2010–2019
Brezi më i Mirë i Të Rinjve në Moshë Madhore
Prill 2015


Brezi më i Mirë i Të Rinjve në Moshë Madhore

Ajo që na duhet tani, është brezi më i mirë i të rinjve në moshë madhore në historinë e Kishës. Na duhet e tërë zemra dhe shpirti juaj.

Një nga kënaqësitë e mëdha që shijoj kur udhëtoj anembanë botës, është mundësia për të takuar dhe përshëndetur misionarët tanë. Këta pleq dhe këto motra të mrekullueshme rrezatojnë Dritën e Krishtit dhe përherë frymëzohem nga dashuria e tyre për Zotin Jezu Krisht dhe shërbimi i tyre i përkushtuar ndaj Tij. Çdo herë që shtrëngoj duart me ta dhe ndiej shpirtin dhe besimin e tyre të mrekullueshëm, them me vete: “Këta bijtë tanë dhe këto bijat tona të mahnitshme janë vërtet një mrekulli!”

Gjatë mbledhjes së përgjithshme të priftërisë të tetorit 2002, unë i sfidova peshkopët, prindërit dhe misionarët e ardhshëm që t’i “rritin standardet” për shërbimin misionar kohëplotë.

Unë më pas thashë se “ajo që na duhet … është brezi më i mirë i misionarëve në historinë e Kishës. Neve na duhen misionarë të denjë, të kualifikuar dhe me energji shpirtërore. …

… Na duhet e tërë zemra dhe shpirti juaj. Na duhen misionarë plot jetë, mendimtarë, të zjarrtë që dinë si t’i dëgjojnë dhe t’u përgjigjen pëshpëritjeve të Shpirtit të Shenjtë.”1

Në shumë mënyra bota sot është më sfiduese sesa ishte 13 vite më parë. Të rinjtë dhe të rejat tona kanë shumë më tepër shpërqendrime që ua shkëputin vëmendjen gjatë përgatitjeve të tyre si për një mision, ashtu edhe për një jetë të ardhshme të lumtur. Teknologjia është zgjeruar dhe thuajse kushdo ka qasje në aparatet e dorës që mund ta zënë rob vëmendjen e familjes njerëzore të Perëndisë, si për të mirën e madhe edhe të ligën e papërmbajtur.

Sonte u flas misionarëve që po shërbejnë tani, misionarëve të ardhshëm, misionarëve të kthyer dhe të gjithë të rinjve meshkuj në moshë madhore në Kishë. Lutem që ta kuptoni dhe ta merrni parasysh me maturi atë që kam për t’ju thënë, ndërsa rrugëtoni nëpër këto vite emocionuese dhe kërkuese të jetës suaj.

Në kohët e hershme të Kishës, misionarët intervistoheshin nga një Autoritet i Përgjithshëm përpara se të shkonin në misionet e tyre. Këto kohë, për të shërbyer si misionarë, ju intervistoheni nga peshkopët dhe presidentët e kunjeve tuaja dhe shumë prej jush do ta kalojnë tërë jetën e vet pa u intervistuar nga një Autoritet i Përgjithshëm. Ky është vetëm një pasqyrim i realitetit në një kishë mbarëbotërore prej më shumë se 15 milionë anëtarësh. E di që flas për vëllezërit e mi kur ju them se dëshirojmë që të ishte e mundur për ne ta njihnim secilin prej jush personalisht dhe të ishim në gjendje t’ju thonim se ju duam dhe se ju përkrahim.

Fatmirësisht, Zoti ka siguruar mënyra për ne që të afrohemi me ju. Për shembull, një anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve cakton secilin misionar në misionin e tij apo të saj. Ndonëse kjo nuk bëhet me një intervistë tradicionale ballë për ballë, teknologjia dhe zbulesa ndërthuren për të ofruar një përvojë që është shumë e ngushtë dhe vetjake. Më lejoni t’ju tregoj se si ndodh kjo.

Fotografia juaj shfaqet në një ekran kompjuteri, bashkë me informacionin kyç të ofruar nga peshkopi dhe presidenti i kunjit tuaj. Kur figura juaj shfaqet, ne ju shohim në sy dhe shqyrtojmë përgjigjet tuaja ndaj pyetjeve për rekomandim për misionar. Në atë çast të shkurtër, duket sikur jeni të pranishëm dhe po na përgjigjeni drejtpërdrejt.

Ndërsa e shohim fotografinë tuaj, ne besojmë se jeni pajtuar në çdo mënyrë me “rrit[jen e] standarde[ve]” të kërkuar sot për të qenë një misionar besnik e i suksesshëm. Më pas, me anë të fuqisë së Shpirtit të Zotit dhe nën drejtimin e Presidentit Tomas S. Monson, ne ju caktojmë në një nga 406 misionet e Kishës në mbarë botën.

Jo, nuk është njësoj si intervista vetjake, ballë për ballë. Por është e përafërt me të.

Videokonferenca është një tjetër mënyrë që na ndihmon të afrohemi me udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës, të cilët jetojnë larg nga zyrat qendrore të Kishës.

Me këtë në mendje, do të doja që ata që po përgatiten për të shërbyer në misione, ata që janë kthyer, dhe të gjithë ju të rinj në moshë madhore të kaloni disa minuta me mua sikur të jemi duke bërë një bisedë vetjake me video pikërisht tani. Ju lutem, më shihni për pak minuta sikur ju dhe unë të ishim të vetmit në dhomë, kudo që të jeni sonte.

Nga ana ime, do të përfytyroj sikur po ju shoh në sy dhe po i dëgjoj me kujdes përgjigjet tuaja ndaj disa pyetjeve, që unë besoj se do të më thonë shumë për thellësinë e dëshmisë tuaj dhe të përkushtimit tuaj ndaj Perëndisë. Nëse mund ta parafrazoj atë që u thashë misionarëve 13 vite më parë, ajo që na duhet tani, është brezi më i mirë i të rinjve në moshë madhore në historinë e Kishës. Na duhet e tërë zemra dhe shpirti juaj. Na duhen të rinj në moshë madhore plot jetë, mendimtarë, të zjarrtë që dinë si t’i dëgjojnë dhe t’u përgjigjen pëshpëritjeve të Shpirtit të Shenjtë ndërsa kalojnë nëpër sprovat dhe tundimet e përditshme të të qenit një shenjtor i ri bashkëkohës i ditëve të mëvonshme.

Me fjalë të tjera, është koha të rritim standardet jo vetëm për misionarët, por edhe për misionarët e kthyer dhe për tërë brezin tuaj. Për këtë arsye, ju lutem, përsiatini në zemër përgjigjet tuaja ndaj këtyre pyetjeve:

  1. A i hetoni shkrimet e shenjta rregullisht?

  2. A gjunjëzoheni në lutje për të folur me Atin tuaj Qiellor çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje?

  3. A agjëroni dhe dhuroni një ofertë agjërimi çdo muaj – edhe nëse jeni një student i varfër, me vështirësi, që nuk ka mundësi të dhurojë shumë?

  4. A mendoni thellësisht për Shpëtimtarin dhe sakrificën e Tij Shlyese për ju kur ju kërkohet ta përgatitni, ta bekoni, ta shpërndani apo ta merrni sakramentin?

  5. A merrni pjesë në mbledhjet tuaja dhe orvateni ta mbani të shenjtë ditën e Shabatit?

  6. A jeni i ndershëm në shtëpi, shkollë, kishë dhe punë?

  7. A jeni i pastër mendërisht dhe shpirtërisht? A e shmangni të parin e pornografisë ose shikimin në faqe interneti, revista, filma ose programe, përfshirë fotografitë në Tinder dhe Snapchat, që do t’ju turpëronin nëse prindërit tuaj, udhëheqësit e Kishës apo Vetë Shpëtimtari do t’ju shihte?

  8. A jeni i kujdesshëm me kohën tuaj – duke shmangur teknologjinë dhe median e papërshtatshme shoqërore, përfshirë lojërat kompjuterike, të cilat mund ta zbehin ndjeshmërinë tuaj shpirtërore?

  9. A ka ndonjë gjë në jetën tuaj që duhet ta ndryshoni dhe ndreqni, duke filluar që sonte?

Ju faleminderit për këtë takim të shkurtër vetjak. Shpresoj që t’i jeni përgjigjur secilës prej këtyre pyetjeve ndershmërisht dhe mendueshëm. Nëse gjeni se ju mungon ndonjë nga këto parime të thjeshta, atëherë ju nxit të pendoheni me guxim dhe ta vini jetën në vijë sërish me standardet e ungjillit të të qenit dishepull i drejtë.

Tani, vëllezër, a mund t’ju jap këshilla shtesë që do t’ju ndihmojnë ta thelloni dëshminë tuaj për ungjillin në zemrën dhe shpirtin tuaj?

Ju kujtoj juve misionarëve të kthyer se përgatitja juaj për jetën dhe për familjen duhet të jetë e vazhdueshme. “MP” nuk do të thotë “mormon në pension”! Si një misionar i kthyer, ju “duhet të përfshihen[i] me zell në një kauzë të mirë dhe të bë[ni] shumë gjëra me vullnetin [tuaj] të lirë e të shkakto[ni] shumë drejtësi”2.

Ju lutem, përdorini teknikat që mësuat në misionin tuaj, për ta bekuar jetën e njerëzve rreth jush çdo ditë. Mos e zhvendosni përqendrimin tuaj nga shërbimi ndaj të tjerëve për t’u përqendruar vetëm te shkolla, puna ose veprimtaritë shoqërore. Përkundrazi, baraspeshojeni jetën tuaj me përvojat shpirtërore që ju kujtojnë dhe ju përgatitin për shërbesë të vazhdueshme, të përditshme ndaj të tjerëve.

Gjatë misioneve tuaja, ju mësuat rëndësinë e të vizituarit të njerëzve në shtëpitë e tyre. Do të shpresoja që të gjithë të rinjtë tanë në moshë madhore, qoftë nëse shërbyet ose jo në misione kohëplota, ta kuptojnë rëndësinë e të vizituarit të njerëzve që janë të vetmuar, të sëmurë ose të shkurajuar – jo vetëm si një detyrë, por gjithashtu për shkak të dashurisë së çiltër që ju keni për Atin Qiellor dhe fëmijët e Tij.

Ata prej jush në shkollë të mesme që po përgatiten për mision, ju nxit të merrni pjesë dhe të merrni diplomën e seminarit. Ju të rinj në moshë madhore duhet të regjistroheni në institutin e fesë.3 Nëse po ndiqni shkollën e Kishës, vazhdimisht përfshijeni një lëndë të edukimit fetar çdo semestër. Gjatë kësaj kohe të rëndësishme përgatitjeje për mision, martesë të përjetshme dhe jetës si një i rritur, ju duhet të vazhdoni të gjeni mënyra për të mësuar e për t’u rritur dhe për të marrë frymëzim e udhërrëfim nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Një studim i kujdesshëm, me lutje i ungjillit nëpër orët mësimore të seminarit, institutit ose edukimit fetar mund t’ju vijë në ndihmë për atë qëllim.

Qoftë nëse e ndiqni shkollën e Kishës apo jo, qoftë nëse ndiqni kolegjin apo jo, mos mendoni se jeni tepër të ngarkuar për ta studiuar ungjillin. Orët mësimore të seminarit, të institutit ose të fesë do të ofrojnë drejtpeshim në jetën tuaj dhe do ta rritin arsimimin tuaj laik, duke ju dhënë një mundësi tjetër për të kaluar kohë me studimin e shkrimeve të shenjta dhe mësimet e profetëve e të apostujve. Ka katër kurse të reja të shkëlqyera për të cilët do ta nxitja çdo të ri në moshë madhore që t’i shqyrtonte dhe të merrte pjesë.4

Dhe mos harroni që orët mësimore dhe veprimtaritë e ofruara në institutin e zonës tuaj ose nëpërmjet të rinjve në moshë madhore beqarë të lagjes apo kunjit tuaj do të jenë gjithashtu një vend ku ju mund të jeni me të rinj e të reja të tjera, dhe do të lartësoni e frymëzoni njëri-tjetrin ndërsa mësoni e rriteni shpirtërisht dhe shoqëroheni bashkërisht. Vëllezër, nëse do ta lini mënjanë telefonin tuaj dhe vërtet do të shihni përqark për pak kohë, ju madje mund të gjeni edhe shoqen tuaj të ardhshme në institut.

Gjë që më çon te një tjetër këshillë e vogël që jam i sigurt se e dinit që do t’jua jepja: Ju të rritur beqarë duhet të dilni në takime dhe të martoheni. Ju lutem, boll e shtytë për më vonë! E di që disa prej jush i druhen krijimit të familjes. Megjithatë, nëse martoheni me njeriun e duhur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, s’keni përse të druheni. Në fakt, shumë probleme që ndeshni, do të shmangen nëse “përfshihen[i] me zell” në takimin, njohjen dhe martesën e duhur. Mos i shkruani mesazhe asaj! Përdorni vetë zërin tuaj për t’u prezantuar me bijat e drejta të Perëndisë që janë kudo rreth jush. Me të dëgjuar vërtet zërin e një njeriu ajo do të befasohet – ndoshta duke thënë po.

Tani, vëllezër, unë ju dëshmoj se Zoti Jezu Krisht mund të na ndihmojë ta rregullojmë çdo gjë që ka nevojë të rregullohet në jetën tonë, nëpërmjet sakrificës së Tij shlyese.

Këtë mbrëmje, ndërsa përgatitemi për të kremtuar të dielën e Pashkës nesër, ju lutem qëndroni pak në heshtje me mua për të kujtuar dhuratën e Shlyerjes së Krishtit. Kujtoni se Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, ju njohin më mirë dhe ju duan më shumë.

Nëpërmjet Shlyerjes, Shëlbuesi i mori mbi Vete shqetësimet, dhembjet dhe mëkatet tona. Shpëtimtari i botës arriti ta kuptonte secilin prej nesh më vete duke përjetuar shpresat e shkatërruara, sfidat dhe tragjeditë tona nëpërmjet vuajtjes së Tij në Gjetseman dhe në kryq.5 Ai vdiq si një akt përfundimtar i dashurisë për ne dhe u varros në një varr të ri në atë natë fatale.

Në mëngjesin e së dielës, Jezusi u ngrit nga vdekja – duke premtuar jetë të re për çdonjërin prej nesh. Zoti i ringjallur më pas i urdhëroi dishepujt e Tij t’i jepnin mësim cilitdo për të pasur besim në Krisht, për t’u penduar për mëkatin, për t’u pagëzuar, për të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe për të duruar deri në fund. Vëllezër, ne e dimë se Perëndia, Ati ynë, dhe Biri i Tij i Dashur iu shfaqën Profetin Jozef Smith dhe rivendosën nëpërmjet tij plotësinë e ungjillit të përjetshëm të Jezu Krishtit.

Jini të fortë, vëllezër. Mbajini urdhërimet e Perëndisë. Zoti Jezu Krisht premton se gjithçka që ne dëshirojmë ta bëjmë me drejtësi, do të jetë e jona. Udhëheqësit e Kishës mbështeten te ju. Ne duam që secili prej jush të rinj në moshë madhore të përgatitet për t’u martuar, për të shërbyer dhe për të udhëhequr në të ardhmen, për të cilat unë lutem me përulësi në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.