2018
Libri i Mormonit të Ndryshon Jetën
Korrik 2018


Libri i Mormonit të Ndryshon Jetën

Këta të kthyer në besim ndërtuan besim nëpërmjet leximit të Librit të Mormonit.

Pamja
couple reading the Book of Mormon

Ilustrim me foto nga Cody Bell

Libri i Mormonit është njëmend një dhuratë që ka për qëllim të na sjellë ne, fëmijët e Perëndisë, te një dijeni e ungjillit të vërtetë të Jezu Krishtit. Enrike Serpa Bustamante, një anëtar nga Lima në Peru, mendon që Libri i Mormonit ngjason me letrat dërguar nga një prind i dashur: “Ati ynë Qiellor shkroi ‘letra’ përmes profetëve, duke na dhënë këshillë, ngushëllim dhe udhërrëfim për të mirën tonë dhe duke na bekuar në të gjitha kohët. Ai është aq i mençur në planin e Tij, saqë e di mënyrën se si të na i japë ato letra dashurie pikërisht kur e kemi zemrën të përgatitur për t’i kuptuar bekimet e Tij dhe ungjillin e Tij.”

Ja tek janë disa dëshmi nga disa të kthyer në besim përreth botës mbi atë që atyre u ra më shumë në sy nga Libri i Mormonit, kur po mësonin mbi Kishën.

Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit

Pamja
Ezekiel Akeh

E pashë një kopje të Librit të Mormonit në shtëpinë e mbesës sime në Ibadan të Nigerisë. Duke qenë një lexues i etur, isha kureshtar ta kuptoja se përse libri thotë se është “një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit”, prandaj e mora librin dhe e lexova.

Nëntitulli “një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit” ma hapi mendjen drejt mundësisë së një Shpëtimtari të gjithësishëm në vend të një Shpëtimtari vetëm për izraelitët, çka në atë kohë ishte një shqetësim i madh për mua. Vizita e Tij te nefitët dhe themelimi i ligjeve dhe ordinancave të Tij mes atyre njerëzve, më bëri të dëshiroj të di më shumë mbi shërbesën e Tij.

Ai nëntitull më çoi të mësoja më shumë rreth Kishës. Fillova ta ndiej Shpirtin teksa iu binda këshillave të shkruara në Librin e Mormonit, të tilla si lutja për ta ditur vetë të vërtetën (shih Moroni 10:4). Tani e di se Shpëtimtari jeton dhe na do të gjithëve ne.

Ezekiel Akeh, Ajdaho, SHBA

1 Nefi 8 – Frutë [më e Ëmbël] “se Gjithçka që Kisha Shijuar Ndonjëherë më Parë”

Te 1 Nefi 8:11‑12, Lehi e përshkruan frutën e pemës së jetës si “më [e] ëmbël se gjithçka që kisha shijuar ndonjëherë më parë. … [Ajo] ma mbushi shpirtin tim me një gëzim jashtëzakonisht të madh.” Kur i lexova ato vargje, e ndjeva fuqishëm se kjo frutë ishte shumë e veçantë dhe dëshirova ta kem edhe unë.

U ndjeva sikur isha në vend të Lehit. Mendova mbi mënyrën se, po të isha Lehi dhe kjo frutë të ekzistonte njëmend, do të ndihesha ashtu si ai dhe do të dëshiroja jashtëzakonisht që edhe familja ime ta hante atë. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për mua sepse prindërit e mi nuk janë ende anëtarë të Kishës; kështu që edhe kur i lexoj tani këto vargje, ato duket se shprehin atë që është në zemrën time.

E dija se kjo frutë ishte e veçantë, madje përpara se ta dija që ajo përfaqësonte dashurinë e Perëndisë dhe ungjillin e Tij. Më vonë, pasi e kuptova kuptimin e frutës mendova se me sa saktësi është përshkruar ai në shkrimet e shenjta.

Shkrimet e shenjta janë vërtet anale të së vërtetës nga profetët dhe përmbajnë fjalën e Perëndisë.

Eun Jin Jiom, Gieongi, Koreja e Jugut

Jakobi [LiM] 5:74 – një Dëshirë për t’i Shërbyer Perëndisë

Pamja
Josef Gutierrez

Kur po mësoja për Kishën, lexova Jakobin [LiM] 5:74. M’u ngulit fort që nga çasti kur e lexova. Kisha qenë anëtar shumë aktiv i kishës sime të mëparshme gjatë gjithë jetës sime dhe gjithmonë kisha pasur dëshirë t’i shërbeja Perëndisë. Madje shpresoja që një ditë të studioja filozofi dhe teologji për t’i shërbyer Atij. I kisha kaluar tashmë provimet e pranimit për të studiuar filozofi.

Por nuk do ta harroj kurrë [çastin] kur e lexova së pari atë shkrim të shenjtë. Më kujtohet se ishte nata pasi kisha marrë pjesë për herë të parë në një shërbim në Kishën SHDM. Gjatë njërit prej pushimeve midis orëve mësimore, pashë në tabelën e njoftimeve zbulesën e marrë nga Presidenti Tomas S. Monson lidhur me uljen e moshës së misionarëve.

Kur e lexova Jakobin [LiM] 5:74 atë natë, e dija se duhej t’i shërbeja Perëndisë. Dhe në njëfarë mënyre, duke i parë misionarët – ata dy të rinj që kishin të njëjtën moshë me mua – duke e dhënë jetën e tyre për Të, e dija se kjo ishte mënyra se si mund ta bëja atë. Natën përpara atij shërbimi në Kishë, kisha vendosur të pagëzohesha. Natën pas shërbimit, vendosa të shkoja në mision. Tani jam kthyer me nder në shtëpi pasi u kam shërbyer njerëzve të këndshëm të Misionit të Filipineve, Sebu Lindor.

Hozef Gutierres, Batangas, Filipine

Libri i Enosit – Falja për Mëkatet

Pamja
Jennifer Andreski

Kur e lexova së pari Librin e Mormonit, nuk e dija se nga t’ia filloja. Po hasja vështirësi për faljen, veçanërisht të falja veten time dhe ta dija nëse isha e denjë për të marrë falje. Një nga motrat misionare më tha se do ta merrja përgjigjen në shkrimet e shenjta dhe që, nëse nuk e dija se ku të filloja, duhej të lutesha për të dhe shkrimet e shenjta që më duheshin, do të ishin atje. Vendosa ta shfletoja librin dhe të lexoja ku të ndaloja – libri i Enosit, vargjet 4‑6. E dija se Libri i Mormonit ishte i vërtetë pikërisht në çastin pasi i lexova ato.

Xhenifer Andreski, Kaliforni, SHBA

Mosia 27 – Mundësia për Ndryshim

Pamja
Maria Gracia Henrique Gonzalez

Kur e lexova së pari Librin e Mormonit, pjesa e Librit të Mormonit që më pëlqeu më së shumti, ishte te Mosia kur i biri i Almës po e refuzonte Kishën dhe po përpiqej ta shkatërronte atë. Por ndodhi një ndryshim kolosal tek ai – ai e ndjeu Frymën e Shenjtë dhe u shndërrua në besimtar. Vërtet më pëlqeu shumë ajo sepse mundësia për të ndryshuar duhet t’i jepet gjithsecilit.

Maria Gracia Henrike Gonzalez, Maule, Kili

Mosia 27:28‑29 – Lumturi dhe Shëlbim

Kur isha anëtare e re, më la mbresë Mosia 27:28‑29. Isha – dhe jam ende – shumë mirënjohëse që Zoti pati mëshirë për mua dhe më shëlboi nga një jetë me mëkat. Përpara pagëzimit tim, mendoja se isha e lumtur, por asgjë nuk mund të krahasohej me lumturinë që ndjeva pasi e pranova ungjillin e rivendosur. Nuk isha ndier kurrë kaq shumë vetëbesuese dhe e sigurt se një ardhme e ndritur do të vinte.

Pasi e pranova ftesën e Almës: “Ejani dhe pagëzohuni në pendim, që ju gjithashtu të mund të hani nga fruti i pemës së jetës” (Alma 5:62), përjetova të njëjtin ngushëllim dhe çlirim paqësor si Alma i Riu kur shkroi: “Unë isha në humnerën më të thellë; por tani unë shoh dritën e mrekullueshme të Perëndisë. Shpirti im qe dërrmuar nga mundimi i përjetshëm; por unë jam rrëmbyer dhe shpirti im nuk vuan më” (Mosia 27:29). Ky fragment më ndihmoi ta kuptoja se qasja ime e re ndaj jetës dhe lumturia ime e sapogjetur ishin themeluar mbi njohurinë se Jezu Krishti është Shpëtimtari im dhe Shëlbuesi im. Tani jam pafundësisht mirënjohëse që Shpëtimtari im e pagoi çmimin e drejtësisë dhe më lejon mua, sërish e sërish, ta ndiej po të njëjtën dashuri shëlbuese çdo herë që pendohem.

Mari-Shantal Hog, Ontario, Kanada

Ai Libër i Vogël Blu

Pamja
Venu Bhaskar Nakka

U rrita në Indi, vendi ku takova misionarët dhe mora pjesë për herë të parë në kishë. Ajo e diel rastisi që të ishte e diela e Pashkës. Për shkak të orarit të punës sime, erdha vonë në kishë dhe mora pjesë në një orë mësimore të Shkollës të së Dielës për rininë, ku një nga misionarët po e zhvillonte mësimin. Ai citoi disa shkrime të shenjta nga një libër blu që nuk e kisha parë kurrë më parë, por që tingëllonte si Bibla. Teksa ai po jepte mësim, ndjeva një ndjenjë të fuqishme në zemër dhe e dija se edhe unë duhej ta zotëroja këtë libër.

Shkova drejtpërdrejt tek ai pas orës mësimore dhe i thashë: “Më duhet ai libër”. Meqë ai libër ishte kompleti i tij vetjak i shkrimeve të shenjta, ai nuk mund të ma jepte, por më la që ta shihja e ta prekja. Munda të shihja germa të arta të shtypura në kapak: “Libri i Mormonit”. Ndjeva sërish të njëjtën ndjenjë se më duhej ai libër për vete. Misionari më mori adresën dhe më premtoi të ma sillte një. Sigurisht, misionarët erdhën në shtëpinë time pak kohë më pas dhe më paraqitën kopjen time vetjake të Librit të Mormonit. Pastaj, ata filluan të më jepnin mësim diskutimet.

Atë vit, Pashka solli një bekim të pabesueshëm në jetën time: Librin e Mormonit. Ai libër i vogël blu ka sjellë një frymë jete në jetën time dhe jam tepër mirënjohës që pata privilegjin të mësoj prej tij.

Venu Baskar Naka, Kaliforni, SHBA