Seminari
Njësia 8: Dita 4, Doktrina e Besëlidhje 35


Njësia 8: Dita 4

Doktrina e Besëlidhje 35

Hyrje

Brenda gjashtë muajve të organizimit të Kishës, katër misionarë duke përfshirë Parli P. Pratin, udhëtuan për në perëndim që t’u predikonin indianëve të Amerikës. Rrugës për në kufijtë perëndimorë të Misurit, ata ndaluan në zonën rreth Kirtlandit në Ohajo, ku Parli kishte jetuar për njëfarë kohe. Ata e ndanë mesazhin e tyre me mikun e Plakut Prat, një shërbestar i njohur që quhej Sidni Rigdon. Në një kohë të shkurtër, më shumë se 100 njerëz, përfshirë Sidni Rigdonin dhe shumë anëtarë të bashkësisë së tij, ishin pagëzuar, duke e shtuar më shumë se dyfish anëtarësinë e përgjithshme të Kishës. Sidni dhe bashkëshortja e tij, Fibi, e dinin se bashkimi me Kishën do të ishte një sakrificë e madhe për ta. Ai e dinte se jetesa e tij si shërbestar dhe fama e tij në komunitet do të hasnin vështirësi, por ai ishte i vendosur ta ndiqte të vërtetën.

Pasi pleqtë u larguan nga Kirtlandi për të vazhduar udhëtimin e tyre, Sidni Rigdoni dhe një mik, Eduard Partrixhi, shkuan në Nju-Jork për të takuar Profetin Jozef Smith. Shpejt pas mbërritjes së tyre, Profeti mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 35. Në të, Zoti i dha Sidni Rigdonit përgjegjësi të veçanta brenda Kishës së saporivendosur.

Doktrina e Besëlidhje 35:1–12

Zoti i tha Sidni Rigdonit se e kishte përgatitur për një vepër më të madhe

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përgjigjiuni pyetjes vijuese: Çfarë keni përjetuar, që ju ndihmon të dini se Perëndia interesohet për ju?

Zbulesa e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 35 tregon se Zoti e njihte Sidni Rigdonin dhe se Ai i foli Sidnit rreth rolit të tij për të ndihmuar Profetin Jozef Smith. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 35:1–3 duke kërkuar fakte që Zoti ishte në dijeni të Sidni Rigdonit. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Lexoni përsëri Doktrinën e Besëlidhjet 35:3 duke zëvendësuar emrin e Sidnit me vetë emrin tuaj. Çfarë na mësojnë fjalët e Zotit për dijeninë e Tij për ne?

Pamja
Plaku Nil A. Maksuell

Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për dijeninë e Perëndisë për secilin prej nesh: “Dëshmoj se Perëndia ju ka njohur individualisht … për shumë, shumë kohë (shih DeB 93:23). Ai ju ka dashur për shumë, shumë kohë. … Ai e di emrin tuaj dhe të gjitha pikëllimet dhe gëzimet tuaja!” (“Remember How Merciful the Lord Hath Been”, Ensign, maj 2004, f. 46).

Një parim që mund ta mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 35:3 është që Zoti na njeh dhe ka një vepër për secilin prej nesh që ta bëjmë. A e keni pyetur veten ndonjëherë se çfarë vepre të veçantë ka Zoti për ju që ta bëni gjatë jetës suaj?

Përpara se të mësonte rreth Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit, Sidni Rigdoni kishte qenë duke bërë një punë të mirë si shërbestar i një kishe tjetër. Pasi u bashkua me Kishën e rivendosur të Zotit, ai qe në gjendje të kryente “një vepër më të madhe” (DeB 35:3) për mbretërinë e Zotit. Njerëzit e besimeve të tjera mund të bëjnë shumë gjëra të mira. Është përgjegjësia jonë të ndajmë me ta plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit, kështu që ata mund të bëjnë “një vepër më të madhe”. Në mënyrë të ngjashme, ne kemi besim se Zoti është i vetëdijshëm për ne dhe, kur përpiqemi ta ndjekim Atë, Ai do të na ndihmojë të kryejmë punën që u caktuam të bëjmë.

Pamja
Gjon Pagëzori Duke Predikuar

Si pararendës i Jezu Krishtit, Gjon Pagëzori përgatiti shumë zemra njerëzish për ardhjen e Tij. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 35:4–6 dhe kërkoni mënyrën se si Sidni Rigdoni ishte si Gjon Pagëzori. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Ndërsa Sidni Rigdoni kishte qenë i ngjashëm me Gjon Pagëzorin në disa mënyra, ai ishte i ndryshëm nga Gjon Pagëzori, sepse kur Sidni i kishte pagëzuar njerëzit në bashkësinë e tij të mëparshme, ai nuk kishte pasur autoritet nga Perëndia për ta bërë këtë (shih DeB 35:5–6).

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 35:7–11 dhe kërkoni atë që mund të ndodhë në jetën e atyre që besojnë dhe ushtrojnë besim te Perëndia në ditët e fundit.

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë mund të mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 35:7–11 rreth asaj që u premtoi Zoti atyre që e ndjekin Atë me besim? (Fjala johebrenjvevargun 7 u drejtohet atyre që nuk e kanë plotësinë e ungjillit. Fjala Babilonivargun 11 i drejtohet botës.)

    2. Si mendoni ju, përse mrekullitë janë të lidhura kaq ngushtë me besimin te Jezu Krishti? (Merrni parasysh se mrekullitë mund të jenë po aq të pakapshme sa një ndryshim i zemrës ose një falje e mëkatit dhe vijnë sipas vullnetit të Zotit.)

Doktrina e Besëlidhje 35:13–19

Zoti premton ta ndihmojë të përulurin që të kryejë punën e Tij

Përfytyroni sikur po krijoni një ekip sportiv (mendoni një sport që ju e njihni). Në hapësirën e dhënë, përshkruani pikat e forta dhe aftësitë që ju do të doni që të kenë lojtarët.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 35:13 duke kërkuar se kë përzgjedh Zoti për ta kryer punën e Tij. Vini re karakteristikat e atyre që Zoti i zgjedh për ta ndihmuar Atë, që janë të pazakonta sipas standardeve të botës. Fraza “gjërat e dobëta të botës” u drejtohet shërbëtorëve të Zotit. Fjala shkelin ose shkel në këtë varg i drejtohet shirjes, e cila është praktika e ndarjes së grurit nga kërcelli dhe lëvorja e tij. Në këtë varg ajo i drejtohet ndarjes dhe mbledhjes së njerëzve që janë gati për ta pranuar ungjillin nga ata që nuk janë. Një mënyrë se si bëhet kjo është me anë të misionarëve, duke i kontaktuar njerëzit dhe duke i përgatitur ata të bëjnë e t’i mbajnë besëlidhjet e shenjta.

Pamja
shoshitja e grurit

Bazuar në Doktrinën e Besëlidhjet 35:13, ne mësojmë se Perëndia i thërret ata që janë të dobët që ta kryejnë punën e Tij nëpërmjet fuqisë së Shpirtit të Tij.

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mendoni, përse Zoti u drejtohet shërbëtorëve të Tij si “të dobët”, “të pamësuar” dhe “të përbuzur”?

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 35:14–15 duke kërkuar premtimet e Zotit për ata që ndihmojnë në punën e Tij. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni. Ju gjithashtu mund t’i personalizoni këto vargje duke i lexuar përsëri dhe duke vënë emrin tuaj.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përgjigjiuni dy ose të gjitha pyetjeve vijuese:

    1. Si mund ta ndihmojë një person të ri që ndihet i shqetësuar rreth misionit të tij, njohuria se Perëndia i përdor gjërat e dobëta të botës për të kryer veprën e Tij, nëpërmjet fuqisë së Shpirtit të Tij?

    2. Si mund ta ndihmojë kjo njohuri një të re, së cilës iu kërkua të jepte mësim në një klasë dhe u ndie e papërshtatshme?

    3. Si mund të na ndihmojë kjo njohuri të gjithë ne kur ndihemi të nxitur t’i flasim dikujt për ungjillin?

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Presidenti Tomas S. Monson i nxiti ata që mund të ndihen të dobët ose të papërshtatshëm të ndihmojnë në veprën e Zotit: “Disa nga ju mund të jenë të druajtur nga natyra ose ta konsiderojnë veten të papërshtatshëm për t’iu përgjigjur pozitivisht një thirrjeje. Mbani mend që kjo vepër nuk është vetëm juaja dhe imja. Ajo është vepra e Zotit, dhe kur jemi në punën e Zotit, na është dhënë e drejta të kemi ndihmën e Zotit. Kujtoni që Zoti do t’i japë shpinës atë formë që të mund ta mbajë barrën e vendosur mbi të” (“Të Mësojmë, të Bëjmë, të Jemi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 62).

Profeti Jozef Smith do të konsiderohej nga disa si i dobët në arsimin formal dhe në disa aftësi të tjera. Sidni Rigdoni, në krahasim me të, ishte i mirëarsimuar dhe i talentuar në shumë mënyra. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 35:17–19 dhe kërkoni këshillën e Zotit për Sidni Rigdonin lidhur me Profetin Jozef.

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse do të ishte e rëndësishme që një shërbestar i arsimuar si Sidni Rigdoni të kuptonte këshillën te Doktrina e Besëlidhje 35:17–19?

    2. Në ç’mënyrë do të ishte e dobishme që ne ta kujtojmë këtë këshillë lidhur me udhëheqësit e tanishëm të Kishës?

Doktrina e Besëlidhje 35:20–27

Sidni Rigdoni urdhërohet të shkruajë për Jozef Smithin, të predikojë ungjillin dhe të mbajë besëlidhjet e tij

A keni ndonjë thirrje apo detyrë të veçantë në Kishë? Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 35:20–24 dhe kërkoni detyrat e veçanta që Sidni Rigdoni u thirr të kryente.

Zoti e thirri Sidnin të përmbushte rolin e shkruesit ndërsa Profeti Jozef Smith vazhdonte përkthimin e tij të Biblës. Ky përkthim nuk ishte nga një gjuhë në tjetrën. Profeti bëri korrigjime dhe rishikime të frymëzuara të Biblës për një periudhë mbi 14-vjeçare. Ne i quajmë këto rishikime Përkthimi prej Joseph Smith-it. Shumë prej këtyre korrigjimeve mund të gjenden te poshtëshënimet në faqet dhe shtojcën e botimit SHDM të Biblës së Shenjtë. Libri i Moisiut dhe Joseph Smith – Mateu te Perla me Vlerë të Madhe janë gjithashtu pjesë të Përkthimit prej Joseph Smith-it.

Vini re te Doktrina e Besëlidhje 35:23 se Zoti i tha Sidni Rigdonit që përveç të shkruarit për Jozef Smithin, ai gjithashtu duhej të predikonte ungjillin, duke e përdorur njohurinë e tij të shkrimeve të shenjta për të mbështetur fjalët e Profetit.

Te Doktrina e Besëlidhje 35:24, çfarë bekimesh i premtoi Zoti Sidni Rigdonit nëse i mbante besëlidhjet e tij? Një parim që mund ta mësojmë nga ky varg, është që ndërsa i zbatojmë urdhërimet dhe i nderojmë besëlidhjet tona, Zoti do të na ndihmojë të kryejmë veprën e Tij.

  1. Rishikoni tri parimet e përcaktuara në këtë mësim. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përgjigjiuni pyetjeve vijuese:

    1. Si mendoni se mund të lidhen me njëri-tjetrin tri parimet e përcaktuara në këtë mësim?

    2. Kur e keni ndier ose dëshmuar ndihmën e Zotit dhënë juve apo dikujt që njihni ndërsa bënte punën e Zotit?

Për të përfunduar, lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 35:26–27. Nga ajo që keni mësuar sot gjatë studimit tuaj të Doktrinës e Besëlidhjeve 35, përse mendoni se Sidni Rigdoni kishte arsye për t’u gëzuar në zemrën e tij dhe për t’u ngazëllyer? Çfarë arsyesh keni për t’u gëzuar në zemrën tuaj dhe për t’u ngazëllyer?

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e studiova Doktrinën e Besëlidhjet 35 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: