2010–2019
Përse Martesa dhe Familja Janë të Rëndësishme – Kudo në Botë
Prill 2015


Përse Martesa dhe Familja Janë të Rëndësishme – Kudo në Botë

Familja është thelbi i jetës dhe është kyçi i lumturisë së përjetshme.

Nëntorin e kaluar unë pata privilegjin që të isha i ftuar – së bashku me Presidentin Henri B. Ajring dhe Peshkopin Zherald Kosé – për të ndjekur një konferencë të Vatikanit rreth martesës dhe familjes, në Romë të Italisë. Pjesëmarrës ishin përfaqësues fetarë nga 14 besime të ndryshme fetare dhe nga gjashtë prej shtatë kontinenteve, të cilët që të gjithë ishin ftuar për të shprehur bindjet e tyre lidhur me atë që po i ndodh familjes në botën e sotme.

Pamja
President Henry B. Eyring, Bishop Gerald Causse and Elder Perry in Rome

Papa Françesku e hapi sesionin e parë të kuvendit me këtë thënie: “Ne tani jetojmë në një kulturë të së përkohshmes, në të cilën gjithnjë e më shumë njerëz thjesht po heqin dorë nga martesa si një zotim publik. Ky revolucion në sjellje dhe vlera morale shpesh ka ngritur flamurin e lirisë, por në fakt ai u ka sjellë rrënim shpirtëror e material qenieve njerëzore të panumërta, veçanërisht më të varfërve dhe më të cenueshmëve. … Janë gjithmonë ata të cilët vuajnë më të shumtën në këtë krizë.”1

Duke iu drejtuar atyre të brezit të ri, ai tha se është e rëndësishme që ata “të mos i dorëzohen [mendësisë] helmuese të së përkohshmes, por përkundrazi të jenë revolucionarë me kurajë për të kërkuar dashurinë e vërtetë dhe jetëgjatë, duke ecur në të kundërt të modelit të zakonshëm”; kjo duhet bërë.2

Pamja
Synod hall with the faith leaders on the marriage summit

Ky fjalim u pasua nga tri ditë prezantimesh dhe diskutimesh me udhëheqës fetarë, duke folur për temën e martesës midis një burri dhe një gruaje. Teksa dëgjoja larminë më të gjerë të imagjinueshme të udhëheqësve fetarë mbarëbotërorë, i dëgjova ata të binin tërësisht dakord me njëri-tjetrin dhe të shprehnin mbështetje për bindjet e njëri-tjetrit lidhur me shenjtërinë e institucionit të martesës dhe të rëndësisë së familjeve si njësia bazë e shoqërisë. Ndjeva një ndjenjë të fuqishme të bashkësisë dhe unitetit me ta.

Pati shumë që e panë dhe e shprehën këtë unitet dhe e bënë këtë në një shumëllojshmëri mënyrash. Një nga mënyrat më të parapëlqyera për mua ishte kur një studiues mysliman nga Irani citoi dy paragrafë fjalë për fjalë nga pikërisht proklamata jonë për familjen.

Gjatë konferencës, vëzhgova se, kur besime fetare, grupe fetare dhe fe të ndryshme janë të bashkuar lidhur me martesën dhe familjen, ata gjithashtu janë të bashkuar lidhur me vlerat, besnikërinë dhe zotimin, të cilat shoqërohen në mënyrë të natyrshme me njësitë familjare. Ishte mbresëlënëse për mua të shihja se si martesa dhe përparësitë që përqendrohen te familja, mënjanojnë dhe zëvendësojnë çdo dallim politik, ekonomik ose fetar. Përsa i përket dashurisë për bashkëshortin/en dhe shpresave, shqetësimeve dhe ëndrrave për fëmijët, ne të gjithë jemi njësoj.

Pamja
President Henry B. Eyring speaking in a news room.

Ishte e mrekullueshme të isha në mbledhje me prezantues nga e gjithë bota, teksa ata, në mënyrë mbizotëruese, folën rreth ndjenjave të tyre për rëndësinë e martesës midis një burri dhe një gruaje. Secili prej fjalimeve të tyre u pasua nga dëshmi prej udhëheqësve të tjerë fetarë. Presidenti Henri B. Ajring dha një dëshmi përfundimtare në konferencë. Ai dha dëshmi të fuqishme për bukurinë e një martese të zotuar dhe për besimin tonë në bekimin e premtuar të familjeve të përjetshme.

Dëshmia e Presidentit Ajring ishte një mbyllje me vend për ato tri ditë të veçanta.

Tani, ju mund të pyetni: “Nëse shumica e ndjeu atë ngjashmëri të përparësisë dhe bindjeve për familjen, nëse të gjitha ato besime fetare dhe fe në thelb ranë dakord se çfarë duhet të jetë martesa dhe nëse ranë dakord lidhur me vlerën që duhet të vendoset mbi vatrat familjare dhe marrëdhëniet familjare, atëherë si jemi ne të ndryshëm? Si e dallon dhe e veçon veten e saj Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nga pjesa tjetër e botës?”

Ja përgjigjja ime: ndërsa ishte e mrekullueshme të shihja dhe të ndieja se kemi kaq shumë gjëra të përbashkëta me pjesën tjetër të botës për sa u përket familjeve tona, vetëm ne e kemi këndvështrimin e përjetshëm të ungjillit të rivendosur.

Ajo që sjell ungjilli i rivendosur në diskutimin mbi martesën dhe familjen, është kaq e gjerë dhe kaq domethënëse sa ajo nuk mund të theksohet më shumë nga ç’duhet: ne e bëjmë çështjen të përjetshme! Ne e çojmë zotimin dhe shenjtërinë e martesës në një nivel më të lartë për shkak të bindjes dhe kuptueshmërisë sonë që familjet e kanë fillesën përpara se të ishte kjo tokë dhe se ato mund të shkojnë përpara deri në përjetësi.

Kjo doktrinë na mësohet në mënyrë kaq të thjeshtë, të fuqishme dhe të bukur nga teksti i këngës së Fillores “Familjet Mund të Jen’ Bashk’ Përgjithmon’”, të shkruar nga Ruth Gardneri. Ndaluni për një çast dhe mendoni rreth fëmijëve të Fillores në mbarë botën duke kënduar këto fjalë në gjuhën e tyre amtare, me sa kanë fuqi, me një entuziazëm që vetëm dashuria për familjen mund ta nxitë:

Familjet mund të jen’ bashk’ përgjithmon’

Përmes planit t’Atit.

Dua të jem me familjen në përjet’si,

Dhe Zoti më ka treguar si.3

E gjithë teologjia e ungjillit tonë të rivendosur përqendrohet te familjet dhe te besëlidhja e re dhe e përjetshme e martesës. Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne besojmë në jetën paratokësore ku ne të gjithë jetuam si fëmijë të drejtpërdrejtë shpirtërorë të Perëndisë, Atit tonë Qiellor. Ne besojmë se ishim, dhe ende jemi, anëtarë të familjes së Tij.

Ne besojmë se martesa dhe lidhjet familjare mund të vazhdojnë përtej varrit – se martesat e kryera nga ata që kanë autoritetin e duhur në tempujt e Tij, do të vazhdojnë të jenë të vlefshme në botën që vjen. Ceremonitë tona martesore i përjashtojnë fjalët “derisa vdekja të na ndajë” dhe në vend të tyre thonë “për kohën dhe për gjithë përjetësinë”.

Ne gjithashtu besojmë se familjet e forta tradicionale nuk janë vetëm njësitë bazë të një shoqërie të qëndrueshme, të një ekonomie të qëndrueshme dhe të një kulture të qëndrueshme të vlerave – por që ato janë edhe njësitë bazë të përjetësisë dhe të mbretërisë e të qeverisjes së Perëndisë.

Ne besojmë se organizimi dhe qeverisja e qiellit do të ngrihen përreth familjeve dhe të afërmve të tjerë.

Është për shkak të bindjes sonë se martesat dhe familjet janë të përjetshme që ne, si kishë, dëshirojmë të jemi një udhëheqës dhe një pjesëmarrës në lëvizjet mbarëbotërore për t’i forcuar ato. Ne e dimë se nuk janë vetëm ata që janë fetarë në mënyrë aktive, të cilët tregojnë vlera dhe përparësi të përbashkëta për martesat jetëgjata dhe për marrëdhëniet e forta familjare. Një numër i madh i njerëzve laikë kanë arritur në përfundimin që një martesë e zotuar dhe një jetesë familjare është mënyra më e ndjeshme, më ekonomike dhe më e lumtur për të jetuar.

Askush nuk ka gjetur ndonjëherë një mënyrë më të efektshme për ta rritur brezin e ardhshëm sesa një vatër familjare e prindërve të martuar me fëmijë.

Përse martesa dhe familja duhet të jenë të rëndësishme – kudo? Sondazhet e opinionit publik tregojnë se martesa akoma është ideali dhe shpresa midis shumicës së çdo grupmoshe – edhe midis brezit të mijëvjeçarit, ku ne dëgjojmë kaq shumë rreth zgjedhjes së beqarisë, lirisë vetjake dhe bashkëjetesës në vend të martesës. Fakti është që shumica dërmuese e njerëzve anembanë botës ende dëshirojnë të kenë fëmijë dhe të krijojnë familje të forta.

Kur ne martohemi dhe kur kemi fëmijë, ndjenja e vërtetë e bashkësisë mes gjithë njerëzimit bëhet edhe më e dukshme. Si “njerëz familjarë” – pavarësisht nga vendi ku jetojmë ose cilat mund të jenë bindjet tona fetare – ne përjetojmë shumë prej sprovave të njëjta, të përshtatjeve të njëjta dhe të shpresave, shqetësimeve dhe ëndrrave të njëjta për fëmijët tanë.

Siç tha gazetari Dejvid Bruks i gazetës New York Times: “Njerëzit nuk kanë jetë më të mirë kur atyre iu jepet liria vetjake maksimale për të bërë atë që dëshirojnë. Ata kanë jetë më të mirë kur përfshihen në zotime që e tejkalojnë zgjedhjen vetjake – zotime ndaj familjes, Perëndisë, punësimit dhe atdheut.”4

Një problem është se shumë nga mjetet e medias dhe të argëtimit që bota i përdor, nuk i pasqyrojnë përparësitë dhe vlerat e shumicës së njerëzve. Për çfarëdo arsyesh, shumë prej televizionit, filmave, muzikës dhe internetit tonë paraqesin një rast shumë tipik të një pakice që maskohet si një shumicë. Sjelljet e pamoralshme dhe mungesa e vlerave morale, të shkallëzuara nga dhuna e skajshme deri te marrëdhëniet seksuale për arsye argëtuese, portretizohen si gjendja normale dhe mund të shkaktojnë që ata njerëz, të cilët kanë vlera të përgjithshme, të ndihen sikur ne jemi të dalë nga moda ose prej një epoke që i ka ikur koha. Në një botë të tillë, të mbisunduar nga media dhe interneti, nuk ka qenë kurrë më e vështirë për të rritur fëmijë të përgjegjshëm dhe për t’i mbajtur martesat e familjet së bashku.

Pavarësisht nga ajo që shumica e mjeteve të medias dhe argëtimit mund të sugjerojnë, megjithatë dhe pavarësisht nga vetë pakësimi real i dëshirës për martesën dhe orientimin familjar të disa njerëzve, shumica dërmuese e njerëzimit ende beson se martesa duhet të jetë midis një burri e një gruaje. Ata besojnë në besnikërinë brenda martesës dhe besojnë në betimet e martesës si “në sëmundje e në shëndet” dhe “derisa vdekja të na ndajë”.

Na nevojitet ta kujtojmë veten tonë herë pas here, sikurse u kujtova unë në Romë, për faktin mrekullisht risigurues dhe ngushëllues që martesa dhe familja janë akoma aspirata dhe ideali për shumicën e njerëzve dhe që ne nuk jemi të vetëm në ato besime. Nuk ka qenë kurrë një sfidë më e madhe që të gjejmë një baraspeshim praktik midis punësimit, familjeve dhe nevojave vetjake sesa është ajo në kohën tonë. Si kishë, ne dëshirojmë të ndihmojmë në gjithçka mundemi, që të mund të krijojmë dhe mbështetim martesa dhe familje të forta.

Kjo është arsyeja përse Kisha merr pjesë aktivisht dhe siguron udhëheqje në koalicione të ndryshme dhe në përpjekjet ndërfetare për ta forcuar familjen. Është arsyeja përse ne i tregojmë vlerat që përqendrohen te familja nëpër mediat dhe mjetet shoqërore të informimit. Është arsyeja përse ne i ndajmë analet tona gjenealogjike dhe analet e familjeve të zgjeruara me të gjitha kombet.

Ne duam që zëri ynë të dëgjohet kundër të gjitha llojeve të jetesës, të gënjeshtra dhe të paraqitura si të mundshme, të cilat përpiqen ta zëvendësojnë organizimin familjar që e krijoi Perëndia Vetë. Ne gjithashtu duam që zëri ynë të dëgjohet në mbështetje të gëzimit dhe përmbushjes që sjellin njësitë tradicionale familjare. Ne duhet të vazhdojmë ta ngremë zërin tonë anembanë botës në shpalljen e arsyes përse martesa dhe familja janë kaq të rëndësishme, përse martesa dhe familja me të vërtetë kanë rëndësi dhe përse ato gjithmonë do të kenë rëndësi.

Vëllezërit dhe motrat e mia, ungjilli i rivendosur përqendrohet mbi martesën dhe familjen. Është gjithashtu mbi martesën dhe familjen ku ne mund të bashkohemi më shumë me besimet e tjera fetare. Është rreth martesës dhe familjes ku ne do të gjejmë tiparin tonë të përbashkët, më të madhërishëm që na lidh me pjesën tjetër të botës. Është rreth martesës dhe familjes që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka mundësinë më të madhe për të qenë një dritë në majë të malit.

Më lejoni ta mbyll duke shprehur dëshminë (dhe nëntë dekadat e mia në këtë tokë më kualifikojnë tërësisht që ta them këtë) se sa më shumë që plakem, aq më shumë e kuptoj se familja është thelbi i jetës dhe është kyçi i lumturisë së përjetshme.

Jap falënderime për gruan time, për fëmijët e mi, për nipërit e mbesat e mia dhe për stërnipërit e stërmbesat e mia, dhe për të gjithë kushërinjtë e krushqitë dhe për të afërmit e largët që ma bëjnë vetë jetën time kaq të pasur dhe po, madje të përjetshme. Për këtë të vërtetë të përjetshme jap dëshminë time më të fuqishme dhe më të shenjtë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Pope Francis, bisedë te Humanum: An International Interreligious Colloquium on the Complementarity of Man and Woman, 17 nëntor 2014, humanum.it/en/videos; shih edhe zenit.org/en/articles/pope-francis-address-at-opening-of-colloquium-on-complementarity-of-man-and-woman.

  2. Pope Francis, Colloquium on the Complementarity of Man and Woman.

  3. “Families Can Be Together Forever”, Hymns, nr. 300.

  4. David Brooks, “The Age of Possibility”, New York Times, 16 nëntor 2012, f. A35, nytimes.com/2012/11/16/opinion/brooks-the-age-of-possibility.html.