2008
Duke Hapur Zemrat Tona
Maj 2008


Duke Hapur Zemrat Tona

Le ta bëjmë pjesë të së përditshmes tonë përpjekjen për t’ia hapur zemrën tonë Shpirtit.

Pamja
Elder Gerald N. Lund

Sot unë do të doja të flisja mbi rëndësinë e hapjes së zemrave tona ndaj Frymës së Shenjtë.

Pas pagëzimit, ne konfirmohemi dhe marrim Frymën e Shenjtë. Kjo është një dhuratë hyjnore. Fryma e Shenjtë na qetëson, na mëson, na paralajmëron, na ndriçon dhe na frymëzon. Nefi e përcaktoi atë shumë thjesht: “Në qoftë se ju do të hyni nëpërmjet udhës dhe do të merrni Frymën e Shenjtë, ai do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni”. 1 Ne kemi nevojë për Frymën e Shenjtë nëse duam ta përshkojmë të sigurt rrugën tonë nëpër atë që Apostulli Pal e quajti “kohëra të vështira”2 në të cilat jetojmë tani.

Fryma e Shenjtë është një personazh i shpirtit, i cili e lejon Atë të qëndrojë në zemrat tona dhe të komunikojë direkt me shpirtrat tanë. 3 Zëri i Shpirtit përshkruhet si i qetë dhe i ulët, një zë pëshpëritës. 4 Si mund të jetë i qetë një zë? Pse krahasohet ai me një pëshpëritje? Ngaqë Shpirti thuajse gjithnjë i flet mendjes dhe zemrës tonë5 më shumë se sa veshëve tanë. Presidenti Boid K. Paker ka thënë: “Fryma e Shenjtë flet me një zë që ti më shumë e ndjen se sa e dëgjon”. 6

Ne i ndiejmë gjërat në zemrat tona. Në shkrimet e shenjta, profetët mësojnë se zbulesa personale është e lidhur ngushtë me zemrën. Për shembull:

Mormoni na mësoi: “Për shkak të bindjes dhe të përulësisë në zemër, vjen vizitimi i Frymës së Shenjtë.”7

Alma tha: “Ai që do të ngurtësojë zemrën e tij, po, ai do të marrë pjesën më të vogël të fjalës; dhe ai që nuk do ta ngurtësojë zemrën, atij i jepet pjesa më e madhe e fjalës.”8

Mormoni shkroi për Nefitët: “[Shpirtrat e tyre u mbushën] me gëzim dhe ngushëllim … për shkak të dhënies së zemrave të tyre Perëndisë”. 9

Dhe pastaj, autori i psalmeve shkroi thjesht: “Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer.”10

A nuk është kjo diçka që e kërkojmë të gjithë, vëllezër e motra – të vizitohemi prej Frymës së Shenjtë, të kemi Zotin që afrohet më pranë nesh, të gjejmë gëzim dhe ngushëllim në jetën tonë? Nëse është kështu, atëherë vlerësimi me kujdes i gjendjes së zemrës tonë është një nga gjërat më thelbësore që mund të bëjmë në këtë jetë.

Zemra është një vend i ndjeshëm. Ajo është e ndjeshme ndaj shumë ndikimeve, pozitive dhe negative. Ajo mund të dëmtohet nga të tjerë. Ajo mund të vritet nga mëkati. Ajo mund të zbutet nga dashuria. Herët në jetë ne mësojmë të ruajmë zemrën tonë. Është sikur ne ndërtojmë një gardh rreth zemrës me një portë në të. Asnjë nuk mund të hyjë në këtë portë veçse nëse ne e lejojmë atë.

Në disa raste gardhi që ngremë rreth zemrës tonë mund të krahasohet me një gardh të vogël me piketa me një tabelë te porta ku shkruhet Mirëserdhët. Zemra të tjera kanë qenë aq të plagosura apo aq të vdekura nga mëkati, sa që ato kanë një gardh me strukturë hekuri dy metra e gjysmë të lartë me tela me gjemba rrethuar. Porta është në dry dhe me një tabelë të madhe, ku shkruhet Ndalohet Kalimi.

Le të zbatojmë idenë e një porte në zemër për të marrë zbulesa personale. Nefi na mësoi: “Kur një njeri flet nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, fuqia e Frymës së Shenjtë e çon atë te zemrat e fëmijëve të njerëzve”. 11 Plaku David A. Bednar theksoi përdorimin e fjalës në: “Lutem vini re se si forca e Shpirtit e çon mesazhin por jo domosdoshmërisht brenda zemrave … Më në fund, … përmbajtja e një mesazhi dhe dëshmia e Frymës së Shenjtë depërtojnë në zemër vetëm nëse një pritës i lejon ato të hyjnë”. 12

Përse pikërisht te zemra? Liria e individit është aq e shenjtë sa që Ati Qiellor kurrë nuk do ta detyronte zemrën njerëzore edhe pse fuqia e Tij është e pafund. Njeriu mund të përpiqet ta bëjë këtë, por Perëndia jo. Për ta thënë me fjalë të tjera, Perëndia na lejon të jemi rojet, apo portierët, e zemrave tona. Ne duhet, me vullnetin tonë të lirë, të hapim zemrat tona për Shpirtin, sepse Ai nuk do të imponohet me forcë mbi ne.

Pra, si i hapim ne zemrat?

Në Predikim në Mal, Shpëtimtari tha: “Lumë ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë”.13 Nëse diçka është e pastër, ajo nuk është e ndotur apo e njollosur nga gjëra që nuk duhet të jenë në të. Pastërtia e zemrës është sigurisht një nga cilësitë më të rëndësishme për të marrë frymëzim nga Perëndia. Ndërsa asnjë nga zemrat tona nuk është e përkryer, sa më me zell përpiqemi të largojmë papastërtinë, apo të nxjerrim andej ato që nuk kanë vend atje, aq më shumë ne e hapim zemrën për Frymën e Shenjtë. Vini re këtë premtim të ëmbël të profetit Jakob: “O të gjithë ju që jeni të kulluar në zemër, ngrini lart kokat tuaja dhe merrni fjalën e këndshme të Perëndisë dhe ushqehuni me bollëk me dashurinë e tij.”14

Ndërsa në Burgun Liberti, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë që përshkruan një gjendje të disa zemrave:

“Vini re, ka shumë që thirren, por pak zgjidhen. Dhe përse nuk zgjidhen ata?

Sepse zemrat e tyre vihen kaq shumë mbi gjërat e kësaj bote dhe aspirojnë nderet e njerëzve.”15

Shumë njerëz në botë jetojnë tani në kushte të begatshme dhe në paqe. Në Librin e Mormonit, mirëqenia shpesh i largoi njerëzit nga Zoti. Mormoni paralajmëroi: “Ne mund të shohim që pikërisht, në kohën kur ai begaton popullin e tij, po, në shtimin e arave të tyre, të grigjave të tyre dhe të kopeve të tyre dhe në ar, dhe në argjend, dhe në të gjitha gjërat e çmueshme të çfarëdo lloji dhe mjeshtërie … , atëherë është koha që ata ngurtësojnë zemrat e tyre dhe harrojnë Zotin, Perëndinë e tyre.”16

Zoti shënoi tre pasoja të vetvetishme nga vendosja e zemrës në gjëra të botës: Së pari, ne kërkojmë të fshehim mëkatet tona në vend që të pendohemi për to. Pastaj, ne kërkojmë të kënaqim krenarinë dhe ambiciet tona të kota më shumë se sa të kërkojmë për gjërat e Perëndisë. Së fundi, ne fillojmë të ushtrojmë një sundim të padrejtë mbi të tjerët.17

Vini re që krenaria është një pasojë e vetvetishme e vënies së zemrës tonë në gjërat e botës. Krenaria e largon shpejt ndjeshmërinë e zemrës tonë ndaj nxitjeve shpirtërore. Për shembull, Zoti tha: “Unë, Zoti, nuk jam i kënaqur me shërbëtorin tim Sidney Rigdon; ai u lartësua në zemrën e tij dhe nuk pranoi këshillë, por e brengosi Shpirtin.” 18 Krahasoni këtë me premtimin: “Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua.”19

Në zbulesën në Burgun Liberti, Zoti e përshkroi efektin e një zemre tokësore: “Vini re qiejt tërhiqen; Shpirti i Zotit hidhërohet; … [dhe] Vini re, përpara se ta kuptojë, ai lihet i vetëm.” 20 Vëllezër dhe motra, në këto “kohë të vështira” shumë, ne nuk na lejohet të brengosim Shpirtin dhe t’i lihemi vetes tonë.

Unë e përsëris, gjendja e zemrës tonë ndikon direkt ndjeshmërinë tonë ndaj gjërave shpirtërore. Le ta bëjmë pjesë të përpjekjes tonë të përditshme, hapjen e zemrave tona ndaj Shpirtit. Gjersa jemi roje të zemrës tonë, ne mund të zgjedhim të veprojmë kështu. Ne zgjedhim çfarë lejojmë të hyjë apo ta ndalim. Fatmirësisht Zoti është i dëshiruar të na ndihmojë ne të bëjmë zgjedhje të urta.

Unë po e mbyll në dëshmi me dy nga premtimet që Ai i ka bërë atyre që përpiqen të vijnë tek Ai: “Prandaj, vëllezër të mi të dashur, lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri, … që ne të mund të pastrohemi, madje ashtu si ai është i pastër.”21

Dhe së fundi këtë deklaratë mobilizuese të Apostullit Pal: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon.”22

I kërkofshim gjithmonë Krishtit të na forcojë zemrën dhe ta mbushim atë me dashurinë e Tij, kjo është lutja ime, në emër të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. 2 Nefi 32:5.

  2. 2 Timoteut 3:1.

  3. Shih DeB 8:2.

  4. Shih DeB 85:6.

  5. Shih DeB 8:2.

  6. “Personal Revelation: The Gift, the Test, and the Promise,” Liahona, qershor 1997, faqe 10.

  7. Moroni 8:26.

  8. Alma 12:10.

  9. Halemani 3:35.

  10. Psalmet 34:18.

  11. 2 Nefi 33:1; theksimi i shtuar.

  12. “Seek Learning by Faith,” Liahona, shtator 2007, faqe 17.

  13. Mateu 5:8.

  14. Jakobi 3:2.

  15. DeB 121:34–35.

  16. Halemani 12:2.

  17. Shih DeB 121:36–37.

  18. DeB 63:55.

  19. DeB 112:10.

  20. DeB 121:37–38.

  21. Moroni 7:48.

  22. Filipianëve 4:13.