2010–2019
Në Kërkim të Zotit
Prill 2015


Në Kërkim të Zotit

Teksa e thellojmë kuptueshmërinë tonë për Shpëtimtarin, ne do të kemi një dëshirë më të madhe për të jetuar me gëzim dhe një bindje se gëzimi është i mundur.

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, është me gëzim të madh që qëndroj përpara jush teksa marrim pjesë në këtë konferencë të përgjithshme së bashku. Të dëgjuarit e fjalëve të urtësisë, këshillës, ngushëllimit dhe paralajmërimit, të dhëna në konferencat e përgjithshme përgjatë shumë viteve, ka qenë një bekim i pamatshëm për motrën Teisheira, familjen tonë dhe për mua.

Në këtë periudhë të veçantë të vitit, veçanërisht në këtë Shabat Pashke, nuk mund të mos reflektoj mbi domethënien e mësimeve të Shpëtimtarit dhe shembullin e Tij të mirë e të dashur në jetën time.

Një kuptueshmëri më e thellë e Jezu Krishtit do të na japë shpresë më të madhe për të ardhmen dhe, pavarsisht nga papërsosuritë tona, më shumë vetëbesim në arritjen e synimeve tona të drejta. Kjo gjithashtu do të na japë një dëshirë më të madhe për t’u shërbyer bashkëqenieve tona.

Zoti ka thënë: “[Më] kërkoni në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë”1. Kërkimi i Zotit dhe të ndierit e pranisë së Tij është një hulumtim i përditshëm, një përpjekje e vlefshme.

Vëllezër e motra, sot, më shumë se në çdo kohë tjetër, ne kemi ne dispozicionin tonë mundësi e burime të pashoqe për ta thelluar kuptueshmërinë tonë për mësimet e Jezu Krishtit dhe të Shlyerjes së Tij. Përdorimi me vend i këtyre burimeve do të na ndihmojë të jetojmë një jetë të frytshme, të mbushur me gëzim.

Në metaforën e Shpëtimtarit për vreshtin dhe për degët, Ai tha: “Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua”2.

Sa më shumë që e kuptojmë rolin e jashtëzakonshëm të Krishtit në jetën tonë, aq më të ndërgjegjshëm bëhemi ne rreth qëllimit tonë këtu në vdekshmëri, i cili është të kemi gëzim. Ai gëzim, megjithatë, nuk na përjashton ne nga përjetimi i sprovave dhe vështirësive, madje disa kaq të mëdha dhe të ndërlikuara saqë mund të na bëjnë të mendojmë se lumturia nuk është e mundur në të tilla rrethana.

E di prej përvojës vetjake se gëzimi i të jetuarit në drejtësi dhe të qëndruarit në Krisht mund të vazhdojë pavarësisht nga mundimet që janë karakteristikë e vdekshmërisë. Përfundimisht, këto mundime shpesh na pasurojnë, pastrojnë e na drejtojnë te një kuptueshmëri më e thellë e qëllimit të ekzistencës sonë dhe të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Me të vërtetë, plotësia e gëzimit mund të arrihet vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit.3

Ai tha: “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë”4.

Unë besoj se, teksa e thellojmë kuptueshmërinë tonë për Shpëtimtarin, ne do të kemi një dëshirë më të madhe për të jetuar me gëzim dhe një bindje se gëzimi është i mundur. Si pasojë, ne vërtet do të kemi një aftësi më të madhe për ta kaluar çdo ditë me më shumë entuziazëm për jetën dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Perëndisë, edhe në rrethana sfiduese.

Të mos e lëmë për nesër atë që mund ta bëjmë sot. Është tani që ne duhet të vijmë te Krishti sepse “nëse besojmë [tek Ai], [ne] do të puno[jmë] derisa të quhet e sotme”5.

Çdo ditë ne duhet të marrim parasysh përfshirjen e ndërveprimeve të shpeshta me mësimet e Krishtit. Gjeste dhe vepra të vogla dhe të thjeshta, të bëra përditë:

  1. Do të na e thellojnë kuptueshmërinë tonë për domethënien e Zotit në jetën tonë, dhe

  2. do të ndihmojnë që ta ndajmë këtë kuptueshmëri me brezat e rinj, të cilët me siguri do ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor dhe të Birit të Tij, Jezu Krisht, kur ta shohin shembullin tonë të të jetuarit të sinqertë të ungjillit.

Pra cilat janë disa sjellje të thjeshta në këtë kohë bashkëkohore që do të bëhen një balsam për shpirtrat tanë në forcimin e dëshmisë tonë për Krishtin dhe misionin e Tij?

Pamja
Woman on a train with a cell phone illuminating her face.

Në 2014-ën, konkursi i fotografisë i revistës National Geographic mori 9.200 dorëzime nga fotografë profesionistë dhe njerëz të dhënë pas fotografisë nga mbi 150 vende. Fotoja fituese paraqet një grua në qendër të një treni të mbushur me pasagjerë. Drita që vjen nga telefoni i saj celular, ndriçon fytyrën e saj. Ajo u përcjell një mesazh të qartë pasagjerëve të tjerë: pavarësisht nga të qenit fizikisht e pranishme, ajo nuk është me të vërtetë aty.6

Të dhënat lëvizëse, telefonat inteligjentë dhe rrjetet shoqërore e kanë ndryshuar thellësisht mënyrën tonë të të qenit në botë dhe se si ne komunikojmë me të tjerët.

Në këtë epokë dixhitale, ne mund ta zhvendosim veten tonë me kaq shpejtësi në vende dhe veprimtari të cilat mund të na largojnë shumë shpejt nga ajo që është thelbësore për një jetë të mbushur me gëzim jetëgjatë.

Kjo jetë e ndërthurur, nëse lihet e pakontrolluar, mund t’iu japë më shumë përparësi marrëdhënieve me njerëz të cilët nuk i njohim apo nuk i kemi takuar kurrë, sesa me njerëzit me të cilët jetojmë – me vetë familjen tonë!

Nga ana tjetër, ne të gjithë e dimë se jemi të bekuar me burime të shkëlqyera në internet, duke përfshirë ato të zhvilluara nga Kisha, të tilla si variantet e shkruara apo zanore të shkrimeve të shenjta dhe të konferencave të përgjithshme, prodhimet në video të jetës dhe të mësimeve të Jezu Krishtit, programet kompjuterike për të shënuar historinë tonë familjare dhe mundësi për të dëgjuar muzikë frymëzuese.

Zgjedhjet dhe përparësitë që bëjmë me kohën tonë në internet, janë vendimtare. Ato mund të përcaktojnë përparimin tonë shpirtëror dhe pjekurinë tonë në ungjill, si dhe dëshirën tonë për të dhënë ndihmesë për një botë më të mirë dhe për të jetuar një jetë më të frytshme.

Për këto arsye, unë do të doja të përmendja tri zakone thjeshta që do të themelojnë një veprimtari të shëndetshme në internet. Këto zakone do të krijojnë pasqyrime vetjake të përditshme të cilat janë të nevojshme për ne që t’u afrohemi më pranë mësimeve të Atit tonë Qiellor dhe birit të Tij, Jezu Krishtit.

Zakoni Numër 1: Vizitoni Faqen Zyrtare të Internetit të Kishës për Burime

Vizita të shpeshta gjatë javës në këto burime do të na ndihmojnë të jemi gjithmonë të ndjeshëm ndaj mësimeve të ungjillit dhe do t’i nxitë familjen dhe miqtë tanë që të mendojnë dhe reflektojnë mbi atë që ka më shumë rëndësi.

Zakoni Numër 2: Abonohuni te Rrjetet Shoqërore Zyrtare të Kishës

Kjo zgjedhje do të sjellë në ekranin tuaj përmbajtje e cila është thelbësore për t’i thelluar kërkimin dhe hetimin tuaj të Zotit e mësimeve të Tij dhe do ta forcojë dëshirën tuaj për të kuptuar ungjillin. Më me rëndësi, kjo do t’ju ndihmojë që të mbani mend atë që Krishti pret nga secili prej nesh.

Ashtu sikurse “nuk ka dhè të mirë pa një fermer të mirë”7, ashtu nuk do të ketë të korrur të mirë në internet nëse nuk vëmë përparësi pikërisht që në fillim mbi atë që është e arritshme për gishtat dhe mendjet tona.

Zakoni Numër 3: Gjeni Kohë për t’i Lënë Mënjanë Pajisjet Tuaja Elektronike

Është çlodhëse t’i lëmë mënjanë pajisjet tona elektronike për njëfarë kohe dhe në vend të tyre t’iu kthehemi faqeve të shkrimeve të shenjta ose të kalojmë kohë duke biseduar me familjen dhe miqtë. Veçanërisht në ditën e Zotit, përjetoni paqen e pjesëmarrjes në një mbledhje sakramenti pa nxitjen e vazhdueshme për të parë nëse keni një mesazh apo njoftim të ri.

Zakoni i lënies mënjanë të pajisjeve tona elektronike për njëfarë kohe do ta pasurojë dhe zgjerojë këndvështrimin tonë mbi jetën, sepse jeta nuk është e kufizuar te një ekran 10 centimetërsh.

Zoti Jezu Krisht ka thënë: “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time”8. Perëndia do që ne të kemi gëzim dhe ta ndiejmë dashurinë e Tij. Krishti e bën një gëzim të tillë të mundshëm për secilin prej nesh. Ne i kemi mjetet që ta njohim më mirë Atë dhe ta jetojmë ungjillin e Tij.

Unë jap dëshminë time të gëzimit që ekziston kur ne i zbatojmë urdhërimet, dhe të paqes e sigurisë që ne ndiejmë kur qëndrojmë në dashurinë e Atit Qiellor dhe të Birit të Tij, Shpëtimtarit tonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.