Seminari
Njësia 15: Dita 2, Doktrina e Besëlidhje 67


Njësia 15: Dita 2

Doktrina e Besëlidhje 67

Hyrje

Në nëntor të vitit 1831, një grup pleqsh u mblodh në Hajrëm të Ohajos për një konferencë të veçantë. Një çështje e diskutimit në konferencë ishte botimi i zbulesave që kishte marrë Profeti Jozef Smith. Gjatë kësaj mbledhjeje, Zoti i dha një zbulesë Jozef Smithit dhe e caktoi atë si parathënie për librin e zbulesave që do të botohej. Kjo zbulesë tani është seksioni i parë i Doktrinës e Besëlidhjeve. Më vonë në konferencë, Zoti dha një zbulesë që tani shënohet te Doktrina e Besëlidhje 67. Në atë zbulesë Zoti u foli vëllezërve, të cilët kishin pyetje rreth gjuhës së zbulesave që Ai ia kishte dhënë Profetit.

Doktrina e Besëlidhje 67:1–3

Shpëtimtari i njeh mendjet dhe zemrat e njerëzve

A e keni pyetur ndonjëherë veten përse disa njerëz marrin një dëshmi të parimeve të ungjillit dhe të tjerët jo?

Në nëntor të vitit 1831, një grup pleqsh, përfshirë Profetin Jozef Smith, u mblodh për të diskutuar zbulesat që kishte marrë Profeti. Disa nga pleqtë kishin marrë dëshmi se zbulesat ishin të vërteta. Megjithatë, të tjerët mund të kenë qenë ende duke shpresuar që ta merrnin një dëshmi të tillë.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 67:1–2 duke kërkuar atë që tha Zoti për lutjen.

Nga ajo që mësoni te vargjet 1–2, plotësoni hapësirat bosh në parimin vijues: Zoti i dëgjon dhe e di .

Pamja
një grua duke u lutur
  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Në ç’mënyrë të diturit e këtij parimi mund t’ju ndihmojë që të përmirësoni lutjet tuaja? Më pas shkruani rreth një përvoje që ju ka ndihmuar ju apo dikë që e njihni, për të marrë një pohim shpirtëror të të vërtetave të ungjillit.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 67:3 duke kërkuar përse disa pleq nuk e morën bekimin që Zoti u kishte ofruar atyre. Ju mund të doni të shenjoni frazat që ju bëjnë përshtypje.

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Në ç’mënyrë lejimi i frikës në zemrën tuaj mund ta pengojë marrjen e bekimeve? Pastaj bëni një listë të llojeve të frikës që mund t’i ndalojnë njerëzit nga marrja e bekimeve.

Përsiatni mbi fuqinë që ka Zoti për të na ndihmuar ta zëvendësojmë frikën me besim. Në ç’mënyrë kjo njohuri mund ta ndihmojë dikë të vazhdojë të zhvillojë një dëshmi?

Doktrina e Besëlidhje 67:4–9

Zoti i sfidon ata që kritikojnë zbulesat e Tij

A e keni pyetur ndonjëherë veten përse ne duhet t’i ndjekim udhëheqësit e Kishës, edhe pse ata janë të papërsosur?

Lexoni hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjes 67 dhe vargun 5, duke kërkuar sjelljet e ndryshme që kishin disa pleq përkundrejt zbulesave. (Kujtoni se përmbledhja e parë e zbulesave të Profetit Jozef Smith u titullua Libri i Urdhërimeve. Më vonë, titulli u ndryshua në Doktrina e Besëlidhje.) Në hyrjen e seksionit vini re se “shumë prej vëllezërve dhanë dëshmi solemne” për të vërtetën e zbulesave. Megjithatë, “pati disa biseda kundërshtuese lidhur me gjuhën e përdorur në zbulesat”. Sipas vargut 5, disa pleq menduan se mund të “shprehe[shin] përtej gjuhës së [Jozef Smithit]”. Për shkak të krenarisë në vetë intelektin e tyre, ata mendonin se ishin më të kualifikuar për të shkruar zbulesa sesa profeti i vajosur i Zotit (shih 2 Nefi 9:28–29).

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 67:4 dhe gjithashtu lexoni vargun 5. Kërkoni mënyrën se si Zoti iu përgjigj shqetësimeve të pleqve rreth gjuhës së zbulesave.

Si mendoni, përse ishte e rëndësishme që pleqtë të kuptonin se Zoti e dinte që Ai po punonte nëpërmjet shërbëtorëve të papërsosur?

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 67:6–9 duke kërkuar sfidën që Zoti u dha atyre që ishin të shqetësuar rreth gjuhës së zbulesave.

Uilliam Mek-Lelini vendosi ta pranonte sfidën e Zotit për të shkruar një zbulesë të krahasueshme me ato që kishte marrë Profeti Jozef Smith. Jozef Smithi shënoi sa vijon në historinë e tij: Uilliam E. Mek-Lelini, si një nga burrat më të mençur, sipas vetëvlerësimit të tij, duke pasur më shumë shkollim se ndjenja, u orvat të shkruante një urdhërim të ngjashëm me një nga urdhërimet më të vogla të Zotit, por dështoi; ishte përgjegjësi e tmerrshme të shkruaje në emër të Zotit. Pleqtë dhe të gjithë të pranishmit që dëshmuan në këtë përpjekje të kotë të një njeriu për të imituar gjuhën e Jezu Krishtit, e përtërinë besimin e tyre në plotësinë e Ungjillit dhe në vërtetësinë e urdhërimeve dhe zbulesave që Zoti ia kishte dhënë Kishës nëpërmjet shërbimit tim; dhe Pleqtë treguan gatishmëri për t’i dëshmuar gjithë botës për të vërtetën e tyre” (në History of the Church, 1:226).

Pas kësaj ngjarjeje, të gjithë pleqtë që ishin të pranishëm ranë dakord të nënshkruanin një dokument duke dhënë dëshmi zyrtare për vërtetësinë e zbulesave të përmbajtura në Librin e Urdhërimeve.

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni, përse Jozef Smithi, i cili kishte shkollim të kufizuar formal, mund t’i shkruante këto zbulesa, por Uilliam E. Mek-Lelini, i cili ishte i mirëarsimuar, nuk mund t’i shkruante ato?

    2. Çfarë mund të mësoni nga ky rrëfim rreth gjykimit të udhëheqësve tanë për shkak të papërsosmërive të tyre?

Përsiatni zotimin tuaj për t’i ndjekur udhëheqësit tuaj me drejtësi, pavarësisht nga papërsosmëritë që ju apo të tjerët mund të shihni tek ata.

Doktrina e Besëlidhje 67:10–14

Zoti i këshillon ndjekësit e Tij se si të përgatiten për të qëndruar në praninë e Perëndisë

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta vizatoni një tabelë me dy kolona. Emërtojeni kolonën e parë Shpërblimi dhe kolonën e dytë Si të Marrim Shpërblimin. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 67:10–14 duke kërkuar shpërblimin që Shpëtimtari u premtoi këtyre vëllezërve dhe veprimet e nevojshme që duhet të bënin ata për ta marrë atë shpërblim. Shkruajini përgjigjet tuaja në kolonat e duhura.

Sipas këtyre vargjeve, çfarë duhej të bënin këta vëllezër për të qëndruar në prani të Perëndisë? (Fjala qëndroj do të thotë të durosh ose të rrish në një vend të caktuar.) Nëse do ta zhvishnin veten e tyre nga xhelozitë e frika dhe do ta përulnin veten e tyre, ata do të ishin në gjendje të qëndronin në prani të Perëndisë.

Siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje 67:13, këta vëllezër u nxitën të “vazhdoni[n] me durim” derisa të përsoseshin. Lexoni rrëfimin e mëposhtëm, të treguar nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, që na mëson për rëndësinë e durimit në procesin e të bërit i përsosur:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Në vitet 1960 një profesor i Universitetit të Stanfordit filloi një eksperiment të thjeshtë për të provuar forcën e vullnetit të fëmijëve katërvjeçarë. Ai vendosi para tyre një bonbone të madhe dhe u tha se mund ta hanin menjëherë ose, nëse do të prisnin për rreth 15 minuta, ata do të mund të merrnin dy bonbone.

Pastaj ai i la vetëm fëmijët dhe vështroi se çfarë ndodhi nga mbrapa një pasqyre gjysmë të tejdukshme. Disa nga fëmijët e hëngrën menjëherë bonbonen; disa mundën të prisnin vetëm disa minuta përpara se t’i jepeshin tundimit. Vetëm 30 përqind qenë të aftë të prisnin” (“Vazhdoni në Durim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 56).

Si mendoni, në ç’mënyrë ky eksperiment i këtij profesori dhe gjetjet e tij mund të gjejnë zbatim për rininë sot?

Presidenti Uhtdorf më pas foli rreth gjetjeve të eksperimentit me bonbonen:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Por, ndërsa koha kalonte, [profesori] mbajti kontakt me fëmijët dhe filloi të vinte re një lidhje reciproke interesante: fëmijët që nuk mundën të prisnin, patën vështirësi më vonë në jetë dhe patën më tepër probleme sjelljeje, ndërsa ata që pritën, prireshin të ishin më pozitivë dhe të motivuar më mirë, kishin nota e të ardhura më të larta dhe kishin marrëdhënie më të shëndetshme.

Çka filloi si një eksperiment i thjeshtë me fëmijë dhe bonbone, u bë një studim domethënës që sugjeroi se aftësia për të pritur – për të qenë të duruar – ishte një tipar kyç i karakterit, që mund të parashikonte sukses të mëvonshëm në jetë. …

Pritja mund të jetë e vështirë. Fëmijët e dinë këtë dhe po kështu të rriturit. Ne jetojmë në një botë që ofron vakte të shpejta, mesazhe elektronike të çastit, filma sipas kërkesës dhe përgjigje të menjëhershme për pyetjet më të parëndësishme apo më të thella. Neve nuk na pëlqen të presim. …

Durimi – aftësia për t’i lënë në pritje dëshirat tona për një farë kohe – është një virtyt i çmuar dhe i rrallë. Ne duam atë që duam dhe e duam tani. Prandaj, vetë ideja e durimit mund të duket e pakëndshme dhe nganjëherë e papëlqyeshme.

Megjithëkëtë, pa durim, ne nuk mund ta kënaqim Perëndinë; ne nuk mund të përsosemi. Vërtet, durimi është një proces pastrimi që përpunon mirëkuptimin, thellon lumturinë, përqendron veprimin dhe ofron shpresë për paqe” (“Vazhdoni me Durim”, f. 56).

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mendoni, përse durimi është i rëndësishëm në përpjekjet tuaja për të qenë të denjë dhe për të qëndruar në praninë e Zotit? Gjithashtu, gjeni pak minuta kohë për të përsiatur rreth aspekteve të jetës suaj, në të cilat mund t’ju nevojitet të keni më shumë durim me veten tuaj ose të tjerët. Nëse ndiheni rehat për ta bërë këtë, shënoni një synim që përfshin të qenit më i duruar në përpjekjet tuaja për t’u bërë të dëlirë përpara Perëndisë.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e studiova Doktrinën e Besëlidhjet 67 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: