha në orët e vona siç bëja më parë. Bashkëshortja ime pa një ndryshim të madh tek unë ngaqë po vija herët në shtëpi. Meqënëse pa këtë ndryshim të madh tek unë, një ditë më tha: “Dua të pagëzohem edhe unë”. Pak muaj më vonë u pagëzua edhe djali im. Pas tij u pagëzua edhe vajza ime kur mbushi 8 vjeç. Më në fund bëmë një besëlidhje me Perëndinë si familje dhe po përgatiteshim për të shkuar ne tempull. Ajo ditë erdhi shumë shpejt dhe ne u vulosëm familjarisht në tempull, për këtë jetë dhe për përjetësinë.

Pas disa vjetësh bashkëshortja ime bëri një operacion në dorë. Ajo nuk ishte në gjendje të punonte, kështu që unë isha i detyruar që të punoja fort. M’u desh të largohesha nga shtëpia dhe nga vendi. U nisa për në Katar për punë. Ishte tepër e vështirë që ta lija familjen vetëm, bashkëshorten time dhe dy fëmijët e mi të vegjël. Në Katar ishte shumë nxehtë. Në mëngjes temperatura arrinte deri në 55 gradë celsius. Pasi u sistemuam në shtëpi, ishim nëntë persona në një apartament që kishte vetëm tri dhoma.

Të gjithë kolegët e mi kishin marrë me vete pije alkolike dhe më ofruan edhe mua që të pija me ta. Unë patjetër që refuzova dhe iu thashë që ato ishin të dëmshme për trupin, por Satani vazhdimisht më nxiste që unë të pranoja. Kjo temë vazhdoi çdo natë. Ata krijuan shoqëri me njëri-tjetrin, ndërsa unë nuk u përshtata me ta sepse nuk pija alkool si ata. Ata u njohën me njëri-tjetrin dhe filluan të më vinin në lojë ngaqë nuk pija alkool dhe gjithashtu panë që isha vetëm. Ata nuk e dinin që unë kisha Zotin pranë nëse do t’i mbaja urdhërimet. Kur panë që nuk kisha frikë, m’u afruan dhe deshën të më goditnin ngaqë pinin shumë alkool. M’u kujtua kur Lamani dhe Lamueli deshën ta goditnin Nefin. Pavarësisht se sjellja e tyre nuk ishte e mirë ndaj meje, çdo ditë që kalonte mundohesha të bëja më të mirën ndaj tyre, derisa ua fitova zemrat. Kujtova fjalët e Jezu Krishtit: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin”.

Nga ajo kohë e deri tani familja ime është bekuar nga Zoti. Shpesh bekimet e Zotit kalojnë pa u vënë re, por po të mendohesh thellë ato janë shumë të dukshme. Para se të bashkohesha me kishën, tri orë e gjysmë në ditë i harxhoja duke qëndruar nëpër kafene. Pra për 30 ditë ishin përafërsisht 100 orë në muaj. Në 12 muaj që ka viti janë 60 ditë në vit që unë kam qenë më pranë familjes falë kësaj. Gjatë 15 vjetëve të pagëzimit tim, po ta llogaris, janë afërsisht 3 vjet që kam qëndruar pranë familjes. Nëse nuk do të isha anëtar, këta tre vjet do t’i kisha çuar dëm. Çfarë humbje e madhe do kishte qenë për mua dhe familjen time. A nuk është bekim ky?

Zbatimi i Fjalës së Urtësisë në veçanti dhe bindja ndaj të gjitha urdhërimeve të Perëndisë janë mënyra se si i lejojmë Perëndisë të na bekojë e të na ndihmojë në çdo sfidë tonën.