2008
Të Shërojmë Pasojat Shkatërruese të Abuzimit
Maj 2008


Të Shërojmë Pasojat Shkatërruese të Abuzimit

Fuqia e shërimit është pjesë përbërëse e Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Pamja
Elder Richard G. Scott

Unë jap dëshmi solemne se sa thellësisht e dua profetin, shikuesin dhe zbuluesin, Presidentin tonë të ri Tomas S. Monson – sa thellë i besoj atij dhe sa i gatshëm jam të bëj çfarëdo që ai më kërkon të bëj.

Disa çështje janë kaq të ndjeshme dhe fuqimisht vetjake, si dhe mund të zgjojnë ndjenja kaq shqetësuese, saqë rrallë përmenden publikisht. Megjithatë, nëse trajtohen butësisht e dhembshurisht në dritën e të vërtetës, diskutimi i këtyre çështjeve mund të sjellë mirëkuptim më të madh bashkë me lehtësimin e dhembjes, bekimin e shërimit dhe madje shmangien e tragjedisë së mëtejshme.

Me dëshirën e thellë për të treguar qartë një shteg drejt lehtësimit, unë ju drejtohem juve që vuani pasojat shkatërruese të abuzimit mendor, gojor, fizik dhe veçanërisht atij seksual. Ju drejtohem gjithashtu juve që e shkaktoni atë. Do të përqendrohem tek abuzimi seksual, ndonëse këshilla që jepet duhet të ndihmojë edhe viktimat e keqtrajtimeve të tjera. Qëllimi im është që të veproj si një pasqyrë, që drita hyjnore dhe shëruese të mund të ndriçojë retë e errëta të shqetësimit të shkaktuar nga veprimet e padrejta të të tjerëve. Paça ndihmë që të mund të komunikoj në mënyrë të kuptueshme, të siguroj ndihmë dhe të mos ndërlikoj më tej një jetë të rrezikuar. Ka gjithashtu gjasa që një mirëkuptim, ndërgjegjësim dhe ndjeshmëri më e madhe, t’i lejojë dikujt prej ne të tjerëve që të ndihmojë në zgjidhjen ose parandalimin e tragjedisë së abuzimit në viktima të tjera.

Shkalla në rritje e këtij mëkati të mbrapshtë e të neveritshëm mund të mos ketë prekur jetën tuaj personalisht. Por ai është mjaft depërtues në botë, saqë mund të ketë prekur dikë që ju doni. Shpeshtësia e tij shkakton një vuajtje kaq të thellë, që mund të kapërcehet, saqë unë dëshiroj të flas se si mund të arrihet shërimi. Kjo do të bëhet me nderim, pasi objektivi im është të ndihmoj shërimin dhe jo të rëndoj kujtime të dhimbshme.

Zgjedhja e Lirë

Zgjedhja e lirë morale është një element jetik në planin e madh të lumturisë të Atit tonë Qiellor. Ai e kuptonte se disa nga bijtë e Tij shpirtërorë do ta përdornin në mënyrë të papërshtatshme atë zgjedhje të lirë, duke u shkaktuar probleme serioze të tjerëve. Disa madje do të dhunonin mirëbesimin e shenjtë, të tillë si një atë ose anëtar familjeje që abuzon me një fëmijë të pafajshëm. Meqenëse Ati ynë Qiellor është plotësisht i drejtë, duhet të ketë një mënyrë për të kapërcyer pasojat tragjike të një përdorimi kaq dëmtues të zgjedhjes së lirë, si për viktimën ashtu dhe për autorin e krimit. Shërimi paqësues vjen nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit, për të korrigjuar atë që është e padrejtë. Besimi në Jezu Krishtin dhe në fuqinë e Tij shëruese i siguron personit të abuzuar mjetet për të kapërcyer pasojat e tmerrshme të veprimit të padrejtë të një tjetri. Kur bashkohet me pendimin e plotë, Shlyerja i ofron gjithashtu dhe autorit të abuzimit një mënyrë për të shmangur dënimin e rreptë që Zoti ka dekretuar për veprime të tilla.

Për Viktimat

Unë dëshmoj se njoh viktima të abuzimit serioz që e kanë kryer me sukses udhëtimin e vështirë deri në shërimin e plotë nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes. Pasi shqetësimet e veta u zgjidhën me anë të besimit të saj në fuqinë shëruese të Shlyerjes, një e re, me të cilën ati i saj kishte abuzuar rëndë, kërkoi një intervistë tjetër me mua. Ajo u kthye me një çift të moshuar. Mund ta ndieja se ajo i donte që të dy shumë fort. Fytyra e saj rrezatonte lumturi. Ajo filloi: “Plaku Skot, ky është babai im. Unë e dua atë. Ai është i shqetësuar për disa ngjarje që ndodhën në fëmijërinë time të hershme. Ato nuk janë më problem për mua. A mundni ta ndihmoni atë?” Çfarë vërtetimi i fuqishëm i aftësisë së Shpëtimtarit për të shëruar! Ajo nuk vuante më nga pasojat e abuzimit, sepse ajo kishte kuptim të përshtatshëm të Shlyerjes së Tij, besim të mjaftueshëm dhe ishte e bindur ndaj ligjit të Tij. Kur ju e studioni me ndërgjegje Shlyerjen dhe ushtroni besimin tuaj që Jezu Krishti ka fuqinë për të shëruar, ju mund të merrni të njëjtin lehtësim të bekuar. Gjatë udhëtimit tuaj për shërim, pranoni ftesën e Tij që ta lejoni të marrë nga barra juaj derisa të keni kohë dhe forcë të mjaftueshme që të shëroheni.

Që të gjeni lehtësim për pasojat e abuzimit, është e dobishme të kuptoni burimin e tyre. Satani është autori i të gjitha rezultateve shkatërruese të abuzimit. Ai ka aftësi të jashtëzakonshme që ta drejtojë një individ në rrugica qorre, ku nuk mund të gjendet zgjidhja për probleme jashtëzakonisht sfiduese. Strategjia e tij është të ndajë shpirtin që vuan nga shërimi që realizohet nga një Atë Qiellor i dhembshur dhe një Shëlbues i dashur.

Nëse me ju kanë abuzuar, Satani do të orvatet t’ju bindë se nuk ka zgjidhje. Ndonëse ai e di plotësisht që ka. Satani e di se shërimi vjen nëpërmjet dashurisë së palëkundur të Atit Qiellor për secilin prej bijve të Tij. Ai gjithashtu e kupton se fuqia e shërimit është e pandarë nga Shlyerja e Jezu Krishtit. Prandaj, strategjia e tij është që të bëjë ç’është e mundur për t’ju ndarë ju nga Ati juaj dhe Biri i Tij. Mos e lejoni Satanin t’ju bindë se ju nuk mund të merrni ndihmë.

Satani përdor abuzimin me ju për të gërryer besimin tuaj tek vetja, për të shkatërruar mirëbesimin tek autoriteti, për të krijuar frikë dhe për të prodhuar ndjenja dëshpërimi. Abuzimi mund të dëmtojë aftësinë tuaj për të formuar marrëdhënie të shëndetshme njerëzore. Ju duhet të keni besim që të gjitha këto pasoja negative mund të zgjidhen; përndryshe ato do t’ju pengojnë të shëroheni plotësisht. Ndërkohë që këto rezultate kanë ndikime të fuqishme në jetën tuaj, ato nuk përcaktojnë qenien tuaj të vërtetë.

Satani do të orvatet t’ju armiqësojë me Atin tuaj Qiellor, me mendimin që, nëse Ai do t’ju donte ju, Ai do ta kishte penguar tragjedinë. Mos u largoni nga i vetmi burim i shërimit të vërtetë, nga dinakëria e princit të të ligës dhe gënjeshtrat e tij të këqija. Ta dini që, nëse keni ndjenja sikur Ati juaj në Qiell nuk ju do, juve po ju manipulon Satani. Madje dhe kur mund të duket shumë e vështirë që të luteni, të gjunjëzoheni dhe t’i kërkoni Atit në Qiell që t’ju japë aftësinë që t’i mirë-besoni Atij dhe të ndieni dashurinë e Tij për ju. Kërkoni që të arrini të mësoni se Biri i Tij mund t’ju shërojë nëpërmjet Shlyerjes së Tij të mëshirshme.

Ishte propozimi i Satanit që fëmijët e Atit të detyroheshin të bindeshin, që të mos kishte zgjedhje të lirë morale dhe si rezultat, as rritje personale. Për të ruajtur zgjedhjen e lirë morale, Zoti nuk i frenon individët nga përdorimi i pavend i asaj zgjedhjeje. Megjithatë, Ai do t’i dënojë ata për veprime të tilla, nëse nuk ka pendim të plotë. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, Ai i dërgon nxitje paralajmëruese abuzuesit, por shpesh dëshira e degraduar e atij individi është kaq e fuqishme, saqë e bllokon atë udhëheqje shpirtërore. Kjo është arsyeja pse Ati ynë siguroi një mënyrë për të shëruar pasojat e veprimeve që, nëpërmjet forcës, keqpërdorimit të autoritetit, ose frikës nga dikush tjetër, përkohësisht heqin zgjedhjen e lirë të personit që abuzohet.

Fillimi i shërimit kërkon besim prej fëmije në faktin e pandryshueshëm që Ati në Qiell ju do dhe ka siguruar një rrugë shërimi. Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, dha jetën e Tij për të siguruar atë shërim. Por nuk ka ndonjë zgjidhje magjike, as balsam të thjeshtë që të japë shërimin dhe nuk ka as ndonjë shteg të lehtë për tek shërimi i plotë. Kura kërkon besim të thellë tek Jezu Krishti dhe tek aftësia e Tij e pafundme për të shëruar. Ajo rrënjoset në një kuptim të doktrinës dhe vendosmëri të patundur për ta zbatuar atë.

Shërimi mund të fillojë me një peshkop, ose president kunji të kujdesshëm, ose një këshilltar profesionist i mençur. Nëse do t’ju thyhej këmba, nuk do të vendosnit ta shëronit atë vetë. Abuzimi serioz mund të përfitojë (që të shërohet) edhe nga ndihma profesionale. Ka shumë mënyra për të filluar shërimin, por mbani mend që, një kurë e plotë vjen nëpërmjet Shpëtimtarit, Zotit Jezu Krisht, Mësuesit dhe Shëlbuesit tonë. Kini besim që me përpjekje, Shlyerja e Tij e përsosur, e përjetshme dhe e pafundme mund të shërojë vuajtjen tuaj nga pasojat e abuzimit.

Ndonëse tani mund t’ju duket e pamundur, me kohë, shërimi që mund të merrni nga Shpëtimtari do t’ju lejojë që të falni vërtet abuzuesin e madje të keni ndjenja pikëllimi për të. Kur ju të mund të falni fyerjen, juve do t’ju lehtësohet dhembja dhe brengosja që Satani dëshiron të keni në jetën tuaj, duke ju nxitur të urreni abuzuesin. Si rezultat, ju do të gëzoni paqe më të madhe. Ndonëse është një pjesë e rëndësishme e shërimit, nëse mendimi i faljes ju shkakton edhe më shumë dhembje, lëreni mënjanë atë hap, derisa të keni më shumë përvojë për fuqinë shëruese të Shpëtimtarit në vetë jetën tuaj.

Nëse tani po abuzohet me ju, ose është bërë në të shkuarën, gjeni kurajën për të kërkuar ndihmë. Juve mund t’ju kenë kërcënuar rreptë ose t’ju kenë frikësuar që të mos e tregoni abuzimin. Kini kurajë të veproni tani. Kërkoni mbështetjen e dikujt që mund ta besoni. Peshkopi ose presidenti juaj i kunjit mund t’ju japin këshillë të vlefshme dhe t’ju ndihmojnë me autoritetet civile. Shpjegoni si është abuzuar me ju dhe identifikoni se kush e ka bërë këtë. Kërkoni ndihmë. Veprimi juaj mund të ndihmojë të tjerët të shmangen nga bërja viktima të pafajshme, me vuajtjen që pason. Merrni ndihmë tani. Mos kini frikë – sepse frika është një mjet që Satani do ta përdorë që ju të vazhdoni të vuani. Zoti do t’ju ndihmojë, por ju duhet ta kërkoni atë ndihmë.1

Mos u dekurajoni nëse fillimisht një peshkop ngurron kur ju identifikoni një abuzues. Kujtoni se grabitqarët janë të zotë për krijimin dhe mbajtjen e një pamjeje publike të devocionit për të maskuar veprimet e tyre të neveritshme. Lutuni që të udhëhiqeni në përpjekjet tuaja për të marrë ndihmë. Ajo mbështetje do të vijë. Jini të sigurt se Gjykatësi i Përsosur, Jezusi, Krishti, me një njohuri të përsosur të hollësive, do t’i mbajë përgjegjës të gjithë abuzuesit për çdo veprim të padrejtë. Në kohën e duhur Ai do të zbatojë plotësisht kërkesat e duhura të drejtësisë, përveç nëse ka pendim të plotë. Meraku juaj me një nevojë për drejtësi vetëm e ngadalëson shërimin tuaj dhe i lejon abuzuesit të vazhdojë kontrollin e tij abuziv. Prandaj, ju duhet t’ua lini dënimin për veprimet djallëzore të abuzimit, autoriteteve civile dhe atyre të Kishës.

Autorit të Abuzimit

Tani, autorit të abuzimit që ka shkatërruar jetën e një tjetri nëpërmjet abuzimit: ta dini se juve ju duhet ndihmë për varësinë tuaj, ose ajo do t’ju shkatërrojë. Ju nuk do ta kapërceni atë vetë. Ka gjasa që ju të keni nevojë për ndihmë profesionale të specializuar. Unë ju përgjërohem që të kërkoni të shpëtoheni tani. Mbase ju po mashtroni vetveten në sigurinë e rreme e të përkohshme se ju e keni fshehur me sukses shkeljen nga autoritetet civile ose të Kishës. Por ta dini se Zoti Jezu Krisht i njeh plotësisht mëkatet tuaja. Ai ka paralajmëruar: “Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve … , do të jetë më mirë për atë t’i varet në qafë një gur mulliri (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit.”2 Ta dini se edhe pa veprim nga ana e një viktime, veprimi juaj abuziv do të bëhet publik, sepse Satani do t’ju ekspozojë e pastaj do t’ju braktisë.

Thjeshtojeni jetën tuaj duke i ndërmarrë tani hapat për të pastruar shpirtin tuaj nga një mëkat i tillë dhe për të zgjidhur dënimet që kërkohen. Shfaqni dëshirën për të shëruar ankthin që ju keni shkaktuar të tjerëve. Flisni me peshkopin tuaj ose presidentin e kunjit. Serioziteti i veprimeve tuaja mund të kërkojë që të përballni disiplinën civile dhe të Kishës. Por pendimi i plotë do të sjellë lehtësimin e ëmbël të faljes, paqen e ndërgjegjes dhe një jetë të re. Do t’u sjellë gjithashtu lehtësim personave të abuzuar dhe familjeve të tyre. Do të çliroheni nga pesha e brejtjes së ndërgjegjes dhe mendimet akuzuese për atë që keni shkaktuar mjerim dhe ankth në jetën e një tjetri. Ta dini se është shumë më e lehtë të pendoheni në këtë jetë sesa do të jetë në tjetrën, prandaj pendohuni tani. Juve do tndihmojnë, kur vendosni të çliroheni nga varësia juaj nëpërmjet pendimit dhe mbështetjes së të tjerëve. Të jeni mirënjohës që nuk keni jetuar në kohët e lashta kur abuzuesit vriteshin duke i qëlluar me gurë pa pasur mundësi për pendim.3

Prindërve

Prindër, me mënyra të përshtatshme e të ndjeshme, mësojini fëmijët tuaj për rrezikun e mundshëm të abuzimit dhe si ta shmangin atë. Jini syçelët për shenjat paralajmëruese, të tilla si një ndryshim i beftë në sjelljen e fëmijës, që mund të sinjalizojnë një problem. Jini vigjilent ndaj ndjenjave të turbulluara të fëmijës dhe dalloni origjinën.

Gjykatësve në Izrael

Juve që mbani çelësat e një gjykatësi në Izrael, tepër kujdesshëm siguroni që çdo individ që po vuan nga abuzimi, të marrë ndihmën e përshtatshme. Manuali i Kishës dhe numrat e telefonit të renditur atje, janë burime të vlefshme që të udhëheqin veprimin tuaj zyrtar kishtar dhe bashkërendimin me autoritetet civile.4 Mbikëqyrni me kujdes pjesëmarrjen e ndonjë individi që mund të ketë pasur shkelje në të shkuarën. Ta dini se ka shumë pak gjasa që një abuzues të rrëfejë veprimet e tij të shtrembra. Kërkoni udhëheqjen e Shpirtit kur ndjeni se diçka mund të jetë e gabuar. Rekrutoni ndihmën e udhëheqësve të lagjes dhe kunjit për të shmangur rreziqet e mundshme.

Unë lutem që ju, si ai i abuzuari ashtu dhe ai që e ka shkaktuar atë, të veproni tani për të përfituar nga fuqia shëruese e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Unë dëshmoj që besimi dhe bindja juaj do të sigurojnë që Ai t’ju ndihmojë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Këto materiale mund të ndihmojnë për shërimin nga tragjedia e abuzimit: Gordon B. Hinckley, “Save the Children,” Ensign, nëntor 1994, f. 52–54; James E. Faust, “The Atonement: Our Greatest Hope,” Liahona, janar 2002, f. 19–22; Dallin H. Oaks, “He Heals the Heavy Laden,” Liahona, nëntor 2006, f. 6–9; Richard G. Scott, “Healing the Tragic Scars of Abuse,” Ensign, maj 1992, f. 31–33; Richard G. Scott, “Trust in the Lord,” Ensign, nëntor 1995, f. 16–18; Richard G. Scott, “Peace of Conscience and Peace of Mind,” Liahona, nëntor 2004, f. 15–18; Richard G. Scott, “The Atonement Can Secure Your Peace and Happiness,” Liahona, nëntor 2006, f. 40–42; Jeffrey R. Holland, “Broken Things to Mend,” Liahona, maj 2006, f. 69–71; “A Conversation on Spouse Abuse,” Ensign, tetor 1999, f. 22–27; “The Wrongful Road of Abuse,” kapitulli 28 në Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (Melchizedek Priesthood and Relief Society course of study, 1998), f. 249–55; DeB 121:34–46.

  2. Mateu 18:6.

  3. Shih Ligji i Përtërirë 22:25–27.

  4. Shih Church Handbook of Instructions, Book 1: Stake Presidencies and Bishoprics (2006), f. 107–8, 110, 120, 122, 147, 186.