Seminari
Njësia 30: Dita 4, Pionierët me Karroca Dore, 1856–1860


Njësia 30: Dita 4

Pionierët me Karroca Dore, 1856–1860

Hyrje

Shenjtorët që mbërritën në luginën e Solt-Lejkut në vitin 1847, iu futën punës për të zhvilluar burime bujqësore dhe të tjera për emigrantët e ardhshëm. Në shtator 1851, Presidenti Brigam Jang dhe këshilltarët e tij në Presidencën e Parë përsëritën thirrjen që të gjithë shenjtorët që jetonin në Ajoua dhe përreth botës të mblidheshin në luginën e Solt-Lejkut. Shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme iu përgjigjën me shumë sakrifica thirrjes së Presidentit Jang. Anëtarë nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve u dërguan për të mbikëqyrur emigrimin dhe në vitin 1852, në shtegun për në luginën e Solt-Lejkut, udhëtuan më shumë shenjtorë se në çdo vit tjetër. Përveç kësaj, shumë shenjtorë udhëtuan për në luginën e Solt-Lejkut me kompani të karrocave të dorës midis viteve 1856 dhe 1860.

Shenjtorët i Binden Këshillës për t’u Mbledhur në Luginën e Solt-Lejkut

Përfytyroni sikur t’ju kërkohet të udhëtoni rreth 2.090 kilometra në këmbë ndërsa tërhiqni një karrocë dhe se iu lejohet të sillni vetëm 7,7 kilogramë të gjërave vetjake. Do të dilnit vullnetar për këtë udhëtim?

Midis viteve 1856 dhe 1860, pothuaj 3.000 shenjtorë zgjodhën që të udhëtonin për në perëndim përgjatë rrafshinave të Shteteve të Bashkuara për në Juta, duke i tërhequr sendet e tyre vetjake në karroca dore. Shumica e kompanive të karrocave të dorës ngarkuan pajisje, sende vetjake dhe pak ushqime në karrocat e dorës dhe ecën nga qyteti i Ajouas në Ajoa deri në Solt-Lejk-Siti të Jutës. Tre kompanitë e fundit e filluan udhëtimin e tyre në Firence të Nebraskës.

Nëse është e mundur, mblidhni disa artikuj në shtëpinë tuaj që mendoni se do t’i kishit marrë me vete nëse do të kishit qenë një nga pionierët me karrocë dore. Peshojini artikujt në një peshore për të pasur një ide se sa shumë mund të merrni me një kufi peshe prej 7,7 kilogramësh.

Pamja
pionierë me karroca dore

Teksa e studioni këtë mësim, përsiatni pyetjen vijuese: Si mendoni ju, përse shenjtorët qenë të gatshëm të sakrifikonin kaq shumë për të shkuar në Juta?

Shumica e anëtarëve të Kishës, përfshirë ata që jetonin jashtë Shteteve të Bashkuara, donin të mblidheshin me shenjtorët në Juta. Megjithatë, shumë prej tyre nuk kishin mjaft para ose pajisje për të shkuar atje. Për këtë arsye, në vitin 1849 Presidenti Brigam Jang themeloi Fondin e Qarkullueshëm të Emigrimit. Fondi iu dha emigrantëve një hua që t’i ndihmonte ata të paguanin udhëtimin dhe pajisjet. Për shkak të një morie problemesh financiare, fondi u zbraz në vitin 1855 dhe Presidenti Jang ishte i shqetësuar se nuk do të ishte i mjaftueshëm për t’i ndihmuar shenjtorët që donin të emigronin në vitin 1856. Ai propozoi që emigrantët të cilët kishin nevojë për ndihmë nga fondi, duhej të udhëtonin duke përdorur karroca dore në vend të qerreve. Karrocat e dorës ishin shumë herë më të lira dhe do t’u lejonin më shumë shenjtorëve të emigronin.

Pamja
hartë, Shtetet e Bashkuara

Megjithëse udhëtimi ishte i vështirë, 8 nga 10 kompanitë e karrocave të dorës midis viteve 1856 dhe 1860 e përfunduan udhëtimin me sukses, me një shkallë vdekshmërie rreth 3 përqind, e cila është e krahasueshme me atë të një kompanie tipike me qerre. Por në vitin 1856, kompania e katërt dhe e pestë e karrocave të dorës u nisën nga fundi i stinës dhe përjetuan sprova të mëdha. Ato ishin kompania e karrocave të dorës Uilli, e udhëhequr nga Xhejms G. Uilli dhe kompania e karrocave të dorës Martin, e udhëhequr nga Eduard Martin. Pasi udhëtuan pothuaj 1.600 kilometra në perëndim të Ajouas, kompanitë kishin shumë pak ushqime dhe pajisje. Të dyja kompanitë u zunë në stuhi të ashpra dimri që e penguan përparimin e tyre. Këta shenjtorë vuajtën tmerrësisht nga i ftohti dhe bora tejmase e madhe.

Më 19 tetor 1856, anëtarët e kompanisë së karrocave të dorës Martin duhej të kalonin një lumë të gjerë gjatë një stuhie dimri. Shumë anëtarë të kompanisë, përfshirë Aaron Xheksonin, ishin të pafuqishëm e të sëmurë, dhe kapërcimi i lumit pati një ndikim për keq tek ata. Elisabet Xheksoni përshkroi atë që i ndodhi bashkëshortit të saj disa ditë më vonë:

“U shtriva rreth orës nëntë. … Fjeta deri, ashtu siç m’u duk mua, në mesnatë. Kisha shumë ftohtë. Moti qe i acartë. Mbajta vesh për të dëgjuar frymëmarrjen e bashkëshortit tim – dukej kaq i qetë. Nuk ia ndjeja frymëmarrjen. U alarmova. E vendosa dorën mbi trupin e tij, kur për tmerrin tim zbulova se u vërtetua frika ime më e keqe. Bashkëshorti im kishte vdekur. … U thirra për ndihmë banorëve të tjerë të çadrës. Ata nuk mund të më jepnin asnjë ndihmë. … Kur agoi, disa nga burrat që ishin pjesë e kompanisë e përgatitën trupin për varrosje. … Ata e mbështollën atë me një batanije dhe e vendosën në një pirg me trembëdhjetë të tjerë që kishin vdekur, dhe pastaj e mbuluan me dëborë. Dheu kishte ngrirë kaq shumë aq sa nuk mund të hapnin një varr” (Leaves from the Life of Elizabeth Horrocks Jackson Kingsford [1908], f. 6–7; shih edhe history.lds.org).

Pamja
pionierë me karroca dore
  1. Nëse do t’i kishit shkruar një letër Elisabeta Xheksonit që ta lexonte gjatë kësaj kohe të vështirë, çfarë do t’i kishit thënë për ta nxitur atë të mos dorëzohej? Shkruajini një letër të shkurtër Elisabetës në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë.

Kërkoni prova të besimit të Elisabetës në pjesën e mbetur të rrëfimit të saj:

“Ai u la atje për të fjetur në paqe derisa boria e Zotit do të bjerë dhe të vdekurit në Krisht do të zgjohen e do të ngrihen në mëngjesin e ringjalljes së parë. Atëherë ne do ta bashkojmë sërish zemrën dhe jetën tonë dhe përjetësia do të na japë përherë e më shumë jetë.

Nuk do të përpiqem t’i përshkruaj ndjenjat e mia kur e pashë veten si një e ve me tre fëmijë, në rrethana kaq torturuese. Nuk mund ta bëj. Por besoj se Engjëlli Shënues i ka skalitur në arkivat lart, dhe se vuajtjet e mia për hir të Ungjillit do të shenjtërohen për të mirën time” (Leaves, f. 7; shih edhe history.lds.org).

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Nga rrëfimi i Elisabetës, cili është një qëllim i vuajtjes dhe sakrificës sonë për hir të ungjillit?

    2. Fraza “shenjtërohet për të mirën time” do të thotë se vuajtja e Elisabetës do të bëhej e shenjtë dhe e shenjtëruar për dobinë e saj. Edhe pse mund të mos vuani si ajo, në çfarë mënyrash mund të vuani ju për hir të ungjillit? Si mund të bekoheni ju nëpërmjet këtyre përvojave?

Përgjatë dy ditëve vijuese pasi Aaron Xheksoni vdiq, kompania Martin shkoi përpara rreth 16 kilometra. Shumë njerëz vdiqën gjatë kësaj kohe. Një natë, gjatë kësaj pjese të udhëtimit, asnjë njeri nuk kishte forcë të mjaftueshme për t’i ngritur çadrat. Elisabet Xheksoni u ul mbi një gur me një nga fëmijët në prehrin e saj dhe me nga një fëmijë në secilën anë të saj. Ajo mbeti në atë pozicion deri në mëngjes. Elisabeta u shkurajua. Pastaj, në natën e 27 tetorit, ajo pati një përvojë që i dha shpresë për shpëtim:

“Mund të jetë e kuptueshme që në rrethana të tilla të pafavorshme, unë isha bërë e dëshpëruar. Isha larg 9.656 deri në 11.265 kilometra larg vendlindjes sime, në një vend malor të egër e shkëmbor, në një gjendje të pashpresë, terreni i mbuluar me dëborë, uji i mbuluar nga akulli dhe unë, me tre fëmijë jetimë, me pothuaj asgjë për t’i mbrojtur nga stuhitë e pamëshirshme. Kur shkova në shtrat atë natë, duke qenë data 27 tetor, pata një zbulesë mahnitëse. Në ëndërr, bashkëshorti më qëndroi pranë dhe tha – ‘Gëzohu, Elisabet, çlirimi është afër’” (Leaves, f. 8; shih edhe history.lds.org).

Ëndrra e Elisabetës u përmbush. Shpëtuesit e parë nga Solt-Lejk-Siti e arritën kompaninë e karrocave të dorës Martin ditën vijuese.

Më 4 tetor 1856, javë përpara se stuhitë e dimrit të godisnin kompanitë e karrocave të dorës, udhëtarët i raportuan Presidentit Brigam Jang se kompanitë e pionierëve ishin ende në rrafshina dhe mijëra kilometra larg. Të nesërmen, në shërbesën e së dielës, Brigam Jangu foli për shpëtimin e këtyre pionierëve të karrocave të dorës:

Pamja
Presidenti Brigam Jang

“Shumë prej vëllezërve dhe motrave tona janë në rrafshina me karroca dore dhe ndoshta shumë prej tyre tani janë rreth 1.100 kilometra larg nga ky vend, dhe ata duhet të sillen këtu, ne duhet t’u dërgojmë ndihmë atyre. …

Kjo është feja ime; ky është urdhri i Frymës së Shenjtë që unë zotëroj, që t’i shpëtoj njerëzit. … Ky është shpëtimi që po kërkoj tani, të shpëtojmë vëllezërit tanë që tani kanë gjasa të vdesin ose të vuajnë tmerrësisht, nëse nuk u dërgojmë ndihmë.

Unë do të thërras Peshkopët këtë ditë, nuk do të pres deri nesër, as deri pasnesër, për 60 grupe me mushka të mira dhe 12 ose 15 qerre … [si edhe] 12 ton miell dhe 40 karrocierë të aftë, përveç atyre që tërheqin qerret. …

Unë do t’ju them të gjithëve ju se besimi, feja dhe shprehja e fesë suaj, nuk do të shpëtojnë asnjë shpirt prej jush në mbretërinë çelestiale të Perëndisë sonë, nëse nuk zbatoni parime të tilla të drejta si ato që po ju mësoj tani. Shkoni dhe sillini ata njerëz tani nga rrafshinat” (“Remarks”, Deseret News, 15 tetor 1856, f. 252).

Cili është një parim që Presidenti Brigam Jang u mësoi shenjtorëve?

Shumë burra e gra iu përgjigjën ftesës së profetit për t’i ndihmuar shenjtorët e përvuajtur. Brenda dy ditësh nga fjalimi i Presidentit Jang, burrat u nisën për të gjetur emigrantët, duke ngarë qerret e ngarkuara me furnizime.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Në ç’mënyrë një përpjekje e tillë shpëtuese mund të ketë qenë një sakrificë për shenjtorët në luginën e Solt-Lejkut?

    2. Cilat janë disa nga sakrificat që mund të bëjmë ne për t’i ndihmuar ata me nevoja fizike?

    3. Cilat janë disa nga sakrificat që mund të bëjmë ne për t’i ndihmuar ata me nevoja shpirtërore?

Më 21 tetor 1856, qerret e para të shpëtimit arritën kompaninë e karrocave të dorës Uilli. Disa nga këto qerre qëndruan atje, por shumica e tyre vazhdoi udhën për të ndihmuar kompaninë e karrocave të dorës Martin. Më 23 tetor, kompania Uilli udhëtoi rreth 24 kilometra përmes kushteve me stuhi dëbore. 5 kilometrat e parë përfshinë ngjitjen e një kodre 180 metra të lartë, të quajtur Kreshta Shkëmbore.

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, përshkroi trimërinë e fëmijëve të vegjël pionierë në kompaninë Uilli:

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Trembëdhjetë anëtarë të kompanisë Uilli që vdiqën nga i ftohti, rraskapitja dhe zia e bukës janë varrosur në një varr të përbashkët në zgavrën e Përroit Shkëmbor. … Dy nga ata që u varrosën në zgavrën e Përroit Shkëmbor qenë fëmijë heronj në një moshë të vogël: Bodil [Mortensen], mosha [njëmbëdhjetë vjeçe] nga Danimarka dhe Xhejms Kirkud, mosha njëmbëdhjetë vjeç, nga Skocia.

Bodili me sa duket ishte caktuar që të kujdesej për disa fëmijë të vegjël ndërsa kalonin Kreshtën Shkëmbore. Kur ata mbërritën në kamp, ajo duhej të ishte dërguar për të mbledhur dru zjarri. Ajo u gjend e ngrirë deri në vdekje duke u mbështetur tek rrota e një karroce dore, teksa kapej te një bimë sherebele.

Më lejoni t’ju tregoj për Xhejms Kirkudin. Xhejmsi ishte nga Glasgou i Skocisë. Në udhëtimin për në perëndim, Xhejmsi u shoqërua nga nëna e tij e ve dhe tre vëllezër, njëri prej të cilëve, Tomasi, ishte nëntëmbëdhjetë vjeç dhe ulok, dhe i duhej të udhëtonte brenda një karroce dore. Përgjegjësia kryesore e Xhejmsit gjatë udhëtimit ishte që të kujdesej për vëllain e tij të vogël katërvjeçar, Jozefin, ndërsa nëna e tij dhe vëllai më i madh, Roberti, tërhiqnin karrocën. Kur iu ngjitën Kreshtës Shkëmbore, po binte dëborë dhe frynte një erë e ftohtë e acartë. Të gjithë kompanisë iu desh [njëzet] orë që të bënte 24 kilometra. Kur Jozefi i vogël u bë tepër i pafuqishëm për të ecur, Xhejmsi, vëllai më i madh, nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse ta mbante atë në krahë. Të lënë prapa nga grupi kryesor, Xhejmsi dhe Jozefi çanë rrugën me ngadalë deri te kampi. Kur të dy mbërritën më në fund pranë zjarrit, Xhejmsi ‘duke e zbatuar me kaq besnikëri detyrën e tij, u rrëzua dhe vdiq nga qëndrimi në të ftohtë dhe stërlodhja’” (“A Priceless Heritage”, Ensign, nëntor 1992, f. 84–85).

Presidenti Tomas S. Monson shpjegoi mënyrën se si mund ta jetojmë parimin e të ndihmuarit të njerëzve në nevojë në kohën tonë. Ndërsa e lexoni atë që ai dha mësim, kërkoni mënyra të tjera se si mund t’i ndihmojmë të tjerët sot.

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Gjatë viteve të mia si Autoritet i Përgjithshëm, kam theksuar nevojën për t’i ‘shpëtuar’ vëllezërit dhe motrat tona nga shumë situata të ndryshme, të cilat mund t’u heqin atyre të gjitha bekimet që mund të japë ungjilli. Qëkurse jam bërë President i Kishës, kam ndier një ngut të madh që ne të përfshihemi në këtë përpjekje shpëtuese. Kur anëtarët besnikë të Kishës e kanë shtrirë dorën e tyre me dashuri dhe kuptueshmëri, shumë njerëz janë kthyer në aktivizim të plotë dhe po gëzojnë bekime të shtuara në jetën e tyre. Ka ende shumë për të bërë për sa i takon kësaj, dhe unë ju nxit të gjithëve ta shtrini dorën për të shpëtuar. Zoti tha: ‘Kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu’ (Lluka 22:32)” (“Reach Out to Rescue”; LDS.org).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani për një rast kur ju e patë dikë t’i ndihmonte njerëzit me nevoja shpirtërore ose fizike. Si ndihmoi ai person? Në çfarë mënyrash e bekoi shërbimi si personin edhe ata të cilëve ai u shërbeu?

Gjeni një çast për të shqyrtuar se kush përreth jush mund të ketë nevojë për ndihmë shpirtërore ose fizike. Si mund t’i ndihmoni ata?

Rrëfimi vijues mund t’ju ndihmojë të përcaktoni disa nga bekimet që morën këta shenjtorë, për shkak se i duruan vuajtjet e tyre me besnikëri:

Pamja
pionierë dhe engjëj në dëborë

Në vitin 1856, Frensis dhe Betsi Uebsteri kishin para të mjaftueshme që të udhëtonin për në Juta me qerre, por ata ia dhuruan paratë e tyre Fondit të Qarkullueshëm të Emigrimit. Dhurimi i tyre u lejoi nëntë individëve të tjerë të udhëtonin me karrocë dore. Vëllai dhe motra Uebster, që po prisnin një fëmijë, udhëtuan për në Solt-Lejk-Siti me kompaninë e karrocave të dorës Martin dhe vuajtën së bashku me pjesën tjetër të kompanisë.

Vite më vonë, ndërsa Vëllai Uebster u ul në klasën e Shkollës të së Dielës, ai i dëgjoi disa anëtarë të Kishës t’i kritikonin udhëheqësit e Kishës për tragjedinë e karrocave të dorës. Në pamundësi për ta përmbajtur veten, ai u ngrit dhe dëshmoi për bekimet e të qenit pjesë e kompanisë së karrocave të dorës Martin:

“Ju kërkoj ta ndalni këtë kritikë sepse po diskutoni për një çështje për të cilën nuk dini asgjë. Faktet e ftohta historike nuk zënë vend këtu sepse ato nuk japin shpjegimin e duhur për pyetjet në fjalë. A ishte gabim që kompanitë e karrocave të dorës u nisën në fund të stinës? Po. Por unë isha në atë kompani dhe gruaja ime qe në të. … Ne vuajtëm përtej gjithçkaje që ju mund të përfytyroni dhe shumë njerëz vdiqën nga ekspozimi ndaj të ftohtit e uria. Por a keni dëgjuar ndonjëherë një të shpëtuar nga ajo kompani që të shqiptojë ndonjë fjalë kritikuese? … Secili prej nesh arriti në dijen absolute se Perëndia jeton, sepse ne u njohëm me të në gjendjen tonë më të dëshpëruar [nevojave më të mëdha].

E kam tërhequr karrocën time të dorës kur isha aq i pafuqishëm dhe i këputur nga sëmundja dhe mungesa e ushqimit, saqë me zor mund ta hidhja njërën këmbë përpara tjetrës. Kam hedhur vështrimin përpara dhe kam parë një ranishte ose një shpat kodre dhe kam thënë se mund të shkoja vetëm deri atje, dhe atje duhet të dorëzohesha sepse nuk mund ta tërhiqja ngarkesën matanë saj. Kam shkuar deri tek ajo ranishte dhe, kur mbërrita atje, karroca filloi të më shtyjë mua. Kam vështruar pas shumë herë për të parë se kush po e shtynte karrocën time, por sytë e mi nuk panë askënd. Unë e dija atëherë se engjëjt e Perëndisë qenë atje.

A më erdhi keq se zgjodha të vija me karrocë dore? Jo. As atëherë, as edhe një minutë të jetës sime që atëherë. Çmimi që paguam për t’u njohur me Perëndinë, ishte privilegj që ta paguanim dhe unë jam mirënjohës që pata privilegjin të vija në Sion me Kompaninë e Karrocave të Dorës Martin” (në William R. Palmer, “Pioneers of Southern Utah”, The Instructor, maj 1944, f. 217–218).

Një parim që mund të mësojmë nga dëshmia e Frensis Uebsterit është që nëse i durojmë me besnikëri vuajtjet, ne mund të njihemi me Perëndinë.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Çfarë lloj qëndrimesh apo sjelljesh keni parë tek ata që e kanë duruar vuajtjen me besnikëri?

    2. Në çfarë mënyrash jeni njohur me Perëndinë nëpërmjet sprovave që keni hasur?

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    Unë e kam studiuar mësimin “Pionierët me Karroca Dore, 1856–1860” dhe e përfundova më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: