Seminari
Njësia 19: Dita 2, Doktrina e Besëlidhje 88:41–69


Njësia 19: Dita 2

Doktrina e Besëlidhje 88:41–69

Hyrje

Ky është mësimi i dytë i tre mësimeve që shqyrtojnë zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 88. Pjesa e zbulesës së diskutuar në këtë mësim u dha në një konferencë të priftërinjve të lartë në Kirtland të Ohajos, më 27 e 28 dhjetor të vitit 1832. Ajo përfshin shpjegimin e Jezu Krishtit lidhur me mënyrën se si Perëndia i qeveris krijesat e Tij dhe një ftesë për ne që të afrohemi pranë Tij.

Doktrina e Besëlidhje 88:41–50

Shpëtimtari zbulon se të gjitha gjërat qeverisen nëpërmjet ligjit hyjnor

Pamja
yjet

A i keni parë ndonjëherë yjet dhe menduat rreth Perëndisë dhe krijimeve të Tij? Çfarë pyetjesh ose mendimesh keni përsiatur kur ia ngulët sytë qiellit?

Kur njerëzit sjellin ndërmend pafundësinë e krijimeve të Perëndisë, ata nganjëherë ndihen të vegjël dhe të parëndësishëm. Ata mund të pyesin veten nëse Perëndia është i vetëdijshëm për ta. Shumë prej vargjeve që do t’i studioni sot te Doktrina e Besëlidhje 88 tregojnë se Perëndia është i vetëdijshëm për ju dhe se dëshiron për t’u afruar pranë jush.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:41. Mendoni se si ky varg tregon që Perëndia e ka fuqinë që të jetë i vetëdijshëm për ju dhe nevojat tuaja. Më pas lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:42–45 dhe përcaktoni se si Perëndia i qeveris krijesat e Tij, përfshirë diellin, hënën, yjet dhe planetët. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

  1. Mendoni rreth disa prej krijimeve të Perëndisë në qiej e në tokë. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth njërit prej krijimeve të Perëndisë që ju mahnit. Çfarë ju mëson ai krijim rreth Krijuesit?

  2. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:46–47, duke kërkuar atë çfarë Zoti tha se shohim kur i vështrojmë krijimet e Perëndisë. Më pas, përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë shohim kur e vështrojmë edhe më të voglën e krijimeve të Perëndisë?

    2. Si ndihmojnë për ta rritur dëshminë tuaj për Perëndinë, krijimet që i shihni në qiejt dhe mbi tokë?

  3. Studiojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:48–50. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përmblidhini këto vargje me fjalët tuaja. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth Jezu Krishtit?

Doktrina e Besëlidhje 88:51–61

Zoti jep një shëmbëlltyrë të burrave duke punuar në fushë dhe që u vizituan me radhë

Doktrina e Besëlidhje 88:51–60 përmban një shëmbëlltyrë që na ndihmon t’i kuptojmë ndërveprimet e Perëndisë me mbretëritë që Ai i ka krijuar. Një shëmbëlltyrë është një histori që përdor simbole për ta dhënë mësim të vërtetën.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:51–55, duke kërkuar atë që burri në shëmbëlltyrë e urdhëroi secilin prej shërbëtorëve të tij të bënte dhe atë që ai i premtoi secilit prej shërbëtorëve të tij.

Te Doktrina e Besëlidhje 88:56–60, ne lexojmë se zoti i fushës e vizitoi secilin prej shërbëtorëve të tij kur ishte radha e tyre: “Ata të gjithë morën dritën e fytyrës së zotit të tyre, çdonjëri në orën e tij” (DeB 88:58).

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:61, duke kërkuar atë që kjo shëmbëlltyrë na mëson rreth mënyrës se si Perëndia ndërvepron me mbretëritë që Ai ka krijuar.

Toka ku banojmë, është një nga mbretëritë që Zoti ka premtuar ta vizitojë. Një e vërtetë që mund ta mësojmë nga kjo shëmbëlltyrë është që Zoti do ta vizitojë secilën prej mbretërive të Tij dhe banorët e tyre në kohën e Tij. Ju mund të doni ta shkruani këtë të vërtetë në shkrimet tuaja të shenjta.

Pamja
Jezu Krishti

Ne do të gëzojmë praninë e Zotit në tokë gjatë Mijëvjeçarit, pas Ardhjes së Tij të Dytë.

Doktrina e Besëlidhje 88:62–69

Perëndia premton të afrohet pranë nesh kur ne i afrohemi pranë Atij

Përsiatni pyetjet vijuese: Sa pranë Zotit ndiheni ju? A do të donit të ndiheshit më pranë Tij?

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:62–63, duke kërkuar gjëra që mund të bëjmë për ta ftuar Zotin që të afrohet pranë nesh. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

  1. Bëni sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Shkruani një parim që mësoni nga Doktrina e Besëlidhje 88:63 rreth afrimit pranë Zotit.

    2. Shkruani tri fjalë veprimi nga vargu 63 që ju japin ide rreth mënyrës se si mund të afroheni më pranë Zotit.

    3. Përgjigjjuni pyetjes vijuese: Çfarë keni bërë që të kërkoni, lypni dhe trokisni me qëllim që të afroheni më pranë Zotit?

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:64, duke kërkuar atë që Zoti ua premton atyre që i luten Atit në emrin e Tij.

Çfarë na mësoi Shpëtimtari rreth mënyrës se si Ati Qiellor iu përgjigjet lutjeve tona? Në këtë varg fraza “e domosdoshme për ju” mund të shprehet edhe si “më e mira për ju”. Si rrjedhim, një parim që mund ta mësojmë nga ky varg është që Ati Qiellor iu përgjigjet lutjeve tona në mënyrat që Ai e di se janë më të mirat për ne.

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

Thënia vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, mund t’ju ndihmojë të kuptoni përse ju duhet të ndiheni mirënjohës edhe kur Ati Qiellor i përgjigjet një lutjeje në një mënyrë që është e ndryshme nga ajo që shpresoni ose prisni: “Është kaq e vështirë kur lutja e sinqertë rreth diçkaje që e dëshironi vërtet shumë, nuk merr përgjigje në mënyrën që dëshironi. Është e vështirë të kuptoni përse ushtrimi nga ju i besimit të thellë dhe të sinqertë me një jete plot bindje nuk e jep përfundimin e dëshiruar. … Nganjëherë është e vështirë të kuptoni çfarë është më e mira ose e domosdoshme për ju me kalimin e kohës. Jeta juaj do të jetë më e lehtë kur e pranoni se ajo që bën Perëndia në jetën tuaj, është për të mirën tuaj të përjetshme” (“Using the Supernal Gift of Prayer”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 9).

  1. Çfarë duhet të bëni kur përgjigjet ndaj lutjeve vijnë në mënyra që ju nuk e prisni? Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një përvoje që e keni pasur kur Ati Qiellor iu është përgjigjur lutjeve tuaja në një mënyrë që ishte më e mira për ju.

Te Doktrina e Besëlidhje 88:66, ne mësojmë se një mënyrë se si Perëndia komunikon me ne është “si zëri i dikujt duke thirrur në shkretëtirë”. Lexojeni atë varg, duke kërkuar mënyrën se si na arrin zëri i Perëndisë. Mendoni rreth rasteve kur e keni ndier se Perëndia ka qenë pranë jush edhe pse nuk e keni parë Atë.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:67–69, duke kërkuar mënyra shtesë se si ju mund të afroheni pranë Zotit. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Duke i përdorur këto vargje, plotësojeni thënien vijuese: Nëse syri im drejtohet te lavdia e Perëndisë, atëherë .

Te vargu 67, fraza “syri … drejtohet te lavdia ime” nënkupton të përkushtohemi tërësisht ndaj veprës dhe qëllimeve të Perëndisë.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kë njihni që duket se është i mbushur me dritën e Zotit?

    2. Në çfarë mënyrash e shihni dritën e Zotit tek ai njeri?

Te vargu 68, vini re se me qëllim që ta keni mendjen tuaj të drejtuar te Perëndia, ju keni nevojë ta shenjtëroni veten tuaj. Fraza “shenjtërojeni veten tuaj” i referohet nevojës për t’u pastruar e dëlirësuar nga mëkati. Ju mund të bëheni të shenjtëruar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe ndikimit të Frymës së Shenjtë kur pendoheni për mëkatet tuaja, i merrni ordinancat e priftërisë dhe i mbani besëlidhjet tuaja.

  1. Rishikojini doktrinat dhe parimet që i keni përcaktuar në këtë mësim. Më pas përfytyroni sikur po ia ngulni vështrimin yjeve me një shok ose shoqe që mendon se Perëndia nuk është i vetëdijshëm për të. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se çfarë do t’i thoshit shokut ose shoqes suaj.

Përfundojeni këtë mësim duke lexuar e përsiatur thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Vëllezër e motra të mia të dashura, mund të jetë e vërtetë se njeriu është një hiç në krahasim me madhësinë e universit. Nganjëherë ne mund të ndihemi madje të parëndësishëm, të pa vënë re, të vetëm, ose të harruar. Por gjithmonë kujtoni – ju keni rëndësi për Të! …

Perëndia ju sheh jo vetëm si një qenie të vdekshme në një planet të vogël që jeton për një stinë të shkurtër – Ai ju sheh ju si fëmijën e Tij. Ai ju sheh ju si qenien që ju jeni të aftë dhe të projektuar që të bëheni. Ai dëshiron që ta dini se ju keni rëndësi për Të” (“Ju Keni Rëndësi për Të”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 22).

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 88:41–69 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: