2010–2019
Ruajtja e Lirisë së Zgjedhjes, Mbrojtja e Lirisë Fetare
Prill 2015


Ruajtja e Lirisë së Zgjedhjes, Mbrojtja e Lirisë Fetare

Përdorimi besnik i lirisë sonë për të zgjedhur varet nga pasja e lirisë fetare.

Kjo është e diela e Pashkës: një ditë mirënjohjeje dhe përkujtimi, duke nderuar Shlyerjen dhe Ringjalljen e Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht për gjithë njerëzimin. Ne e adhurojmë Atë, mirënjohës për lirinë tonë fetare, lirinë e grumbullimit, lirinë e fjalës dhe të drejtën tonë për të zgjedhur, të dhënë nga Perëndia.

Ashtu siç parashikuan profetët për këto ditë të mëvonshme në të cilat ne jetojmë, ka shumë njerëz të pështjelluar rreth asaj se kush jemi ne dhe çfarë besojmë. Disa janë “shpifës … [dhe] mizorë që s’e duan të mirën”1. Të tjerët “e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën; [dhe] ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr”2.

Ndërsa ata përreth nesh bëjnë zgjedhje rreth mënyrës se si të reagojnë ndaj bindjeve tona, ne nuk duhet të harrojmë se liria morale e zgjedhjes është një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij. Ai plan i përjetshëm që na u paraqit në Këshillin në Qiell para lindjes, përfshinte dhuratën e lirisë së zgjedhjes.3

Në atë Këshill të Madh, Luciferi, i njohur si Satani, e përdori lirinë e tij të zgjedhjes për të kundërshtuar planin e Perëndisë. Perëndia tha: “Ngaqë …, Satan[i] ngriti krye kundër meje dhe kërkoi të shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur, të cilën, unë, Zoti Perëndi, ia kisha dhënë atij, … unë bëra që ai të flakej tutje.”4

Ai vazhdoi: “Dhe gjithashtu një e treta e ushtrive të qiellit u larguan prej meje për shkak të zgjedhjes së tyre të lirë.”5

Si rrjedhim, fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor që zgjodhën të mos e pranonin planin e Tij dhe të ndiqnin Luciferin, e humbën fatin e tyre hyjnor.

Jezu Krishti, duke përdorur lirinë e Tij të zgjedhjes, tha:

“Ja ku jam, dërgomë mua”6.

“Vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë.”7

Jezusi, i cili e ushtroi lirinë e Tij të zgjedhjes për të mbështetur planin e Atit Qiellor, u dallua dhe u caktua nga Ati si Shpëtimtari ynë, i parashuguruar për të kryer sakrificën shlyese për të gjithë. Në mënyrë të ngjashme, ushtrimi nga ana jonë e lirisë për të zgjedhur që të mbajmë urdhërimet, na mundëson që të kuptojmë plotësisht se kush jemi ne dhe të marrim të gjitha bekimet që ka Ati Qiellor – duke përfshirë mundësinë për të pasur një trup, për të përparuar, për të përjetuar gëzim, për të pasur një familje dhe për të trashëguar jetën e përjetshme.

Për të mbajtur urdhërimet, ne kemi nevojë të njohim doktrinën zyrtare të Kishës, që të mos devijojmë nga udhëheqja e Krishtit për shkak të pikëpamjeve të individëve që janë gjithmonë në ndryshim e sipër.

Bekimet që gëzojmë tani, janë për shkak se ne zgjodhëm të ndjekim Shpëtimtarin përpara kësaj jete. Për këdo që i dëgjon apo i lexon këto fjalë, kushdo që jeni dhe cilado qoftë e kaluara juaj, mbajeni mend këtë: nuk është ende shumë vonë që të bëni sërish të njëjtën zgjedhje dhe ta ndiqni Atë.

Nëpërmjet besimit tonë te Jezu Krishti, duke besuar në Shlyerjen e Tij, duke u penduar për mëkatet tona dhe duke u pagëzuar, ne mund të marrim më pas dhuratën hyjnore të Frymës së Shenjtë. Kjo dhuratë siguron njohuri dhe kuptueshmëri, udhëheqje dhe forcë për të mësuar e fituar një dëshmi, fuqi dhe pastrim për të mposhtur mëkatin, dhe ngushëllim e kurajë për të qenë besnikë në mundime. Këto bekime të pakrahasueshme të Shpirtit e rritin lirinë dhe fuqinë tonë për të bërë atë që është e drejtë, sepse “atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria”8.

Ndërsa ecim në udhën e lirisë shpirtërore në këto ditë të fundit, ne duhet të kuptojmë se përdorimi besnik i lirisë sonë për të zgjedhur varet nga pasja e lirisë sonë fetare. Ne tashmë e dimë se Satani nuk do që kjo liri të jetë e jona. Ai u përpoq të shkatërronte lirinë morale të zgjedhjes në qiell dhe tani në tokë, ai po minon ashpër, po kundërshton dhe po përhap pështjellim rreth lirisë fetare – çfarë ajo është dhe përse është thelbësore për jetën tonë shpirtërore dhe për vetë shpëtimin tonë.

Këto janë katër gurët e qoshes së lirisë fetare, mbi të cilat ne, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, duhet të mbështetemi dhe t’i mbrojmë.

E para është liria për të besuar. Asnjë njeri nuk duhet të kritikohet, përndiqet apo sulmohet nga individë apo qeveri, për atë që ai ose ajo beson rreth Perëndisë. Ajo është tepër vetjake dhe shumë e rëndësishme. Një shpallje e hershme e bindjeve tona lidhur me lirinë fetare thotë:

“Asnjë qeveri nuk mund të ekzistojë në paqe, në qoftë se ligje të tilla nuk krijohen dhe mbahen të pashkelura, që do t’i sigurojnë çdo individi ushtrimin e lirë të ndërgjegjes. …

… Gjykatësi civil duhet ta frenojë krimin, por kurrë të mos kontrollojë ndërgjegjen; [ose] të … shtypë lirinë e shpirtit”9.

Kjo liri themelore e bindjes është njohur nga Kombet e Bashkuara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe nga dokumente të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.10

Guri i dytë i qoshes i lirisë fetare është liria për të ndarë besimin tonë dhe bindjet tona me të tjerët. Zoti na urdhëron: “Do t’ua mësosh [ungjillin] bijve [të tu] … kur rri ulur në shtëpinë tënde”11. Ai gjithashtu u tha dishepujve të Tij: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese”12. Si prindër, misionarë kohëplotë dhe misionarë anëtarë, ne mbështetemi në lirinë fetare me qëllim që ta japim mësim doktrinën e Zotit në familjet tona dhe kudo në botë.

Guri i tretë i qoshes i lirisë fetare është liria për të formuar një organizatë fetare, një kishë, për të adhuruar në mënyrë paqësore me të tjerët. Neni i njëmbëdhjetë i besimit deklaron: “Ne shpallim privilegjin e adhurimit të Perëndisë së Plotfuqishëm në përputhje me zërin e ndërgjegjes sonë dhe u lejojmë të gjithë njerëzve të njëjtin privilegj, që ata duhet të adhurojnë si, ku dhe çfarë të zgjedhin”. Dokumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe shumë kushtetuta kombëtare e mbështetin këtë parim.

Guri i katërt i qoshes i lirisë fetare është liria për të jetuar besimin tonë – ushtrimin e lirë të besimit jo thjesht në shtëpi e kishë, por edhe në vende publike. Zoti na urdhëron që jo vetëm të lutemi në fshehtësi13, por gjithashtu të shkojmë përpara dhe “[ta lemë] të shndritë drit[ën tonë] para njerëzve, që të shohin veprat [tona] të mira dhe ta lëvdojnë Atin [tonë] që është në qiej”14.

Disa fyhen kur ne e përmendim fenë në diskutime publike, prapëseprapë, të njëjtët njerëz të cilët këmbëngulin që pikëpamjet dhe veprimet e tyre të lejohen në shoqëri, shpesh janë shumë të ngadaltë për t’u dhënë të njëjtën leje besimtarëve fetarë, të cilët gjithashtu dëshirojnë që pikëpamjet dhe veprimet e tyre të lejohen. Mungesa e përgjithshme e respektit për pikëpamjet fetare po kalon shpejt në mungesë tolerance shoqërore dhe politike për njerëz e institucione fetare.

Ndërsa hasim një trysni në rritje për t’iu përkulur standardeve laike, për të humbur liritë tona fetare dhe për ta vënë në rrezik lirinë tonë të zgjedhjes, merrni në shqyrtim atë që na mëson Libri i Mormonit rreth përgjegjësive tona. Në librin e Almës ne lexojmë për Amlicin, një “njeri shumë dinak” dhe “njeri i lig” që kërkoi të ishte mbret mbi popullin dhe “t’u hiqte atyre të drejtat dhe privilegjet”, e cila “ishte alarmuese për njerëzit e kishës”15. Ata ishin mësuar nga mbreti Mosia që ta ngrinin zërin e tyre për atë që ata ndienin se ishte e drejtë.16 Prandaj ata “u mblodh[ën] tok nga të gjitha anët e vendit, çdo njeri sipas mendjes së tij, qoftë për Amlicin ose kundër tij, në grupe të veçuara, duke patur shumë kundërshtime … me njëri-tjetrin”17.

Në këto diskutime, anëtarët e Kishës dhe të tjerët patën mundësinë që të vinin së bashku, të përjetonin shpirtin e unitetit dhe të ndikoheshin nga Fryma e Shenjtë. “Dhe ndodhi që zëri i popullit qe kundër Amlicit, kështu që ai nuk u bë mbret mbi popullin.”18

Si dishepuj të Jezu Krishtit ne kemi përgjegjësinë të punojmë së bashku me besimtarë që kanë të njëjtat qëllime si tonat, të ngremë zërin tonë për atë që është e drejtë. Ndërsa anëtarët nuk duhet të pretendojnë kurrë apo madje të nënkuptojnë se po flasin për Kishën, ne të gjithë ftohemi në cilësinë tonë si qytetarë, ta japim dëshminë tonë vetjake me bindje dhe dashuri – “çdo [burrë dhe grua] sipas [vetë] mendjes së tij [ose të saj]”19.

Profeti Jozef Smith tha:

“Nuk trembem të deklaroj përpara Qiellit se jam po aq i gatshëm që të vdes në mbrojtje të të drejtave të një presbiteriani, baptisti, ose një njeriu të mirë të cilësdo feje tjetër [si dhe për një mormon]; sepse i njëjti parim që do të nëpërkëmbte të drejtat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme do të nëpërkëmbte të drejtat e katolikëve romanë, ose të çfarëdo feje tjetër, që mund të jetë e panjohur dhe tepër e dobët për të mbrojtur veten.

Është dashuria për lirinë që e frymëzon shpirtin tim – liria civile dhe fetare për të gjithë racën njerëzore.”20

Vëllezër e motra, ne jemi përgjegjës për ruajtjen e këtyre lirive dhe të drejtave të shenjta për veten tonë dhe pasardhësit tanë. Çfarë mund të bëjmë unë dhe ju?

Së pari, ne mund të vihemi në dijeni. Jini të vetëdijshëm për çështje në komunitetin tuaj që mund të kenë ndikim në lirinë fetare.

Së dyti, në cilësinë tuaj vetjake, bashkohuni me të tjerë që kanë të njëjtin zotim me ne për lirinë fetare. Punoni krah për krah për të mbrojtur lirinë fetare.

Së treti, jetojeni jetën tuaj që të jeni një shembull i mirë i asaj që besoni – në fjalë dhe në vepra. Mënyra se si e jetojmë fenë tonë është shumë më e rëndësishme se sa ajo që mund të themi rreth fesë sonë.

Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit po afrohet. Le të mos vonohemi në këtë kauzë të madhe. Mbani mend kapiten Moronin, i cili ngriti lart titullin e lirisë të mbishkruar me fjalët: “Në kujtim të Perëndisë tonë, fesë sonë, lirisë sonë dhe të paqes sonë, të bashkëshorteve tona dhe të fëmijëve tanë”21. Le të kujtojmë përgjigjen e popullit: duke ushtruar lirinë e tyre për të zgjedhur, ata “erdhën duke vrapuar së bashku” me një besëlidhje për të vepruar.22

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, mos ecni! Vraponi! Vraponi për të marrë bekimet e lirisë së zgjedhjes duke ndjekur Frymën e Shenjtë dhe duke ushtruar liritë që Perëndia na ka dhënë për të bërë vullnetin e Tij.

Unë jap dëshminë time të veçantë në këtë ditë Pashke të veçantë, se Jezu Krishti e përdori lirinë e Tij të zgjedhjes për të bërë vullnetin e Atit.

Për Shpëtimtarin tonë, ne këndojmë: “Të shtrenjtin gjak për ne e dha; dhe fli u bë për ne”23. Dhe për shkak të asaj që Ai bëri, ne kemi mundësinë e paçmuar që të “zgjedhi[m] lirinë dhe jetën e përjetshme” përmes fuqisë dhe bekimeve të Shlyerjes së Tij.24 Zgjedhshim lirisht që ta ndjekim Atë sot dhe përgjithmonë, unë lutem në emrin e Tij të shenjtë, madje Jezu Krishtit, amen.