2008
Spiranca Dëshmie
Maj 2008


Spiranca Dëshmie

Forcojeni besimin tuaj duke ndjekur këtë model të lutjes, studimit dhe bindjes ndaj urdhërimeve.

Pamja
Mary N. Cook

Kur jetoja në Azi, kam parë shumë pellgje të mbuluar me zambakë uji, të bukur e të lulëzuar. Ato i shtonin një bukuri të qetë dhe aromë të ëmbël pellgjeve që në vetvete ishin mbytës e të ndenjur. Gjethet e zambakëve të ujit pluskonin në sipërfaqen e ujit dhe një kërcell i gjatë e i sigurt ankoronte pozicionin e tyre në pellg. Rritja e vazhdueshme e kërcellit siguronte qëndrueshmërinë e lules, madje dhe kur shirat e rrëmbyer e ngrinin nivelin e ujit në pellg.

Motrat e mija të dashura e të reja, ju i ngjani shumë kësaj luleje të bukur. Freskia, dëlirësia dhe bukuria juaj i shtojnë shumë mirësi jetës sonë dhe jetës së familjes suaj. Ju jetoni në një botë sfiduese, të ndotur me tundime dhe sprova, por përsëri dëshmia juaj për Jezu Krishtin mund të jetë spiranca juaj. Besimi në Zotin Jezu Krisht do ta forcojë e do ta ndihmojë të rritet dëshminë tuaj dhe ju do të jeni në gjendje të ngriheni mbi të ligat e botës dhe të mbani vendin tuaj të drejtësisë.

Spiranca përkufizohet si “diçka që ju siguron qëndrueshmëri ose siguri në një situatë që përndryshe është e pasigurt”1. Dëshmia juaj do të jetë spiranca juaj dhe do t’ju japë sigurinë të qëndroni “[e qëndrueshme] dhe [e] patundur”2 në mbajtjen e urdhërimeve të Zotit në një botë të pasigurt.

Tamam tani, dëshmia juaj po rritet, ashtu si kërcelli i zambakut të ujit. Besimi juaj do ta ndihmojë të rritet dhe do ta mbajë të fortë, madje dhe kur përballni sfidat dhe tundimet e një bote të ndotur me droga, imoralitet, pornografi dhe paturpësi.

“Besimi është dhuratë nga Perëndia, por ju duhet ta ushqeni që ta mbani të fortë… . Ju mund ta ushqeni dhuratën e besimit nëpërmjet lutjes tek Ati Qiellor në emrin e Jezu Krishtit… . Ju mund ta forconi besimin nëpërmjet mbajtjes së urdhërimeve… . Mund ta zhvilloni besimin gjithashtu me anë të studimit të shkrimeve të shenjta dhe të fjalëve të profetëve të ditëve të mëvonshme.”3

Njoh disa të reja, që kanë patur pyetje rreth veshjes me thjeshtësi. Për të gjetur përgjigjet për pyetjet e tyre, ato ndoqën tamam këtë model: ato iu lutën Atit Qiellor, ato studiuan shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme dhe qenë të bindura në të jetuarit e standardit të thjeshtësisë. Ndërsa morën përgjigje për pyetjet e tyre, besimi i tyre u rrit dhe dëshmitë e tyre u forcuan. Do ta ftoja secilën prej jush ta ndiqte këtë model.

Së pari, lutiuni Atit tuaj Qiellor. Kërkoini ndihmë Atij për të gjetur përgjigje për pyetjet tuaja.

Profeti ynë, Presidenti Tomas S. Monson, tha në konferencën e tij të parë për shtyp:

“Nganjëherë përgjigjet më të mira që të rinjtë mund [të marrin] për pyetjet e jetës gjenden atje, të gjunjëzuar duke iu drejtuar Atit Qiellor.

Nëse ata do ta kujtojnë se Zoti mendon për ta dhe do t’u përgjigjet lutjeve të tyre, ata do të jenë në gjendje të përballojnë çdo sfidë që iu del.”4 Lutja do t’ju ndihmojë të forconi besimin dhe të ankoroni dëshminë tuaj.

Përveç lutjes, studioni shkrimet e shenjta mbi besimin. Alma 32:27, është një vend i shkëlqyer ku të filloni të mësoni procesin e rritjes së besimit tuaj: “Por vini re, në qoftë se ju do të zgjoheni dhe do të vini në veprim aftësitë tuaja, madje deri në një provë mbi fjalët e mia dhe të ushtroni një pjesëz të besimit, po, edhe në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni, lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju, madje derisa të besoni në mënyrë që të bëni vend për një pjesë të fjalëve të mia.”

A jeni të gatshëm të provoni eksperimentin e Almës për të rritur besimin tuaj? A mund të ushtroni madje një pjesëz besimi? A keni një dëshirë për të besuar?

Kur ju mësoni nga shkrimet e shenjta, unë e di se Zoti do t’ju bekojë me Shpirtin e Tij dhe, ashtu si të rejat që dëgjuam sot, kuptimi juaj do të ndriçohet. Shkrimet e shenjta do t’ju rritin besimin dhe do t’ju ndihmojnë të ankoroni dëshminë tuaj.

Edhe studimi i fjalëve të profetëve tanë të ditëve të mëvonshme do të rrisë besimin tuaj. “Ju mund t’u besoni gjithmonë profetëve të gjallë. Mësimet e tyre pasqyrojnë vullnetin e Zotit”5 dhe do t’ju ndihmojnë të ankoroni dëshminë tuaj.

Presidenti Spenser W. Kimball, një nga profetët tanë të ditëve të mëvonshme, i këshilloi të rinjtë të ngulnin thellë kunjet për t’i ndihmuar që të jenë “[të] qëndrueshëm e [të] patundur” kur na mësoi: “Të rinjtë tanë duhet t’i ngulin kunjet qysh herët… . Kunjet janë dy llojesh: ‘Këtë unë do ta bëj’ dhe ‘Këtë unë nuk do ta bëj’… . Shumë herët, të rinjtë duhet të jetojnë sipas një plani… . Kur hartohet një drejtim i tillë dhe vendoset një qëllim, është më e lehtë t’i bësh ballë tundimeve të shumta dhe t’i thuash ‘jo’ cigares së parë, ‘jo’ pijes së parë alkoolike, … ‘jo’ qasjeve të para të pahijshme që çojnë përfundimisht në praktika imorale.”6

Ne kemi një mjet të mrekullueshëm për të na ndihmuar të ngulim këto kunje. Ai është “Për Forcën e Rinisë”. Në këtë libër të vogël ju do të gjeni fjalët e profetëve tanë të ditëve të mëvonshme. “Kunjet” që përshkroi Presidenti Kimball përshkruhen në këtë libër: gjërat që “unë do të bëj” dhe gjërat që “unë nuk do të bëj”.

Megjithatë, nuk mjafton që vetëm të lexojmë fjalët e profetëve. Ju duhet të ndiqni hapin e fundit në modelin tonë dhe “të mbani këto standarde dhe të jetoni sipas të vërtetave në shkrimet e shenjta”7. Kjo është pjesa sfiduese, por duke planifikuar paraprakisht atë që ju do të bëni e nuk do të bëni dhe duke jetuar sipas atij plani, ju mund ta realizoni atë!

Besimi është parim veprimi. Më lejoni t’ju tregoj për disa të reja që studiuan fjalët e profetëve në “Për Forcën e Rinisë” dhe pastaj vepruan. Ato bënë një plan, vendosën ato që do të bënin e ato që nuk do të bënin dhe pastaj jetuan sipas atij plani.

Një nga porositë në “Për Forcën e Rinisë” pohon: “Nëpërmjet veshjes dhe paraqitjes suaj, mund t’i tregoni Zotit se e dini se sa i çmuar është trupi që keni. Ju mund të tregoni se jeni një dishepull e Jezu Krishtit.”8

Pasi studioi këto fjalë, një e re kuptoi se ndoshta disa nga rrobat e saj nuk ishin plotësisht të thjeshta. Nëpërmjet lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta, ajo kujtoi se ishte një dishepull e Jezu Krishtit dhe se, si përfaqësuese e Tij, ajo duhet të bënte disa ndryshime. Ajo nuk donte të kishte asgjë në garderobë që të ishte tunduese, kështu që kontrolloi dollapët e sirtarët dhe e hoqi gjithçka që nuk ishte e thjeshtë. Ajo tha: “Do të veproja me mençuri nëse as nuk provoj ndonjë gjë në dyqane, që e di se nuk duhet ta vesh. Përse të tundohem?” Ai vendim i patundur i tregoi Zotit se ajo e respektonte trupin e saj dhe ajo nguli thellë një kunj për thjeshtësinë.

Një tjetër e re në klasë kuptoi se zgjedhjet e saj për veshjet po ndikonin mënyrën sesi vishej motra e saj e vogël. Një rresht në “Për Forcën e Rinisë” thotë: “Veshja dhe paraqitja juaj i dërgon mesazhe për ju të tjerëve dhe ndikon në mënyrën si veproni ju dhe të tjerët.”9 Ajo vendosi të bënte disa ndryshime në veshjen e saj, duke e kuptuar se kishte përgjegjësinë të ishte një shembull i mirë për motrën e saj më të vogël. Ajo e nguli më thellë kunjin e saj dhe ndikoi zgjedhjet e veshjes të së motrës.

Standardi i “Zbavitjes dhe Mjeteve të Informacionit” na mëson: “zgjidhni vetëm zbavitje dhe mjete informacioni që ju ngrenë moralisht. Zbavitja e mirë do t’ju ndihmojë të keni mendime të mira dhe të bëni zgjedhje të drejta.”10 Unë njoh një të re dhe motrën e saj që po dëgjonin një CD dhe kuptuan se teksti nuk i ngrinte moralisht e nuk i ndihmonte të kishin mendime të mira. Ato të dyja vështruan njëra-tjetrën dhe e dinin me anë të Shpirtit se nuk duhet të dëgjonin atë lloj muzike. Motra e madhe mori një çekiç dhe së bashku e morën CD dhe e bënë copa-copa. Që më parë ato kishin ngulur kunje në lidhje me muzikën. Ato e dinin se çfarë do të dëgjonin e çfarë jo dhe qenë në gjendje të jetonin sipas atij plani duke ndjekur nxitjet e Shpirtit. Ai veprim i vogël i forcoi dhe u dha siguri që të bindeshin në situata më sfiduese.

Një tjetër e re vendosi se një nga kunjet në jetën e saj ishte të nderonte Shabatin, pavarësisht nga rrethanat. Një vit pasi u pagëzua si anëtare e Kishës së bashku me familjen, lagjja e saj u nda. Familja e saj u caktua tek lagjja e sapoformuar dhe ajo ishte e vetmja e re në lagjen e re. Prindërit e saj e kundërshtuan ndryshimin dhe nuk shkuan më në kishë, por ajo donte të ndiqte udhëzimet e “Për Forcën e Rinisë” mbi “Nderimin e Ditës së Shabatit”. Ajo vendosi të shkonte në kishë në lagjen e re kurdoherë që mundej edhe pse kjo donte të thoshte të shkonte e vetme në të gjitha mbledhjet e saj.

Të dielave ajo lexonte shkrimet e saj të shenjta dhe punonte për Përparimin Personal. Vendimi i saj për të qenë “[e qëndrueshme] dhe [e] patundur” në nderimin e Shabatit i nxiti të ëmën dhe motrën e vogël të fillonin të shkonin përsëri në kishë. Mamaja dëshmoi se shembulli i qëndrueshëm i të bijës në të jetuarit e ungjillit dhe mirësia e saj i ndihmuan ato të ktheheshin në aktivitet.

“Ju e shprehni besimin tuaj nëpërmjet veprimit – nga mënyra si jetoni.”11 Jeta e këtyre të rejave shprehu besimin e tyre. Dhe vini re se besimi dhe jeta e tyre shembullore dha si rezultat vepra të mira. Motrat bekuan motrat dhe një bijë ndihmoi të ëmën të kthehet në aktivitetin e Kishës.

Disa prej jush mund të ndiejnë se nuk mund të ngrihen mbi pellgun e ndotur, se rrethanat tuaja janë tepër të vështira, sprovat tuaja tepër të rënda, tundimet tuaja tepër të mëdha. Por kujtoni premtimin e Almës: “Kushdo që vë besimin e tij në Perëndi, do të përkrahet në sprovat e tij dhe në vështirësitë e tij dhe në mjerimet e tij dhe do të ngrihet në ditën e fundit.”12 Kujtoni, kërcelli i zambakut të ujit rritet në vështirësi dhe, ashtu si kërcelli ngre zambakun e ujit, ashtu dhe besimi juaj do t’ju mbështesë dhe ngrejë ju.

Të dashura motra të mia të reja, dëshmia juaj për Jezu Krishtin është spiranca juaj. Forcojeni besimin duke ndjekur këtë model të lutjes, studimit dhe bindjes ndaj urdhërimeve. Ngulni thellë kunje duke vendosur tani atë që do të e që nuk do të bëni dhe pastaj veproni sipas planit tuaj.

Unë dëshmoj se Zoti e do secilën prej jush dhe do t’ju bekojë në përpjekjet tuaja për të qenë “të qëndruesh[me] dhe të palëvizur[a]”. Ungjilli i Jezu Krishtit është i vërtetë, dija e dëshmia juaj për Jezu Krishtin do t’ju mbajë të ankoruara fort dhe ju do të jeni në gjendje të mbani vendin tuaj kur qëndroni për të vërtetën dhe drejtësinë. Për këtë unë dëshmoj përulësisht në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Apple Computer Inc. Dictionary, version 1.0.1, “anchor”.

  2. Mosia 5:15.

  3. Të Vërtetë ndaj Besimit – Një Referim për Ungjillin (2004), 21-22.

  4. “16th President Fields Questions from Media,” Church News, 9 shkurt 2008, f. 15.

  5. Të Vërtetë ndaj Besimit, 133.

  6. Miracle of Forgiveness, (1969), f. 236.

  7. Për Forcën e Rinisë, (pamflet, 2001), 2.

  8. Për Forcën e Rinisë, 14.

  9. Për Forcën e Rinisë, 15.

  10. Për Forcën e Rinisë, 17.

  11. Të Vërtetë ndaj Besimit, 21.

  12. Alma 36:3.