2008
Besimi i Atit Tonë
Maj 2008


Besimi i Atit Tonë

Besimi i vërtetë nuk duhet të rrjedhë nga ajo që u pëlqen njerëzve apo sipas traditave të paraardhësve, por nga ajo që i pëlqen Perëndisë, Atit tonë të Përjetshëm.

Pamja
President Dieter F. Uchtdorf

Sa të bekuar jemi nga muzika e mrekullueshme e Korit të Tabernakullit.

Vëllezër, dhe motra, dhe miq të mi të dashur, gëzohem që jam këtu me ju sonte, që kam privilegjin e madh ta quaj veten anëtar të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe që numërohem njëri prej jush.

Më kujtohet reagimi im i parë kur e mora këtë thirrje të shenjtë nga Zoti, për të shërbyer si anëtari më i ri i Presidencisë së Parë të kësaj Kishe, u ndjeva i hutuar gëzueshëm. Që atëherë kam mësuar përmasa të reja të fjalëve përulësi, mirënjohje dhe besim.

Ju siguroj se askush nuk u habit më shumë për thirrjen time se sa fëmijët dhe nipërit e mbesat e mia.

Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne as nuk kërkojmë dhe as nuk refuzojmë thirrje që vijnë nga Perëndia nëpërmjet udhëheqësve të frymëzuar të priftërisë. Unë lutem që Perëndia të më japë fuqi dhe zemër mirëkuptuese që ta lartësoj këtë thirrje të shenjtë në përputhje me vullnetin dhe qëllimin e Tij.

Të gjithë ne e ndiejmë mungesën e Presidentit Gordon B. Hinkli. Ndikimi i tij në këtë punë të mrekullueshme do të vazhdojë të na bekojë.

Ndiehem shumë i privilegjuar që punoj i lidhur ngushtë me Presidentin Monson. E njoh atë prej vitesh. Është një njeri me dhurata dhe talente të habitshme. Ai është profeti i Perëndisë. Besimi dhe zemra e dhembshur e tij i drejtohen çdo kombi, gjuhe dhe populli.

Jam mirënjohës që shërbej me Presidentin Ajring, të cilin e dua dhe e respektoj si një udhëheqës dhe mësues të shkëlqyer në mbretërinë e Perëndisë.

Kur Kuorumi i të Dymbëdhjetë Apostujve u mblodh në dhomën e sipërme të Tempullit të Solt Lejkut, për të mbështetur Presidentin Monson si Presidentin e 16-të të Kishës, u mrekullova nga aftësitë, urtësia dhe shpirtshmëria e jashtëzakonshme e njerëzve që më rrethonin. Kjo më bëri të dalloja më qartë pamjaftueshmërinë time. I dua këta burra të shkëlqyer me besim të madh. Jam mirënjohës për mundësinë që të ngre dorën për t’i mbështetur dhe për t’u premtuar atyre përkrahjen time. E dua dhe e mbështes Plakun Kristoferson, anëtarin më të ri të të Dymbëdhjetëve.

Kur Zoti e thirri Frederik G. Uilliamsin që të bëhej këshilltar i Profetit Jozef Smith, Ai e urdhëroi atë: “Ji besnik; qëndro në detyrën që të kam caktuar; ndihmo të dobëtit, ngri duart që varen poshtë dhe forco gjunjët e këputur.”1 Besoj se kjo këshillë zbatohet për të gjithë ata që pranojnë thirrjet për të shërbyer në mbretërinë e Perëndisë – dhe sigurisht, për mua në këtë kohë të jetës sime.

Një Profet i Perëndisë dhe Presidenti Ynë

Do të doja të thoshja dy fjalë për Presidentin Tomas S. Monson. Disa vjet më parë, Presidenti Monson erdhi për një konferencë rajonale në Hamburg, Gjermani, dhe qe nderi im ta shoqëroja. Presidenti Monson ka kujtesë të mrekullueshme dhe ne folëm për shumë nga shenjtorët në Gjermani – u habita që ai mbante mend kaq shumë njerëz dhe kaq mirë.

Presidenti Monson pyeti për Vëllanë Mikael Panitsh, një ish- president kunji dhe pastaj patriark, që ka qenë një nga pionierët e vendosur të Kishës në Gjermani. I tregova se Vëllai Panitsh ishte mjaft i sëmurë, kishte zënë shtratin dhe nuk mundej të merrte pjesë në mbledhjet tona.

Presidenti Monson pyeti nëse mund ta vizitonim.

E dija se pak kohë para udhëtimit të tij në Hamburg, Presidenti Monson kishte bërë një operacion në këmbë dhe nuk mund të ecte pa ndier dhembje. I shpjegova se Vëllai Panitsh jetonte në katin e pestë të një ndërtese pa ashensorë. Për ta takuar atë, ne duhet të ngjitnim shkallët.

Por Presidenti Monson nguli këmbë. Kështu që shkuam.

Më kujtohet se sa e vështirë qe për Presidentin Monson të ngjiste ato shkallë. Ai mund të ngjiste vetëm pak prej tyre, para se t’i duhej të ndalonte e të pushonte. Ai nuk nxori asnjëherë një fjalë ankimi dhe nuk u kthye pas. Katet ishin të lartë, prandaj shkallët dukej sikur s’kishin fund, por Presidenti Monson ngulmoi gëzueshëm derisa mbërritëm tek apartamenti i Vëllait Panitsh, në katin e pestë.

Atje patëm një vizitë të mrekullueshme. Presidenti Monson e falenderoi për jetën e tij në shërbim të përkushtuar dhe e përshëndeti me një buzëqeshje. Para se të largoheshim, ai i dha një bekim të mrekullueshëm priftërie.

Askush tjetër përveç Vëllait Panitsh, familjes së tij dhe meje nuk e pa ndonjëherë atë akt kurajoje dhe dhembshurie.

Presidenti Monson mund të kishte zgjedhur të pushonte midis mbledhjeve tona të gjata e të shpeshta. Mund të kishte kërkuar të shihte disa nga pamjet e bukura të Hamburgut. Kam menduar shpesh se sa e mrekullueshme ishte që, nga të gjitha pamjet e qytetit, ajo që ai donte të shihte më shumë se cilëndo tjetër, ishte një anëtar i pafuqishëm dhe i sëmurë i Kishës, që i kishte shërbyer Zotit me besnikëri dhe përulje.

Presidenti Monson erdhi në Hamburg për t’i dhënë mësim e për të bekuar popullin e një vendi dhe kjo ishte ajo që bëri. Por në të njëjtën kohë, ai u përqendrua tek secili, emër për emër. Vizioni i tij është kaq i gjerë dhe depërtues sa të rrokë ndërlikimin e një Kishe mbarëbotërore, sidoqoftë ai është edhe aq i dhembshur sa të përqendrohet tek secili.

Kur Apostulli Pjetër foli për Jezusin, që kishte qenë miku dhe mësuesi i tij, ai dha këtë përshkrim të thjeshtë: “[Ai] e përshkoi vendin duke bërë mirë.”2

E ndiej se e njëjta gjë mund të thuhet për burrin që ne mbështesim sot si profeti i Perëndisë.

Besimi i Etërve Tanë

Mahnitem nga prejardhja e ndryshme e anëtarëve të Kishës. Ju vini nga të gjitha fushat e jetës – gjithë rrethanat kulturore, gjuhësore, politike dhe traditat fetare.

Shumëllojshmëria e përvojave jetësore më ka bërë të mendoj mbi mesazhin e një prej himneve tona, “Besimi i Etërve Tanë”. Në refren përsëriten këto fjalë: “Besim i etërve tanë, besim i shenjtë, do të jemi besnikë ndaj teje deri në vdekje!”3

Besimi i etërve tanë – më pëlqen kjo frazë.

Për shumë anëtarë të Kishës, këto fjalë sjellin në mend pionierë trima që braktisën rehatinë e shtëpive të tyre dhe udhëtuan me karrocë e në këmbë derisa mbërritën në luginën e Grejt Solt Lejkut. E dua dhe e nderoj besimin dhe kurajon e atyre pionierëve të hershëm të Kishës. Paraardhësit e mi në atë kohë jetonin një oqean përtej. Asnjë nuk ishte ndërmjet atyre që jetuan në Nauvu ose Uinter Kuortërs dhe asnjë nuk kreu udhëtimin përmes rrafshinave. Por si anëtar i Kishës, e quaj me mirënjohje dhe krenari si timen atë trashëgimi pioniere.

Me të njëjtin gëzim, i quaj të miat trashëgimitë e pionierëve të ditëve moderne e të sotme të Kishës, që jetojnë në çdo komb dhe historitë e të cilëve të këmbënguljes, besimit dhe sakrificës i shtojnë vargje të reja e të lavdishme korit të mrekullueshëm të himnit të ditëve të mëvonshme të mbretërisë së Perëndisë.

Kur vetë familja ime mediton për frazën “besimi i etërve tanë”, shpesh në mendje vjen besimi luterian. Për breza të tërë, paraardhësit tanë i kanë përkitur atij sekti. Në fakt, biri im ka zbuluar kohët e fundit se një nga degët e familjes sonë lidhet me vetë Martin Luterin.

Ne nderojmë dhe respektojmë shpirtra të sinqertë nga të gjitha besimet, pavarësisht se ku apo kur kanë jetuar, që e kanë dashur Perëndinë edhe pa patur plotësinë e ungjillit. E ngremë zërin tonë me mirënjohje për vetmohimin dhe kurajon e tyre. Ne i përqafojmë ata si vëllezër e motra, bij të Atit tonë Qiellor.

Ne besojmë se është një e drejtë themelore e njeriut që të adhurojë “[Perëndinë e Plotfuqishëm] në përputhje me zërin e ndërgjegjes [së vet] dhe u lejojmë të gjithë njerëzve të njëjtin privilegj, që ata duhet të adhurojnë si, ku dhe çfarë të zgjedhin”4.

Ka Shumë Besime dhe Tradita të Etërve Tanë

Ndërkohë që Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit lulëzon në të gjithë globin – tani me më shumë se 13 milionë anëtarë – “besimi i etërve tanë” ka një kuptim të zgjeruar. Për disa, ajo frazë mund t’i referohet trashëgimisë së familjes së tyre në një nga qindrat e besimeve të krishtera; për të tjerë ajo mund t’i referohet besimeve dhe traditave të Lindjes së Mesme, Azisë ose Afrikës.

Kam kaluar pjesën më të madhe të jetës në zona të botës ku anëtarët e Kishës sonë janë një pakicë e vogël. Gjatë asaj kohe kam mësuar se shpesh, kur njerëzit mësojnë për ungjillin e rivendosur, atyre u ngelen mbresa prej tij – shumë madje duan të bashkohen me Kishën. Por ata janë ngurrues se mos zhgënjejnë paraardhësit e tyre; ata ndiejnë se duhet t’i mbeten besnikë besimit të etërve të tyre.

Më kujtohet se kur isha djalosh, një të dielë vura re një familje të re në shtëpinë tonë të mbledhjeve – një nënë të re me dy bijat e saj. Nuk zgjati shumë para se të treja të pagëzoheshin dhe të bëheshin anëtare të Kishës.

E njoh nga afër historinë e kthimit të tyre në besim sepse bija më e madhe quhej Harieta dhe më vonë, ajo do të bëhej bashkëshortja ime.

Nëna e Harietës, Karmeni, kishte humbur të shoqin kohët e fundit dhe gjatë një periudhe të analizës së vetvetes, ajo u interesua për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Pasi studiuan doktrinën, Karmeni dhe bijat e saj e dinin se Kisha ishte e vërtetë dhe bënë plane për pagëzim.

Megjithatë, kur Karmeni i tregoi nënës së saj për këtë vendim, nëna e saj u hidhërua. “Si mund të jesh kaq e pabesë ndaj besimit të etërve të tu?” pyeti ajo.

Nëna e Karmenit nuk qe e vetmja që kundërshtoi. Motra kokëfortë e Karmenit, Liza, u shqetësua po aq nga lajmi. Ndoshta u shqetësua është një fjalë tepër e butë. Ajo u nxeh shumë.

Liza tha se do t’i gjente ata misionarë të rinj dhe do t’ua tregonte sa gabim e kishin. Ajo marshoi drejt kishës, gjeti misionarët dhe, ju e merrni me mend, edhe Liza u pagëzua.

Shumë vite më vonë, edhe nëna e Karmenit mori një dëshmi se ungjilli i Jezu Krishtit ishte rivendosur në tokë. Një ditë ajo u tha bijave dhe nipërve e mbesave të saj: “Dëshiroj të jem në të njëjtin qiell si dhe ju.” Kur qe mbi të 70-at, edhe ajo hyri në ujërat e pagëzimit dhe u bë anëtare e Kishës.

Besimi i Atit Tonë

Atëherë, cili është besimi i etërve tanë? Është feja e prindërve, e gjyshërve dhe e stërgjyshërve tanë?

Po besimi i të lashtëve para tyre? Ç’mund të themi për Abrahamin, Isakun dhe Jakobin? A nuk janë ata etërit tanë? A nuk jemi ne të shtëpisë së Izraelit? Po Noeu dhe Enoku dhe prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva?

Po Shpëtimtari dhe ata dishepuj që e ndoqën Atë?

Besimi i Atit tonë në Qiell ka qenë i qëndrueshëm që nga fillimi i kohës, madje që përpara se të krijohej kjo botë. Gjon Zbuluesi përshkroi një luftë të madhe në qiell5. Çështja ishte zgjedhja e lirë morale, siç është edhe sot. Të gjithë ne që kemi jetuar ndonjëherë në këtë tokë, qemë midis atyre që luftuan kundër Satanit dhe u rreshtuan me Birin dhe Atin. Si rrjedhim, a nuk ia detyrojmë besnikërinë tonë Perëndisë Atit tonë Qiellor?

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, “ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë”6. Dhe “ne besojmë se nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”7. Ne besojmë në planin e madh të lumturisë, planin e shëlbimit, planin e shpëtimit, përmes të cilit fëmijët e Perëndisë mund të provojnë vdekshmërinë dhe të kthehen në praninë e Atit – një plan i mëshirshëm i vendosur që më parë themelimit të kësaj toke.

Ky është plani dhe besimi i Atit tonë!

Unë dëshmoj se doktrina e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit është besimi i Atit tonë Qiellor. Është e vërteta e Tij, e zbuluar shërbëtorëve të Tij, profetëve që nga koha e Atit Adam deri në kohën tonë. Ati dhe Biri iu shfaqën Jozef Smithit për të rivendosur besimin e Atit tonë në këtë tokë, për të mos e marrë më ndonjëherë. Perëndia dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij ta marrin atë, pavarësisht nga prejardhja, kultura apo tradita e tyre. Besimi i vërtetë nuk duhet të rrjedhë nga ajo që i pëlqen njerëzve apo sipas traditave të paraardhësve tanë, por nga ajo që i pëlqen Perëndisë, Atit tonë të Përjetshëm.

Zbulesa e vazhdueshme është një veti themelore e këtij besimi. Lutja e parë e Jozef Smithit është një dëshmi e fuqishme e kësaj. Zbulesa është një busull e qëndrueshme që na mban gjithmonë besnikë ndaj vullnetit dhe besimit të Atit tonë Qiellor.

Ati ynë Qiellor i do fëmijët e Tij. Ai i dëgjon lutjet e të përulurve e të sinqertëve nga çdo komb, gjuhë dhe popull. Ai u dhuron dritë atyre që e kërkojnë, e nderojnë dhe janë të gatshëm t’u binden urdhërimeve të Tij. Me gëzim ne shpallim se besimi i Atit tonë është në tokë sot.

E ftojmë cilindo në këtë planet të mrekullueshëm të shijojë nga doktrina e Tij dhe ta shohë nëse nuk është e ëmbël, e mirë dhe e çmuar. U kërkojmë atyre që kanë zemër të sinqertë, që të mësojnë nga kjo doktrinë dhe ta pyesin Atin e tyre në Qiell, nëse nuk është e vërtetë. Dhe duke e bërë këtë, të gjithë mund të zbulojnë, të përqafojnë dhe të ecin në besimin e vërtetë të Atit të tyre, besim i cili do t’i shërojë8.

Ky është mesazhi ynë drejtuar botës.

Unë jap dëshmi solemne për realitetin e Perëndisë, Atë; Birit të Tij, Jezu Krisht; Frymës së Shenjtë; dhe profetëve të gjallë që mbajnë çelësat, të cilët kanë ardhur në vazhdimësi të pashkëputur që nga Jozef Smithi deri tek Tomas S. Monsoni sot. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. DeB 81:5.

  2. Veprat e Apostujve 10:38.

  3. Hymns, no. 84.

  4. Nenet e Besimit 1:11.

  5. Shih Zbulesa 12:7–9.

  6. Nenet e Besimit 1:1.

  7. Nenet e Besimit 1:3.

  8. Shih Mateu 9:22.