2008
Kërkoni me Besim
Maj 2008


Kërkoni me Besim

Lutja kuptimplotë i kërkon të dyja, komunikim të shenjtë dhe punë të përkushtuar.

Pamja
Elder David A. Bednar

Unë e ftoj Frymën e Shenjtë të na ndihmojë ndërsa shqyrtojmë një parim që mund të ndihmojë që lutjet tona të bëhen me kuptimplota – parimin ungjillor të kërkimit me besim.

Unë dua të shqyrtoj tre shembuj të kërkimit me besim në lutje kuptimplota dhe të diskutoj mësimet që mund të nxjerrim nga secila prej tyre. Ndërsa flasim për lutjen, unë theksoj fjalën kuptimplotë. Të bësh thjesht një lutje është krejt tjetër gjë nga mobilizimi në një lutje kuptimplotë. Unë mendoj se të gjithë ne tashmë e dimë se lutja është thelbësore për përparimin dhe mbrojtjen tonë shpirtërore. Por ajo që ne dimë jo gjithnjë pasqyrohet në atë që ne bëjmë. Dhe megjithëse ne e dimë rëndësinë e lutjes, të gjithë ne mund të përmirësojmë qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e lutjeve tona personale dhe familjare.

Kërko me Besim dhe Vepro

Shembulli klasik i të kërkuarit me besim është Jozef Smithi dhe Vegimi i Parë. Kur djaloshi Jozef po kërkonte të dinte të vërtetën mbi fenë, ai lexoi vargjet e mëposhtme në kapitullin e parë të Jakobit:

“Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet.

Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar” (Jakobi [Bibël] 1:5–6).

Lutem vini re kërkesën për të kërkuar duke patur besim, që unë mendoj se nënkupton nevojën që jo vetëm të shprehësh por të bësh, detyrën e dyfishtë që edhe të lutesh edhe të bësh, kërkesën që të komunikosh dhe të veprosh.

Të menduarit thellë mbi këtë tekst biblik e bëri Jozefin të tërhiqet në një korie pranë shtëpisë së tij të lutet dhe të kërkojë njohje shpirtërore. Vini re pyetjet që e drejtuan mendimin dhe kërkimin me lutje të Jozefit.

“Në mes të kësaj lufte fjalësh dhe ngatërrese opinionesh, unë shpesh thashë me vete: Çfarë duhet të bëhet? Cili nga të gjitha grupet ka të drejtë; ose a janë që të gjithë së bashku gabim? Në qoftë se ndonjëri prej tyre kishte të drejtë, cili është ai dhe si do ta njoh unë atë? …

Qëllimi im që të shkoja të kërkoja nga Zoti ishte të dija se cili nga të gjitha sektet kishte të drejtë, që të mund të dija se me cilin të bashkohesha” (Joseph Smith—Historia 1:10, 18).

Pyetjet e Jozefit përqendroheshin jo thjesht në çfarë kishte nevojë të dinte, por gjithashtu në çfarë duhej bërë! Lutja e tij nuk ishte thjeshtë, “Cila kishë është e drejtë?” Pyetja e tij ishte, “Me cilën kishë duhet të bashkohem?” Jozefi shkoi në korije të pyeste me besim dhe ai ishte i vendosur të vepronte.

Besimi i vërtetë përqendrohet te dhe mbi Zotin Jezu Krisht dhe gjithnjë çon në veprim të drejtë. Profeti Jozef Smith na mësoi që: “Besimi [është] parimi i parë në fenë e zbuluar dhe themeli i gjithë drejtësisë” dhe se ai është gjithashtu “parimi i veprimit te të gjitha qeniet me mendim” (Lectures on Faith [1985], 1). Vetëm veprimi nuk është besim tek Shpëtimtari, por veprimi në përputhje me parimet e drejta është një pjesë qendrore e besimit. Kështu, “besimi pa vepra është i vdekur” (Jakobi [Bibël] 2:20).

Profeti Jozef Smith shpjegoi më tej se “besimi nuk është vetëm parim veprimi, por forcë gjithashtu, tek të gjitha qeniet që mendojnë, qoftë në qiell apo në tokë” (Lectures on Faith, 3). Kështu, besimi në Krisht çon në veprim të drejtë që rrit kapacitetin dhe forcën tonë shpirtërore. Kuptimi i asaj që besimi është një parim veprimi dhe force na frymëzon ne të ushtrojmë lirinë tonë morale në përputhje me të vërtetën e ungjillit, fton fuqitë shëlbuese dhe forcuese të Shlyerjes së Shpëtimtarit në jetën tonë dhe rrit fuqinë brenda nesh me anën e së cilës ne jemi veprues për veten (shih DeB 58:28).

Unë kam patur prej kohësh mbresa nga e vërteta që lutja kuptimplotë kërkon edhe komunikim hyjnor edhe punë të përkushtuar. Bekimet kërkojnë disa përpjekje nga ana jonë përpara se të mund t’i arrijmë dhe lutja, si “një formë pune, … është një mjet i caktuar për arritjen e më të lartëve nga gjithë bekimet” (Bible Dictionary, “Prayer”, 753). Ne shkojmë përpara dhe këmbëngulim në punën e përkushtuar të lutjes, pasi themi “amen” duke vepruar mbi gjërat që ne i kemi shprehur Atit Qiellor.

Të kërkosh me besim kërkon ndershmëri, përpjekje, angazhim dhe këmbëngulje. Më lejoni të jap një shembull të asaj çka dua të them dhe t’ju bëj një ftesë.

Ne lutemi siç duhet për sigurinë dhe suksesin e misionarëve me kohë të plotë nëpër botë. Dhe një element i përbashkët në shumë nga lutjet tona është një kërkesë që misionarët të drejtohen tek individë dhe familje që janë të përgatitura të presin mesazhin e Rivendosjes. Por së fundi është përgjegjësia ime dhe përgjegjësia juaj të gjejmë erëzit që misionarët t’i mësojnë. Misionarët janë mësues me kohë të plotë; ju dhe unë jemi gjetës me kohë të plotë. Dhe ju dhe unë si misionarë të përjetshëm nuk duhet të lutemi që misionarët me kohë të plotë të bëjnë punën tonë!

Nëse ju dhe unë do të luteshim dhe do të kërkonim me të vërtetë me besim, siç bëri Jozef Smithi – nëse ne do të luteshim me shpresën që të vepronim dhe jo thjesht të themi – atëhere puna e shpalljes së ungjillit do të shkonte përpara në një mënyrë të shkëlqyer. Një lutje e tillë besimi mund të përfshijë disa nga elementët e mëposhtëm:

  • Falënderimin e Atit Qiellor për doktrinat dhe ordinancat e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, që sjellin shpresë dhe lumturi në jetën tonë.

  • Kërkesën për kurajo dhe trimëri që ta hapim gojën dhe të flasim për ungjillin me familjet dhe me miqtë tanë.

  • Lutjen me zell drejtuar Atit Qiellor që të na ndihmojë të gjejmë personat dhe familjet që do të pranonin ftesën tonë për të mësuar nga misionarët në shtëpitë tona.

  • Premtimin që të bëjmë atë që na përket këtë ditë dhe këtë javë si dhe kërkesën për ndihmë për të mposhtur ankthin, frikën dhe ngurrimin.

  • Kërkimin për dhuratën e mprehtësisë – për sytë që të shohin dhe veshët që të dëgjojnë mundësitë misionare kur ato paraqiten.

  • Lutjen e zjarrtë për forcë për të vepruar kur ne e dimë se duhet.

Mirënjohja do të shprehej dhe bekime të tjera mund të kërkohen në një lutje të tillë, që do të mbyllej në emrin e Shpëtimtarit. Dhe pastaj puna e përkushtuar e kësaj lutjeje do të vazhdonte dhe rritej.

I njëjti model i komunikimit të shenjtë dhe i punës së përkushtuar mund të zbatohet në lutjet tona për të varfërit dhe nevojtarët, për të sëmurët dhe të pikëlluarit, për anëtarët e familjes dhe miqtë që janë duke u përpjekur, si dhe për ata që nuk po marrin pjesë në mbledhjet e Kishës.

Unë dëshmoj se lutja bëhet kuptimplote kur ne kërkojmë me besim dhe veprojmë. Unë i ftoj të gjithë të lutemi në besim për mandatin që na është dhënë shenjtërisht që të shpallim ungjillin. Ndërsa bëjmë këtë, unë premtoj se dyert do të hapen dhe ne do kemi bekimin të njohim dhe të veprojmë në mundësitë që do të paraqiten.

Pas Provës së Besimit Tonë

Shembulli im i dytë thekson rëndësinë e mbrojtjes nëpër prova të besimit tonë. Pak vite përpara një familje udhëtoi në Europë nga Shtetet e Bashkuara. Pak pas arritjes në destinacionin e tyre, një bir 13 vjeçar u sëmur rëndë. Nëna dhe babai fillimisht menduan se stomaku i tij ishte sëmurur nga lodhja në fluturimin e gjatë dhe familja vijoi në rutinë udhëtimin e vet.

Ndërsa dita kalonte, gjendja e djalit u përkeqësua. Humbja e lëngjeve po shtohej. Babai i dha djalit të vet një bekim priftërie, por asnjë përmirësim nuk po dukej.

Disa orë kaluan dhe nëna u gjunjëzua pranë birit të saj, duke i kërkuar në lutje Atit Qiellor për përmirësimin e djalit. Ata ishin larg nga shtëpia në një vend të panjohur dhe nuk dinin si të merrnin ndihmë mjekësore.

Nëna e pyeti djalin e saj nëse do të donte të lutej me të. Ajo e dinte se thjesht pritja për bekimin e parashikuar nuk do të mjaftonte; ata kishin nevojë të vepronin në vazhdim. Duke i shpjeguar se bekimi që ai kishte marrë akoma vepronte, ajo i sugjeroi përsëri të kërkonin në lutje, ashtu siç bënë Apostujt në lashtësi: “[Zot] Na e shto besimin”(Lluka 17:5). Lutja përfshinte një shprehje besimi në fuqinë e priftërisë dhe një premtim për të këmbëngulur në bërjen e çdo gjëje që mund të kërkohej që bekimi të jepej – nëse ai bekim në atë kohë ishte në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Pak pasi ata e bënë këtë lutje të thjeshtë, gjendja e djalit u përmirësua.

Veprimi plot besim i nënës dhe i birit të saj ndihmoi të përftohej fuqia e premtuar e priftërisë dhe përmbushi një pjesë të kërkesës që ne të “mos dysho[jmë], sepse nuk [shohim], pasi [ne nuk do të marrim] asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit [tonë]”(Ethëri 12:6). Pikërisht si burgu ku mbahej Alma dhe Amuleku nuk u shëmb për tokë “deri pas besimit të tyre” dhe pikërisht si Amoni dhe vëllezërit e tij misionarë nuk dëshmuan mrekulli të fuqishme në shërbesat e tyre “deri pas besimit të tyre” (shih Ethëri 12:12–15), po kështu shërimi i këtij djali 13 vjeçar nuk ndodhi deri pas besimit të tyre dhe u përmbush “sipas besimit të tyre në lutjet e tyre” (DeB 10:47).

Mos u Bëftë Vullneti Im, por Yti.

Shembulli im i tretë vë në dukje rëndësinë e njohjes dhe pranimit të vullnetit të Perëndisë në jetën tonë. Disa vite përpara ishte një baba i ri që kishte qenë aktiv në Kishë si djalë, por kishte zgjedhur një rrugë të ndryshme gjatë viteve të adoleshencës. Pas shërbimit ushtarak, ai u martua me një vajzë të dashur dhe shpejt fëmijët bekuan shtëpinë e tyre.

Një ditë papritmas vajza e tyre e vogël katër vjeçare u sëmur rëndë dhe u shtrua në spital. Në dëshpërim dhe për herë të parë pas shumë vitesh, babai u gjend në gjunjë duke u lutur, duke kërkuar që jeta e vajzës së tij të vogël të shpëtohej. Gjendja e saj u përkeqësua. Gradualisht ky baba ndjeu se vajza e tij e vogël nuk do të jetonte dhe dalngadalë lutjet e tij ndryshuan; ai nuk lutej më për shërim por më shumë për kuptim. “Le të bëhet vullneti Yt” ishte tani mënyra e lutjeve të tija.

Shpejt vajza e tij ra në koma dhe babai e dinte se orët e saj në tokë ishin të pakta. Të përforcuar me kuptim, besim dhe fuqi që shkonte përtej çka kishin ata, prindërit e rinj u lutën përsëri, duke kërkuar për mundësinë që ta mbanin atë afër edhe një herë duke qenë e zgjuar. Sytë e vajzës u hapën dhe krahët e saj të brishtë u zgjatën drejt prindërve të saj për një përqafim të fundit. Dhe pastaj ajo i la. Ky baba e dinte se lutjet e tyre morën përgjigje – një At i mirë, i dashur në Qiell i kishte ngushëlluar zemrat e tyre. Vullneti i Perëndisë ishte bërë dhe ata kishin gjetur kuptimin. (Shih Adapted from H. Burke Peterson, “Adversity and Prayer,” Ensign, janar 1974, faqe 18.)

Dallimi dhe pranimi i vullnetit të Perëndisë në jetën tonë janë elementë themelorë të kërkimit në besim në një lutje kuptimplotë. Sidoqoftë, të thuash thjesht fjalët: “U bëftë vullneti Yt”, nuk mjafton. Secili prej nesh ka nevojë për ndihmën e Perëndisë në nënshtrimin e vullnetit tonë tek Ai.

“Lutja është akti me të cilin vullneti i Atit dhe vullneti i fëmijës sillen në përputhje me njëri-tjetrin” (Bible Dictionary, “Prayer,” 752-753). Lutja me përulësi, zjarr dhe e qëndrueshme na mundëson të njohim dhe të radhitim veten sipas vullnetit të Atit tonë Qiellor. Dhe në këtë Shpëtimtari dha shembullin e përsosur kur u lut në Kopshtin e Gjetsemanit, “duke thënë: ‘O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti.’… Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort” (Lluka 22:42, 44).

Objekti i lutjeve tona nuk duhet të jetë paraqitja e një liste dëshirash apo serie kërkesash por sigurimi për vete dhe për të tjerët i bekimeve që Perëndia është i etur të na dhurojë, sipas vullnetit dhe kohës së Tij. Çdo lutje e sinqertë dëgjohet dhe merr përgjigje nga Ati ynë Qiellor, por përgjigjet që marrim mund të mos jenë ajo që presim apo të mos vijnë kur ne duam apo në mënyrën që parashikojmë. Kjo e vërtetë është e dukshme në tre shembujt që unë tregova sot.

Lutja është një privilegj dhe dëshira e sinqertë e shpirtit. Ne mund të shkojmë përtej lutjeve rutinë e stereotipe dhe të angazhohemi në lutje kuptimplote kur ne kërkojmë si duhet me besim dhe veprojmë, kur me durim ngulmojmë në prova të besimit tonë dhe kur ne njohim e pranojmë me përulësi “mos u bëftë vullneti im, por yti”.

Unë dëshmoj vërtetësinë dhe hyjninë e Atit tonë Qiellor, të Birit të Tij të Vetëmlindur, Zotit Jezu Krisht dhe të Frymës së Shenjtë. Unë dëshmoj se Ati ynë i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona. Le të përpiqet secili prej nesh me vendosmëri më të madhe të kërkojë me besim dhe me këtë të bëhen lutjet tona me të vërtetë kuptimplota. Unë lutem kështu në emrin e shenjtë të zotit Jezu Krisht, amen.