2010–2019
Nëse do të Jesh i Përgjegjshëm
Prill 2015


Nëse do të Jesh i Përgjegjshëm

Le të shkojmë përpara duke e mësuar detyrën tonë, duke marrë vendime të duhura, duke vepruar në përputhje me ato vendime dhe duke e pranuar vullnetin e Atit tonë.

Isha vetëm 12 vjeç kur misionarët erdhën për herë të parë për të predikuar ungjillin në qytetin ku unë linda, në Kilin verior. Një të diel, pasi kisha marrë pjesë në mbledhjet e degës së vogël për gjashtë muaj, një misionar më ofroi bukën teksa po shpërndante sakramentin. E vështrova dhe i thashë butësisht, “Nuk mundem”.

“Pse jo?” u përgjigj ai.

I thashë: “Sepse unë nuk jam një anëtar i Kishës”.1

Misionari nuk po e besonte. Sytë e tij po shkëlqenin. Besoj se po mendonte: “Por ky i ri merr pjesë në çdo mbledhje! Si mundet ai të mos jetë një anëtar i Kishës?”

Ditën pasuese, misionarët erdhën me shpejtësi në shtëpinë time dhe bënë gjithçka mundën për t’i dhënë mësim gjithë familjes sime. Por meqenëse familja ime nuk ishte e interesuar, ishte vetëm pjesëmarrja ime javore në Kishë për më shumë se gjashtë muaj, që i bëri misionarët të kishin vetëbesim të mjaftueshëm për të vazhduar. Më në fund, çasti i mrekullueshëm që unë kisha pritur, erdhi kur ata më ftuan të bëhesha një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit. Misionarët më shpjeguan që meqenëse isha i mitur, do të më duhej leja e prindërve. Shkova të takoja atin tim me misionarët, duke menduar se përgjigja e tij e dashur do të ishte: “Bir, kur të kesh mbushur moshën e duhur, do të jesh në gjendje të marrësh vetë vendimet e tua”.

Ndërsa misionarët po flisnin me të, unë u luta me zell që zemra e tij të prekej, që ai të më jepte lejen që unë dëshiroja. Përgjigjja e tij ndaj misionarëve ishte si vijon: “Pleq, gjatë këtyre gjashtë muajve, e kam parë birin tim Horhen të ngrihet herët çdo të diel në mëngjes, të veshë rrobat e tij më të mira dhe të ecë për në kishë. Kam parë që Kisha ka pasur një ndikim veçse pozitiv në jetën e tij.” Më pas, duke m’u drejtuar mua, ai më habiti duke thënë: “Bir, nëse do të jesh i përgjegjshëm për këtë vendim, atëherë ti ke lejen time për t’u pagëzuar”. E përqafova atin tim, e putha dhe e falënderova për atë që ai po bënte. Të nesërmen unë u pagëzova. Javën e kaluar ishte përvjetori i 47-të i atij momenti të rëndësishëm në jetën time.

Çfarë përgjegjësie kemi ne si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit? Presidenti Jozef Filding Smith e shprehu atë si vijon: “Ne kemi këto dy përgjegjësi të mëdha. … Së pari, të kërkojmë vetë shpëtimin tonë; dhe së dyti, detyra jonë ndaj bashkëqenieve tona.”2

Këto, pra, janë përgjegjësitë kryesore që Ati ynë na ka caktuar: të kërkojmë vetë shpëtimin tonë dhe atë të të tjerëve, me njohurinë që në këtë shpallje, shpëtim do të thotë të arrish shkallën më të lartë të lavdisë që Ati ynë ka siguruar për fëmijët e Tij të bindur.3 Këto përgjegjësi që na janë mirëbesuar – dhe të cilat ne i kemi pranuar lirisht – duhet të përcaktojnë përparësitë tona, dëshirat tona, vendimet tona dhe sjelljen tonë të përditshme.

Për dikë që ka arritur të kuptojë se, për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ekzaltimi është me të vërtetë brenda mundësive, dështimi në marrjen e tij përbën mallkim. Prandaj, e kundërta e shpëtimit është mallkimi, njësoj si e kundërta e suksesit është dështimi. Presidenti Tomas S. Monson na mësoi se “njerëzit nuk mund të qëndrojnë gjatë të kënaqur në mediokritet pasi kanë parë që përsosuria është brenda mundësive të tyre”4. Si, pra, mund të jemi ne të kënaqur me diçka më pak se ekzaltimi nëse ne e dimë që ekzaltimi është i mundur?

Më lejoni të tregoj katër parime kyç që do të na ndihmojnë të përmbushim dëshirat tona për të qenë përgjegjës ndaj Atit tonë në Qiell, si dhe t’u përgjigjemi pritshmërive të Tij që të bëhemi siç është Ai.

1. Të Mësuarit e Detyrës Sonë

Nëse do të bëjmë vullnetin e Perëndisë, nëse do të jemi të përgjegjshëm ndaj Tij, ne duhet të fillojmë duke mësuar, kuptuar, pranuar dhe jetuar sipas vullnetit të Tij për ne. Perëndia ka thënë: “Si rrjedhim, tani çdo njeri duhet ta mësojë detyrën e tij dhe të veprojë në thirrjen që është caktuar, gjithë zell”5. Pasja e dëshirës për të bërë atë që është e drejtë, nuk mjafton nëse nuk sigurohemi që të kuptojmë çfarë Ati ynë pret prej nesh dhe do që ne të bëjmë.

Në historinë e Lizës në Botën e Çudirave, Liza nuk di në cilin drejtim të shkojë, prandaj ajo pyet macen Qeshire: “A mund të më tregosh, të lutem, se në cilin drejtim duhet të shkoj nga këtu?”

Macja i përgjigjet: “Kjo varet shumë nga fakti se ku dëshiron të shkosh”.

Liza i thotë: “Nuk dua t’ia di shumë se ku”.

“Atëherë nuk ka rëndësi në cilin drejtim ti shkon”, thotë macja6.

Sidoqoftë, ne e dimë që shtegu që të çon drejt “pemë[s], fruti i së cilës [është] i dëshirueshëm për ta bërë dikë të lumtur”7 – “udha që çon në jetë” – është e ngushtë. Duhen përpjekje për të udhëtuar përgjatë udhës dhe “pak janë ata që e gjejnë”8.

Nefi na mëson se “fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni”9. Pastaj ai shton se “Fryma e Shenjtë … do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni”10. Pra, burimet që na lejojnë të mësojmë detyrën tonë, janë fjalët e Krishtit që ne marrim nëpërmjet profetëve të lashtë e bashkëkohorë dhe nëpërmjet zbulesës vetjake që ne marrim nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

2. Marrja e Vendimit

Qoftë nëse kemi mësuar për Rivendosjen e ungjillit, një urdhërim të veçantë, detyrat që lidhen me shërbimin në një thirrje, apo besëlidhjet që bëjmë në tempull, zgjedhja është e jona nëse ne veprojmë apo jo sipas asaj njohurie të re. Çdo njeri zgjedh lirisht për veten e tij apo të saj që të hyjë në një besëlidhje të shenjtë të tillë si pagëzimi ose ordinancat e tempullit. Për shkak se bërja e betimeve ishte një pjesë normale e jetës fetare të njerëzve në lashtësi, ligji i vjetër thotë se “nuk do të bëni betim të rremë në emrin tim”11. Sidoqoftë, në meridianin e kohës, Shpëtimtari dha mësim një mënyrë më të lartë të mbajtjes së zotimeve tona kur Ai tha se po do të thoshte po dhe jo do të thoshte jo.12 Fjala e një personi duhet të jetë e mjaftueshme për të vendosur vërtetësinë dhe zotimin e tij apo të saj ndaj dikujt tjetër – dhe akoma më shumë kur ky dikush është Ati ynë në Qiell. Nderimi i një zotimi bëhet shfaqja e vërtetësisë dhe e ndershmërisë së fjalës sonë.

3. Veprimi në Përputhje me Të

Pasi e mësojmë detyrën tonë dhe marrim vendime që shoqërohen me atë nxënie dhe kuptueshmëri, ne duhet të veprojmë në përputhje me të.

Një shembull i fuqishëm i vendosmërisë së qëndrueshme për të plotësuar zotimin e Tij ndaj Atit të Tij, vjen nga përvoja e Shpëtimtarit me njeriun e sëmurë me paralizë që u soll tek Ai për t’u shëruar. “Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit, ‘O bir, mëkatet e tua të janë falur!’”13 Ne e dimë që Shlyerja e Jezu Krishtit është thelbësore për të marrë falje për mëkatet tona por, gjatë rastit të shërimit të njeriut me paralizë, ajo ngjarje e madhe nuk kishte ndodhur ende; vuajtja e Shpëtimtarit në Gjetseman dhe në kryq duhej ende të ndodhte. Sidoqoftë, Jezusi jo vetëm e bekoi njeriun e paralizuar me aftësinë për t’u ngritur dhe ecur, por Ai gjithashtu e fali për mëkatet e tij, duke dhënë në këtë mënyrë një shenjë të pagabueshme që Ai nuk do të dështonte, se Ai do të përmbushte zotimin që kishte bërë me Atin e Tij dhe se në Gjetseman e në kryq Ai do të bënte atë që Ai kishte premtuar se do të bënte.

Udha në të cilën kemi zgjedhur të ecim, është e ngushtë. Përgjatë rrugës ka sfida që do të kërkojnë besimin tonë në Jezu Krisht dhe përpjekjet tona më të mira për të qëndruar në udhë dhe për të shkuar përpara. Ne duhet të pendohemi dhe të jemi të bindur e të duruar, edhe nëse nuk i kuptojmë të gjitha rrethanat përqark nesh. Ne duhet t’i falim të tjerët dhe të jetojnë në përputhje me atë që kemi mësuar dhe me zgjedhjet që kemi bërë.

4. Të Pranojmë Vullnetin e Atit me Gatishmëri

Dishepullimi kërkon prej nesh jo vetëm që të mësojmë detyrën tonë, të marrim vendime të duhura dhe të veprojmë në përputhje me to, por është gjithashtu thelbësore zhvillimi i dëshirës dhe aftësisë për të pranuar vullnetin e Perëndisë, edhe nëse ai nuk përputhet me dëshirat apo parapëlqimet tona të drejta.

Më bën shumë përshtypje dhe e admiroj sjelljen e lebrosit që erdhi te Zoti, “duke iu lutur, ra në gjunj dhe i tha: ‘Po të duash, ti mund të më pastrosh’”14. Lebrosi nuk kërkoi asgjë, edhe pse dëshirat e tij mund të kenë qenë të drejta; ai thjesht qe i gatshëm të pranonte vullnetin e Zotit.

Disa vite më parë, një çift besnik dhe i dashur të cilët janë miqtë e mi, u bekuan me ardhjen e shumëpritur të një biri, për të cilin ata ishin lutur për një kohë të gjatë. Ajo shtëpi u mbush me gëzim ndërkohë që miqtë tanë dhe vajza e tyre, e cila ishte fëmija tjetër i vetëm i tyre në atë kohë, po shijonin shoqërimin e vogëlushit të sapoardhur. Sidoqoftë, një ditë, diçka e papritur ndodhi: djaloshi i vogël, i cili ishte vetëm rreth tre vjeç, papritur ra në koma. Sapo mësova për situatën, e mora në telefon mikun tim për të shprehur përkrahjen tonë në atë kohë të vështirë. Por përgjigjja e tij qe një mësim për mua. Ai tha: “Nëse vullneti i Atit është që ta marrë atë më Vete, atëherë ne jemi në rregull”. Fjalët e mikut tim nuk përmbanin as shkallën më të vogël të ankimit, kryengritjes, apo pakënaqësisë. Krejt e kundërta, e vetmja gjë që mund të ndieja në fjalët e tij, ishte mirënjohje ndaj Perëndisë që u kishte lejuar atyre ta gëzonin vogëlushin e tyre për atë kohë të shkurtër, si dhe gatishmëria e tij e plotë që të pranonte vullnetin e Atit për ta. Disa ditë më vonë, ai vogëlush u mor në banesën e tij çelestiale.

Le të shkojmë përpara duke e mësuar detyrën tonë, duke marrë vendime të duhura, duke vepruar në përputhje me ato vendime dhe duke e pranuar vullnetin e Atit tonë.

Sa mirënjohës dhe i lumtur jam për vendimin që ati im më lejoi të merrja 47 vjet më parë. Me kalimin e kohës, kam arritur të kuptoj se kushti që ai më vuri – të isha i përgjegjshëm për atë vendim – nënkuptonte të isha i përgjegjshëm ndaj Atit tim Qiellor dhe të kërkoja vetë shpëtimin tim dhe atë të bashkëqenieve të mia, duke u bërë në këtë mënyrë më shumë siç Ati im pret dhe do që unë të bëhem. Në këtë ditë shumë të veçantë, unë dëshmoj se Ati dhe Biri i Tij i Dashur jetojnë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.