2008
Fuqia e Dritës dhe e së Vërtetës
Maj 2008


Fuqia e Dritës dhe e së Vërtetës

Që ne të përparojmë në këto kohë, drita shpirtërore duhet të digjet brenda nesh.

Pamja
Elder Robert R. Steuer

Kur isha djalë i vogël, zbulova fuqi të habitshme tek një elektrik dore i vogël. Kur e ndizja natën, shihja një rreth të madh të ndriçuar, kudo ku e drejtoja. Ngazëllimi im u rrit kur e ndeza elektrikun brenda një hangari të pluhurosur. Nëpër ajër projektohej një kon drite. Por zbulimi më interesant erdhi kur e shtyva fort elektrikun tek pëllëmba e dorës. E gjithë dora ime shkëlqeu në errësirë. Me të vërtetë, drita ishte brenda meje! Të vëresh vetitë fizike të dritës mund të jetë ngazëlluese, por të zbulosh vetitë e dritës dhe së vërtetës shpirtërore është edhe më habitëse e thelbësore.

Ne jetojmë në një kohë të mrekullueshme, por edhe një kohë kur paqja është marrë nga toka1. Që ne të përparojmë në këto kohë, drita shpirtërore duhet të digjet brenda nesh. Si mund ta marrim këtë dritë shpirtërore dhe të sigurojmë që të vërtetat e ungjillit të Jezu Krishtit të mbushin shpirtin tonë? Do të dëshiroja të sugjeroj tre mënyra: (1) mëso doktrinën e vërtetë, (2) fito dëshmi të kulluar dhe (3) jeto ungjillin me kurajo.

Së pari, mëso doktrinën e vërtetë. Alma zbuloi se “predikimi i fjalës kishte një prirje të madhe ta çonte popullin të bënte atë që ishte e drejtë – po, kishte pasur … ndikim më të fuqishëm mbi mendjet e njerëzve sesa shpata, ose çdo gjë tjetër që u kishte ngjarë atyre – prandaj Alma mendoi se ishte e nevojshme që ata të provonin virtytin e fjalës së Perëndisë.”2 Presidenti Henri B. Ajring deklaroi: “Fjala e Perëndisë është doktrina e mësuar nga Jezu Krishti dhe profetët e Tij. Alma e dinte se fjalët e doktrinës kishin ndikim të madh. Ato mund të hapin mendjen e njerëzve që të shohë gjërat shpirtërore që nuk i sheh syri normal. Dhe ato mund t’ia hapin zemrën ndjenjave të dashurisë së Perëndisë dhe një dashurie për të vërtetën.”3

Në vitin 1832 Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith një doktrinë të vërtetë e të fuqishme mbi dritën shpirtërore, Dritën e Krishtit:

“Dritë e cila vjen nga prania e Perëndisë për të mbushur pafundësinë e hapësirës –

Dritë e cila është në gjithçka, që i jep jetë gjithçkaje, që është ligji me anë të të cilit gjithë gjërat qeverisen, madje fuqia e Perëndisë që qëndron i ulur në fronin e tij.”4

Presidenti Boid K. Paker e përforcoi këtë të vërtetë duke thënë: “Drita e Krishtit përshkruhet gjithashtu në shkrimet e shenjta si ‘Fryma e Jezu Krishtit’… . Shpirti i Krishtit mund të ndriçojë shpikësin, shkencëtarin, piktorin, skulptorin, kompozitorin, interpretuesin, arkitektin, autorin për të prodhuar gjëra të mëdha, madje të frymëzuara për bekimin dhe të mirën e të gjithë njerëzimit.”5

Mendimet shkencore të kohëve të fundit mbi vetitë themelore të dritës janë vërtet mahnitëse. Shkencëtarët e sotëm e përshkruajnë dritën madje si “mbartëse”6, ose “lajmëtare”7, ose “ndërmjetëse”8. Sa të thella janë doktrinat e Zotit!

Së dyti, fito dëshmi të kulluar. Kjo dëshmi është vërtetimi nga Fryma e Shenjtë se Perëndia është Ati ynë dhe Jezusi është Krishti9. Drita dhe e vërteta që shohim në të gjitha gjërat, na nxit të marrim dije nëpërmjet studimit dhe besimit, që i paraprin vërtetimit me anë të Shpirtit10. Mund të mësojmë shumë për krijimet dhe mirësinë e Perëndisë nëpërmjet ndjesive tona fizike. Por zbulohet një dëshmi edhe më e thellë kur kërkojmë shpirtërisht të vërtetën “me qëllim të vërtetë”11. Presidenti Spenser W. Kimball tha: “Thesaret e dijes, qoftë laike apo shpirtërore, janë të fshehur – por të fshehur nga ata që nuk i kërkojnë si duhet dhe nuk përpiqen t’i gjejnë… . Dijenia shpirtërore nuk është e disponueshme thjesht duke pyetur; madje dhe lutjet nuk mjaftojnë. Për të duhet këmbëngulje dhe përkushtimi i një jete.”12

Dëshmitë tona forcohen kur vrojtojmë me nderim universin e madh që Perëndia ka krijuar për ne. Zoti i deklaroi Enokut: “Të gjitha gjërat krijohen e bëhen për të dhënë dëshmi për mua.”13 Alma i dha një dëshmi të ngjashme Korihorit, anti-Krishtit: “Të gjitha gjërat tregojnë se ka një Perëndi; po, madje edhe toka e të gjitha gjërat që gjenden mbi faqe të saj, po edhe lëvizja e saj, po, dhe gjithashtu të gjithë planetët të cilët lëvizin në mënyrën e tyre të rregullt, dëshmojnë se ka një Krijues Suprem.”14

Përleshja që pati Enosi para Zotit tregon fuqinë e dëshmisë së atit të tij. Enosi tha: “Fjalët që kisha dëgjuar shpesh atin tim të fliste në lidhje me jetën e përjetshme dhe me gëzimin e shenjtorëve, më hynë thellë në zemrën time.”15 Plaku M. Rasëll Ballard tha: “Një deklaratë e qartë e së vërtetës sjell ndryshim në jetën e njerëzve. Është pikërisht kjo ajo që ndryshon zemrat.”16

Bashkëshortja ime dhe unë morëm pjesë në një mbledhje sakramenti pranë Risajfit në Brazil. Një djalë i vogël, ndoshta 9 apo 10 vjeç, që kishte veshur kostumin e tij të ri ngjyrë blu në një ditë të nxehtë, shkoi në foltore dhe i pa shumë i qetë njerëzit e mbledhur. Ai tha: “Familja jonë ka studjuar mbi lirinë e zgjedhjes morale.” Pastaj lexoi: “Kështu që, njerëzit janë të lirë sipas mishit; Dhe ata janë të lirë të zgjedhin lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve, ose të zgjedhin robërinë dhe vdekjen, sipas robërisë dhe fuqisë së djallit.”17 Pastaj djali tha: “Disa nga shokët e mij më të mëdhenj po zgjedhin të pinë duhan e të përdorin droga, por të gjithëve ne do të na duhet të pranojmë pasojat e veprimeve tona.” Ai përfundoi me dëshminë e tij duke thënë: “Unë e kuptoj që kjo është e vërteta.” Kjo dëshmi nga një vogëlush ishte e fuqishme dhe na preku thellë në zemër.

Së treti, ne duhet të jetojmë me kurajo në përputhje me dritën dhe dëshminë që kemi marrë. Neve na është premtuar: “Ai që merr dritë dhe vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë”18. Duhet përpjekje dhe sakrificë e vërtetë që të jetosh ungjillin me kurajo. Për disa vite, adhurimi në tempull për shenjtorët që jetonin pranë Manausit në Brazil, do të thoshte udhëtim dy ditor në një anije lumi mbushur plot njerëz në lumin Amazona, të pasuar nga dy ditë udhëtim me autobuza nëpër tropikun e nxehtë deri tek tempulli i Risajfit. Sapo mbërrinin të lodhur e të rraskapitur, ata do të laheshin, do të visheshin siç duhet dhe menjëherë do të fillonin adhurimin e tyre në tempull. Pas disa ditësh shërbimi ndaj Zotit, ata do të kryenin udhëtimin e gjatë e të vështirë për në shtëpi. Fjalët “sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit”19 pasqyroheshin bukur nga veprimet e tyre sakrifikuese.

Për të qenë në paqe në këto kohë të mrekullueshme por edhe sfiduese, ne duhet të mësojmë doktrinën e vërtetë, të fitojmë dëshmi të kulluar dhe të jetojmë të vërtetat e ungjillit me kurajo. Kur jetojmë në harmoni me dritën dhe të vërtetën të mësuara nga Jezu Krishti dhe profetët e Tij, do të shohim më qartë destinacionin tonë të përjetshëm. Dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih DeB 1:35.

  2. Alma 31:5.

  3. “The Power of Teaching Doctrine,” Liahona, korrik 1999, f. 85.

  4. DeB 88:12–13.

  5. “The Light of Christ,” Liahona, prill 2005, f. 8, 10.

  6. Shih 2 Nefi 33:1; shih gjithashtu Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–56), 1:54.

  7. Shih DeB 45:9.

  8. Shih 2 Nefi 2:27–28.

  9. Shih M. Russell Ballard, “Pure Testimony,” Liahona, nëntor 2004, 40–41.

  10. Shih DeB 9:7–8.

  11. Moroni 10:4.

  12. The Teachings of Spencer W. Kimball, red. Edward L. Kimball (1982), f. 389–90.

  13. Moisiu 6:63.

  14. Alma 30:44.

  15. Enosi 1:3.

  16. Liahona, nëntor 2004, f. 41.

  17. 2 Nefi 2:27.

  18. DeB 50:24.

  19. Jozueu 24:15.