2008
Të Dymbëdhjetët
Maj 2008


Të Dymbëdhjetët

Që Kisha të jetë Kisha e Tij, duhet të ketë një Kuorum të të Dymbëdhjetëve që mbajnë çelësat.

Pamja
President Boyd K. Packer

Pak pas vdekjes së Presidentit Gordon B. Hinkli, të 14 burrat, Apostujt, të cilëve u janë dhënë çelësat e mbretërisë, u mblodhën së bashku në dhomën e sipërme të tempullit për të riorganizuar Presidencinë e Parë të Kishës. Nuk kishte pyetje për atë që do të duhej të bëhej, jo mëdyshje. E dinim se Apostulli kryesor ishte Presidenti i Kishës. Dhe në atë mbledhje të shenjtë, Tomas Spenser Monson u mbështet nga Kuorumi i të Dymbëdhjetë Apostujve si President i Kishës. Ai kandidoi dhe emëroi këshilltarët e tij. Në mënyrë të ngjashme dhe ata u mbështetën dhe secili u shugurua dhe iu dha autoriteti. Presidentit Monson iu dha veçanërisht autoriteti për të ushtruar të gjithë çelësat e priftërisë të autoritetit. Tani, siç e jep shkrimi i shenjtë, ai është i vetmi burrë në tokë që ka të drejtën të ushtrojë të gjithë ata çelësa. Por ne i mbajmë të gjithë ata, si Apostuj. Ka një burrë midis nesh të thirrur e të shuguruar dhe ai bëhet President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Tashmë ai ishte dhe u mbështet për vite si profet, shikues dhe zbulues.

Pasi Presidenti Uhtdorf u thirr në Presidencinë e Parë, mbeti një vend bosh tek të Dymbëdhjetët dhe kështu dje ne mbështetëm një anëtar të ri të Kuorumit të të Dymbëdhjetëve, Plakun D. Tod Kristoferson. Ai tani bashkohet me atë vëllazëri të shenjtë, në atë qark të shenjtë dhe qarku tani është i plotësuar. Thirrja e një Apostulli shkon pas tek Zoti Jezu Krisht.

Ne gjithashtu mbështetëm një numër të Shtatëdhjetësh. Ata tani e kanë zënë vendin e tyre. Shkrimet e shenjtë tregojnë se është përgjegjësia e Kuorumit të të Dymbëdhjetëve të drejtojnë gjithë çështjet e Kishës dhe, kur u duhet ndihmë, ata duhet “[të thërrasin] të Shtatëdhjetët, … në vend të ndonjë tjetri”1. Dhe tani ne kemi tetë Kuorume të Shtatëdhjetëshes, të përhapur nëpër botë, më shumë se 300 të Shtatëdhjetë që, të gjithë mbajnë autoritetin e nevojshëm për të bërë çfarëdo që i udhëzojnë të Dymbëdhjetët.

Vetë Zoti dha këtë model administrimi:

“Ai shkoi në mal për t’u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë.

Dhe kur zbardhi dita, thirri pranë vetes dishepujt e vet dhe zgjodhi prej tyre dymbëdhjetë, të cilëve u dha emrin apostuj”2.

Andrea e kishte dëgjuar Gjonin të flasë dhe vrapoi tek vëllai i tij Simoni dhe tha: “‘E gjetëm Mesian’ …

… dhe e çoi te Jezusi. Atëhere Jezusi e shikoi dhe tha: ‘Ti je Simoni, bir i Jonas. Ti do të quhesh Kefa, që do të thotë: ‘gur’”3.

Simoni dhe vëllai i tij Andrea ishin duke hedhur rrjetat në det; Jakobi dhe Gjoni, bijtë e Zebedes, ishin duke rregulluar rrjetat e tyre të peshkimit; Filipi dhe Bartolomeu, Mateu, nëpunës ose taksa mbledhës, Thomai; Jakobi, biri i Alfetit, Simoni nga Kanaani; Juda, vëllai i Jakobit dhe Juda Iskarioti – ata formuan Kuorumin e të Dymbëdhjetëve.4

Ai i ftoi të gjithë ata: “Më ndiqni mua”5.

Ai i tha Pjetrit: “Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej.”6

Dhe Ai u tha të Dymbëdhjetëve: “Kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati.”7

Ai u dha Apostujve të Tij “pushtet dhe autoritet mbi të gjithë demonët dhe të shërojnë sëmundjet. Dhe i nisi të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe të shërojnë të sëmurët … kudo”8.

Dhe Ai tha: “Të Dymbëdhjetët të cilët mbajnë çelësat për të përhapur autoritetin e mbretërisë sime në të katër cepat e tokës dhe pas saj për t’i dërguar fjalën time çdo krijese”9.

Jezusi i pyeti një herë dishepujt e Tij: “‘Kush thonë njerëzit se jam unë i Biri i njeriut?’ …

Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: ‘Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë’.”10

Kur Jezusi mësonte njerëzit në sinagogë, shumë dishepuj thanë: “‘Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?’ …

Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të.

Atëhere Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: ‘A doni edhe ju të lagoheni?’

… Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: ‘Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.’”11

Pas Kryqëzimit, Apostujt u kujtuan që Ai kishte thënë se ata duhet të qëndronin në Jeruzalem.12 Pastaj erdhi dita e Rrëshajëve, ngjarja e madhe kur ata morën Frymën e Shenjtë.13 Ata morën “më të vërtetuar fjalën profetike”14 dhe “[folën], të shtyrë nga Fryma e Shenjtë”15. Dhe kështu ata ishin të plotë.

Ne dimë pak mbi udhëtimet e tyre dhe vetëm ku dhe si vdiqën disa prej tyre. Jakobi u vra në Jeruzalem nga Herodi. Pjetri dhe Pali vdiqën në Romë. Gojëdhëna thotë se Filipi shkoi në Lindje. Më tepër se kjo ne nuk dimë.

Ata u shpërndanë; ata dhanë mësime, dëshmuan dhe krijuan Kishën. Dhe ata vdiqën për besimet e tyre dhe me vdekjen e tyre erdhën shekujt e errët të braktisjes.

Gjëja më e shtrenjtë që humbi gjatë Braktisjes ishte autoriteti që mbahej nga të Dymbëdhjetët – çelësat e priftërisë. Sepse që Kisha të jetë Kisha e Tij duhet të ketë një Kuorum të Dymbëdhjetë Apostujve që mbajnë çelësat dhe ua japin ato të tjerëve.

Me kohë ndodhi Vegimi i Parë dhe rivendosja e Priftërisë Melkizedeke nga Pjetri, Jakobi dhe Gjoni.16

Më vonë Presidencisë së Parë dhe Kuorumit të të Dymbëdhjetëve iu tha:

“Sepse në të vërtetë unë ju them, çelësat e periudhës së kujdestarisë, të cilët ju i keni marrë, kanë zbritur nga etërit dhe, në fund të të gjithave, janë dërguar nga qielli për ju.

… vini re sa e madhe është thirrja juaj. Pastrojini zemrat tuaja dhe rrobat tuaja, përndryshe gjaku i këtij brezi do të kërkohet nga duart tuaja”.17

Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ishte e re kur u organizua Presidencia e Parë, e pasuar nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, që përbëhej nga njerëz të zakonshëm dhe pastaj Kuorumi i Shtatëdhjetëshes. Mosha mesatare e atij Kuorumi të parë të të Dymbëdhjetëve ishte 28 vjeç.

Ka qenë një linjë e pandërprerë autoriteti. Çelësat e priftërisë që u janë dhënë Apostujve kanë qenë mbajtur gjithmonë nga anëtarë të Presidencisë së Parë dhe të Kuorumit të të Dymbëdhjetëve.

Dje Plaku D. Tod Kristoferson u bë Apostulli i 96-të që shërben në të Dymbëdhjetët në këtë periudhë ungjillore. Ai do të shugurohet si Apostull dhe do t’i jepen gjithë çelësat e priftërisë që kanë 14 profetë, shikues dhe zbulues të tjerë – Apostuj të Zotit Jezu Krisht.

Në vitin 1976 mbahej një konferencë e përgjithshme zone në Kopenhagen, Danimarkë. Pas sesionit të mbylljes, Presidenti Spenser W. Kimball donte të vizitonte Kishën Vor Frue, ku janë statujat e skulptorit Thorvaldsen të Krishtit dhe të Dymbëdhjetë Apostujve. Ai kishte shkuar atje disa vite përpara dhe dëshironte që ta shihnim të gjithë, të shkonim atje.

Përpara kishës, prapa altarit, qëndron statuja e njohur e Krishtit me duart e Tij kthyer përpara dhe disi të shtrira, duart që tregonin shenjat e gozhdëve dhe plagën në brinjën e Tij që dukej shumë qartë. Në të dy anët qëndrojnë statujat e Apostujve, Pjetri përpara djathtas dhe Apostujt e tjerë me radhë.

Shumë nga grupi ynë ishin afër pjesës së pasme të kishës me kujdestarin. Unë qëndrova përpara me Presidentin Kimball, përpara statujës së Pjetrit me Plakun Reks D. Pinegar dhe Johan Helge Benthin, presidentin e kunjit të Kopenhagenit.

Në dorën e Pjetrit, skalitur në mermer, është një komplet çelësash të rëndë. Presidenti Kimball tregoi nga ata çelësa dhe shpjegoi se çfarë simbolizonin. Pastaj, me një lëvizje që nuk do ta harroj kurrë, ai u kthye nga Presidenti Benthin dhe, me një vendosmëri të pazakontë, drejtoi gishtin nga ai dhe tha: “Unë dua t’i tregoni kujtdo në Danimarkë se Unë i mbaj çelësat! Ne mbajmë çelësat e vërtetë dhe ne i përdorim ata çdo ditë.”

Unë nuk do ta harroj kurrë atë deklaratë, atë dëshmi nga profeti. Efekti ishte shpirtërisht i fuqishëm; përshtypja ishte fizike në ndikimin e vet.

Ne shkuam në pjesën e pasme të kishës ku po qëndronin pjesa tjetër e grupit. Duke treguar nga statujat, Presidenti Kimball i tha kujdestarit të mirë: “Këta janë Apostujt e vdekur.” Duke treguar nga unë, ai tha: “Këtu kemi Apostujt e gjallë. Plaku Paker është një Apostull. Plaku Tomas S. Monson dhe Plaku L. Tom Perri janë Apostuj dhe unë jam një Apostull. Ne jemi Apostujt e gjallë.

Ju keni lexuar mbi të Shtatëdhjetët në Dhiatën e Re dhe këtu janë dy nga të Shtatëdhjetët e gjallë, Plaku Reks D. Pinegar dhe Plaku Robert D. Hejls.”

Kujdestari, që deri në atë moment nuk kishte treguar ndonjë emocion, befas u përlot.

Unë ndieva se pata një përvojë unikale në jetën time.

“Ne besojmë në të njëjtin organizim që ekzistonte në Kishën Primitive, domethënë, apostuj, profetë, barinj, mësues, ungjillarë e kështu me radhë.”18

Kur të Shtatëdhjetët janë shuguruar, megjithëse nuk janë Apostuj të shuguruar dhe as mbajnë çelësa, ata kanë autoritet dhe të Dymbëdhjetët janë që “të [thërrasin] të Shtatëdhjetët, kur ata kanë nevojë për ndihmë, për të përmbushur thirrjet e ndryshme për predikimin dhe administrimin e ungjillit, në vend të ndonjë tjetri.”19

Sot ka 308 të Shtatëdhjetë në 8 kuorume. Ata përfaqësojnë 44 vende dhe flasin 30 gjuhë.

Ne nuk dëgjojmë që çelësa të priftërisë të përdoren në kisha të tjera kristiane. Duket e çuditshme që ne përshkruhemi nga disa si jo kristianë kur ne jemi të vetmit që kemi autoritetin dhe organizimin që vendosi Ai.

Të Dymbëdhjetët e sotëm janë njerëz shumë të zakonshëm. Ata nuk janë, siç nuk ishin të Dymbëdhjetët e parë, persona të paparë, por kolektivisht të Dymbëdhjetët përfaqësojnë një forcë të madhe.

Ne vijmë nga profesione të ndryshme. Ne jemi shkencëtarë, juristë, mësues.

Plaku Nelson është një prijës në kirurgjinë e zemrës. Ai ka kryer mijëra ndërhyrje kirurgjikale. Ai më ka thënë se ka i dhënë çdo pacienti të operuar në zemër garanci për gjithë jetën në punën e tij.

Disa në këtë Kuorum ishin ushtarakë – një detar, këmbësorë marine, pilotë.

Ata kanë mbajtur funksione të ndryshme në Kishë: mësues shtëpie, mësues, misionarë, presidentë kuorumi, peshkopë, presidentë kunji, presidentë misioni dhe më e rëndësishmja, bashkëshortë dhe baballarë.

Ata të gjithë janë studentë dhe mësues të ungjillit të Jezu Krishtit. Ajo që na bashkon është dashuria jonë për Shpëtimtarin dhe fëmijët e Atit të Tij si dhe dëshmia jonë se Ai qëndron në krye të Kishës.

Gati secili nga të Dymbëdhjetët vjen nga fillime modeste, siç ndodhi kur Ai ishte këtu. Të Dymbëdhjetët e gjallë janë bashkuar në shërbimin për ungjillin e Jezu Krishtit. Kur thirrja erdhi, secili la rrjetat e veta, ta themi kështu dhe ndoqi Zotin.

Presidenti Kimball kujtohet për deklaratën e tij: “Jeta ime është si këpucët e mia – të griset në shërbim.”20 Kjo vlen për të gjithë anëtarët e Dymbëdhjetëshes. Ne gjithashtu e konsumojmë veten në shërbim të Zotit dhe e bëjmë këtë me dëshirë. Kjo nuk është një jetë e lehtë për ne apo për familjet tona.

Është e pamundur të përshkruhet me fjalë kontributi, shërbimi, sakrifica që bëjnë bashkëshortet e udhëheqësve të priftërisë në mbarë botën.

Disa kohë përpara, bashkëshortja ime dhe gjithashtu Motra Ballard iu nënshtruan një operacioni tejet të dhimbshëm shpine. Të dyja janë mirë; asnjëra nuk është ankuar. Ankesa më e madhe e bashkëshortes time ishte shprehja: “Kjo nuk është zbavitje!”

“Është detyra e të Dymbëdhjetëve” – nën drejtimin e Presidencisë së Parë – “shugurojnë dhe vënë në rregull gjithë drejtuesit e tjerë të kishës, në përputhje me zbulesën.”21

Ne tani kemi mjetet me të cilat mund të japim mësim dhe të dëshmojmë për udhëheqësit dhe anëtarët kudo në botë në mënyrë elektronike. Por me qëllim që të përcjellim çelësat e autoritetit nëpër këtë linjë të pandërprerë tek udhëheqësit e priftërisë, “me anë të … venies së duarve”22, kudo që ata ndodhen nëpër botë, një nga ne duhet të jetë atje në çdo rast.

Zoti tha: “Dhe përsëri, unë ju them se këdo që do ta dërgoni në emrin tim, me anë të zërit të vëllezërve tuaj, të Dymbëdhjetëve, të rekomanduar dhe të autorizuar siç duhet nga ju, do të ketë fuqi për të hapur derën e mbretërisë sime për cilindo komb ku ju do t’i dërgoni ata.”23

Shkrimet e shenjta i përshkruajnë të Dymbëdhjetët si “këshilltarët udhëtues”24.

Unë nuk ndryshoj nga Vëllezërit e të Dymbëdhjetëve, dhe të Shtatëdhjetëve, dhe nga Këshilli i Peshkopëve, ku kam shërbyer për këto 47 vite kur ju tregoj se të dhënat tregojnë se unë kam qenë në Meksikë dhe në Amerikën Qendrore e Jugore më se 75 herë, në Europë më se 50 herë, në Kanada 25 herë, në ishujt e Paqësorit 10 herë, në Azi 10 herë dhe në Afrikë 4 herë; si dhe në Kinë dy herë, në Izrael, Arabinë Saudite, Bahrein, Republikën Domenkane, Indi, Pakistan, Egjipt, Indonezi dhe në shumë e shumë vende të tjera rreth globit. Të tjerë kanë udhëtuar edhe më shumë se kaq.

Ndërsa Apostujt mbajnë të gjithë çelësat e priftërisë, të gjithë udhëheqësit dhe anëtarët po ashtu marrin zbulesa vetiake. Me të vërtetë, ata pritet t’i kërkojnë ato me anë të lutjes dhe veprimit për këtë me besim.

“Sepse përmes tij … kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme.

Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë,

të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes.”25

Tani Plaku Kristoferson mund të vrasë mendjen, siç ndodhi me mua, përse një person si unë duhet të shugurohet si apostull i shenjtë.

Ka shumë cilësira që më mungojnë. Ka aq shumë në përpjekjen time për të shërbyer që mungon. Ka vetëm një gjë të vetme, një cilësi që mund ta shpjegojë atë. Si Pjetri dhe të gjithë ata që janë shuguruar deri tani, unë e kam atë dëshmi.

Unë e di se Perëndia është Ati ynë. Ai ia paraqiti Birin e Tij, Jezu Krishtin, Jozef Smithit. Unë deklaroj se unë e di se Jezusi është Krishti. Unë e di se Ai jeton. Ai u lind në meridianin e kohës. Ai u mësoi njerëzve ungjillin e Tij dhe u gjykua. Ai vuajti dhe u kryqëzua dhe u ringjall në ditën e tretë. Ai, si Ati i Tij, ka një trup prej mishi dhe kocke. Ai bëri Shlyerjen e Tij. Për Atë unë jap dëshmi. Unë jam një dëshmitar i Tij. Këtë e them në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënim

  1. DeB 107:38.

  2. Lluka 6:12–13.

  3. Gjoni 1:41–42.

  4. Shih Lluka 6:12–16.

  5. Shih Mateu 4:19; 16:24; Marku 6:1; Lluka 9:23; shih gjithashtu Gjoni 21:19; DeB 112:14.

  6. Mateu 16:19.

  7. Gjoni 14:12.

  8. Lluka 9:1–2, 6.

  9. DeB 124:128.

  10. Mateu 16:13, 16.

  11. Gjoni 6:60, 66–68.

  12. Shih Veprat e Apostujve 1:4.

  13. Shih Veprat e Apostujve 2:1–4.

  14. 2 Pjetri 1:19.

  15. 2 Pjetri 1:21.

  16. Shih DeB 27:12; Joseph Smith—Historia 1:72.

  17. DeB 112:32–33.

  18. Nenet e Besimit 1:6.

  19. DeB 107:38.

  20. Në Gordon B. Hinckley, “The Gift of Self,” Tambuli, dhjetor 1986, f. 4; “He Is at Peace,” Ensign, dhjetor 1985, f. 41.

  21. DeB 107:58; shih gjithashtu DeB 107:33.

  22. Nenet e Besimit 1:5.

  23. DeB 112:21.

  24. DeB 107:23.

  25. Efesianëve 2:18–20.