2010–2019
Zoti Është Drita Ime
Prill 2015


Zoti Është Drita Ime

Aftësia jonë për të qëndruar të paepur e të vërtetë dhe për ta ndjekur Shpëtimtarin pavarësisht nga peripecitë e jetës, forcohet shumë nëpërmjet familjeve të drejta dhe unitetit të përqendruar te Krishti në lagjet e degët tona.

Në këtë stinë të Pashkës ne mendojmë rreth shëlbimit të siguruar me anë të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit dhe ngazëllehemi për shkak të atij shëlbimi.1

Ankimi që përhapet anembanë tokës, për shkak të ligësisë së botës, krijon ndjenja të cenueshmërisë. Nëpërmjet komunikimit bashkëkohor, ndikimi i ligësisë, pabarazisë dhe padrejtësisë i bën shumë njerëz të ndiejnë se jeta është në thelb e padrejtë. Sado të rëndësishme që mund të jenë këto sprova, ato nuk duhet të na e heqin vëmendjen prej ngazëllimit dhe festimit për shkak të ndërmjetësimit hyjnor të Krishtit në emrin tonë. Shpëtimtari me të vërtetë “korr[i] fitore mbi vdekjen”. Me mëshirë e dhembshuri, Ai mori mbi Veten e Tij paudhësinë dhe shkeljet tona, duke na shëlbuar në këtë mënyrë dhe duke i plotësuar kërkesat e drejtësisë për të gjithë ata që do të pendoheshin e do të besonin në emrin e Tij.2

Flijimi i Tij i mrekullueshëm shlyes është i një domethënieje të madhërishme përtej kuptueshmërisë njerëzore. Kjo vepër e hirit na siguron paqen që e tejkalon çdo zgjuarsi.3

Atëherë, si të veprojmë me realitetet e ashpra që na rrethojnë?

Pamja
Some yellow flowers on a mound of dirt.

Gruaja ime, Meri, gjithmonë i ka dashur lulet e diellit. Ajo gëzohet kur ato, në vende tepër të pamundura, shfaqen përgjatë rrugës. Ka një rrugë të pashtruar që të çon te shtëpia ku jetonin gjyshërit e mi. Kur me makinë niseshim përgjatë asaj udhe, Meri shpesh do të thoshte: “A mendon se do t’i shohim ato lule dielli mahnitëse sot?” Ne habiteshim që lulet e diellit lulëzojnë në dheun që është ndikuar nga pajisjet e fermës dhe të heqjes së dëborës, dhe nga grumbullimi i materialeve që nuk do të merreshin parasysh se përbënin dheun e përsosur ku të rriteshin lulet e diellit.

Pamja
Yellow flowers by some water

Një prej tipareve mbresëlënëse të luleve të njoma të diellit, që rriteshin të egra, përveç rritjes në dheun që s’është mikpritës, është mënyra se si gonxhja e lules së re e ndjek diellin përmes qiellit. Kur e bën këtë, ajo merr energjinë jetëmbështetëse përpara se të shpërthejë me ngjyrën e saj të verdhë, të lavdishme.

Sikurse lulja e njomë e diellit, kur e ndjekim Shpëtimtarin e botës, Birin e Perëndisë, ne lulëzojmë dhe bëhemi të lavdishëm pavarësisht nga shumë rrethana të tmerrshme që gjenden përreth nesh. Ai me të vërtetë është drita dhe jeta jonë.

Në shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave, Shpëtimtari u shpalli dishepujve të Tij se ata që bëjnë fyerje dhe paudhësi, do të mblidhen jashtë nga mbretëria e Tij.4 Por duke iu folur besnikëve, Ai tha: “Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre”5. Si individë, si dishepuj të Krishtit, duke jetuar në një botë armiqësore që është, me tërë kuptimin e fjalës, në rrëmujë, ne mund të rritemi dhe të lulëzojmë, në qoftë se i kemi rrënjët të ngulitura në dashurinë tonë për Shpëtimtarin dhe në qoftë se i ndjekim me përulësi mësimet e Tij.

Aftësia jonë për të qëndruar të paepur e të vërtetë dhe për ta ndjekur Shpëtimtarin pavarësisht nga peripecitë e jetës, forcohet shumë nëpërmjet familjeve të drejta dhe unitetit të përqendruar te Krishti në lagjet e degët tona.6

Ora e Duhur në Shtëpi

Roli i familjes në planin e Perëndisë është “për të na sjellë lumturi, për të na ndihmuar të mësojmë parime të sakta në një mjedis me dashuri dhe për të na përgatitur për jetën e përjetshme”7. Traditat e bukura të veprimtarive fetare në shtëpi duhet të nguliten në zemrat e fëmijëve tanë.

Daja im, Von Robert Kimballi, ishte një student i mirë, një shkrimtar aspirues dhe një qendërsulmues në ekipin e futbollit amerikan të UBJ-së. Më 8 dhjetor 1941, ditën pasi u sulmua Përl Harbori, ai u regjistrua në Flotën Detare të SHBA-së. Ndërkohë që ndodhej në një detyrë për të rekrutuar njerëz në Albani të Nju-Jorkut, ai i dërgoi revistës Reader’s Digest një artikull të shkurtër për botim. Revista i pagoi atij 200 dollarë dhe e botoi artikullin e tij të titulluar “Ora e Duhur në Shtëpi” në botimin e tyre të majit të vitit 1944.

Shkrimi i tij për revistën Reader’s Digest, në të cilën ai e vendos veten në rolin e një marinari, pjesërisht thotë:

“Ora e Duhur në Shtëpi:

Një mbrëmje në Albani të Nju-Jorkut, e pyeta një marinar se sa ishte ora. Ai nxori një orë të stërmadhe dhe u përgjigj: ‘Është 7:20’. E dija që ishte më vonë. ‘Ju ka ngelur ora, apo jo?’ e pyeta.

‘Jo’, tha ai, ‘e kam ende me orën e Zonës së Shtatë Orare. Unë jam nga Juta jugore. Kur u bashkova me Flotën Detare, babi ma dha këtë orë. Ai tha se do të më ndihmonte ta kujtoja shtëpinë.

Kur ora tregon 5 e mëngjesit, e di se babi po ndez makinën që të shkojë të mjelë lopët. Dhe çdo mbrëmje kur tregon 7:30, e di se gjithë familja është ulur përreth tavolinës së shtruar me bollëk dhe babi po e falënderon Perëndinë për çfarë kanë përpara, dhe po i kërkon Atij që të përkujdeset për mua …’, përfundoi ai. ‘Unë mund ta gjej me lehtësi se sa është ora atje ku jam. Ajo që dua të di është se sa është ora në Juta.’”8

Pak kohë pasi e dorëzoi artikullin, Voni u caktua të shërbente në një anije në Oqeanin Paqësor. Më 11 maj 1945, ndërkohë që shërbente në transportuesin USS Bankër Hill pranë Okinavës, anija u bombardua nga dy avionë vetëvrasës.9 Vdiqën pothuajse 400 njerëz të ekuipazhit, përfshirë dajën tim, Vonin.

Plaku Spenser W. Kimball ia shprehu keqardhjen e tij të përzemërt babait të Vonit, duke vënë në dukje denjësinë e Vonit dhe sigurinë prej Zotit që “ata që vdesin në mua, nuk do ta shijojnë vdekjen, sepse ajo do të jetë e ëmbël për ta”10. Babai i Vonit me dhembshuri tha se edhe pse Voni ishte i varrosur në det, dora e Perëndisë do ta merrte Vonin drejt shtëpisë së tij qiellore.11

Tetë vjet më vonë, Presidenti Spenser W. Kimball foli për Vonin në një konferencë të përgjithshme. Ai pjesërisht tha: “E njihja mirë këtë familje. … Jam gjunjëzuar në lutje të fuqishme me [ta]. … Mësimi në shtëpi ka çuar në bekimin e përjetshëm të kësaj familjeje të madhe.” Presidenti Kimball i drejtoi një sfidë çdo familjeje që “të bien në gjunjë … duke u lutur dy herë çdo ditë për bijtë dhe bijat e tyre”12.

Vëllezër e motra, nëse me besnikëri bëjmë lutje familjare, studim të shkrimeve të shenjta, mbrëmje familjare të shtëpisë, bekime të priftërisë dhe mbajtje të ditës së Shabatit, fëmijët tanë do ta dinë se sa është ora në shtëpi. Ata do të jenë të përgatitur për një shtëpi të përjetshme në qiell, pavarësisht nga çfarë u ndodh atyre në një botë të vështirë. Është jetësisht e rëndësishme që fëmijët tanë ta dinë se ata gjejnë dashuri dhe janë të sigurt në shtëpi.

Bashkëshortët e bashkëshortet janë bashkëpunëtorë të barabartë.13 Ata kanë përgjegjësi të ndryshme, por që e plotësojnë njëra-tjetrën. Bashkëshortja mund të lindë fëmijë, gjë që e bekon tërë familjen. Bashkëshorti mund të marrë priftërinë, gjë që e bekon tërë familjen. Por në këshillat familjarë, bashkëshortet e bashkëshortët, si bashkëpunëtorë të barabartë, marrin vendimet më të rëndësishme. Ata vendosin se si do të mësohen e disiplinohen fëmijët, se si duhen shpenzuar të hollat, ku do të jetojnë dhe shumë vendime të tjera familjare. Ato vendime merren së bashku pasi të kërkohet udhërrëfim nga Zoti. Synimi është një familje e përjetshme.

Drita e Krishtit mbjell natyrën e përjetshme të familjes në zemrat e gjithë fëmijëve të Perëndisë. Një nga shkrimtaret e mia të parapëlqyera, jo e fesë sonë, e tha atë në këtë mënyrë: “Kaq shumë në jetë është e pavlerë, [por] … familja është gjëja e vërtetë, gjëja e qenësishme, gjëja e përjetshme; gjëja për ta ruajtur e për të treguar kujdes dhe gjëja së cilës t’i jemi besnikë”14.

Kisha na Ndihmon të Përqendrohemi te Shpëtimtari si një Familje e Bashkuar

Përveç familjes, roli i Kishës është gjithashtu i rëndësishëm. “Kisha siguron organizimin dhe mjetet për t’u mësuar ungjillin e Jezu Krishtit të gjithë fëmijëve të Perëndisë. Ajo siguron autoritetin e priftërisë për të administruar ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit për të gjithë ata që janë të denjë e të gatshëm t’i pranojnë ato.”15

Në botë ka grindje të shfrenuara e paudhësi dhe një theksim të madh lidhur me kultura të papajtueshme dhe me pabarazinë. Në Kishë, përveç njësive të organizuara në bazë të gjuhës së folur, lagjet dhe degët tona janë mbi baza gjeografike. Ne nuk bëjmë ndarje mbi baza të klasës apo të pozitës.16 Ne gëzohemi për faktin që të gjitha racat dhe kulturat janë të përziera së bashku në një bashkësi të të drejtëve. Familja e lagjes sonë është e rëndësishme për përparimin, lumturinë dhe përpjekjen tonë vetjake që të bëhemi më shumë si Krishti.

Kulturat shpesh i përçajnë njerëzit dhe nganjëherë janë një burim dhune dhe diskriminimi.17 Në Librin e Mormonit, një pjesë e gjuhës më shqetësuese përdoret për të përshkruar traditat e etërve të ligj, të cilat çuan drejt dhunës, luftës, veprimeve të liga, paudhësisë dhe madje shkatërrimit të popujve dhe të kombeve.18

Nuk ka pikënisje më të mirë në shkrimet e shenjta sesa 4 Nefi për një përshkrim të kulturës së Kishës që është thelbësore për ne të gjithë. Te vargu 2 pjesërisht thuhet: “I gjithë populli ishte kthyer në besim te Zoti, mbi tërë faqen e dheut, si Nefitë ashtu dhe Lamanitë; dhe nuk pati grindje dhe debate mes tyre dhe të gjithë njerëzit [e] trajtonin me drejtësi njëri-tjetrin”. Te vargu 16 ne lexojmë: “Dhe me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë”. Fakti që nuk pati grindje, rrodhi prej “dashurisë së Perëndisë që jetonte në zemrat e njerëzve”19. Kjo është kultura të cilën ne e dëshirojmë.

Vlera dhe bindje të thella kulturore shkojnë deri në thelbin e njerëzve që jemi. Traditat e sakrificës, mirënjohjes, besimit dhe drejtësisë duhet të mbahen gjallë dhe të ruhen. Familjet duhet t’i ushqejnë dhe t’i mbrojnë traditat që formojnë besim.20

Një nga tiparet më të rëndësishme të çdo kulture është gjuha e saj. Në zonën e San-Franciskos në Kaliforni, ku jetoja unë, pati shtatë njësi mbi bazën e gjuhës së folur. Doktrina jonë në lidhje me gjuhën e folur përvijohet te seksioni 90, vargu 11 i Doktrinës e Besëlidhjeve: “Sepse do të ndodhë në atë ditë, që çdo njeri do ta dëgjojë plotësinë e ungjillit në gjuhën e tij dhe në të folurën e tij”.

Kur fëmijët e Perëndisë i luten Atij në gjuhën e tyre amtare, ajo është gjuha e zemrës së tyre. Është e qartë që gjuha e zemrës është e çmuar për të gjithë njerëzit.

Vëllai im më i madh, Jozefi, është mjek dhe e kreu praktikën e tij mjekësore për shumë vjet në zonën e Gjirit të San-Franciskos. Një anëtar i Kishës, i moshuar, nga Samoa, i cili ishte një pacient i ri, erdhi në zyrën e tij. Ai kishte një dhembje të rëndë, ligështuese. U përcaktua se kishte një gur në veshkë dhe u ndërmor mjekimi i duhur. Ky anëtar besnik tha se qëllimi i tij fillestar ishte thjesht të kuptonte se çfarë nuk shkonte me të, me qëllim që ai të mund t’i lutej në gjuhën samoane Atit të tij Qiellor rreth problemit të tij shëndetësor.

Është e rëndësishme për anëtarët që ta kuptojnë ungjillin në gjuhën e zemrës së tyre, me qëllim që ata të mund të luten dhe të veprojnë në përputhje me parimet e ungjillit.21

Edhe me shumëllojshmërinë e gjuhëve dhe traditat kulturore të bukura, lartësuese, ne duhet t’i kemi zemrat të thurura në bashkim e në dashuri.22 Zoti ka shpallur në mënyrë të theksuar: “Çdo njeri le ta vlerësojë vëllanë e tij si veten. … Jini një; dhe nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë.”23 Ndërsa i vlerësojmë si thesar ndryshueshmëritë e duhura të kulturave, synimi ynë është të bashkohemi në kulturën, zakonet dhe traditat e ungjillit të Jezu Krishtit në cilindo këndvështrim.

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme Nuk Ka Qenë Kurrë më e Fortë

Ne e kuptojmë se disa anëtarë kanë pyetje dhe shqetësime, ndërkohë që përpiqen t’i forcojnë besimin dhe dëshmitë e tyre. Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos jemi kritikues ose paragjykues ndaj atyre që kanë shqetësime – të mëdha apo të vogla. Në të njëjtën kohë, njerëzit me shqetësime duhet të bëjnë gjithçka që munden për ta ndërtuar besimin dhe dëshminë e tyre. Studimi, përsiatja, lutja, të jetuarit e parimeve të ungjillit me durim e përulësi, dhe këshillimi me udhëheqësit e duhur janë mënyrat më të mira për t’u dhënë zgjidhje pyetjeve ose shqetësimeve.

Disa kanë sugjeruar se më shumë anëtarë po largohen nga Kisha sot dhe se ka më tepër dyshim e mosbesim se sa në të shkuarën. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk ka qenë kurrë më e fortë. Numri i anëtarëve që i heqin emrat e tyre nga analet e Kishës, gjithmonë ka qenë shumë i vogël dhe ai është, në mënyrë domethënëse, më i vogël në vitet e fundit sesa ishte në të kaluarën.24 Rritja në aspekte të matshme statistikore, të tilla si anëtarët që e kanë marrë dhurimin [indaumentin] dhe që kanë një rekomandim të vlefshëm të tempullit, të rriturit pagues të së dhjetës së plotë dhe ata që shërbejnë në misione, ka qenë e ndjeshme. Lejomëni ta them sërish, Kisha nuk ka qenë kurrë më e fortë. Por, “kujtoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë”25. Ne i afrohemi kujtdo.

Nëse realitetet e zymta, me të cilat po përballeni në këtë kohë, duken të pashpresa e të rënda dhe pothuajse të padurueshme, mbani mend se në errësirën shpirtndrydhëse të Gjetsemanit dhe në torturën e në dhembjen e papërshkrueshme të Kalvarit, Shpëtimtari e përmbushi Shlyerjen, e cila i shpërbën barrët më të tmerrshme që mund të ndodhin në këtë jetë. Ai e bëri atë për ju dhe Ai e bëri atë për mua. Ai e bëri atë ngaqë na do dhe ngaqë Ai i bindet Atit të Tij dhe e do Atë. Ne do të shpëtohemi nga vdekja – madje që nga thellësitë e detit.

Mbrojtjet tona në këtë jetë dhe në përjetësi do të jenë në drejtësinë familjare dhe në ordinancat e në doktrinën e Kishës. Ky është strehimi ynë nga stuhia. Për ata që ndiejnë se janë të vetëm, ju mund të qëndroni vendosmërisht në drejtësi, duke e ditur se Shlyerja do t’ju mbrojë e do t’ju bekojë përtej aftësisë suaj për të kuptuar tërësisht.

Ne duhet ta kujtojmë Shpëtimtarin, t’i mbajmë besëlidhjet tona dhe ta ndjekim Birin e Perëndisë, ashtu si lulet e njoma të diellit e ndjekin shkëlqimin e diellit. Ndjekja e dritës dhe e shembullit të Tij do të na sjellin gëzim, lumturi e paqe. Sikurse shpallin Psalmi 27, si edhe një himn i parapëlqyer: “Zoti është drita ime dhe shpëtimi im”26.

Në këtë fundjavë Pashke, si një prej Apostujve të Shpëtimtarit, unë jap dëshminë time solemne për Ringjalljen e Jezu Krishtit. Unë e di se Ai jeton. Unë e njoh zërin e Tij. Unë dëshmoj për hyjnueshmërinë e Tij dhe vërtetësinë e Shlyerjes, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënimet

  1. Shih 2 Nefi 9:20–22.

  2. Shih Mosia 15:8–9.

  3. Shih Filipianëve 4:7.

  4. Shih Mateu 13:41.

  5. Mateu 13:43.

  6. Shih Doktrina e Besëlidhje 115:5–6.

  7. Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 1.1.4.

  8. Vaughn R. Kimball, “The Right Time at Home”, Reader’s Digest, maj 1944, f. 43.

  9. Shih letër nga Kapiteni G. A. Seitz, U.S. Navy, USS Bunker Hill, e datës 25 maj 1945, drejtuar babait të Vaughn Kimball-it, Crozier Kimball-it, Draper, Utah.

  10. Shih letër nga Spencer W. Kimball, e datës 2 qershor 1945, drejtuar Crozier Kimball-it; Doktrina e Besëlidhje 42:46.

  11. Shih Crozier Kimball, në Marva Jeanne Kimball Pedersen, Vaughn Roberts Kimball: A Memorial (1995), f. 53.

  12. Spencer W. Kimball, “The Family Influence”, Ensign, korrik 1973, f. 17. Spenser W. Kimballi ishte atëherë Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

  13. Shih “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  14. Carla Carlisle, “Pray, Love, Remember”, Country Life, 29 shtator 2010, f. 120.

  15. Manuali 2, 1.1.5.

  16. Shih 4 Nefi 1:26.

  17. Kultura diskutohet shumë në botën e sotme. Për vitin 2014, fjala kulturë madje u quajt fjala e vitit nga Merriam-Webster.com.

  18. Shih Alma 9; Helamani 5.

  19. 4 Nefi 1:15.

  20. Filozofi gjerman Gëte në mënyrë të famshme shkroi: “Atë që nga trashëgimia e etërve tuaj është huazuar, fitojeni sërish, që ta zotëroni me të vërtetë!” (Johann Wolfgang von Goethe, Faust, përkth. në anglisht nga Bayard Taylor [1912], 1:28).

  21. Kjo është një nga arsyet pse Kisha zhvillon mësimdhënie të ungjillit në 50 gjuhë dhe e përkthen Librin e Mormonit në 110 gjuhë. Megjithatë, një prej sfidave anembanë botës është të mësoni gjuhën e vendit në të cilin ju jetoni. Si prindër, neve na nevojitet të sakrifikojmë për ta ndihmuar brezin e ri që ta mësojë gjuhën e vendit ku ata jetojnë tani. Ndihmojini ta bëjnë atë gjuhë gjuhën e zemrës së tyre.

  22. Shih Mosia 18:21.

  23. Doktrina e Besëlidhje 38:25, 27.

  24. Gjatë 25 viteve të fundit, numri i mirëfilltë i anëtarëve që janë larguar nga Kisha, është pakësuar dhe Kisha është gati dyfishuar në madhësi. Përqindja e të larguarve është pakësuar shumë.

  25. Doktrina e Besëlidhje 18:10.

  26. Psalmeve 27:1; shih edhe “The Lord Is My Light”, Hymns, nr. 89.