2018
7 Këshilla për të Dhënë një Bisedë
Korrik 2018


7 Këshilla për të Dhënë një Bisedë

Autorja jeton në Juta, SHBA.

Do të flisni në mbledhjen e sakramentit së shpejti? Provojini këto këshilla.

Pamja
young man giving talk

Nuk e di si ndiheni ju, por kur më caktojnë të jap një bisedë në mbledhjen e sakramentit, ndihem shumë në ankth – jo si do ta shkruaj bisedën por si do ta paraqit bisedën me zë. Gjithnjë shqetësohem: “Po sikur të jem tepër e mërzitshme? Po sikur të harroj të them diçka? Po sikur të ngatërroj ndonjë fjalë?”

A jeni ndier ndonjëherë njësoj si unë? (Shpresoj të mos jem e vetmja.) Nëse po, nuk është fundi i botës! Hidhuni një sy këtyre shtatë këshillave për t’i përmirësuar aftësitë tuaja në të folur dhe për të mbajtur një bisedë që i përfshin të tjerët.

Përgatitja e bisedës

  1. Përdorini shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të kohëve të sotme (shih DeB 52:9). Ky është thelbi i bisedës suaj. Në fund të fundit, ajo është një nga arsyet kryesore pse jemi në kishë – për ta dhënë mësim e për ta mësuar ungjillin e Jezu Krishtit. Mund ta studioni temën tuaj me ndihmën e Udhëzuesit për Shkrimet e Shenjta (në scriptures.lds.org) dhe bisedave të konferencave të përgjithshme (kërkojeni sipas temës në gc.lds.org). Sigurohuni që t’i kuptoni shkrimet e shenjta dhe citimet që planifikoni të përdorni në bisedën tuaj. Nëse ju duhet ndihmë, kërkojuani prindërve ose udhëheqësve të Kishës.

  2. Ftojeni Shpirtin. Është gjithnjë një ide e mirë të luteni e të përgatiteni paraprakisht që ta keni Shpirtin me vete ndërsa flisni. Shpirti jo vetëm që ju sjell qetësi për ankthin tuaj, por Ai dëshmon edhe për të vërtetën (shih DeB 42:14). Ftojeni Shpirtin në mbledhjen tuaj të sakramentit duke dhënë dëshmi për atë që besoni se është e vërtetë.

  3. Mendoni për një histori vetjake. Një nga mënyrat më të mira për të krijuar lidhje me të tjerët është nëpërmjet historive. Neve na pëlqen t’i dëgjojmë përvojat e të tjerëve dhe se si është jeta e tyre. Prandaj përpiquni të mendoni për një përvojë dëfryese, të pashoqe ose sfiduese që keni pasur e cila lidhet me parimin e ungjillit për të cilin jeni caktuar të flisni. Çfarë mësuat nga ajo përvojë? Si ju ndihmoi ajo? Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për ta hapur bisedën tuaj nëse keni ngecur e nuk dini si ta filloni.

  4. Ushtrohuni, ushtrohuni, ushtrohuni! Pasi ta keni shkruar bisedën tuaj, mund të dëshironi të ushtroheni duke e thënë atë me zë të lartë vetëm dhe më pas përpara pjesëtarëve të familjes ose miqve tuaj. Mund të zbuloni a është biseda juaj brenda kufirit të dhënë kohor dhe a ka pjesë që duhen sqaruar. Nëse peshkopi juaj është dakord, mund edhe të provoni të shkoni në ndërtesën e kishës suaj paraprakisht për të bërë prova me bisedën tuaj në foltore!

Mbajtja e bisedës

  1. Shmangeni hapjen me frazën “Nuk doja të isha këtu përpara”. Kjo frazë hyrëse mund të ketë shumë forma, por shumica e dëgjuesve e dallojnë atë menjëherë. Zakonisht është diçka si: “Kur peshkopi më telefoni për të më kërkuar të mbaja një bisedë, u përpoqa të gjeja një justifikim që të shpëtoja prej saj”. Shumica e anëtarëve të Kishës mund ta kuptojnë se sa e sikletshme mund të jetë të japësh një bisedë, por kur praktikisht po thoni “Nuk dua të jem këtu”, njerëzit mund ta marrin sikur po thoni: “Ju lutem, mos më dëgjoni”. Më e mira është ta shmangni fare këtë frazë hyrëse – jini entuziastë rreth temës suaj!

  2. Flisni qartë. Nuk është e pazakontë që dikush të flasë shumë shpejt ose me zë shumë të ulët për shkak të sikletit. Unë e di mirë këtë! Por është e rëndësishme të flisni qartë teksa mbani bisedë që salla të mundet t’ju kuptojë. Bëni një përpjekje të ndërgjegjshme për ta ulur shpejtësinë, për t’i shqiptuar fjalët tuaja dhe për ta përçuar zërin tuaj (po, madje edhe me një mikrofon është e mundur të jetë shumë i ulët). Njerëzit duan ta dëgjojnë atë që keni për të thënë!

  3. Vazhdoni t’i mbani sytë lart. Kontakti me sy është një pjesë shumë e rëndësishme e komunikimit të mirë. Ai tregon se ju jeni vërtet të përqendruar dhe të dhënë pas asaj bisede. Tani, ju pa dyshim që nuk keni pse të mbani kontakt me sy me çdokënd në sallë teksa flisni, por edhe nëse vazhdimisht i ngrini sytë për të parë nga fundi ose fillimi i dhomës, do të jeni shumë më interesant si folës. Shmangeni mbajtjen e syve të ngulur te shënimet tuaja! Dëgjuesit tuaj duan të shohin buzëqeshjen tuaj, jo majën e kokës.

Edhe me këto shtatë këshilla, ende mund të gaboni ndonjë fjalë ose të vëreni dikë që po dremit në rreshtin e tretë. Por, a do të thotë kjo që jeni një folës i tmerrshëm? Sigurisht që jo!

Kur dalim pak nga zona e rehatisë sonë, është normale të ndihemi në siklet ose të bëjmë gabime të vogla. Por, për aq sa përpiqeni me më të mirën tuaj dhe e ftoni Shpirtin, nuk ka rëndësi nëse belbëzoni ose harroni të thoni diçka. Po bëni punën e Perëndisë dhe po i ndihmoni fëmijët e Tij të mësojnë më shumë rreth ungjillit!

Nëse e jepni mësim dhe dëshmoni për atë që besoni, gjithçka do të shkojë shkëlqyeshëm.