2018
Vrapimi për në Kishë
Korrik 2018


Vrapimi për në Kishë

Daniel R. Tompson, Kaliforni, SHBA

Pamja
running around church parking lot

Ilustrimi nga Allen Garns

Një ditë, teksa po kërkoja një vend ku të vrapoja, vendosa të provoja parkimin e një kishe në lagjen time të banimit. Më pëlqente sepse kishte ndriçim dhe ishte i shtruar. Zbulova se, po të vrapoja 10 deri 15 herë përreth ndërtesës, do ta plotësoja stërvitjen time prej 4,8 km.

Vrapimet e mia në parkim vazhduan thuajse rregullisht për tre vjet. Herë pas here, shihja njerëz në parkim sepse nganjëherë vrapoja gjatë shërbesave të Kishës ose veprimtarive të tjera.

Disa herë, pata përshtypjen se më duhej të flisja me dikë rreth Kishës, por nuk e kisha idenë se si ta bëja atë. Një mbrëmje, kur po kthehesha nga puna për në shtëpi, vendosa të kaloja andej dhe të shihja nëse do të gjeja ndonjë njeri. Kur hyra në ndërtesën e kishës, gjeta misionarë teksa po kryenin intervista me presidentin e tyre të misionit. U paraqita dhe u ulëm në korridor. Ai ishte vendi ku ata më dhanë mësimin tim të parë të ungjillit.

Gjatë dy javëve të ardhshme, vazhdova të takohesha me misionarët. Kur mora pjesë në mbledhjen e sakramentit, anëtarët e lagjes më shfaqën dashuri, pranim, miqësim dhe nxitje. Teksa mendova për atë që po mësoja, e kuptova se kureshtja rreth Kishës ishte shndërruar në nevojën për mua që të vendosja të pagëzohesha. E ndjeva se po nxitesha nga Shpirti që të bëja atë që Ati im Qiellor donte që unë të bëja, por vazhdova të hasja vështirësi për vendimin tim. Më së fundi, u pagëzova në nëntor 2001, në moshën 36‑vjeçare.

Vendimi im që të vrapoja në parkimin e kishës, dukej i parëndësishëm në atë kohë. Por ai më çoi drejt bekimeve të mia më të mëdha: anëtarësia ime në Kishë, takimi me bashkëshorten time të mrekullueshme, Xheniferin, dhe vulosja me të për kohën dhe përjetësinë në Tempullin e San‑Diegos në Kaliforni.

Pra, nëse ju ndodh të shihni dikë që po stërvitet në parkimin e shtëpisë suaj të mbledhjeve, thuajini se kush jeni! Nuk i dihet asnjëherë – ai apo ajo shumë shpejt mund të bëhet anëtari më i ri i lagjes suaj!