2018
Të Dish se Cila Je – dhe Cila ke Qenë Gjithnjë
Korrik 2018


Në Foltore

Të Dish se Cila Je – dhe Cila ke Qenë Gjithnjë

Pamja
family with two daughters

Kohët e fundit, mbesa ime 16-vjeçare Megani dhe dy shoqe të saj erdhën të flinin nga unë. Teksa bisedonim atë mbrëmje, njëra prej tyre më pyeti se si kishte qenë të rritesha në një fermë në kohët e vjetra. … I thashë Meganit dhe shoqeve të saj se në “kohët e vjetra” kisha qenë tmerrësisht e turpshme dhe nuk kisha fare vetëbesim.

“Si e mposhte atë ndjesi?”, më pyeti Megani. Një përgjigje e shpejtë më erdhi në majë të gjuhës kur ndalova, duke e ndier se këto të reja të jashtëzakonshme prisnin më tepër shpjegim. Ndaj u thashë se arsyeja ishte shpirtërore: Vetëm kur nisa ta kuptoja se çfarë ndiente Zoti për mua, ndodhi që ndjenjat e mia për veten dhe jetën time filluan të ndryshonin ngadalë. Pyetjet e tyre më pas erdhën me ngut: Nga e dija atë që ndiente Zoti? Dhe si mund ta zbulonin çfarë ndiente Zoti për to?

Për disa orë, me shkrime të shenjta në duar, folëm rreth mënyrës se si ta dëgjonim zërin e Shpirtit, se sa i etur është Zoti që t’ia heqë velin njohurisë që ruhet e sigurt brenda shpirtit tonë lidhur me faktin se cilët jemi dhe cili është misioni ynë, dhe rreth ndryshimit rrënjësor që sjell dijenia për këtë fakt.

… Nuk ka asgjë më jetike për suksesin dhe lumturinë tonë këtu sesa kur mësojmë ta dëgjojmë zërin e Shpirtit. Është Shpirti që na e zbulon identitetin tonë – që nuk është thjesht cilët jemi, por cilët kemi qenë gjithnjë. Dhe se kur e dimë cilët jemi dhe cilët kemi qenë gjithnjë, jeta jonë merr një ndjesi qëllimi aq mahnitëse saqë ne nuk mund të jemi më kurrë të njëjtët.

… Shpirtrat tanë kanë dëshirim që ne ta kujtojmë të vërtetën rreth faktit se cilët jemi, sepse mënyra se si e shohim veten, ndjesia jonë për identitetin ndikon te gjithçka që bëjmë. … Ajo ndikon te vetë mënyra si e jetojmë jetën tonë. Ndaj, sot, ju ftoj ta përsiatni në një mënyrë të re jo vetëm cilët jeni, por cilët keni qenë gjithnjë.

… A mund ta përfytyroni se Perëndia, që na njihte përsosurisht, na ruajti që të vinim tani, kur rreziqet do të ishin më të mëdha dhe kundërshtimi më i fortë se kurrë? Kur Atij do t’i duheshin gra që do të ndihmonin për rritjen dhe udhëheqjen e një brezi të zgjedhur në mjedisin më të rrezikshëm shpirtëror? A mund ta përfytyroni që Ai na zgjodhi sepse e dinte që do të ishim sypatrembura për ndërtimin e Sionit?

… Fisnike dhe të shkëlqyera. Guximtare dhe të vendosura. Besnike dhe sypatrembura. Kjo është ajo që jeni dhe kjo është ajo që keni qenë gjithnjë. Të kuptuarit e kësaj të vërtete mund t’jua ndryshojë jetën sepse kjo njohuri mbart një siguri te vetja që nuk mund të riprodhohet në asnjë mënyrë tjetër.

… Kur e kuptoni se ju u zgjodhët dhe u ruajtët për të tashmen dhe kur jetoni në harmoni me atë mision, do të jeni më të lumtura nga ç’keni qenë ndonjëherë.

… Perëndia është Ati ynë dhe Biri i Tij i Vetëmlindur është Krishti. U gëzofshim sërish në qëndresën me guxim për Shpëtimtarin dhe shërbimin me trimëri dhe energji në vreshtin e Tij! Dhe qofshim sypatrembura për ndërtimin e Sionit të Perëndisë tonë – për shkak se e dimë cilat jemi dhe cilat kemi qenë gjithnjë!