2008
Rivendosja e Besimit tek Familja
Maj 2008


Rivendosja e Besimit tek Familja

Familje të qëndrueshme ofrojnë strukturën që e mban të bashkuar shoqërinë në dobi të të gjithë njerëzimit.

Pamja
Elder Kenneth Johnson

Me njohurinë e “planit të madh të lumturisë”1, ne kemi mundësinë dhe gjithashtu përgjegjësinë për të ndihmuar në rivendosjen e besimit në familje.

Në shumë drejtime përgjegjësia jonë krahasohet me atë të atyre që punojnë në fushën e kërkimit mjekësor dhe shkencor. Duke përdorur ligje të vërtetuara ata përcaktojnë mënyrën si mund të lehtësohet vuajtja dhe të përmirësohet cilësia e jetës.

Në mbretërinë e besimit fetar, burra dhe gra me besim, duke përdorur parime të provuara2, mund të ndihmojnë shërimin e zemrës së brengosur, duke i kthyer shpresën dhe sigurinë mendjes së trazuar.

Suksesi i shkencëtarit është arritur në pajtim me ato që shpesh i përmendim si ligje natyrore. Shkencëtarët e mëdhenj të së kaluarës dhe së tashmes nuk i krijuan ligjet që shoqërohen nga këto procese që ndodhin natyrshëm; ata i zbuluan ato.

Në një letër drejtuar korintasve Apostull Pali ngre një pyetje mendimnxitëse lidhur me burimin e aftësisë intelektuale të njeriut: “Sepse cili nga njerëzit, pra, njeh gjërat e njeriut, përveç se fryma e njeriut që është në të?”3

Nëpërmjet logjikës dhe të mësuarit njohuria shtohet dhe kuptimi rritet. Duke përdorur këtë proces teoritë dhe ligjet përcaktohen dhe pranohen si të mirëfillta.

Një gjë që i bëhet e qartë mendjes së shkolluar, është se ka ligje të cilat mbajnë në ekuilibër jetën dhe gjallesat. Zbulimi i ligjeve të fizikës dhe pajtimi me to sjell përparim, duke i dhënë mundësi njeriut të ngrihet në nivele më të larta arritjeje, sesa do të ishte e mundur ndryshe.

Unë besoj se kjo premisë gjithashtu gjen zbatim në normat etike dhe vlerat morale. Është, pra, përgjegjësia jonë për të mbrojtur shtëpinë, si qendër mësimore ku këto virtute mund të jepen shkallë-shkallë në një mjedis dashurie dhe me anë të fuqisë së shembullit.4

Presidenti Tomas S. Monson na ka mësuar: “Të rinjve u nevojiten më pak kritika dhe më shumë shembuj të mirë”5.

Duke rikujtuar jetën time, kuptoj se si arrita të çmoj vlerat thelbësore që janë të domosdoshme për zhvillimin e një karakteri të shëndetshëm. Ku i mësova besnikërinë, integritetin dhe sigurinë? I mësova këto cilësi në shtëpi, nga shembulli i prindërve të mi. Si arrita të çmoj vlerën e shërbimit vetëmohues? E arrita duke vrojtuar dhe duke iu gëzuar devotshmërisë së nënës sime për familjen e saj. Ku e mësova nderimin dhe respektin për bijat e Perëndisë? I mësova nga shembulli i babait tim.

Ishte shtëpia vendi ku mësova parimet e të jetuarit me maturi dhe dinjitetin e punës. Ende e kam para syve nënën time që kalonte në shtëpi netë të shumta, duke përdorur një makinë qepëse mekanike, për të qepur këpucë për një fabrikë lokale këpucësh. Këtë nuk e bënte për t’i blerë vetes diçka, por që të ndihmonte në sigurimin e mbështetjes financiare, që unë dhe vëllai të mund të ndiqnim kolegjin. Më vonë ajo u shpreh se ky akt shërbimi ishte një burim kënaqësie për të.

Babai im ishte njeri i mençur dhe punëtor. Ai më mësoi si të prisja lëndën drusore me sharrë dore, si të zëvendësoja apo të montoja një spinë në kordonin e pajisjeve shtëpiake dhe shumë mjeshtëri të tjera praktike.

Të gjitha këto mësime përmbanin një temë të përbashkët: asnjëherë mos u kënaq me diçka për të cilën nuk je përpjekur më së miri.

Unë zhvillova aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme duke folur me prindërit e mi dhe duke mësuar nga këshillat e tyre. Shtoji të lartpërmendurave edhe përgjegjësinë, vëmendjen ndaj të tjerëve, nxitjen për të kërkuar mundësi arsimimi dhe lista do të ishte ende e paplotë.

Në vitet e mia të adoleshencës u njoha me ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, nëpërmjet Pamelës, e cila më vonë u bë bashkëshortja ime. Ajo më ka ndihmuar ta shndërroj jetën time nga një melodi e thjeshtë në një simfoni të madhe.6

Kam shijuar 67 vite lumturie në jetën martesore dhe familjare – 21 si bir në shtëpinë e prindërve të mi dhe 46 si bashkëshort, duke arritur kulmin me gëzimin që jam një baba dhe gjysh. Çfarë mund të shpresojë më shumë dikush? E thënë thjesht, të njëjtave mundësi si këto do t’u gëzohej kushdo.

Duke u kthyer tek mësimet e Palit të shkruara tek Korintasve, ne gjejmë këto fjalë:

“Po kështu asnjëri s’i njeh gjërat e Perëndisë, [përveç nëse ka Frymën] e Perëndisë… .

Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat … [e Perëndisë]; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht.”7

Shkencëtarët e fitojnë diturinë e tyre kryesisht nëpërmjet kërkimeve, kryerjes së eksperimenteve dhe zbatimit të fuqisë mendore.

Dishepujt e Krishtit e marrin dëshminë e tyre nëpërmjet studimit të fjalëve të Tij, vëzhgimit të veprave të Tij, vënies në praktikë të parimeve të ungjillit dhe marrjes së shpirtit të frymëzimit8.

“Te njeriu ka një frymë, dhe është fryma e të Plotfuqishmit që i jep zgjuarsinë.”9

Megjithëse të vërtetat shpirtërore mund të duken më pak reale, ndikimi i tyre tek zemra e përulur është i pamohueshëm. Është e rëndësishme të kuptohet se ligjet natyrore nuk u përcaktuan mbi baza popullariteti. Ato u vendosën dhe qëndrojnë mbi shkëmbin e realitetit.

Ka gjithashtu të vërteta morale që nuk kanë filluar me njeriun.10 Ato janë në qendër të një plani hyjnor i cili, kur zbulohet dhe zbatohet, sjell lumturi dhe shpresë të madhe në udhëtimin e jetës sonë të vdekshme.11

Për shembull, unë besoj që, ashtu siç thuhet tek “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”12 dhe siç përcaktohet në zbulesën hyjnore, martesa dhe familja shugurohen nga Perëndia. Shkrimet e shenjta shpallin: “Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm”13.

Njerëz të mençur kanë lënë një trashëgimi mësimi nga e kaluara. Ne duhet t’u përcjellim brezave të ardhshëm një themel të besimit tek familja, ashtu siç përcaktohet nga Hyjnia.14

Asnjëherë të mos harrojmë se liria dhe lumturia në të gjitha aspektet e jetës vjen nëpërmjet të kuptuarit dhe të jetuarit në harmoni me parimet e përjetshme të ungjillit. Ato sigurojnë një themel të sigurt për të ndërtuar mbi të një jetë të frytshme dhe të lumtur.15

Ndjekja e modelit të përshkruar në planit e Atit më ka dhënë mundësi të përjetoj se çfarë do të thotë të jetosh “sipas mënyrës së lumturisë”16 dhe që “me gëzim [të marrësh] ujë nga puset e shpëtimit”17.

Shpëtimtari na mësoi: “Unë kam ardhur që të [keni] jetë e ta [keni] me bollëk”18.

Botëkuptimi ose qëndrimi ynë nganjëherë mund të na kufizojnë aftësinë për të gëzuar mundësitë më të mrekullueshme të jetës.

Mund të bëhej pyetja: “Po ata që nuk kanë përjetuar një mjedis familjar pozitiv?”

Familje të qëndrueshme ofrojnë strukturën që e mban të bashkuar shoqërinë në dobi të të gjithë njerëzimit, madje edhe të atyre që mund të ndihen se jetojnë në rrethana më pak të favorshme.

Atyre që jetojnë me besnikëri19 dhe luten me durim për një shoqërim20 të tillë, unë u them fjalët e thjeshta dhe lehtësuese nga Helen Stajner Rajs:

“Kur Perëndia bën një premtim,

Ai mbetet përgjithnjë i vërtetë,

Sepse çdo gjë që Perëndia premton,

Ai patjetër do ta bëjë.

Kur je zhgënjyer

Dhe kur plagosur është çdo shpresë,

Kujtimi i premtimeve të Perëndisë

Besimin do të ta rindezë”21.

Lutja ime është që ne të mund të qëndrojmë tok, me kurajë dhe me bindje, si mbrojtës të dhuratës së familjes dhënë nga Perëndia. Në emër të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Alma 42:8; shih gjithashtu Alma 24:14.

  2. Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Parim”, f. 200.

  3. 1 Korintasve 2:11.

  4. Shih Fjalët e Urta 22:6.

  5. “Anxiously Engaged”, Liahona, nëntor 2004, fq. 57.

  6. Shih DeB 128:19.

  7. 1 Korintasve 2:11, 14.

  8. Shih Gjoni 7:16–17; Jakobi 4:8 [LiM].

  9. Jobi 32:8.

  10. Shih DeB 130:20–21.

  11. Ashtu si busulla, parimet ofrojnë pika referimi në udhëtimin e jetës.

  12. Shih Liahona, tetor 2004, f. 49.

  13. Zanafilla 2:24.

  14. Shih DeB 49:15–17.

  15. Shih DeB 68:25–28.

  16. 2 Nefi 5:27.

  17. 2 Nefi 22:3.

  18. Gjoni 10:10.

  19. Shih DeB 82:10.

  20. Shih DeB 130:2.

  21. Nga “Expressions of Comfort” (Uhrichsville, Ohio: Barbour Publishing, 2007), f. 187–88. Përdorur me leje.