2010–2019
Rikthimi në Besim
Prill 2015


Rikthimi në Besim

Çdonjëri prej nesh mund ta forcojë besimin e vet te Jezu Krishti në udhëtimin individual dhe të gjejë gëzim.

Në këtë mëngjes Pashke, President Monson, ne jemi shumë mirënjohës që dëgjojmë zërin e profetit tonë të gjallë. Ne i çmojmë fjalët tuaja, përfshirë këshillën tuaj: “Gjeni gëzim në udhëtim”1 dhe “E ardhmja është po aq e ndritur sa besimi juaj”2.

Këtë vit, fëmijët e Fillores janë duke treguar gëzimin dhe shkëlqimin e besimit të tyre te Jezu Krishti kur këndojnë himnin “I Know That My Savior Loves Me” [“E Di, Shpëtimtari Më Do”]. Ata këndojnë të vërtetën: “Jeton, e di! … Zemrën ia fal Atij”3. Sikurse fëmijët e Fillores, çdonjëri prej nesh mund ta forcojë besimin e vet te Jezu Krishti në udhëtimin individual dhe të gjejë gëzim.

Në një mbledhje të fundit të diele të Shoqatës së Ndihmës, dëgjova një nënë të re tek tregonte pjesë të udhëtimit të saj të kthimit në besim. Ajo qe rritur në Kishë, me prindër që ia mësuan asaj ungjillin. Ajo mori pjesë në Fillore, tek Të Rejat dhe në seminar. Asaj i pëlqente shumë t’i mësonte dhe zbulonte të vërtetat. Kërkesa e saj e vazhdueshme qe të dinte pse-në. Plaku Rasëll M. Nelson ka thënë: “Zoti mund të mësojë vetëm një mendje kureshtare”4. Dhe kjo grua e re ishte e mësueshme.

Pas shkollës së mesme, ajo ndoqi universitetin, u vulos në tempull me një misionar të kthyer dhe u bekua me fëmijë të bukur.

Me shpirtin e kërkimit, kjo nënë vazhdoi të bënte pyetje. Por ndërkohë që pyetjet vështirësoheshin, ashtu ndodhte edhe me përgjigjet. Dhe nganjëherë nuk kishte përgjigje – ose nuk kishte përgjigje që sillnin paqe. Përfundimisht, ndërsa kërkoi të gjente përgjigjet, i dolën shumë më tepër pyetje, dhe ajo filloi të vinte në dyshim pikërisht disa nga parimet bazë të besimit të saj.

Gjatë kësaj kohe pështjelluese, disa nga njerëzit rreth saj i thanë: “Thjesht mbështetu te besimi im”. Por ajo mendoi: “S’mundem. Ju nuk e kuptoni; ju nuk jeni të mbërthyer nga këto çështje”. Ajo shpjegoi: “Isha e gatshme të tregoja mirësjellje ndaj atyre njerëzve pa dyshime, nëse ata do të shprehnin njerëzi ndaj meje”. Dhe shumë e bënë.

Ajo tha: “Prindërit e mi ma njihnin zemrën dhe më lanë hapësirë. Ata zgjodhën të më donin, ndërkohë që po përpiqesha ta gjeja vetë zgjidhjen”. Po njësoj, peshkopi i kësaj nëne të re takohej shpesh me të dhe i fliste për besimin që kishte tek ajo.

Edhe anëtarët e lagjes nuk ngurruan t’i jepnin dashuri dhe ajo u ndje e përfshirë. Lagjja e saj nuk ishte një vend për të shfaqur një fytyrë të përsosur; ishte një vend për t’u ushqyer.

“Ishte interesante”, kujton ajo. “Gjatë kësaj kohe ndjeva një lidhje reale me gjyshërit e mi të cilët kishin ndërruar jetë. Ata po më jepnin zemër dhe po më nxitnin që të vazhdoja të përpiqesha. Ndjeva se po thonin: ‘Përqendrohu tek ajo që di’.”

Pavarësisht nga sistemi përkrahës i konsiderueshëm ndaj saj, ajo u bë më pak aktive. Ajo tha: “Nuk u shkëputa nga Kisha për shkak të sjelljes së keqe, plogështisë shpirtërore, gjetjes së një justifikimi për të mos i jetuar urdhërimet ose kërkimit të një rrugëdaljeje të lehtë. Ndjeva se më nevojitej përgjigjja për pyetjen: ‘Çfarë besoj unë vërtet?’”

Rreth kësaj kohe ajo lexoi një libër me shkrime të Nënë Terezës, e cila kishte shprehur ndjenja të ngjashme. Në një letër të vitit 1953, Nënë Tereza shkroi: “Ju lutem, lutuni veçanërisht për mua, që unë të mos e çoj dëm punën e Tij dhe që Zoti Ynë të mund ta shfaqë Veten – sepse ka një errësirë kaq të tmerrshme në mua, sikur gjithçka të qe e pajetë. Ka qenë pak a shumë kështu qysh nga koha kur e fillova ‘punën’. Kërkojini Zotit Tonë të më japë guxim.”

Kryepeshkopi Perier iu përgjigj: “Perëndia të udhërrëfen ty, e dashur Nënë; ti nuk je aq shumë në errësirë sa ç’mendon. Shtegu që duhet ndjekur, mund të mos jetë gjithmonë i qartë njëherësh. Lutu për dritë; mos vendos shumë shpejt, dëgjoji ato që të tjerët kanë për të thënë, merri parasysh arsyet e tyre. Përherë do të gjesh diçka që të të ndihmojë. … E udhërrëfyer nga besimi, nga lutja dhe nga arsyeja me një qëllim të drejtë, mjafton për ty.”5

Mikesha ime mendoi se, nëse Nënë Tereza mund ta jetonte besimin e saj pa të gjitha përgjigjet dhe pa një ndjenjë qartësie në të gjitha gjërat, ndoshta edhe ajo mundej po ashtu. Ajo mund të hidhte një hap të thjeshtë përpara me besim – dhe më pas një tjetër. Ajo mund të përqendrohej tek të vërtetat që vërtet i besonte dhe t’i lejonte ato të vërteta t’ia mbushnin mendjen dhe zemrën.

Ndërsa reflektoi për ato që ndodhën, ajo tha: “Dëshmia ime ishte bërë si një grumbull hiri. Ajo ishte bërë e gjitha shkrumb. Gjithçka që mbeti ishte Jezu Krishti.” Ajo vijoi: “Por Ai nuk të braktis kur ti ke pyetje. Kur ndokush përpiqet t’i mbajë urdhërimet, dera është e hapur me pashë. Lutja dhe studimi i shkrimeve të shenjta u bënë pabesueshmërisht të rëndësishme.”

Hapi i saj i parë për ta rindërtuar besimin vetjak qe të fillonte me të vërtetat bazë të ungjillit. Ajo bleu një libër himnesh të Fillores dhe nisi të lexojë tekstet e himneve. Ato qenë thesare për të. Ajo u lut për besim për ta hequr ngarkesën që ndjente.

Ajo mësoi se, kur gjente një thënie që e bënte të dyshonte, ajo “mund të ndalej, ta shihte tablonë e plotë dhe ta përvetësonte ungjillin”. Ajo tha: “Unë do të pyesja: ‘A është ky shtegu i duhur për mua dhe familjen time?’ Ndonjëherë do ta pyesja veten: ‘Çfarë dua për fëmijët e mi?’ E kuptova se doja që ata të martoheshin në tempull. Kjo ishte koha kur bindja u rikthye në zemrën time.”

Plaku Xhefri R. Holland ka thënë: “Përulësia, besimi dhe ndikimi i Shpirtit të Shenjtë përherë [do të] jenë elemente të çdo kërkimi për të vërtetën”6.

Ndonëse kishte pyetje rreth asaj se nga erdhi Libri i Mormonit, ajo nuk mund t’i mohonte të vërtetat që i dinte në Librin e Mormonit. Ajo qe përqendruar te studimi i Dhiatës së Re për ta kuptuar më mirë Shpëtimtarin. “Por përfundimisht”, tha ajo, “e gjeta veten sërish duke lexuar Librin e Mormonit sepse e doja atë që ndieja kur lexoja për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.”

Ajo e mbylli: “Ju duhet të keni vetë përvojat tuaja shpirtërore me të vërtetat në atë libër” dhe ajo i kishte ato tashmë. Ajo shpjegoi: “Lexova te Mosia dhe u ndjeva krejtësisht e drejtuar: ‘Besoni në Perëndinë; besoni se ai është dhe se ai krijoi të gjitha gjërat, … ; besoni se ai ka të gjithë diturinë dhe të gjithë fuqinë, si në qiell ashtu edhe në tokë; besoni se njeriu nuk i kupton të gjitha gjërat që Zoti mund të kuptojë.’”7

Rreth kësaj kohe më erdhi një thirrje për të shërbyer si pianiste në Fillore. “Ishte e sigurt”, tha ajo. “Unë doja që t’i kisha fëmijët e mi në Fillore dhe tani unë mund të isha me ta. Dhe nuk isha ende gati për të dhënë mësim.” Ndërsa shërbeu, ajo vazhdoi të ndiente nga ata përreth saj ftesën: “Eja; ne kemi nevojë për ty në çfarëdo faze qofsh, ne do të na kesh aty. Na jep çfarëdo të kesh për të na ofruar.”

Duke luajtur himnet e Fillores, ajo shpesh mendoi me vete: “Ja tek janë të vërtetat që i dua. Prapëseprapë mund ta jap dëshminë. Thjesht do them ato gjëra që i di dhe u mirëbesoj. Mund të mos jetë një ofrim i përsosur dijesh, por ajo do jetë oferta ime. Ajo tek e cila përqendrohem, zgjerohet brenda meje. Është bukur të kthehesh te thelbi i ungjillit dhe të ndjesh qartësi.”

Në atë mëngjes të diele, teksa dëgjoja këtë motër të re të tregonte historinë e udhëtimit të saj, m’u kujtua se “është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë” që ne të gjithë duhet ta ndërtojmë themelin tonë.8 M’u kujtua gjithashtu këshilla e Plakut Xhefri R. Holland: “Mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa vjen dija e mëtejshme”9.

Gjatë mësimit të saj, arrita të di më gjallërisht se përgjigjet ndaj pyetjeve tona të sinqerta vijnë kur ne i kërkojmë me zell dhe kur ne i jetojmë urdhërimet. M’u kujtua që besimi ynë mund të shkojë përtej kufijve të arsyes së tanishme.

Dhe, o, sa dua që të jem si ata që e rrethuan këtë nënë të re, duke e dashur dhe e përkrahur. Siç Presidenti Diter F. Uhtdorf tha: “Ne të gjithë jemi shtegtarë që po kërkojmë dritën e Perëndisë, ndërkohë që udhëtojmë në shtegun e të qenit dishepull. Ne nuk i dënojmë të tjerët për përmasën e dritës që mund të kenë ose jo; përkundrazi, ne e ushqejmë dhe e nxitim të gjithë dritën derisa të shkëlqejë e kthjelltë, e shndritshme dhe e vërtetë”10.

Kur fëmijët e Fillores këndojnë “A Child’s Prayer” [“Lutja e Një Fëmije”], ata pyetin: “Ati Qiellor, a je ti këtu? Dhe a e dëgjon e i përgjigjesh lutjes së çdo fëmije?”11

Edhe ne mund ta pyetim veten: “A është vërtet Ati Qiellor këtu?” vetëm për t’u gëzuar – siç u gëzua mikesha ime – kur përgjigjet vijnë me bindje të qeta e të thjeshta. Unë dëshmoj se ato bindje të thjeshta vijnë kur vullneti i Tij bëhet i yni. Unë dëshmoj se e vërteta është mbi tokë sot dhe ungjilli i Tij gjendet në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Tomas S. Monson, “Të Gjejmë Gëzim në Udhëtim”, Liahona, nëntor 2008, f. 85.

  2. Tomas S. Monson, “Merrni Zemër”, Liahona, maj 2009, f. 92.

  3. “E Di, Shpëtimtari Më Do”, te Unë e Di që Shpëtimtari Im Jeton: Orientues për Kohën e Përbashkët – 2015 (2014), f. 29.

  4. Russell M. Nelson, te M. Russell Ballard, “What Came from Kirtland” (Mbrëmje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 6 nëntor 1994); speeches.byu.edu.

  5. Te Mother Teresa: Come Be My Light; The Private Writings of the Saint of Calcutta, red. Brian Kolodiejchuk (2007), f. 149–150; pikëzimi i standardizuar.

  6. Jeffrey R. Holland, “Be Not Afraid, Only Believe” (mbrëmje me Plakun Xhefri R. Holland, 6 shkurt 2015); lds.org/broadcasts.

  7. Mosia 4:9.

  8. Shih Helamani 5:12.

  9. Xhefri R. Holland, “Unë Besoj, o Zot”, Liahona, maj 2013, f. 94.

  10. Diter F. Uhtdorf, “Marrja e një Dëshmie për Dritën dhe të Vërtetën”, Liahona, nëntor 2014, f. 22.

  11. “A Child’s Prayer”, Children’s Songbook, f. 12.