2010–2019
Lutja e Priftërisë dhe Lutja Vetjake
Prill 2015


Lutja e Priftërisë dhe Lutja Vetjake

Perëndia mund të na japë fuqi në priftëri për çfarëdo rrethanash në të cilat mund të jemi. Thjesht duhet që ne të kërkojmë me përulësi.

Jam mirënjohës për mirëbesimin që t’u flas mbajtësve të priftërisë së Perëndisë në të gjithë tokën. E ndiej peshën e kësaj mundësie ngaqë e njoh disi mirëbesimin që Zoti ka vendosur te ju. Me pranimin e priftërisë nga ana juaj, ju keni marrë të drejtën për të folur e për të vepruar në emrin e Perëndisë.

Ajo e drejtë do të bëhet një realitet vetëm kur ju merrni frymëzim nga Perëndia. Vetëm atëherë ju do të jeni në gjendje të flisni në emrin e Tij. Dhe vetëm atëherë mund të veproni në emrin e Tij. Ju mund të keni bërë gabimin që të mendoni: “O, ajo s’është aq e vështirë. Unë mund të marr frymëzim nëse më kërkohet ndonjëherë që të jap një bisedë apo nëse më duhet ndonjëherë të jap një bekim priftërie.” Ose dhjaku apo mësuesi i ri në moshë mund të gjejë ngushëllim te mendimi: “Kur të jem më i madh në moshë ose kur të thirrem si misionar, atëherë do ta di me siguri atë që Perëndia do të thotë dhe atë që Perëndia do të bëjë”.

Por mendoni për kohën kur ju duhet ta dini atë që Perëndia do të thoshte dhe atë që Ai do të bënte. Ajo kohë tashmë ka ardhur për ne të gjithë – kudo që jeni në thirrjen tuaj në priftëri. Unë u rrita në një zonë me shumë pak anëtarë në lindje të Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës II Botërore. Anëtarët e Kishës jetonin mjaft larg dhe kishte racionim të rreptë të benzinës. Isha i vetmi dhjak në degë. Anëtarët ia jepnin zarfet e tyre të ofertës së agjërimit presidentit të degës kur vinin në mbledhjen e agjërimit dhe të dëshmisë në shtëpinë tonë.

Kur isha 13-vjeçar, lëvizëm në Juta për të jetuar në një lagje të madhe. Më kujtohet detyra ime e parë për të shkuar te shtëpitë që të mblidhja ofertat e agjërimit. E pashë emrin te njëri nga zarfet që m’u dha dhe vura re që mbiemri ishte i njëjtë me një prej Tre Dëshmitarëve të Librit të Mormonit. Prandaj trokita në derë me vetëbesim. Burri e hapi derën, më pa, ngrysi vetullat dhe pastaj më bërtiti që të largohesha. U largova me kokën të ulur.

Ajo ndodhi rreth 70 vjet më parë, por ende e mbaj mend ndjenjën që pata atë ditë te pragu, se kishte diçka që duhej ta kisha thënë ose ta kisha bërë. Vetëm sikur të isha lutur me besim kur shkova atë ditë, mund të isha frymëzuar që të qëndroja një çast më shumë tek ai prag, të buzëqeshja dhe të thoja diçka si: “Është kënaqësi që ju takoj. Faleminderit për atë që ju dhe familja juaj keni dhënë në të shkuarën. Me dëshirë pres të shihem me ju muajin që vjen.”

Po ta kisha thënë dhe bërë atë, ai mund të kishte qenë edhe më i nxehur – dhe mbase fyes. Por tani e di se si mund të isha ndier unë. Në vend të një ndjenje trishtimi ose dështimi teksa largohesha, unë mund të kisha ndier përgëzimin e butë në mendjen dhe zemrën time: “Të lumtë”.

Ne të gjithë duhet të flasim e të veprojmë në emër të Perëndisë në çastet kur gjykimi ynë i pandihmë nuk do të jetë i mjaftueshëm pa frymëzimin. Këto çaste mund të na vijnë kur nuk ka kohë për të bërë përgatitje. Kjo më ka ndodhur mua shpesh. Më ndodhi shumë vite më parë në një spital kur një baba më tha mua dhe shoqëruesit tim se mjekët i kishin thënë që bija e tij trevjeçare, e dëmtuar rëndë, do të vdiste brenda pak minutash. Teksa i vendosa duart e mia mbi të vetmen pjesë në kokën e saj që nuk ishte mbuluar me fasha, duhej të dija, si shërbëtor i Perëndisë, se çfarë Ai donte që unë të bëja dhe të thoja.

Fjalët më erdhën në mendjen time dhe në buzët e mia se ajo do të jetonte. Mjeku që qëndronte pranë meje, shfryu me pakënaqësi dhe më kërkoi të largohesha. Dola jashtë asaj dhome të spitalit me një ndjenjë paqeje dhe dashurie. Ajo vajzë e vogël jetoi dhe eci nëpër korridor në një mbledhje sakramenti në ditën time të fundit në atë qytet. Akoma më kujtohet gëzimi dhe kënaqësia që ndjeva nga ajo që kisha thënë e bërë në shërbim të Zotit për atë vajzë të vogël dhe familjen e saj.

Ndryshimi midis ndjenjave të mia në spital dhe trishtimit që ndjeva kur u largova nga ajo derë si dhjak, erdhi nga ajo që kisha mësuar rreth lidhjes së lutjes me fuqinë e priftërisë. Si dhjak, nuk e kisha mësuar ende se fuqia për të folur dhe për të vepruar në emrin e Perëndisë kërkon zbulesë dhe që ta kemi atë kur të na nevojitet, kërkohet lutje dhe veprim me besim për shoqërimin e Frymës së Shenjtë.

Në mbrëmjen përpara se të shkoja tek ajo derë për ofertat e agjërimit, unë e kisha thënë lutjen time përpara gjumit. Por për javë e muaj para se të vinte ajo telefonatë nga spitali, unë kisha ndjekur një model lutjeje dhe e kisha bërë përpjekjen që Presidenti Jozef F. Smith na mësoi, e cila do ta lejonte Perëndinë që të na jepte frymëzimin e nevojshëm për ne që të kemi fuqi në priftërinë. Ai e tha thjesht:

“Nuk na duhet që t’i lutemi Atij duke përdorur shumë fjalë. Nuk na duhet që ta lodhim Atë me lutje të gjata. Ajo që na nevojitet vërtet dhe ajo që duhet të bëjmë si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, për të mirën tonë, është të shkojmë përpara Tij shpesh, t’i dëshmojmë Atij se e kujtojmë Atë dhe se jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Tij, t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, të veprojmë me drejtësi; dhe që ne e dëshirojmë Shpirtin e tij për të na ndihmuar.”1

Dhe më pas Presidenti Smith na tregoi se për çfarë duhej të luteshim, ndërkohë që shërbëtorët e Tij zotoheshin të flisnin e të vepronin për Perëndinë. Ai tha: “Për çfarë luteni? Ju luteni që Perëndia mund t’ju njohë, që ai të mund t’i dëgjojë lutjet tuaja dhe që ai të mund t’ju bekojë me Shpirtin e tij.”2

Nuk është dhe aq shumë çështja se cilat fjalë të përdorni, por do të kërkojë njëfarë durimi. Është një afrim drejt Atit tuaj Qiellor me qëllimin për t’u njohur prej Tij personalisht. Ai është Perëndia mbi gjithçka, Ati i të gjithëve dhe prapëseprapë i gatshëm që t’i kushtojë vëmendje të plotë njërit prej fëmijëve të Tij. Kjo mund të jetë arsyeja përse Shpëtimtari i përdori fjalët: “Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt”3.

Është më e lehtë të fitoni ndjenjën e duhur të nderimit kur jeni në gjunjë ose me kokën të përkulur, por është e mundur ta ndieni se po i afroheni Atit tuaj Qiellor në mënyrë më pak ceremoniale dhe madje në lutje të heshtur, sikurse do t’ju nevojitej shpesh ta bëni në shërbimin tuaj të priftërisë. Do të ketë zhurmë dhe njerëz përreth jush shumicën e kohës gjatë veprimtarive ditore. Perëndia i dëgjon lutjet tuaja të heshtura, por mund t’ju duhet të mësoni që t’i largoni shpërqendrimet, sepse çasti kur të keni nevojë për lidhjen me Perëndinë, mund të mos vijë në kohë të qeta.

Presidenti Smith sugjeroi se juve do t’ju nevojitet të luteni që Perëndia ta njohë thirrjen tuaj për t’i shërbyer Atij. Ai tashmë di rreth thirrjes suaj me hollësi të plotë. Ai ju thirri dhe, duke iu lutur Atij për thirrjen tuaj, Ai do t’ju japë zbulesë juve që të dini më shumë.4

Unë do t’ju jap një shembull të asaj që mund të bëjë një mësues shtëpie kur lutet. Mund ta dini tashmë se ju duhet:

“Të vizito[ni] shtëpinë e çdo anëtari, duke i nxitur ata të luten me zë e në fshehtësi dhe të ndjekin të gjitha detyrat familjare. …

… Të vëzhgo[ni] mbi kishën gjithmonë dhe të j[ini] me ta e t’i forco[ni] ata;

Dhe të kujdese[ni] që nuk ka paudhësi në kishë, as ashpërsi me njëri-tjetrin, as gënjeshtra, të folur pas shpine apo të folur dashakeqës;

Dhe të kujdese[ni] që kisha të mblidhet së bashku shpesh dhe gjithashtu të kujdese[ni] që tërë anëtarët të bëjnë detyrën e tyre.”5

Tani, qoftë për mësuesin e shtëpisë me përvojë si edhe shoqëruesin e tij më të ri, kjo është qartësisht e pamundur pa ndihmën e Frymës së Shenjtë. Mendoni për familjet ose edhe individët të cilëve jeni thirrur t’iu shërbeni. Gjykimi njerëzor dhe qëllimet e mira nuk do të mjaftojnë.

Prandaj ju do të luteni për mënyrën se si t’i njihni zemrat e tyre, të dini se cilat gjëra janë të gabuara në jetën dhe në zemrat e njerëzve, të cilët nuk i njihni mirë dhe të cilët as që dëshirojnë që ju t’i njihni ata. Do t’ju nevojitet të dini atë që Perëndia do të donte që ta bënit për t’i ndihmuar ata dhe për ta bërë gjithçka, sa më mirë që mundeni, duke ndier dashurinë e Perëndisë për ta.

Është ngaqë ju keni thirrje kaq të rëndësishme dhe të vështira të priftërisë që Presidenti Smith sugjeron se, kur luteni, gjithmonë t’i luteni Perëndisë që Ai t’ju bekojë me Shpirtin e Tij. Do t’ju nevojitet Fryma e Shenjtë jo një herë, por aq herë sa Perëndia do t’jua japë atë për shoqëruesin tuaj të vazhdueshëm. Ajo është arsyeja përse ne duhet të lutemi gjithmonë që Perëndia të na udhëzojë në shërbimin tonë ndaj fëmijëve të Tij.

Ngaqë nuk mund të arrini te potenciali juaj i priftërisë pa Shpirtin që ju shoqëron, ju jeni një shënjestër vetjake për armikun e gjithë lumturisë. Nëse ai mund t’ju tundojë që të mëkatoni, ai mund ta pakësojë fuqinë tuaj që të udhëhiqeni nga Shpirti dhe kështu ta zvogëlojë fuqinë tuaj në priftëri. Kjo është përse Presidenti Smith tha që ju duhet të luteni gjithmonë që Perëndia t’ju paralajmërojë dhe mbrojë nga ligësia.6

Ai na paralajmëron në shumë mënyra. Paralajmërimet janë pjesë e planit të shpëtimit. Profetët, apostujt, presidentët e kunjeve, peshkopët dhe misionarët, të gjithë e ngrenë zërin paralajmërues për t’iu larguar fatkeqësisë nëpërmjet besimit te Jezu Krishti, pendimit dhe bërjes e mbajtjes së besëlidhjeve të shenjta.

Si mbajtës i priftërisë, ju duhet të jeni pjesë e zërit paralajmërues të Zotit. Por duhet t’ia vini veshin vetë paralajmërimit. Ju nuk do të mbijetoni shpirtërisht pa mbrojtjen e shoqërimit të Frymës së Shenjtë në jetën tuaj të përditshme.

Ju duhet të luteni për të dhe të veproni që ta keni atë. Vetëm me atë udhërrëfim do të jeni në gjendje ta gjeni udhën tuaj përgjatë shtegut të ngushtë e të ngushtuar përmes mjegullave të ligësisë. Fryma e Shenjtë do të jetë udhërrëfyesi juaj teksa Ai jua zbulon të vërtetën, kur ju i studioni fjalët e profetëve.

Marrja e atij udhërrëfimi do të kërkojë më shumë sesa dëgjimin dhe leximin rastësor. Juve do t’ju nevojitet të luteni e veproni me besim për t’i përfshirë fjalët e së vërtetës thellë në zemrën tuaj. Ju duhet të luteni që Perëndia t’ju bekojë me Shpirtin e Tij, që Ai t’ju udhëheqë drejt gjithë së vërtetës dhe t’ju tregojë udhën e duhur. Kjo është mënyra se si Ai do t’ju paralajmërojë dhe udhërrëfejë nëpër shtegun e duhur në jetën tuaj dhe në shërbimin tuaj të priftërisë.

Konferenca e përgjithshme siguron një mundësi të madhërishme për ta lejuar Zotin ta forcojë fuqinë tuaj për të shërbyer në priftërinë e Perëndisë. Ju mund ta përgatitni veten tuaj, siç jam i sigurt se e keni bërë për këtë konferencë, me anë të lutjes. Ju mund ta bashkoni besimin tuaj me ata që do të luten në konferencë. Ata do të luten për shumë bekime mbi shumë njerëz.

Ata do të luten për Shpirtin që të zbresë mbi profetin si zëdhënësi i Zotit. Ata do të luten për Apostujt dhe të gjithë shërbëtorët e thirrur nga Perëndia. Kjo ju përfshin juve, nga dhjaku më i ri në detyrë deri te prifti i lartë më me përvojë dhe disa njerëz, si të moshuar dhe të rinj, të cilët shpejt do të shkojnë në botën e shpirtrave, ku ata do të dëgjojnë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik”7.

Ajo përshëndetje do të shkojë te disa njerëz që do të habiten prej saj. Ata mund të mos kenë mbajtur kurrë një detyrë të rëndësishme në mbretërinë e Perëndisë në tokë. Disa mund të kenë menduar se sollën pak rezultat nga punët e tyre apo se disa mundësi për të shërbyer nuk iu dhanë kurrë atyre. Të tjerë mund të ndiejnë se koha e tyre e shërbimit u shkurtua në këtë jetë më shumë nga ç’e kishin shpresuar.

Nuk do të jenë detyrat e mbajtura apo koha që shërbyem, të cilat do të vihen në baraspeshim me Zotin. Ne e dimë këtë nga shëmbëlltyra e Zotit për punëtorët në vresht, ku pagesa ishte e njëjtë pavarësisht nga sa kohë shërbyen apo vendi ku shërbyen. Ata do të shpërblehen sipas mënyrës se si shërbyen.8

Njoh një burrë, një mik të dashur, shërbimi në vresht gjatë vdekshmërisë i të cilit mbaroi mbrëmë në orën 11:00 të natës. Ai ishte kuruar për kancerin prej vitesh. Gjatë atyre viteve të mjekimit dhe të dhembjes e vështirësisë së tmerrshme, ai pranoi një thirrje për të mbajtur mbledhje me anëtarë në lagjen e tij dhe të ishte përgjegjës për ata anëtarë fëmijët e të cilëve ishin larguar nga shtëpitë e tyre; disa ishin të veja. Thirrja e tij ishte që t’i ndihmonte ata njerëz të gjenin ngushëllim në shoqërimin me të tjerët dhe në të mësuarin e ungjillit.

Kur mori prognozën e rëndë përfundimtare se ai kishte vetëm pak kohë për të jetuar, peshkopi i tij ishte larg në një udhëtim biznesi. Dy ditë më vonë, ai i dërgoi një mesazh peshkopit nëpërmjet udhëheqësit të tij të grupit të priftërinjve të lartë. Thoshte këtë rreth detyrës së tij: “E kuptoj që peshkopi nuk ndodhet në qytet, kështu që unë po i bëj planet. Po mendoj për një mbledhje për grupin tonë të hënën që vjen. Dy anëtarë mund të na çojnë për një vizitë te Qendra e Konferencave. Mund të na nevojiten disa anëtarë që të na çojnë atje me makina dhe disa djem skautistë që të shtyjnë karrocat e invalidëve. Në varësi të njerëzve që do të vijnë, ne mund të kemi mjaft të moshuar për ta bërë atë vetë, por do të ishte mirë të dinim se kemi njerëz që të na mbështetin nëse nevojitet. Gjithashtu mund të ishte një natë e mirë familjare për ndihmëtarët, që t’i sillnin edhe familjet e tyre. Megjithatë, më njoftoni para se ta bëj të ditur planin. … Faleminderit.”

Ai më pas e befasoi peshkopin me një telefonatë. Pa iu drejtuar gjendjes së vet ose përpjekjeve të tij të guximshme në detyrën e tij, ai pyeti: “Peshkop, a ka ndonjë gjë që mund ta bëj për ju?” Vetëm Fryma e Shenjtë mund ta kishte lejuar atë ta ndiente barrën e peshkopit, kur barra e vet ishte kaq dërrmuese. Dhe vetëm Shpirti mund ta kishte bërë të mundur për të që të krijonte një plan për t’u shërbyer vëllezërve e motrave të tij me të njëjtën përpikëri që e kishte përdorur në planifikimin e veprimtarive të skautistëve kur ishte i ri.

Me një lutje besimi, Perëndia mund të na japë fuqi në priftëri për çfarëdo rrethanash në të cilat mund të jemi. Thjesht duhet që ne të lutemi me përulësi për Shpirtin që të na tregojë atë që Perëndia do që ne të themi e të bëjmë, ta bëjmë atë dhe më pas të vazhdojmë të jetojmë të denjë për atë dhuratë.

Ju jap dëshminë time se Perëndia, Ati, jeton, na do dhe e dëgjon çdo lutje tonën. Ju jap dëshmi se Jezusi është Krishti i gjallë, Shlyerja e të cilit e bën të mundur për ne që të pastrohemi dhe kështu të jemi të denjë për shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Unë dëshmoj se me besimin dhe zellin tonë, një ditë ne mund t’i dëgjojmë fjalët që do të na sjellin gëzim: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik”9. Lutem që ne do ta marrim atë bekim të mrekullueshëm nga Mësuesi, të cilit i shërbejmë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.