Konferenca e Përgjithshme
Pasuria më e Madhe
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


Pasuria më e Madhe

Secili prej nesh duhet të vijë te Krishti me zotim të paepur ndaj ungjillit të Tij.

Shkrimet e shenjta flasin për një të ri pasanik, i cili vrapoi drejt Jezusit, u gjunjëzua te këmbët e Tij dhe me sinqeritet të çiltër e pyeti Mësuesin: “Çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?” Pasi përsëriti një listë të gjatë urdhërimesh që ky njeri i kishte mbajtur besnikërisht, Jezusi i tha burrit të shiste gjithë zotërimet e tij, t’ua jepte të varfërve të ardhurat, të merrte kryqin e vet dhe ta ndiqte Atë. Thënia plot guxim e kësaj direktive e bëri të riun pasanik, pavarësisht nga sandalet e tij të shtrenjta, që t’i merreshin këmbët dhe ai u largua me keqardhje, sepse ai, thotë shkrimi i shenjtë, “kishte shumë pasuri”1.

Dukshëm, ky është një tregim i rëndësishëm paralajmërues rreth përdorimit të pasurisë dhe nevojave të të varfërve. Por në fund të fundit, është një histori rreth përkushtimit me gjithë shpirt, pa ngurrim ndaj përgjegjësive hyjnore. Me ose pa pasuri, secili prej nesh duhet të vijë te Krishti me të njëjtin zotim të paepur ndaj ungjillit të Tij që pritej nga ky i ri. Në të folurën e përditshme të rinisë së sotme, ne duhet ta shpallim vetveten “të përfshirë kokë e këmbë”2.

Në prozën e tij të paharrueshme e karakteristike, C. S. Luisi e përfytyron Zotin duke na thënë diçka si kjo: “Unë nuk dua … kohën tënde, … [ose] paratë e tua, … [ose] punën tënde, [aq shumë sa] unë [thjesht] të dua Ty. [Atë pemë që po e krasit.] Nuk dua të pres një degë këtu e një degë atje, unë dua … ta pres të tërë [gjënë]. [Dhe atë dhëmb.] Nuk dua ta gërryej, ose t’i vë kurorë apo ta [mbush] atë. [Dua] ta heq fare. [Në fakt dua që ti të më japësh] tërë veten tënde të natyrshme … [dhe] do të të jap një vetvete të re në vend të saj. Në fakt, unë do të të jap Veten Time: vullneti … im do të bëhet [vullneti yt].”3

Të gjithë ata që do të flasin në këtë konferencë të përgjithshme, të gjithë do të thonë, në një mënyrë ose një tjetër, atë që Krishti ia tha këtij të riu pasanik: “Eja te Shpëtimtari yt. Eja plotësisht dhe me gjithë zemër. Merre kryqin tënd, sado i rëndë të jetë dhe ndiqe Atë.”4 Ata do ta thonë këtë duke e ditur se në mbretërinë e Perëndisë nuk mund të ketë masa të përgjysmuara, as nisje dhe ndalim, as kthim prapa. Ndaj atyre që kërkuan leje për të varrosur një prind të vdekur ose të paktën për t’u ndarë me pjesëtarë të tjerë të familjes, përgjigjja e Jezusit ishte kërkuese dhe nuk linte vend për keqkuptime. “Lërja atë të tjerëve”, tha ai. “Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.”5 Kur prej nesh kërkohen gjëra të vështira, madje gjëra që janë në kundërshtim me përmallimet e zemrës sonë, mbani mend se besnikëria që i kushtojmë kauzës së Krishtit, duhet të jetë përkushtimi më i lartë i jetës sonë. Ndonëse Isaia na siguron që është në dispozicion “pa para dhe pa paguar”6 dhe ashtu është, ne duhet të përgatitemi, siç thotë një varg nga T. S. Elioti, që të na kushtojë “jo më pak se gjithçka”7.

Sigurisht, ne të gjithë kemi disa zakone ose të meta apo histori vetjake që mund të na mbajnë larg nga zhytja e plotë shpirtërore në këtë punë, por Perëndia është Ati ynë dhe ai është jashtëzakonisht i mirë për të falur dhe harruar mëkate të cilat i kemi braktisur, ndoshta ngaqë ne i japim Atij kaq shumë raste për ta bërë këtë gjë. Në çfarëdo rasti, ka ndihmë hyjnore për çdonjërin prej nesh në çfarëdo ore, kur e ndiejmë që ta bëjmë një ndryshim në sjelljen tonë. Perëndia i dha Saulit “[një] zem[ër tjetër]”8. Ezekieli i bëri thirrje tërë Izraelit të lashtë që ta flakte të shkuarën dhe të “bën[te] … një zemër të re dhe një shpirt të ri”9. Alma bëri thirrje për një “ndryshim [të] madh”10 që do ta bënte shpirtin të zgjerohej, dhe Vetë Jezusi dha mësim që “nëse një nuk ka rilindur, nuk mund të shohë mbretërinë e Perëndisë”11. Qartësisht mundësia për të ndryshuar dhe për të jetuar në një nivel më të lartë ka qenë gjithmonë njëra nga dhuratat e Perëndisë për ata që e kërkojnë atë.

Miq, në këtë çast ne gjejmë gjithfarë lloje ndarjesh e nënndarjesh, grupimesh e nëngrupimesh, klane digjitale dhe identitete politike me armiqësi të pamasë rreth e rrotull. A mund ta pyetim veten nëse një jetë “më [e] lartë dhe më [e] shenjtë”12, duke përdorur frazën e Presidentit Rasëll M. Nelson, mund të jetë diçka që mund ta kërkojmë? Kur e bëjmë këtë gjë, do të bënim mirë të kujtonim atë periudhë mahnitëse në Librin e Mormonit, në të cilën ata njerëz e bënë atë pyetje dhe iu përgjigjën asaj kaq pozitivisht:

“Dhe ndodhi që nuk pati grindje mes gjithë njerëzve, në gjithë vendin; … për shkak të dashurisë së Perëndisë që jetonte në zemrat e njerëzve.

Dhe nuk pati zili, as luftime, … as ndonjë lloj ndyrësie; dhe me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë.

Nuk kishte as vjedhës, as vrasës, as nuk kishte Lamanitë, as ndonjë lloj tjetër -itësh; por ata ishin të gjithë një, fëmijë të Krishtit dhe trashëgimtarë të mbretërisë së Perëndisë.

Dhe sa të bekuar ishin ata!13

Cili është kyçi i këtij zbulimi të madh lidhur me të jetuarit të kënaqur e të lumtur? Është i ngulitur atje në tekstin e një fjalie: “Dashuri[a e] Perëndisë … jetonte në zemrat e njerëzve”14. Kur dashuria e Perëndisë vendos tonin e jetës sonë, të marrëdhënieve tona me njëri‑tjetrin dhe më së fundmi të ndjenjës sonë për gjithë njerëzimin, atëherë dallimet e vjetra, etiketimet kufizuese dhe përçarjet artificiale fillojnë të largohen dhe paqja shtohet. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi në shembullin tonë në Librin e Mormonit. Nuk kishte më lamanitë, ose jakobitë, ose jozefitë, ose zoramitë. Nuk kishte asnjë lloj “‑itësh”. Njerëzit kishin marrë mbi vete vetëm një identitet të mrekullueshëm. Ata që të gjithë, siç thuhet, njiheshin si “fëmijë të Krishtit”15.

Sigurisht, ne po flasim këtu për urdhërimin e parë të madh, që iu dha familjes njerëzore – ta duam Perëndinë me gjithë shpirt pa ngurrim ose kompromis, që është me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë.16 Kjo dashuri për Perëndinë është urdhërimi i parë i madh i gjithësisë. Por e vërteta e parë e madhe e gjithësisë është se Perëndia na do ne pikërisht në atë mënyrë – me gjithë shpirt, pa ngurrim ose kompromis, me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e Tij. Kur ato forca madhështore të zemrës së Tij dhe të zemrës sonë takohen pa kufizim, ka një shpërthim të vërtetë të fuqisë shpirtërore dhe morale. Atëherë, siç shkroi Tejllhard dë Shardën, “për herë të dytë në historinë e botës, njeriu do të ketë zbuluar zjarrin”17.

Atëherë dhe vërtet vetëm atëherë, ne mund ta zbatojmë me efektshmëri urdhërimin e dytë të madh në mënyra që nuk janë sipërfaqësore apo të parëndësishme. Nëse e duam Perëndinë aq sa të përpiqemi që të jemi plotësisht besnikë ndaj Tij, Ai do të na japë aftësinë, zotësinë, vullnetin dhe mënyrën për t’i dashur të afërmit tanë dhe vetveten. Ndoshta atëherë do të jemi vërtet të aftë të themi përsëri: “Nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë”18.

Vëllezër dhe motra, lutem që ne t’ia dalim aty ku i riu pasanik dështoi, që ta marrim kryqin e Krishtit, sado kërkues qoftë ai, pavarësisht nga vështirësia dhe pavarësisht nga kostoja që sjell kjo. Jap dëshmi se kur zotohemi ta ndjekim Atë, shtegu, në një mënyrë ose një tjetër, do të përfshijë një kurorë gjembash dhe një kryq të rëndë romak. Pavarësisht se sa i pasur ishte i riu ynë pasanik, ai nuk ishte aq i pasur sa të blinte udhën e tij për t’iu shmangur një takimi me ato simbole, dhe as ne nuk mund ta blejmë. Për bekimin e marrjes së më të madhes nga të gjitha pasuritë, jetës së përjetshme, nuk është veçse pak të na kërkohet të vazhdojmë në ndjekjen e Priftit të Lartë të Rrëfimit të Besimit tonë, Yllit të Dritës sonë, Mbrojtësit dhe Mbretit tonë. Unë dëshmoj me Amalekin e panjohur të lashtësisë që ne duhet të “dhuro[jmë] tërë shpirtrat t[anë] si një dhuratë ndaj tij”19. Për një përkushtim të tillë të vendosur, të palëkundur, ne këndojmë:

Lavdi malit ku jam ngulur:

Malit të dashurisë Sate shëlbuese. …

Ja zemra ime, merre, vulose,

Lart në oborret e Tua vulose.20

Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.