Seminari
Njësia 21: Dita 3, Doktrina e Besëlidhje 101:1–16


Njësia 21: Dita 3

Doktrina e Besëlidhje 101:1–16

Hyrje

Më 16 e 17 dhjetor 1833, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë lidhur me brengat që shenjtorët po përjetonin në Misuri. Kjo zbulesë, e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 101 do të përfshihet në tri mësime. Ky mësim i parë përmban shpjegimin e Zotit se përse Ai i lejoi shenjtorët që të brengoseshin. Ai gjithashtu përfshin fjalët e Tij këshilluese e ngushëlluese për shenjtorët e vuajtur.

Doktrina e Besëlidhje 101:1–8

Zoti shpjegon se përse Ai e lejon popullin e Tij të përjetojë prova

Pamja
harta, Misuri verior

Nga ajo që mësuat gjatë studimit tuaj të Doktrinës e Besëlidhjeve 98, tregoni se cilën nga vështirësitë e mëposhtme përjetuan shenjtorët në kontenë Xhekson të Misurit, në korrik 1833. Ju mund t’i referoheni mësimit të ditës 1, që t’ju ndihmojë për ta kujtuar.

Shtypshkronja e shenjtorëve u shkatërrua.

Dyqani i Sidni Gilbertit u shemb dhe artikujt u vodhën.

Shumë nga shtëpitë dhe të korrat e shenjtorëve u dogjën.

Dy nga shenjtorët, Eduard Partrixhi dhe Çarls Aleni, i lyen me zift dhe iu hodhën pupla në sheshin qendror.

Në korrik të vitit 1833, për shkak të dhunës së [ushtruar nga] turma në kontenë Xhekson të Misurit, udhëheqësit e Kishës ranë dakord që të largoheshin nga konteja. Sidoqoftë, në gusht 1833, Profeti Jozef Smith i këshilloi shenjtorët që të mos shisnin asnjë nga tokat e tyre atje. Udhëheqësit e Kishës i bënë kërkesë qeverisë dhe përdorën kanalet ligjore në dispozicion për t’i mbajtur tokat e tyre në Misuri dhe kërkuan drejtësi për ata që ishin përgjegjës për dhunën. Pasi dëgjuan për këto veprime dhe duke besuar se shenjtorët nuk po planifikonin të largoheshin ashtu siç pritej, kolonët që nuk ishin shenjtorë të ditëve të mëvonshme, i sulmuan përsëri shenjtorët. Në natën e 31 tetorit 1833, një turmë prej 50 kalorësish, sulmuan Koloninë Uitmer, në perëndim të Indipendënsit. Ata hoqën çatitë e 13 shtëpive dhe rrahën me kamxhik disa burra, gati sa nuk i vranë ata. Këto sulme vazhduan për dy netët vijuese në Indipendëns dhe në vende të tjera ku jetonin shenjtorët. Burrat u rrahën dhe gratë e fëmijët u terrorizuan. Më shumë se 1.000 shenjtorë u dëbuan nga shtëpitë e tyre në kontenë Xhekson.

Si mendoni ju, çfarë pyetjesh mund të kenë pasur shenjtorët në Misuri në këtë kohë? A e keni pyetur ndonjëherë veten përse Zoti lejon që gjëra të këqija t’ju ndodhin juve apo njerëzve që ju njihni?

Lexojeni hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 101 për të mësuar se kur u dha kjo zbulesë dhe disa prova të mëtejshme që hasën shenjtorët në Misuri në këtë kohë.

Kur shenjtorët në Misuri po vuanin nga këto prova, Zoti zbuloi të vërteta rreth arsyes përse Ai e lejon popullin e Tij të përjetojë brenga. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 101:1–2, duke kërkuar një arsye se përse Zoti lejoi që shenjtorët në kontenë Xhekson të vuanin përndjekje dhe brenga.

Nga vargu 2 mësojmë se, kur ne i shkelim urdhërimet, Perëndia lejon që ne të vuajmë.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që ta kuptojmë këtë të vërtetë?

Megjithëse shumë shenjtorë në Misuri ishin besnikë dhe të bindur, ata ende vuanin për shkak të përndjekjes. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 101:3–5, duke kërkuar një arsye se përse Zoti lejon që edhe shenjtorët e drejtë të brengosen. Vini re që fjala ndëshkoj do të thotë të disiplinosh ose të korrigjosh, që fjala provoj do të thotë të sprovosh dhe që fjala shenjtëroj do të thotë ta bësh dikë ose diçka të kulluar ose të shenjtë.

Drejtojuni vargut 5 për ta përfunduar thënien vijuese për të vërtetën: Nëse nuk do ta durojmë ndëshkimin, ne nuk mund të jemi .

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se si të qenit të ndëshkuar dhe të provuar na ndihmon që të bëhemi të shenjtëruar: “Përveç nxitjes së pendimit tonë, vetë përvoja e durimit të ndëshkimit mund të na pastrojë e të na përgatitë për privilegje më të mëdha shpirtërore” (“Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 98).

Pamja
Abrahami, Isaku dhe engjëlli

Te Doktrina e Besëlidhje 101:4, Zoti iu referua Abrahamit si një shembull i dikujt që u ndëshkua dhe u provua. Kur Zoti e urdhëroi Abrahamin që ta ofronte birin e tij Isakun si një sakrificë, Abrahami e provoi besnikërinë e tij dhe tregoi se qe i përgatitur për të marrë bekime të mëdha shpirtërore (shih Zanafilla 22:1–18).

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mund t’ju ndihmojë gjatë kohëve tuaja të vështira, të kuptuarit e së vërtetës që jepet mësim te Doktrina e Besëlidhje 101:5?

  2. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 101:6–8 dhe përcaktojini gjërat e veçanta që bënë disa nga shenjtorët në Misuri, të cilat shkaktuan brenga për të gjithë ata. Më pas, përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Sipas vargut 7, cila është pasoja e të qenit të “ngadalshëm për t’iu bindur zërit të Zotit”?

    2. Sipas vargu 8, çfarë fillojnë të bëjnë disa njerëz gjatë kohës së brengave të tyre? Çfarë mendoni se do të thotë të “ndi[esh] afër” Zotit?

Përsiatni një përvojë kur ju u ndiet i ndëshkuar dhe e kërkuat Zotin.

Doktrina e Besëlidhje 101:9–16

Zoti i këshillon dhe i ngushëllon shenjtorët

Teksa e lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 101:9, kërkoni një mesazh shprese që Zoti u dha shenjtorëve që po vuanin në Misuri. Ju mund të doni t’i shenjoni fjalët ose frazat që japin mësim doktrinën vijuese: Edhe kur kemi mëkatuar, Zoti do të ketë mëshirë për ne.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mund t’ju sjellë shpresë të kuptuarit e kësaj doktrine?

Te Doktrina e Besëlidhje 101:10–11 ne mësojmë se edhe pse Zoti lejoi që shenjtorët të përndiqeshin, Ai tha se do t’i ndëshkonte njerëzit që i përndiqnin ata.

Pamja
pamje e turmës

Ndërkohë që i lexoni paragrafët vijues, shenjojini përshkrimet e vuajtjeve që do të kishin qenë veçanërisht të vështira për t’u dëshmuar apo përjetuar nga ana juaj:

Turma në kontenë Xhekson të Misurit vazhdoi t’i mundonte shenjtorët derisa të gjithë anëtarët e Kishës u dëbuan nga konteja. Liman Uajt raportoi: “Unë pashë njëqind e nëntëdhjetë gra dhe fëmijë të çuar dyzet e tetë kilometra përtej stepës, vetëm me tre burra të thyer në moshë në shoqërinë e tyre, në muajin nëntor, [kur] toka ishte e veshur hollë me ngricë; dhe mund t’i ndiqja lehtësisht gjurmët e tyre prej gjakut që rridhte nga këmbët e tyre të çara në cungjet e barit të djegur të stepës!” (në History of the Church, 3:439).

Shumica e shenjtorëve ia mbathën drejt veriut, ku iu desh të kalonin lumin Misuri. Brigjet e lumit pranë tragetit qenë të mbushura me refugjatë nga të dyja anët. Disa njerëz patën mjaft fat që të largoheshin me [disa nga] artikujt e tyre shtëpiakë, por shumë prej tyre humbën gjithçka. Parli P. Prat shkroi: “Në çdo drejtim shiheshin qindra njerëz, disa në tenda dhe disa në qiell të hapur përreth zjarreve të tyre, ndërsa shiu binte rrëke. Burrat po kërkonin bashkëshortet e tyre, gratë po kërkonin bashkëshortët e tyre; prindërit kërkonin fëmijët dhe fëmijët prindërit. … Skena ishte e papërshkrueshme dhe, jam i sigurt, do të kishte prekur zemrën e cilitdo njeriu në tokë, përveç të shtypësve tanë të verbër dhe të një komuniteti të verbuar e të paditur” (Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. [1938], f. 102).

Si mendoni se do të mund të reagonit nëse do të kishit përjetuar brenga të tilla?

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 101:12–16, duke kërkuar premtimet e Zotit për shenjtorët e drejtë. (Mund të jetë e dobishme të dini se te vargu 12, fraza “gjithë Izraeli im” iu referohet atyre që janë të vërtetë ndaj besëlidhjes së ungjillit.)

Ju mund të doni ta shkruani parimin vijues në shkrimet tuaja të shenjta pranë Doktrinës e Besëlidhjeve 101:16: Kur jetojmë me drejtësi, ne mund të gjejmë ngushëllim në njohurinë se të gjithë njerëzit janë në duart e Zotit.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjjuni pyetjeve vijuese bazuar në vetë përvojën tuaj ose ju mund të diskutoni për këto pyetje me një pjesëtar të familjes apo shok dhe të shkruani atë që mësuat nga biseda:

    1. Te Doktrina e Besëlidhje 101:16, çfarë kuptimi mendoni se ka urdhri “rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi”?

    2. Kur jeni ndier i bekuar me paqe gjatë një kohe të vështirë?

    3. Në ç’mënyrë të qenit i qetë ose i heshtur mund t’ju ndihmojë të merrni ngushëllim nga Zoti?

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 101:1–16 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: