2008
Vërini Veshin Fjalëve të Profetëve
Maj 2008


Vërini Veshin Fjalëve të Profetëve

Si mbajtës të priftërisë së Kishës, është përgjegjësia jonë solemne të ndjekim profetin tonë.

Pamja
Elder Quentin L. Cook

Të dashur vëllezër të mi të priftërisë, jam mirënjohës që ndodhem me ju në këtë sesion të konferencës së përgjithshme në këtë ditë historike.

Ne i admirojmë ata që rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar ata që janë në rrezik.1 Kur vizitova Kaliforninë e Jugut gjatë zjarreve shkatërruese të shkaktuara nga era e Santa Anës, u largova me dy mbresa. E para ishte në lidhje me ndihmën që anëtarët e Kishës u dhanë njerëzve në nevojë. E dyta ishte në lidhje me vlerësimin e tyre ndaj punonjësve zjarrëfikës. Një vendas përshkroi atë që ai pa se zjarrëfikësit po bënin. Ai vërejti se erërat e Santa Anës fryjnë nga shkretëtira e ngrohtë në drejtim të oqeanit. Kur ndizet një zjarr, erërat e nxehta të shkretëtirës i përhapin flakët me një shpejtësi rreth 97 ose 113 kilometra në orë. Vendasi përshkroi mirënjohjen dhe admirimin e tij ndërsa vërejti zjarrfikësit duke qëndruar me tubat e ujit prapa një zone të pastruar, përballë një muri zjarri deri në 3 metra të lartë duke zbritur drejt tyre me atë shpejtësi marramendëse. Këta burra dhe gra trima ia arritën të shpëtonin njerëz e shtëpi ndërkohë që vetë ishin në rrezik të vazhdueshëm për veten.

Herë pas here, si individë dhe si kishë, ne kalojmë kohëra krizash dhe rreziqesh. Disa prej tyre vijnë shpejt si zjarri. Të tjera janë të buta dhe kalojnë thuajse pa u vënë re derisa na ngarkojnë. Disa kërkojnë veprime heroike, por shumica nuk janë kaq dramatike. Mënyra si reagojmë është vendimtare. Qëllimi im këtë mbrëmje është t’u ritheksoj mbajtësve të priftërisë rëndësinë e dëgjesës ndaj fjalëve të profetëve. Kjo është një mënyrë e sigurt për t’iu përgjigjur rreziqeve fizike dhe shpirtërore të çfarëdo lloji. Disa ilustrime mund të ndihmojnë.

Shumë prej jush keni marrë pjesë në rrugëtime për të përjetuar dhe vlerësuar shpëtimin dramatik të kompanive të karrocave të dorës “Uilli dhe Martin”. Për herë të parë u bëra i vetëdijshëm për këtë shpëtim kur isha adoleshent. Nëna ime më dha një libër të shkruar nga Orson F. Uitni, i cili më vonë u bë një Apostull.2 Libri i Plakut Uitni më njohu me përpjekjen heroike të drejtuar nga Brigam Jangu për të shpëtuar kompanitë e karrocave të dorës. Ata ishin zënë nga stuhi dimërore në rrafshnaltat e Uajoming. Disa kishin vdekur dhe shumë të tjerë ishin në buzë të vdekjes. Brigam Jangu u vu në dijeni të telasheve të tyre dhe në konferencën e përgjithshme të tetorit 1856 ai i udhëzoi shenjtorët të linin çdo punë mënjanë dhe të shpëtonin ata që kishin ngecur në rrafshnaltë.3

Reagimi ishte dramatik. Plaku Uitni tregon: “Burra trima nëpërmjet heroizmit të tyre – sepse ishte në rrezik të vetë jetës së tyre që ata u bënë ballë stuhive dimërore të rrafshnaltave – e bënë veten të pavdekshëm dhe fituan mirënjohjen e përjetshme të qindra vetëve të cilët padyshim u shpëtuan nga vdekja nëpërmjet reagimit të tyre në kohë.”4

Një arsye për të cilën nëna ime më kishte dhënë librin, ishte se Plaku Uitni kishte përmendur veçanërisht stërgjyshin tim, David Paten Kimball, i cili kishte marrë pjesë në shpëtim kur ai ishte 17 vjeç. Të gjithë shpëtuesit luftuan me borën e thellë dhe temperaturat e ulëta gjatë një pjese të madhe të procesit të shpëtimit të kompanive të karrocave të dorës. Me çmimin e një sakrifice të madhe personale Davidi dhe shokët e tij ndihmuan në transportimin e shumë pionierëve përmes lumit ngrirës të Suituoterit ende përplot me akull.5 Kjo histori e vërtetë më la shumë mbresa. Unë desha ta provoja zellin tim ndaj Zotit nëpërmjet ndonjë veprimi dramatik. Megjithatë, gjatë një takimi me gjyshin tim, ai më shpjegoi se kur Presidenti Brigam Jang e dërgoi babain, Davidin, dhe të rinjtë e tjerë në misionin e tyre shpëtues, Presidenti Jang i udhëzoi ata të bënin gjithçka që të mundnin për të shpëtuar kompanitë e karrocave të dorës, madje edhe nëse rrezikonin jetën e tyre.6 Veprimet e tyre të guximshme ishin veçanërisht për të “ndjekur profetin Brigam Jang” dhe duke bërë kështu të shprehnin besimin e tyre tek Zoti Jezu Krisht. Gjyshi im më tregoi se përkushtimi i vazhdueshëm dhe besnik ndaj këshillës së profetit është mësimi i vërtetë që duhet të mësoj nga shërbimi i stërgjyshit tim. Aq sa heroike ishte për Davidin dhe miqtë e tij për të shpëtuar pionierët, gjithashtu aq është diçka e guximshme sot të ndjekim këshillën e profetit tonë.

Një rrëfim i treguar shpesh nga Dhiata e Vjetër e ilustron këtë parim. Naamani, një udhëheqës i shquar në Siri, vuante nga lebra. Ai u informua se profeti Elise në Izrael mund ta shëronte atë. Eliseu i dërgoi fjalë nëpërmjet një lajmëtari se Naamani duhet të lahej shtatë herë në lumin Jordan. Në fillim Naamani u zemërua me këtë këshillë. Megjithatë, shërbëtorët e tij i thanë: “Në qoftë se profeti do të kishte urdhëruar një gjë të madhe, ti a do ta kishe bërë?” Më pas Naamani ndoqi këshillën e profetit Elise dhe u pastrua.7

Ashtu si Naamani, ju mbajtës të rinj të priftërisë ndoshta doni të bëni “një gjë të madhe” ose të përfshiheni në diçka dramatike si shpëtimi i kompanisë së karrocave të dorës. Megjithatë, vendosmëria juaj duhet të jetë të ndiqni këshillën e profetit. Presidencia e Parë ka ripohuar zotimin e saj në rritjen e denjësisë së të rinjve të cilët do të rekomandohen për shërbimin misionar. Mbajtja e vetvetes pastër nga mëkatet e botës dhe arritja e standardeve të larta të shërbimit misionar duhet të jetë njëri qëllim. Përgatitja e vetvetes për të shpallur ungjillin dhe për të shpëtuar shpirtërisht disa nga fëmijët e Atit Qiellor, do të ishte si kuptimplote, ashtu edhe heroike. Ju mund ta përmbushni këtë sfidë.

Gjatë gjithë historisë, një Atë i dashur në Qiell dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, i cili është kreu i Kishës, na kanë bekuar me profetë të cilët na këshillojnë dhe paralajmërojnë rreth rreziqeve të së ardhmes.8 Te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 21, duke folur veçanërisht për profetin, Zoti shpall:

“Ju duhet t’u vini veshin fjalëve dhe urdhërimeve të tij, që ai do t’jua japë ashtu siç i merr ato, duke ecur gjithë shenjtëri përpara meje;

Sepse fjalën e tij duhet ta merrni si nga goja ime, plot durim e besim.”9

Ne kemi patur privilegjin e madh këtë mëngjes, në një asamble solemne, të mbështesim Presidentin Tomas S. Monson si profetin, shikuesin dhe zbuluesin tonë dhe si Presidentin e 16-të të Kishës në këtë periudhë ungjillore. Më vonë në këtë sesion priftërie të konferencës do të bekohemi duke dëgjuar bisedën e tij të parë në konferencë të përgjithshme si President i Kishës. Ne do të duam ta mbështesim atë me zemër dhe me veprime, ndërkohë që me kujdes i kushtojmë vëmendje gjërave që ai mëson dhe atyre që ne ndiejmë.

Dashuria dhe vlerësimi për profetin tonë të mëparshëm, Presidentin Gordon B. Hinkli, është rrënjosur thellë në zemrën time dhe do të qëndrojë me mua në të gjithë përjetësinë. Por ashtu siç ka vend në zemrën tonë për të gjithë fëmijët të cilët vijnë në familjet tona, ne kemi të njëjtën dashuri dhe përkushtim për çdo profet që Zoti thërret për të udhëhequr Kishën e Tij.

Profetët janë të frymëzuar të na sigurojnë me përparësi profetike për të na mbrojtur nga rreziqet. Për shembull, Presidenti Hibër J. Grant, profet nga viti 1918 deri më 1945, u frymëzua të theksonte mbajtjen e Fjalës së Urtësisë,10 një parim me premtime i zbuluar nga Zoti tek Profeti Jozef.11 Ai theksoi rëndësinë e mospërdorimit të duhanit ose të pijeve alkoolike dhe i udhëzoi peshkopët t’i rishikonin këto parime në intervistat e rekomandimit të tempullit.

Në atë kohë përdorimi i duhanit ishte i pranuar nga shoqëria si një sjellje e përshtatshme, madje e pëlqyer. Mjeksia e pranonte përdorimin e duhanit me pak shqetësim, sepse studimet shkencore që lidhën përdorimin e duhanit me lloje të ndryshme të kancerit ishin akoma larg për t’u kryer, në të ardhmen. Presidenti Grant u këshillua me shumë energji dhe ne u bëmë të njohur si njerëz që shmangim pirjen e alkoolit dhe duhanin.

Që nga fundi i viteve ’60, përdorimi i paligjshëm i drogave u zhvillua në përmasa galopante nëpër të gjithë botën. Megjithëse kishte disa anëtarë të cilët u rebeluan, pjesa dërrmuese e të rinjve SHDM arritën t’i shmangeshin përdorimit shkatërrues të drogave.

Bindja ndaj Fjalës së Urtësisë u dha anëtarëve tanë, veçanërisht rinisë sonë, një vaksinim parandalues ndaj përdorimit të drogës dhe problemeve pasuese të shëndetit dhe rreziqeve morale. Fatkeqësisht, ka një rigjallërim të përdorimit të drogave në ditët tona. Bindja ndaj Fjalës së Urtësisë sot do t’ju çlirojë nga disa nga rreziqet më serioze me të cilat mund të përballeni në këtë jetë.

Ndonjëherë profetët na mësojnë përparësi profetike që sigurojnë mbrojtje për ne, tani dhe në të ardhmen. Për shembull, Presidenti Dejvid O. Mek-Kei ishte profet nga viti 1951 deri më 1970. Një temë fokusi të veçantë ishte theksi i tij mbi familjen. Ai mësoi se asnjë sukses tjetër në jetë nuk mund ta kompensojë dështimin tonë në familje.12 Ai i nxiti anëtarët t’i forconin familjet duke rritur zbatimin e parimeve fetare. Mësimet e tij ishin një mbrojtje nga shpërbërja e institucionit të martesës që erdhi pas vdekjes së tij.13 Për shkak të mësimeve të Presidentit Mek-Kei, Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme e forcuan zotimin e tyre ndaj familjes dhe martesës së përjetshme.

Si mbajtës të priftërisë së Kishës, është përgjegjësia jonë solemne për ta ndjekur profetin tonë. Ne e mbështesim Presidentin Monson dhe këshilltarët e tij, Presidentin Ajring dhe Presidentin Uhtdorf.

Ne duam që ju të rinj të dini se Presidenti Tomas S. Monson është përgatitur nga Zoti që nga rinia e tij për të qenë profeti.14 Pasi shërbeu në flotën ushtarake në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ai u shugurua si peshkop në moshën 22 vjeçare dhe më pas shërbeu në një presidenci kunji. Në moshën 32-vjeçare ai shërbeu si president misioni në Kanada me gruan e tij të dashur, Frensis Monson. Ai u thirr si Apostull nga Presidenti Mek-Kei kur ishte vetëm 36 vjeç. Ai është burri më i ri i thirrur si Apostull në 98 vitet e fundit dhe ka shërbyer në atë thirrje për më shumë se 44 vjet. 22 vitet e fundit ai ka shërbyer si këshilltar i Presidentëve Ezra Taft Benson, Hauard W. Hanter dhe Gordon B. Hinkli.15

Seksioni 81 te Doktrina e Besëlidhje i jep udhëzime një këshilltari në Presidencinë e Parë. Ai përmban parime të rëndësishme të priftërisë. Udhëzimi i parë është të jesh “besnik në këshillim”. Presidenti Monson është këshilluar me besnikëri me secilin nga të tre profetët nën të cilët ka shërbyer. Uniteti i Presidencisë së Parë në të gjitha vendimet e tyre të rëndësishme ka qenë një shembull për të gjithë ne si mbajtës të priftërisë në ushtrimin e qeverisjes së Kishës.

Udhëzimi i dytë është “për ta shpallur ungjillin”. Presidenti Monson ka qenë një misionar i madh gjithë jetën e tij. Përpjekja vetjake në fushën misionare, puna e tij mbikëqyrëse në Departamentin e Misionarëve dhe thirrja dhe trajnimi prej tij i presidentëve të misioneve, është kryer me entuziazëm. Ai dha një kontribut domethënës ndaj udhëzuesit të ri për punën misionare, “Predikoni Ungjillin Tim”. Përveç kontributeve të vlefshme në përmbajtje, ai frymëzoi përfshirjen e raportimeve të vërteta për ta gjallëruar atë udhëzues. Me përvojën e tij në fushën e shtypit, ai përmirësoi estetikën dhe faqosjen e librit. Ai është me të vërtetë një misionar i madh.

Udhëzimi i tretë thotë: “Prandaj ji besnik; qëndro në detyrën që të kam caktuar; ndihmo të dobëtit, ngri duart që varen poshtë dhe forco gjunjët e këputur”16. Shumë nga vëllezërit dhe motrat tona përballen me probleme mjaft të vështira në jetën e tyre. Në përpjekjet tona për të ndihmuar nën shembullin e Krishtit ne, si udhëheqës priftërie, prindër, miq dhe mësues shtëpie, mund të jemi si shpëtuesit e komanisë së karrocave të dorës.

Përpjekjet shpëtuese të Presidentit Monson në këtë fushë kanë qenë veçanërisht shembullore. Si peshkop ai mësoi t’u shërbente anëtarëve të lagjes së tij. Ai ka mbajtur lidhjet me ta dhe u ka shërbyer fëmijëve dhe nipërve e mbesave të tyre. Megjithëse shumë i zënë me punë, ai arriti të flasë në funeralet e secilës nga 84 të vejat të cilat jetuan në lagjen e tij kur ai ishte peshkop.

Ai ka ndihmuar njerëzit nevojtarë në një mënyrë mbresëlënëse dhe personale. Vitet e tij të shumta si mbikëqyrës i përpjekjeve humanitare i kanë bekuar njerëzit nëpër të gjithë botën, si anëtarët, ashtu edhe njerëzit që nuk janë të besimit tonë. Shërbesa e tij personale ka qenë nën shembullin e Krishtit dhe i ka dhënë ngushëllim dhe paqe njerëzve të panumërt. Një miku im i cili humbi një nip gjatë një aksidenti tragjik, më tha se hidhërimi i tij ishte pothuaj i papërshkrueshëm. Shërbesa e Presidentit Monson ndaj Tij pothuaj e ktheu hidhërimin dërrmues në paqe që tejkalon çdo zgjuarsi. Përpjekja e tij për t’u shërbyer personalisht atyre që janë të sëmurë dhe të munduar, ka qenë e jashtëzonshme.

Presidenti Monson ka bërë më të mirën e mundshme për të “[ndihmuar] të dobëtit, [për të ngritur] duart që varen poshtë dhe [për forcimin e gjunjëve të] këputur.” Ai e ka lartësuar thirrjen e tij si këshilltar në Presidencinë e Parë në një mënyrë mbresëlënëse. Ai ka dëshmuar me guxim për emrin e Jezu Krishtit në të gjithë botën, gjë e cila është përgjegjësia parësore e të gjithë Apostujve.

Kur isha atëherë anëtari më i ri i të Dymbëdhjetëve, që për herën time të parë merrja pjesë në riorganizimin e Presidencisë së Parë në dhomën e epërme të Tempullit të Salt Lejkut në shkurtin që kaluam, unë përjetova konfirmimin e Shpirtit ndërsa të Dymbëdhjetët individualisht dhe njëzëri e mbështetën Presidentin Monson si profetin e Zotit dhe Presidentin e Kishës.

Jam mirënjohës për Atin tonë në Qiell, i cili na do, dhe për Birin e Tij, Jezu Krishtin, i cili është Shpëtimtari ynë dhe, nëpërmjet Shlyerjes, shpëtuesi ynë përfundimtar nga rreziqet fizike dhe shpirtërore të jetës. Ai është avokati ynë me Atin. Unë jap dëshmi për këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Gjoni 15:13.

  2. Shih Orson F. Whitney, Life of Heber C. Kimball, botimi i 2-të (1945), fq. 413–414.

  3. Shih Gordon B. Hinckley, “The Faith to Move Mountains”, Liahona, nëntor 2006, fq. 83–84.

  4. Life of Heber C. Kimball, fq. 413. Shih Chad M. Orton, “The Martin Handcart Company at the Sweetwater: Another Look”, BYU Studies, vëll. 45, nr. 3 (2006): fq. 5–37.

  5. Shih Marva Jeanne Kimball Pedersen, Crozier Kimball: His Life and Work, (1995), fq. 6–7.

  6. Shih 2 Mbretërve 5:1–14.

  7. Shih Amosi 3:7.

  8. DeB 21:4–5.

  9. Shih Teachings of Presidents of the Church: Heber J. Grant, (Melchizedek Priesthood and Relief Society course of study, 2002), fq. 189–197.

  10. Shih DeB 89.

  11. Cituar nga J.E. McCulloch, Home: The Savior of Civilization (1924), fq. 42; në Conference Report, prill 1935, fq. 116.

  12. Shih Brad Schiller, “The Inequalilty Myth”, Wall Street Journal, 10 mars 2008, fq. A15.

  13. Shihni shembujt e mëposhtëm: Samueli 2:26; Mormoni 1:2; Joseph Smith— Historia 1:7.

  14. Shih Deseret Morning News 2008 Church Almanac (2007), fq. 35.

  15. DeB 81:3–5.