Seminari
Njësia 30: Dita 1, Vijimësia në Presidencë


Njësia 30: Dita 1

Vijimësia në Presidencë

Hyrje

Pas martirizimit të Profetit Jozef Smith më 27 qershor 1844, shumë njerëz u pështjelluan rreth asaj se kush do ta udhëhiqte Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Por përpara vdekjes së tij, Profeti ishte përgatitur për këtë kalim të udhëheqjes duke ia dhënë të gjithë çelësat dhe fuqitë e priftërisë Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kur Brigam Jangu, i cili ishte Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u foli shenjtorëve më 8 gusht 1844, shumë anëtarë të Kishës morën një dëshmi shpirtërore se ai qe thirrur dhe përgatitur nga Perëndia për ta udhëhequr Kishën.

Kronologjia e Vijimësisë në Presidencë pas Martirizimit të Jozef Smithit

Data

Ngjarje

27 qershor 1844

Jozef dhe Hajrëm Smithi martirizohen në Karthixh të Ilinoisit.

29 qershor 1844

Homazhi i trupave të Jozef dhe Hajrëm Smithit.

27 qershor–7 korrik 1844

Uillard Riçards dhe i plagosuri Xhon Tejlori janë të vetmit Apostuj në Navu të Ilinoisit.

8 korrik 1844

Parli P. Prat kthehet në Navu dhe i ndihmon Uillard Riçardsin dhe Xhon Tejlorin që të mbajnë rregull në Kishë.

3 gusht 1844

Sidni Rigdoni mbërrin në Navu nga Pitsburgu i Pensilvanisë.

4 gusht 1844

Sidni Rigdoni i thotë një grupi shenjtorësh se duhet të jetë ai kujdestari i Kishës dhe do që të mbahet një mbledhje e veçantë më 6 gusht për ta miratuar detyrën e tij. Mbledhja në fakt mbahet të enjten, më 8 gusht.

6 gusht 1844

Shumica e pjesës së mbetur të Apostujve, përfshirë Brigam Jangun, kthehen në Navu nga misionet e tyre.

7 gusht 1844

Në mëngjes, Apostujt dhe Sidni Rigdoni takohen së bashku në shtëpinë e të plagosurit Xhon Tejlor.

Në një mbledhje pasdite me Apostujt, këshillin e lartë dhe priftërinjtë e lartë, Sidni Rigdoni pretendon sërish se duhet të jetë ai kujdestari i Kishës. Brigam Jangu thotë se ai mban çelësat dhe dëshiron të bëjë vullnetin e Zotit për këtë çështje.

8 gusht 1844

Gjatë një mbledhjeje në orën 10:00, Sidni Rigdoni u flet për një orë e gjysmë mijëra shenjtorëve të mbledhur, duke shpjeguar përse duhet të jetë ai kujdestari i Kishës. Edhe Brigam Jangu flet dhe u kërkon shenjtorëve që të mblidhen sërish për një mbledhje në orën 14:00.

Gjatë gjithë ditës, shumë anëtarë të Kishës morën një dëshmi se manteli, ose autoriteti i Profetit Jozef Smith ra mbi Brigam Jangun. Gjatë mbledhjes së orës 14:00, shenjtorët e mbështetin Brigam Jangun dhe Dymbëdhjetë Apostujt si udhëheqës të Kishës.

Gjatë të dyja mbledhjeve, shumë shenjtorë dëshmojnë se Brigam Jangu përkohësisht duket dhe tingëllon si Profeti Jozef Smith.

Pas Martirizimit të Profetit Jozef Smith, Disa Njerëz Pretendojnë të Drejtën për të Udhëhequr Kishën

Përfytyroni sikur ju zbuluat se Presidenti i Kishës ndërroi jetë natën e kaluar. Kush do të bëhet Presidenti i ardhshëm i Kishës? Si do të zgjidhet ai? Si i kalohen Presidentit të ardhshëm të Kishës çelësat e priftërisë për ta kryesuar Kishën?

Pasi Profeti Jozef Smith u martirizua, shenjtorët përjetuan një pikëllim të thellë dhe shumë anëtarë të Kishës ishin të pështjelluar rreth asaj se kush do ta udhëhiqte Kishën. Gjatë kësaj kohe, njerëz të ndryshëm pretenduan se kishin të drejtën për ta udhëhequr Kishën. Midis tyre ishin Sidni Rigdoni, Xhejms Strengu dhe Brigam Jangu.

Ndërkohë që lexoni paragrafët vijues, kërkoni arsyen përse Sidni Rigdoni, i cili kishte qenë një udhëheqës i shquar në Kishë për shumë vite, pretendoi se duhej ta udhëhiqte ai Kishën:

“Sidni Rigdoni, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, mbërriti [në Navu] nga Pitersburgu i Pensilvanisë, më 3 gusht 1844. Një vit më parë, ai kishte filluar të merrte një drejtim në kundërshtim me këshillën e Profetit Jozef Smith dhe ishte larguar [ndarë] nga Kisha. Ai nuk pranoi të takohej me tre anëtarët e Të Dymbëdhjetëve që qenë tashmë në Navu dhe në vend të kësaj, i foli një grupi të madh shenjtorësh të mbledhur për shërbimin e tyre të adhurimit të së dielës” (Trashëgimia Jonë: Një Histori e Shkurtër e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme [2010], f. 66).

Sidni Rigdoni bëri thirrje që të mbahej një mbledhje e veçantë të martën më 6 gusht, me qëllim që anëtarët e Kishës të mund të zgjidhnin një kujdestar për Kishën. U duk sikur Sidni Rigdoni u përpoq ta mbante këtë mbledhje që anëtarët e Kishës të mund ta miratonin pozitën e tij si kujdestar i Kishës përpara se të Dymbëdhjetë Apostujt, që të gjithë, të ktheheshin nga misionet e tyre në lindje të Shteteve të Bashkuara. Disa udhëheqës të Kishës ndien se Vëllai Rigdon mund të komplotonte për të “përfituar nga situata e shenjtorëve” (History of the Church, 7:225). Fatmirësisht, për shkak të përpjekjeve të Plakut Uillard Riçards dhe Plakut Parli P. Prat, mbledhja u shty për të enjten, më 8 gusht, kohë në të cilën shumica e Apostujve ishin kthyer në Navu.

Vëllai Rigdon pretendonte se, ngaqë ai ishte thirrur dhe shuguruar më parë si zëdhënës për Jozef Smithin, ishte përgjegjësia e tij të “kujdesej që kisha po qeverise[j] në mënyrën e duhur” (në History of the Church, 7:229). Ai gjithashtu pretendonte se duhej të ishte “një kujdestar për njerëzit” dhe se në përmbushje të kësaj përgjegjësie, ai po bënte atë që Perëndia e kishte urdhëruar të bënte (shih History of the Church, 7:230).

Pamja
Sidni Rigdoni

Sidni Rigdoni

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Nëse ju do të kishit qenë në Navu në atë kohë, çfarë do të kishit menduar për pretendimet e Sidni Rigdonit?

    2. Çfarë shqetësimesh mund të kishit pasur për Vëllain Rigdon?

Ndërsa lexoni paragrafin vijues, kërkoni përse Xhejms Strengu pretendonte se duhej ta udhëhiqte ai Kishën:

Xhejms Strengu, që ishte pagëzuar në shkurt 1844, po kërkonte një vendndodhje të mundshme për shenjtorët në Uinskonsin në pranverën e vitit 1844. Pas martirizimit, Vëllai Streng, pretendoi se kishte marrë një zbulesë në një letër nga Jozef Smithi, që thoshte se ai qe caktuar të ishte pasuesi i Jozefit. Letra e Vëllait Streng, të cilën ai ua tregoi anëtarëve të Kishës, dukej se kishte firmën e Jozef Smithit. Vëllai Streng pretendonte se ai ishte profeti i ardhshëm dhe e shpalli pozicionin e tij në një konferencë të Kishës në Miçigan, më 5 gusht 1844.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Nëse do të kishit qenë me shenjtorët në Miçigan, çfarë mendoni se mund të kishit gjetur bindëse në pretendimet e Xhejms Strengut?

    2. Çfarë shqetësimesh mund të kishit pasur për pretendimet e tij?

Ndërsa lexoni paragrafët vijues, kërkoni atë që Brigam Jangu u tha udhëheqësve të tjerë të priftërisë, përfshirë anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të cilët ishin në Navu, rreth asaj se kush duhej ta udhëhiqte Kishën:

Pleqtë Xhon Tejlor, Uillard Riçards dhe Parli P. Prat ishin tashmë në Navu kur Sidni Rigdoni mbërriti. Shumica e pjesës së mbetur të Apostujve, përfshirë Brigam Jangun, u kthyen në Navu në mbrëmjen e 6 gushtit 1844. Të nesërmen, më 7 gusht, Apostujt u mblodhën në këshill në shtëpinë e Xhon Tejlorit. Më vonë atë ditë, në një mbledhje pasdite, Dymbëdhjetë Apostujt, këshilli i lartë dhe priftërinjtë e lartë u mblodhën së bashku në Navu. Presidenti Jang, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i kërkoi Sidni Rigdonit që t’u thoshte shenjtorëve mesazhin e tij. Sidni Rigdoni shpalli haptazi se ai kishte parë një vegim dhe se askush nuk mund ta pasonte Jozef Smithin si President të Kishës. Më pas ai propozoi që të caktohej si kujdestar i njerëzve.

Pasi Sidni Rigdoni i përfundoi vërejtjet e tij, Brigam Jangu tha:

Pamja
Presidenti Brigam Jang

“Unë nuk shqetësohem se kush e udhëheq kishën, … por një gjë duhet ta di dhe ajo është çfarë Perëndia thotë për të. Unë i kam çelësat dhe mjetet për ta ditur mendjen e Perëndisë për çështjen. …

Jozefi dha mbi kokat tona [duke iu referuar të Dymbëdhjetë Apostujve] të gjithë çelësat dhe fuqitë që i përkasin Apostullimit, të cilat ai vetë i mbajti përpara se të merrej. …

Sa shpesh u ka thënë Jozefi Të Dymbëdhjetëve: ‘Unë kam hedhur themelin dhe ju duhet të ndërtoni mbi të, sepse mbretëria qëndron mbi shpatullat tuaja’” (në History of the Church, 7:230).

  1. Përgjigjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Si dukej se ndryshonin dëshirat e Brigam Jangut nga ato të Sidni Rigdonit dhe Xhejms Strengut?

    2. Përse ishte e rëndësishme dëshmia e Brigam Jangut lidhur me çelësat e priftërisë?

Presidenti Brigam Jang dhe anëtarë të tjerë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhanë mësim të vërtetën vijuese: Apostujt mbajnë të gjitha çelësat e priftërisë të nevojshme për të kryesuar mbi Kishën.

Të njëjtat fuqi dhe çelësa të priftërisë mbahen nga Apostujt sot. Kur një Apostull shugurohet, atij i jepen të gjithë çelësat e nevojshëm të priftërisë në tokë (shih DeB 112:30–32), por autoriteti për t’i ushtruar të gjithë ato çelësa të priftërisë kufizohet te Apostulli më i vjetër, Presidenti i Kishës.

Në janar 1836, më shumë se tetë vjet përpara se të vdiste, Profeti Jozef Smith e udhëzoi Kuorumin e të Dymbëdhjetë Apostujve se “të Dymbëdhjetët nuk varen nga askush përveçse Presidenca e Parë” dhe pastaj ai tha: “Kur nuk jam unë, nuk ka Presidencë të Parë mbi Të Dymbëdhjetët’” (në History of the Church, 2:374).

Bazuar në këtë udhëzim nga Profeti Jozef Smith, çfarë i ndodh Presidencës së Parë kur vdes Presidenti i Kishës?

Kush është në gjendje ta udhëheqë Kishën kur shpërbëhet Presidenca e Parë?

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 124:127–128, duke kërkuar se kush ishte Apostulli më i vjetër dhe Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në kohën e vdekjes së Profetit Jozef Smith.

Brigam Jangu ishte President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve për shkak se ishte Apostulli më i vjetër. Kur kuorumi u organizua fillimisht në vitin 1835, rendi i vjetërsisë përcaktohej nga mosha. Kur anëtarët u shtuan, vjetërsia u përcaktua nga data e shugurimit. Prandaj, në kohën tonë, vjetërsia përcaktohet nga data dhe rendi në të cilin shugurohet një Apostull. Kur Presidenti i Kishës vdes, Presidenca e Parë shpërbëhet dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve bëhet kuorumi kryesues nën drejtimin e Apostullit më të vjetër në detyrë.

Vijimësia në Presidencën e Kishës është vendosur nga Zoti, në mënyrë që Kisha të mos jetë kurrë pa udhëheqje të frymëzuar dhe nuk ka arsye për hamendësim ose diskutim se kush do të bëhet Presidenti i ardhshëm i Kishës. Presidenti Harold B. Li shpjegoi: “[Zoti] e di se kë do që të kryesojë mbi këtë kishë dhe ai nuk do të bëjë asnjë gabim. Zoti nuk i bën gjërat në mënyrë të rastësishme. Ai kurrë nuk ka bërë ndonjë gjë në mënyrë të rastësishme” (në Conference Report, tetor 1970, f. 153).

Në përmbledhje, çelësat e mbretërisë i jepen çdo anëtari të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në kohën e shugurimit të tij në apostullim. Apostulli më i vjetër, i cili kryeson midis Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, përcaktohet nga data dhe rendi i shugurimit të tij. Kur një president i Kishës vdes, Kuorumi i Presidencës së Parë shpërbëhet dhe këshilltarët, nëse më parë kanë qenë në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, kthehen në vendet e tyre përkatëse të vjetërsisë në atë kuorum. Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve pastaj bëhet kuorumi kryesues në udhëheqjen e Kishës. Apostulli më i vjetër, si President i Dymbëdhjetë Apostujve, automatikisht e në mënyrë aktive mban dhe ushtron të gjithë çelësat e Priftërisë së mbretërisë dhe kryeson mbi të gjithë Kishën. Si drejtuesi kryesues i Kishës, Presidenti i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, ka të drejtën të marrë zbulesë lidhur me atë se kur ta riorganizojë Presidencën e Parë. Të gjithë gjërat në Kishën e Zotit bëhen me urtësi dhe rregull.

Shumë Njerëz Marrin një Dëshmi se Presidenti Brigam Jang Duhet ta Udhëheqë Kishën

Më 8 gusht 1844, shenjtorët në Navu të Ilinoisit, u mblodhën në orën 10:00 për ta dëgjuar Sidni Rigdonin të shpallte pretendimet e tij si kujdestar i Kishës. Për shkak të erës që po frynte drejt tribunës, Vëllai Rigdon hipi mbi një qerre prapa bashkësisë së mbledhur në mënyrë që njerëzit ta dëgjonin më mirë zërin e tij. Bashkësia u kthye që të mund ta shikonte Vëllain Rigdon ndërsa predikonte. Ai u foli mijëra shenjtorëve të mbledhur për një orë e gjysmë, duke u shpjeguar përse duhej të ishte ai kujdestari i Kishës. Disa njerëz e përshkruan fjalimin e tij si jofrymëzues.

Presidenti Brigam Jang dhe udhëheqës të tjerë të Kishës erdhën dhe u ulën në tribunë, karshi vendit ku po fliste Sidni Rigdoni. Në këtë kohë era kishte pushuar. Pasi mbaroi Sidni Rigdoni, foli Presidenti Brigam Jang. Dëgjuesit u kthyen për ta dëgjuar Brigam Jangun të fliste dhe ia kthyen shpinën qerres ku kishte zënë vend Sidni Rigdoni. (Shih “Discourse by President Geo. Q. Cannon”, Deseret News, 21 shkurt 1883, f. 67.) Presidenti Jang foli shkurtimisht dhe tha se ai do të kishte parapëlqyer të kthehej në Navu për të vajtuar për Profetin, sesa për të caktuar një udhëheqës të ri. Ai lajmëroi se një kuvend i udhëheqësve dhe anëtarëve të Kishës do të mbahej më vonë atë ditë në orën 14:00. Teksa fliste, disa anëtarë të Kishës e panë pamjen e jashtme të Brigam Jangut dhe e dëgjuan zërin e tij t’i ngjante atij të Profetit Jozef Smith. Kjo ngjarje e mrekullueshme i ndihmoi shumë shenjtorët të dinin se Zoti donte që Kisha të udhëhiqej nga Brigam Jangu.

Ndërsa lexoni përvojat vijuese, kërkoni mënyrën se si i bekoi Zoti shenjtorët që të dinin se cilin kishte caktuar Ai për ta udhëhequr Kishën. Termi “mantel” i përket autoritetit që kaloi nga profeti dhe Presidenti i Kishës (Jozef Smithi) te pasuesi i tij (Brigam Jangu).

Pamja
Benxhamin F. Xhonson

Benxhamin F. Xhonson kujtoi: “Presidenti Brigam Jang u ngrit dhe foli. E pashë tek ngrihej, por sapo ai foli u hodha përpjetë, sepse në çdo cilësi të mundshme ishte zëri i Jozefit, dhe personi i tij, në pamje, qëndrim, veshje dhe në paraqitje ishte vetë Jozefi, i mëshiruar; dhe e kuptova në çast që shpirti dhe manteli i Jozefit ishin mbi të” (My Life’s Review [1947], f. 103–104).

Uilliam C. Stejnsi e përshkroi Brigam Jangun të fliste “me një zë të ngjashëm me zërin e Profetit Jozef. Unë mendova se qe ai dhe po kështu menduan mijëra njerëz që e dëgjuan atë” (në History of the Church, 7:236).

Pamja
Presidenti Uilford Udraf

Uilford Udraf shkroi: “Nëse nuk do ta kisha parë me sytë e mi, askush nuk do të më kishte bindur se ai nuk qe Jozef Smithi dhe, kushdo që i njihte këta dy burra, mund të dëshmojë për këtë” (në History of the Church, 7:236)

Presidenti Brigam Jang dhe anëtarë të tjerë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve folën gjatë mbledhjes së pasdites. Shumë të tjerë vërejtën se Brigam Jangu u duk dhe tingëlloi si Jozef Smithi teksa foli atë ditë. Xhorxh Q. Kanon, i cili ishte 17 vjeç në vitin 1844, kujtoi: “Nëse Jozefi do të ishte ngritur nga të vdekurit dhe do t’i fliste sërish bashkësisë që ta dëgjonte, ndikimi nuk do të mund të kishte qenë më befasues nga ç’ishte në atë mbledhje; ishte zëri i vetë Jozefit; dhe nuk u dëgjua vetëm zëri i Jozefit, por në sytë e njerëzve u duk sikur ishte vetë personi i Jozefit që qëndroi përpara tyre. … Zoti i dha popullit të Tij një dëshmi që nuk la vend për dyshim se cili qe njeriu që ishte zgjedhur t’i udhëhiqte ata” (në History of the Church, 7:236).

Përveç kësaj mrekullie, shumë shenjtorë e ndien gjithashtu Frymën e Shenjtë t’u dëshmonte atyre se Brigam Jangu dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve ishin thirrur nga Perëndia për ta udhëhequr Kishën. Në përfundim të kësaj mbledhjeje, shenjtorët në Navu votuan në mënyrë kategorike që ta mbështetnin Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, me Brigam Jangun si kreun e tyre, për ta udhëhequr Kishën. Megjithatë, jo të gjithë anëtarët e Kishës më së fundi zgjodhën që t’i ndiqnin Apostujt. Disa njerëz zgjodhën të ndiqnin në vend të tyre individë të tillë si Sidni Rigdonin dhe Xhejms Strengun, të cilët formuan kishat e tyre.

Nëse ju do të kishit qenë në ndonjërën nga mbledhjet më 8 gusht 1844, në çfarë përfundimi do të kishit arritur rreth asaj se kë kishte thirrur Perëndia për ta udhëhequr Kishën?

Kur Profeti Jozef Smith vdiq, Apostulli më i vjetër (Brigam Jangu), ishte menjëherë në gjendje t’i ushtronte të gjithë çelësat e priftërisë. Ai kishte të drejtën të merrte zbulesë lidhur me atë se kur të organizonte një Presidencë të Parë të re. Në vitin 1847 – më shumë se dy vjet pas martirizimit – Presidenti Brigam Jang u frymëzua të riorganizonte Presidencën e Parë në vend që të vazhdonte ta udhëhiqte Kishën si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ndërkohë që Kisha vazhdon të rritet dhe të zgjerohet, është e rëndësishme të kujtojmë se nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ne mund të marrim një dëshmi se ata që e udhëheqin Kishën, janë thirrur nga Perëndia.

Pamja
Presidenca e Parë, 2013

Presidenca e Parë, 2013

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që të marrim një dëshmi se udhëheqësit tanë të Kishës thirren nga Perëndia?

    2. Mendoni për rastet kur ju morët një dëshmi se një udhëheqës i Kishës u thirr nga Perëndia. Nëse ju e keni pasur atë përvojë, çfarë bëtë për ta marrë atë dëshmi? Nëse ju nuk e keni përjetuar një dëshmi për udhëheqësit e Kishës, shkruani rreth asaj që mund të bëni për ta marrë një të tillë.

  2. I kërkoni një pjesëtari të familjes suaj ose njërit prej miqve tuaj të ndajë me ju përvojën e tyre të marrjes së një dëshmie nga Fryma e Shenjtë se një udhëheqës i Kishës u thirr nga Perëndia. Ju gjithashtu mund t’u tregoni atyre se çfarë shkruat në detyrën e mëparshme në ditar. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani atë që mësuat nga përvoja e këtij individi.

  3. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    Unë e kam studiuar mësimin “Vijimësia në Presidencë” dhe e përfundova më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: